Ka një gëzim të ekzaltuar dhe të pritur në opozitën shqiptare lidhur me rikthimin e ish presidentit Trump përsëri në Shtëpinë e Bardhë. Nuk dihet me siguri se cilët janë më të joshur nga fitorja e së martës, republikanët në Amerikë apo opozitarët në Shqipëri.
Socialistët, nga ana tjetër, janë të heshtur, dëshira e tyre e fshehtë apo e hapur, pavarësisht heshtjes së detyruar të shefit të qeverisë, do të ishte që qeveria e tanishme amerikane të vazhdonte të qeveriste.
Vendqëndrimi i politikës, si shenjë që përmes kësaj do të mund të qeverisej më lehtësisht, ndërlidhjet e kaq viteve mes qeverisë së majtë dhe qendrës së vendosjes në SHBA, ishte lehtësisht më i pëlqyer i së majtës, qoftë edhe për faktin se opozita, me padurimin e ankthin e së nesërmes, priste pikërisht ndryshimin e lidershipit amerikan.
Sido që të jetë, festa në godinën kryesore të opozitës është ende në pikun e saj, dhe, si ndodh në këto raste, gjithë shpresat janë mbështetur aty. Koha e mbetur nga tani e deri në zgjedhjet e ardhshme politike në Shqipëri do të jetë e mbushur me ankthin e pritjes së vendimeve mbështetëse. Ngazëllimi se, pas kësaj dite do të mbyllen gjithë proceset gjyqësore, do të shpallen të gjithë opozitarët të pafajshëm, se mund të ketë një amnisti për gjithë çka ndodhur, që nga Gërdeci, 21 janari, abuzimet, krijimin e një linje të furishme antiamerikane në jetën politike të opozitës, të gjitha këto, në pak ditë, do të jenë në harresën e viteve dhe se, sistemi i drejtësisë do të bjerë si një grumbull kashte, që, edhe potë digjet kjo kashtë, askush nuk do të mund të ngrohë as duart.
Opozita ka pritur këtë ditë. Më shumë se sa vetë republikanët amerikanë. Të duket sikur atyre iu është afruar vetë Shtëpia e Bardhë dhe jo, ajo që mund të jetë e pritshme në më realistët, krijimin e një lidhje më të arsyeshme me Departamentin Amerikan të Shtetit.
Në fakt, janë në të drejtën e tyre. Prej gati 12 viteve në opozitë, me goditje të një pas njëshme, më shumë politike, se sa ligjore, të bindur se kanë krijuar më në fund një fond politik ku mund të mbështeten, kanë pritur këtë rikthim sie vetmja shpresë që gjithçka mund të ndryshojë, dhe, duke marrë përsipër shembullin amerikan, edhe njeriu i tyre, një ditë ose një tjetër, mund të kthehet përsëri në godinën kryeministrore.
Kush nusërojë një herë, mund të nusërojë përsëri, mendohet në kampin e pozitës, të cilët, si në dëlir kanë nisur të hedhin fishekzjarrët e fitores në oborrin e tyre , të sjellin deklarata që më shumë u ngjajnë gëzimit të atyre që mendojnë se kanë në duar një karamele, dhe, më në fund, kanë gjetur shansin për të mbajtur veten në lojën e vështirë të politikës.
Të gjithë krahasimet çalojnë, thonë gjermanët, dhe nuk e kam ndër mend të prish gëzimin e opozitarëve dhe as që e kam këtë mundësi.
Dëshira e opozitës për të njësuar në një figurën e presidentit të tanishëm Trump dhe të liderit të tyre, Berishës, aq sa është e ligjshme, sepse 12 vite në opozitë janë shumë për këdo që është mësuar të rikthehet herë pas here në pushtet, por, po aq, në mos më shumë, mund të jetë edhe zhgënjimi që sjell disfata e mundshme.
Në Shtetet e Bashkuara u arrit një kthesë e pa dëgjuar më parë, njeriu i një mijë e një mëkateve, nga më të rëndat deri në banalet, që për shumë kënd mund të ishte i dënuari më i famshëm i botës , do të jetë përsëri Ai që do të udhëheqë një pjesë të rëndësishme të botës, në sfidat e panumërta të saj, ku ai mund të sjellë befasi që do të kishin tronditur botën.
Sidoqoftë, ajo që tërhoqi njerëzit rreth tij nuk ishte thjeshtë figura e një biznesmeni kontradiktor, por e kundërta e tij – njeriu që deri dje ishte në Shtëpinë e Bardhë , presidenti aktual Biden, rrënoi gjithë atë staturë që kishin ngritur figura të mëdha të demokratëve amerikanë.
Nuk ishte mosha që vendosi, por rëndesa e njërit dhe vrulli i tjetrit, që, kur i pari u ndërrua me ndihmësen e tij më të afërt, në demokratët ndërroi karroca, por jo kuajt që do e tërhiqnin atë drejt fitores.
Në Shqipëri, megjithëse opozita tani është mbledhur rreth një figure politike, në të cilën besojnë se është e vetmja që mund të rrëzojë nga pushteti të majtën, hesapet janë të mangëta dhe , zëri i mjaft figurave mediale rreh tyre, që duan të sjellin të përbashkëtat, në të vërtetë do të ndikojnë jo pak për të dëmtuar edhe më tej opozitën, që, edhe kështu, është e rrënuar, e pa ngritur nga dëmtimi i vetë vetes, dhe mbi të gjitha, në pritje për të marrë një sinjal të domosdoshëm nga Departamenti Amerikan i Shtetit, heqjen e “ non gratave” të familjes së ish kryeministrit. Ky është shansi i fundit i ish kryeministrit dhe familjes së tij. Sinjalet që janë dhënë para zgjedhjeve, nga funksionarë të rëndësishëm të stafit të presidentit të tanishëm, që edhe mund të drejtojnë pjesë të ndryshme të shtetit, mund të kenë ngjallur shpresa, që mund të kthehen në zhgënjime marrëzie.
Gjithçka mund të ndodhë, por, sado të ketë lëvizje të ndryshme politike apo pezullim të vendimeve, gjërat që kanë ndodhur nuk harrohen në mjedisin shqiptar, krijimi i klimës anti perëndimore do të vazhdojë të ndikojë, proceset e mëdha do të vazhdojnë, në mos në sistemin e drejtësisë, në memorien qytetare, të vrarët nuk do të ri ngrihen, bëmat nuk do të kalojnë në harresë.
Kushdo të jetë në Shtëpinë e Bardhë, boshti i së vërtetës është e vështirë të ndryshojë. Ata që mendojnë kq lehtësisht se, pas kësaj dite, çdo gjë në Shqipëri do të ndryshojë, mund të jenë aq të gabuar, sa që , kur të vijnë në vete, do të jetë e vështirë të marrin veten.
Vendimi i qytetarëve amerikanë për të ia besuar edhe një herë drejtimin e shtetit të tyre, në mënyrë të papritur për shumë kënd, edhe për analistët më seriozë dhe media të njohura, nuk është se nuk do të ndikojë në jetën politike shqiptare. Duam apo nuk duam, e mohojmë apo jo, e fshehim apo nuk e shohim, politika shqiptare është e lidhur, në një masë të konsiderueshme nga ndërlidhjet me shtetet vendos, aq më tepër me Shtetet e Bashkuara. Presidenti Trump në janar do të kthehet në Shtëpinë e Bardhë. Opozitës i duket sikur do të kthehet së bashku.( DITA)