Bedri Islami

Bedri Islami: Nga do të shkojnë dhe si do të votojnë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut

Votimi i parë për presidentin e Maqedonisë së Veriut dëshmoi atë që ishte pritur: shqiptarët e kanë të vështirë të bashkohen, edhe në një çështje të madhe, dhe, nga ana tjetër, e kanë shumë të lehtë të ndahen. Shansi i tyre historik, për të pasur kandidatin e përbashkët në garën elektorale për presidentin e shtetit, që në këtë vend zgjidhet direkt nga votuesit, dështoi turpërisht.  Nëse do të kishte ndodhur kështu, pra, që të kishte një emërues të përbashkët, atëherë, për herë të parë, përfaqësuesi i lartë i interesave të shqiptarëve, do të ishte pjesë e balotazhit, dhe, duke menduar për aleancat e mundshme politike, ishte e mundshme që të kishim për herë të parë në drejtimin e shtetit një figurë të lartë politike të shqiptarëve.

Kjo nuk ndodhi. Shqiptarët u strukën edhe një herë në bastionet e tyre. Shansi humbi. Dëshmia e ndarjes ishte e hidhur. Ata kanë para vetes provimin e përcaktimit të deputetëve në parlamentin e ri të Maqedonisë , i cili, si duket, do të jetë në dominimin e forcave të djathta, nacionaliste dhe të dëshmuara si njësi politike gjysmë ushtarake e gjysmë politike, me tendenca agresive ndaj shqiptarëve në këtë shtet dhe mohuese të drejtave të tyre themelore.

Ndarja e parë ka shumë arsye , njëra nga të cilat, ndoshta më e dukshme se të tjerat, erdhi nga Prishtina. Lëvizja e prirë nga Albin Kurti, njëherësh edhe shefi i qeverisë së saj, papritmas u bë pjesë e ndarjes dhe thelluesi i mëtejshëm i saj. Në të ardhmen do të jetë më e qartë ndërhyrja e tij, shkaqet dhe synimet që kishte, duke krijuar një njësi opozitare, e cila thelloi ndarjen, rriti agresivitetin, solli në fushën politike të Shkupit dhe të Tetovës mllefin që ishte për shfaqur në rrugët e sheshet e Kosovës, kur kjo lëvizje ishte në opozitë, krijoi ndasi të reja, krahas të vjetrave, dhe, çuditërisht, megjithëse e shpallur si një lëvizje politike e së majtës progresive, ajo u rreshtua me forcat politike shqiptare që janë të njohura si përkrahëse të së djathtës, përmes së cilës edhe kanë fituar disa komuna të rëndësishme në MV, por , më tej, të njohura edhe për lidhjet e tyre me lëvizje ekstreme islamike. Sidoqoftë, si forcë politike drejtuese në Kosovë ajo përçoi shembullin e keq të shtrirjes së sherreve politike në një truall tjetër, duke i dhënë të drejtën, megjithëse të pa afishuar, e ndërhyrjes së politikës serbe në ato komuna ku pakicat serbe janë shumicë. Alibia e krijuar për nacionalizmin serb do të jetë e dhimbshme, pasojat e saj do të ndjehen në të ardhmen, por , ajo që sot është më e ndjeshme, ato u ndjenë në krijimin e një sherrnaje, jo pa pasoja, mes forcave politike shqiptare në MV.

Tani është faza e dytë, edhe më e rëndësishme. Në votimet e 8 majit do të përcaktohet në një shkallë të madhe e ardhmja e afërt e shtetit maqedonas, por, mbi të gjitha e shqiptarëve që bëjnë pjesë në këtë republikë.

Të drejtat e deritanishme nuk janë dhuruar. Ata, duhet saktësuar, janë fituar. Përmes luftës, përmes mendjes, përmes paqes, në drejtimin e një figure politike që ka bërë prej kohe epokën e tij, Ali Ahmeti. Në kohën kur askush nuk e besonte një perspektivë të tillë, ai arriti të bindë një pjesë të ndjeshme të atdhetarëve se kjo mund të arrihet. Në kohën kur të gjithë mendonin se paqja e ardhur as luftës do të kishte pasoja dhe përplasje të madhe, ai gjeti rrugën drejt paqes, duke ndërtuar bazat e një politike që i takonte e ardhmja, në të cilën shqiptarët u bënë në pak vite element shtet formues dhe shtet drejtues. Koncepti i tij për lëvizje të fuqishme drejt Europës, përmes një fronti të përbashkët me pakicat që jetojnë në MV dhe mendjet e hapura politike në këtë shtet, është rruga e vetme, që nuk shmang reformat, nuk shpërbën rolin e shqiptarëve, nuk nxit konflikte dhe nuk asimilon të drejtat e më shumë se 30 për qind e popullsisë që jeton në këtë shtet.

Grupimet nacionaliste, të cilat janë grumbulluar rreth pasuesve të Gruevskit, dhe, mbi të gjitha , kanë të njëjtën linjë politike, kanë shansin të ri kthehen në pushtet. Së bashku me to do të rikthehen edhe mendësitë konservatore, larg qëndrimeve evropiane, është e mundur dhe priten të ndodhin ndryshime të rëndësishme në politikën e jashtme, afrim drejt Rusisë dhe mbështetje politike ndaj saj; me ri ardhjen në pushtet të forcave ekstreme nacionaliste në MV do të ketë rigjallërim dhe forcim të tonit të ashpër dhe qëndrimeve agresive ndaj shqiptarëve, gjyqe dhe procese të montuara, ashpërsim ndaj gjuhës, kulturës dhe arsimit shqip, forcim të dhunës ndaj shqiptarëve me prejardhje ortodokse, të cilët përmes vijës politike të ashpër janë shkruar tani si maqedonas; mbi të gjitha do të ndryshojnë balancat politike. MV, në drejtimin e së djathtës dhe pa një kundërshtar të fortë, qoftë edhe në qeveri, do të jetë gjithnjë e më shumë larg Brukselit dhe pranë Moskës. Për këtë askush nuk ka dyshim, të gjithë e dinë, dhe, fatkeqësisht, një pjesë e politikës së përçarë shqiptare, me tendencë mohuese, është gati të bashkohet për hir të pushtetit. Por , edhe si shpërblim për ndihmën e dhënë nga forcat ekstreme në qeverisjen e disa komunave shqiptare.

Social demokratët në MV, qoftë për shkak të gabimeve të mëdha në qeverisje, humbjes së një figure drejtuese karizmatike, përplasjeve mes liderëve, të djeshëm dhe aktualë, nuk ka më forcën e saj politike dhe as autoritetin për të qenë palë e vendosur në zhvillimin progresiv të MV.

Forca politike që mbetet është brenda shqiptarëve. Ata kanë të gjithë mundësinë dhe autoritetin që , edhe pas ndërrimit të qeverisjes politike e shtetërore, të bëjnë të mundur ndaljen e një caku revanshist të forcave nacionaliste maqedonase.

Edhe para disa viteve MV është gjendur para një dileme të tillë: në zgjedhjen e rrugës nga duhej të shkonte. Në përcaktimin e saj politik, vazhdimin e një bashkëqeverisje me Gruvsekin, i cili kishte miq të shumtë në Shqipëri në opozitën politike, që ngulmonte lidhjen me të djathtën, dhe përzgjedhjen e një bashkëpunimi të ri, në një rrugëtim që të çonte drejt pranimit në NATO. Ishin momente vendimtare dhe zgjedhja e një kahu të qartë politik të shqiptarëve ishte domethënëse dhe e domosdoshme.

Bashkimi demokratik për Integrim, drejtuar nga lideri i njohur , Ali Ahmeti vendosi për rrugën evropiane të zhvillimit dhe e arriti këtë pa asnjë mëdyshje.

Tani nuk janë thjeshtë zgjedhje. Është fjala për më shumë se kaq. Për referendum. Ku do të përcaktohet e ardhmja.

Ndërrimi i trasesë do të jetë fatal dhe kohë e kthyer pas. Shumë pas. Do të jetë rënie e autoritetit dhe e rolit të shqiptarëve në qeverisjen e vendit, por edhe , nëse ndodh, thellimi i ndarjes mes tyre.

Mundësia e vetme është të ketë përcaktim të qartë për atë forcë politike që është dëshmuar e aftë të ndjekë rrugën evropiane të zhvillimit dhe që, në dy dekada, është dëshmuar partnere e denjë e politikës perëndimore. Përcaktimi i saj për Evropën, Jo Rusisë është domethënës dhe domosdoshmëri historike për shqiptarët në MV.

Kushdo është i bindur se, në mesin e shqiptarëve, ajo do të jetë edhe më tej , forca politike kryesore, por, në këtë rast kjo nuk është e mjaftueshme.  Duhet  të ketë një përcaktim shumë më të fuqishëm se më parë, duke ia bërë nacionalistëve maqedonas të qartë se qeverisja e tyre do të jetë në kontrollin e një force politike thellësisht evropiane, dhe, nëse nuk do të ndiqet kjo rrugë, qeverisja e tyre do të jetë e pamundur.

Qarqet politike nacionaliste, që mendohet se do të vijnë në pushtet, prej kohe kanë bërë takime të ndryshme me liderë të opozitës shqiptare ose të dërguar prej tyre për një rreshtim të përbashkët në të ardhmen. Jo rrallë herë edhe në dëm të interesave të shqiptarëve, si popull në MV dhe si pjesë e kombit në Ballkan. Synimi i pushtetit me çdo kusht , duke lënë anash atë që është arritur e mund të bëhet në të ardhmen, mund të ketë pasoja për njerëzit.

Mbi të gjitha, mund të bëjë shqiptarët e politikës së verbër bashkëfajtorë për rrugën e ndjekur kundër politikës perëndimore dhe afruese me Rusinë. Në këtë kohë kjo është më tepër se sa krim. Është tradhti.

Çfarë rruge do të ndjekin shqiptarët?

Pas disa ditëve gjithçka do të jetë më e qartë.

Ata janë përballë dy mundësive: rrugës së sprovuar, që ka gjurmët e saj në historinë e kombit, dhe, për fat të keq, rrugës tjetër, mbështjellë nga enigmat, fryma ndarëse dhe megalomania politike. (DITA)

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Islami: Me fitoren e Donld Trumpit në Amerikë, Opozitës në Shqipëri i duket se iu afrua Shtëpia e Bardhë

Ka një gëzim të ekzaltuar dhe të pritur në opozitën shqiptare lidhur me rikthimin e …