leoni

Bedri Islami: Përse u la i lirë Sali Berisha

Ngjarja më e bujshme e javës së fundit në Shqipëri, pa dyshim  ka qenë ndryshimi i masës së sigurisë për ish-kryeministrin e akuzuar për privatizimin e paligjshëm të Kompleksit Partizani, si dhe të shpallur non grata nga SHBA dhe Britania e Madhe për minim të demokracisë dhe korrupsion madhor.

Ishte një vendim i papritur për shumë shqiptarë. Por ka edhe të tjerë, për të cilët ky vendim ishte rrjedhë e natyrshme e gjërave që prej vitesh kanë ndodhur në këtë vend. Me gjithë katrahurën e tre dekadave të fundit, mjerisht, asnjë politikan i shkallës sipërore, edhe pse  krimet, fajet e dëmet kanë qenë të mëdha, nuk është dënuar.

Çfarë ndryshoi në gjendjen e tanishme të ish kryeministrit shqiptar, që prej 11 muajve  ndodhej në arrest shtëpie, të cilin as nuk e respektoi asnjëherë plotësisht, dhe as e detyroi kush ta respektonte? Dukej sikur një ligj i posaçëm ishte krijuar për të; sikur nga njëra anë SPAK dhe, nga ana tjetër Berisha, kishin bërë një marrëveshje të heshtur: SPAK sikur nuk e dinte se çfarë ndodhte në katin e tetë të pallatit ku duhej të ishte në arrestin e tij shtëpiak Berisha, dhe ky i fundit, sikur nuk e çante kokën se çfarë synonte struktura që e kishte burgosur.

Tani ai është i lirë, si ka ndodhur edhe në raste të tjera, ku, pasi ka gjëmuar, mallkuar, lëçitur dhe bërë çfarë ka mundur, në fund është ndjerë i lirë dhe i ringritur në kalin e tij të betejës.

Përse është lënë i lirë tani Berisha dhe, nëse ky është vendimi i duhur, i mbështetur në arsye fuqiplota të jurispendencës, kush do të mbajë, të paktën përgjegjësi morale, për burgosjen 11 mujore të tij?

Ka tre shkaqe themelore të lirisë së tij:

Së pari, dosja e gjykimit të aferës “Partizani” tani është në gjykatë. Provat janë mbledhur, dëshmitë janë të organizuara, grupi i prokurorëve ka përfunduar punën e vet. Por mund të ketë edhe prova të reja që mund të paraqiten. Sigurisht është një gjyq i vështirë, jo se çështjet janë të ngatërruara, por sepse njeriu që do të gjykohet është po Ai , që në këtë vend, në tri dekada e gjysëm ka bërë ligjin plotësisht kur ka qenë në pushtet dhe ka ndikuar e imponuar fuqishëm kur ka qenë në opozitë.

E gjithë sjellja politike e Berishës, që në dhjetorin e vitit 1990, si askund tjetër, ka qenë e mbështetur në dhunë, përplasje, shantazhe dhe egërsi. Kjo frymë, në masë të ndjeshme , është edhe te pasuesit e tij. Përballja me të vërtetën e asaj që ka ndodhur ka qenë e vështirë, e herë pas here, e pamundur. Mjafton të sillen ndër mend seancat e farsës gjyqësore të 21 janarit, ku gardistët e grumbulluar në sallë bënin gjyqin e prokurorëve, apo kur vetë policia e shtetit refuzonte një urdhër ndalimi të prokurorisë.

A mos ka pasur nevojë për një zbutje të klimës që po afrohet? Ndoshta, fillimi i afërt i gjykimit përbën edhe shkakun e vendimit? Ky i fundit, gjithsesi mbetet i dyshuar në saktësinë e tij.

Së dyti,  që në krijimin e strukturës së posaçme anti korrupsion, opozita, në të gjithë krahët e saj, është e vendosur të përmbysë atë. Duke mos qenë e aftë të përmbysë ligjet që e kanë krijuar, synon ta bëjë përmes kërcënimit dhe leçitjes në emër të veçantë. Në mendësinë e opozitës hetimi, gjykimi apo dënimi i shefit të tyre politik është një temë tabu, që nuk mund e nuk guxon të ndodhë.

Berisha gjithnjë, jo vetëm tani, e ka menduar veten të paprekshëm. Sa herë që është ndodhur përpara një mundësie për të qenë subjekt i ligjit dhe i ndëshkimit, tërbimi i tij ka qenë i pa fund, i llahtarshëm, i gjithë anshëm, me pasoja për ata që kanë pasur të bëjnë me të, por edhe me jetën e vendit. Çdo herë ka ndodhur kështu: edhe në ngjarje të vogla, edhe në të mëdha.

Kujtesa nuk mund të shmangë tërbimin e tij parlamentar në rastin e Gërdecit, me 21 janarin, ngjarje që duhej të kishin fundosur përfundimisht figurën e tij politike dhe qenien e tij si drejtues.

Ngjarjet që paraprinë vendimin për ndryshimin e masës së sigurisë, duan apo nuk duan strukturat e njësive të posaçme të drejtësisë, kanë lidhje me vendimin.  Mendoj që presioni ndjehet në strukturat e drejtësisë. Njerëzit që bëjnë pjesë aty nuk janë as prej hekuri dhe as të pa ndjeshëm.

Së treti, në kulisat e politikës shpesh herë ndodhin lojëra më të mëdha se sa mund të paramendohet nga njerëzit e zakonshëm. Politika e ul perden në çastin ku nuk dëshiron të shihet dhe e e ngre përsëri kur gjërat duken njëjtë si më parë.

Jam larg mendimit se arresti dhe liria e tij kanë lidhje me Edi Ramën. Të ishte kështu, atëherë mjerë opozita. Nëse e arrestoi çfarë fitoi dhe, nëse e liron, përsëri çfarë fiton?

Rama nuk ka të bëjë me strukturat e drejtësisë së re. Do të kishte dashur të komandonte edhe aty, por nuk mundet. Jo se nuk do, por sepse nuk e lënë. Ata që nuk e lënë, në fakt janë më të fuqishëm se ai vetë dhe kanë investuar pikërisht për këtë: që edhe një shef qeverie sado autokrat, apo drejt absolutizmit qeverisës, të mos ketë mundësi të prishë mekanizmin e ri. Në mos tjetër, ai, Rama, për një mik të vjetër të tij, si Ilir Beqja, do i kishte kthyer mbrapsht të gjithë ingranazhet e dhëmbëzuara të SPAK, por nuk e bëri dot.

Qëndrimi i opozitës se pas kësaj loje qëndron Edi Rama është alibi e humbjes që po e përgatitin vetë, duke e hyjnizuar kundërshtarin në fuqinë e tij marramendëse, dhe duke e vënë veten në pozitën e rajasë, që nuk mund të bëjë asgjë.

Rasti Berisha, edhe pse ende nuk ka marrë fund, sepse, ashtu si SPAK ka paralajmëruar, çështja mund të shkojë në një instancë më të lartë, ka edhe hijen e një grupi shtetesh që kanë ritme të tjera veprimi.

Shqipëria është ende vendi ku ndikimi rus, sidomos pansllav është i largët, ndryshe nga sa ndodh në tre shtetet fqinj, Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut.

Revoltat në Shqipëri duhen qetësuar, të paktën deri në muajin maj, kur zgjedhjet e reja politike do të jenë fundi i një pjese të klasës së vjetër politike dhe fillesa e pakët e një mendimi ndryshe.

Deri atëherë militantët e lidhur me Berishën është e natyrshme të gëzohen. Ata e kanë lidhur jetën, mendimin e tyre politik dhe filozofinë e përshtatjes pikërisht me figurën, karizmën dhe pushtetin absolut të Berishës. Këtë e kanë bërë sinqerisht, sepse e besojnë atë në fuqinë e tij, janë të bindur se vetëm ai mund të rrëzojë Ramën nga pushteti dhe të risjell edhe një herë opozitën, si në vitin 2005. Ata e kanë pritur këtë çast, dhe besojnë se ky është fillimi i kthesës së pritur, për të përmbysur situatën dhe për të qenë pjesë e pushtetit. Disa e besojnë sinqerisht këtë, disa e shohin si rrugën e vetme.

Pastaj është ajo pjesë e opozitës që e ka parë qeverisjen e së djathtës si një mundësi pasurimi, kthimi në parajsën e humbur, në postet që kanë pasur dhe në mundësinë e shfrytëzimit të mëtejshëm të fuqisë që iu është dhënë dikur. Kjo trupë, edhe pse pa ide të qarta dhe asnjë lloj vizioni është e gatshme të kthehet në kamikaz , jo thjeshtë politik, për të qenë rishtas pjesë e pushtetit, është e aftë të kthehet në njësi e armatosur, si ndodhi në vitin 2021, të bëjë presion dhe të ushtrojë dhunë, e ndoshta edhe të vrasë.

Nëse e majta në pushtet  do u kishte dhënë të njëjtat fuqi dhe mundësi grabitje, me siguri, një pjesës e madhe e tyre do të ishin “majtizuar”.  Këto janë të gëzuarit e çastit, por të rrezikshmit e mëdhenj.

Të gëzuar janë edhe grupimi i vogël i Ilir Metës, që presin me padurim kthimin e këtij të fundit në kthinat e partisë. Nganjëherë e njëjta gjë shfaqet në dy forma, e rëndë dhe komike. Kjo e fundit duket në kapërcimet zbavitëse të pasuesve të Ilir Metës, ku tronditja e tyre nuk tremb askënd dhe figura e shfaqur shkon drejt komikes.

Brenda opozitës ka edhe një pjesë, jo të pa rëndësishme aktualisht, që hidhërimin e tyre bëjnë përpjekje ta fshehin pas duartrokitjeve dhe gëzimit sipërfaqësor. Të përfaqësuar nga Bardhi dhe një soj i tij, ata nuk e kanë dashur kurrë Berishën. Gazmend Bardhi, natyrë melankolike, shpesh pre e anktheve, e kalon një pjesë të jetës së tij në gjendje ekstaze mistike. Ai është rob i emocioneve  më tepër se kavajasit normalë e shpesh përmes zemërimit foshnjarak, shpreh gjendjen e tij të dyzuar emocionale.

Ai ka pritur me padurim dënimin e Berishës, shpesh herë akuzat e tij dhe të këtij grupi kameleonësh kanë qenë më të rënda se dosjet hetimore të SPAK-ut, padurimi i tyre për theqafjen e Berishës ka qenë i dukshëm në çastet kur dukej se fati i tij u rrokullis dhe nuk do të ngrihej më. Janë rikthyer për të qenë aty të gatshëm në rënien e piramidës berishiste, për të ngritur një tjetër. DITA

Kontrolloni gjithashtu

Studimi i së ashtuquajturës ‘Akademi e Studimeve Shqiptare’ në 80-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë, masakron historinë e LANC-it

Historianë dhe studiues gjysmakë,  me prejardhje balliste e profashiste,  në 80-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë …