Bedri Islami

Bedri Islami: Prokurori Llalla është njeriu që iu duhet aq shumë politikanëve të mbërthyer nga krimi

Partia Demokratike, nën drejtimin e Bashës dhe, Lëvizja Socialiste për Integrim, nën drejtimin e Kryemadhit, pasi konsumuan të gjitha derivatet e mundshme gojore për të mbajtur në këmbë kështjellën e mbrojtjes së korrupsionit, nën emrin e përveçëm të Llallës dhe vasalëve të tij, tani po përgatiten të rritin stekën më lart: ata kanë bërë thirrje për rezistencë përmes demonstrimeve dhe grumbullimeve të militantëv edhe metingashëve të tyre.

Loja me prokuror është zgjatur tej së zakonshmes. Çuditërisht, ndoshta edhe jo, dy forcat politike që kërkojnë me çdo kusht mbajtjen e kryeprokurorit, janë po ata që, në rastet e kuqjes së dosjeve, i kanë hequr ato përmes krijimit të precedentëve të përkohshëm juridikë, pa u dridhur fare se po shkelnin të gjithë kështjellën e pavarësisë së sistemit të drejtësisë.

Çdo kryeprokuror i larguar në këto 27 vite ka qenë fillimisht krijesë e demokratikasve dhe pastaj heqje e tyre. Rastet më flagrante janë largimet e Arben Rakipit, i cili sapo kishte filluar hapjet e tri dosjeve të rëndësishme ministrore, njëra nga të cilat mendohej se lidhej edhe me familjen presidenciale, dhe Ina Rama, e cila sapo kishte kërkuar dërgimin në gjyq të një zinxhiri komandues të Gardës së Republikës, figurave ministrore nga më të rëndësishmet në kohën e saj.

Vendin e zonjës Ina Rama e zuri Llalla, për vendin kishte qenë zgjidhja më e keqe e mundshme, përmes së cilës erdhi përçudnimi i prokurorisë, ndërsa për ata që e zgjodhën kishte qenë një gjetje e duhur, sepse nën lëvozhgën e ngritur nga vetë ai po fshihen gjithçka ka qenë e dënueshme.

PD dhe LSI janë në të drejtën e tyre të demonstrojnë, të protestojnë, të ngrejnë komisione, të dyshojnë, të mos votojnë, të mbledhin militantë e metingashë, por jo të tërbohen.

Ajo që po ndodh aktualisht është jo shfaqja e një opozite të pjekur, racionale, me një vizion për pushtetin e së nesërmes, por një lukuni politike e tërbuar, e cila i është vërsulur shtetit me hurin e një prapshtie që vetëm politikë nuk është.

Kush është Llalla? Është ai garanti i drejtësisë? Edhe vetë ata e dinë se nuk është! Shembet vendi nëse ikën Llalla? Edhe vetë ata e dinë se nuk i lëndohet as qimja, veçse mund të ndreqen gjërat! Është ai një jurist i shquar, figurë domethënëse dhe luftëtar i së drejtës? Largmendësh! Nëse ka një jurist që nuk do të duhej të ishte në atë post, ai, pa dyshim, është Llalla.

Shumë vite më parë kam shënuar rastin e një filozofeje të njohur amerikane që bëri martesën e saj me një njeri të zakonshëm. Kur e pyetën përse u martua me atë njeri të zakonshëm, për më tepër  meskin e aspak filozof, ajo u përgjigj qetësisht se “ për atë punë që e kam marr, ai është filozof e përmbi filozof”.

Edhe Llalla është një i tillë. Për atë punë që e kanë deleguar në atë post, ai është i vlefshëm dhe super i vlefshëm. Është njeriu që duhet për njerëzit e mbërthyer nga krimi.

Përballë tani, si shpesh herë, janë dy palë. Njëra kërkon të mbajë Llallën e çështjen e tij ta përdorë për rrëzimin e qeverisë, dhe tjetra kërkon ta largojë domosdo. E para ka justifikimin kryesor se po shkelet kushtetuta dhe se Rama, me këtë akt, po vendos kamzhikun në dorën e tij.

Që do të thotë se ky kamzhik ka qenë në duart e dikujt tjetër dhe tani po spostohet. Frikë e justifikuar, pasi e dinë fare mirë përse e kanë vënë llallën. Nëse frika ruan vreshtat, Llalla ruan dosjet e tyre. Pala tjetër, në pushtet, kërkon të zëvendësojë Llallën dhe ka përkrahjen pa ekuivok të diplomacisë ndërkombëtare.

Ndoshta edhe segmente të saj mendojnë se me heqjen e Llallës dhe vendosjen e një “Llalle” tjetër, shumë nga prapshtitë e tyre do të flenë në dosje. Por , një gjë është e sigurtë: me këtë prokuror nuk ecet dhe pala që guxon është në të drejtën e saj.

Tërbimi ka përshkuar tani krejt kampin e opozitës. Jo mendimi. Tërbimi. Deklaratat e çmendura, deri për dëshirat seksuale të diplomatëve të huaj në këtë vend, sulmet ndaj ambasadorit Lu, sikur të ishte karrocier i këtij vendi të madh, e jo përfaqësuesi i tij, përfshirja e ambasadorëve në afera kriminale deri në mashtrim, çjerrjet ndaj komplotit Soros dhe kampit Obama, si të ishin transferuar inatet shqiptare në Amerikë, sulmet ndaj gjithë atyre që nuk mendojnë se duhet mbajtur ky kryeprokuror, hedhja në sulm e të gjitha falangave politike, tërheqja e mendimit të juristëve , të cilët, kur ishin në detyra të larta emëruar nga PD, nuk ishin asgjë tjetër veçse tellallë politikë në sistemin e drejtësisë, kërcënimi me rrëzimin e shtetit dhe përmbysjen e qeverisë, gjuha halabake e vogëlushit politik, Basha dhe kërcënimet ujkore të Nokës, dalja e Kryemadhit dhe fill pas saj e Vasilit, i cili nuk bën asgjë tjetër veçse zvogëlon efektin e fjalës së të parës, si breshëri që kthehet në shi miturak; çmenduria e Berishës dhe familjes së tij si një hit politik i dëgjuar, por i ngritur disa tone më lart – të gjitha këto kanë krijuar klimën e tërbimit politik që, një ditë ose një tjetër, mund të degjenerojë në akte të pashembullta. Ajo që ka paralajmëruar në mënyrën më marroqe të mundshme një deputet si Noka, se viti 1997 do ju duket lule, po kërkohet me çdo kusht, duke kërkuar një shkak lufte.

Përse janë tërbuar? Thjeshtë se do të ikë Llalla? Ata e dinë se ky i fundit nuk vlen asnjë grosh. Se po shkelet kushtetuta? Ata e dinë se nuk ka asnjë shkelje, por, po ashtu, janë vetë ata kampionët e përdhosjes së saj. Se Rama po kërkon të marrë ligjin në duart e tij? E dinë po ashtu se tani drejtësia është nën një monitorim të jashtëzakonshëm nga ndërkombëtarët, që kanë dërguar këtu jo vetëm njerëzit më të besuar, por edhe kanë investuar kohë, para dhe diplomaci. Jo për sytë e bukur të Ramës? E as për ledhatimin e shtetit. E kanë bërë për përmbysjen e së keqes dhe do e bëjnë. Nëse shumica e sotme qeverisëse do i thonte opozitës, “urdhëro, gjeje ti një prokuror të ri të përgjithshëm të përkohshëm”, ata do e bënin marramendshëm shpejt, por me kushtin e vetëm që Llalla e sotëm të zëvendësohet me një “Bozë” të së nesërmes.

Atëherë pse bëhet e gjithë kjo?

Dy janë shkaqet themelore:

E para, ata mendojnë se drejtësia që ishte në duart e tyre tash e 27 vite, po u rrëshqet dhe po shkon drejt prehërit të shumicës qeverisëse, i cili, në parlament u ka pas thënë se, “nuk keni parë gjë akoma”.

Të mësuar me drejtësinë në prehër, ata mendojnë, ndoshta jo pa të drejtë, se, si i thonë në Shkodër, bërësi-kujtuesi, ikja e saj në një prehër tjetër është një tradhti bashkëshortore e dhimbshme. Ndaj do të protestojnë e tërbohen edhe më tej për të mbajtur Llallën që tani ka marrë tatëpjetën. Edhe ai vetë e di.

Së dyti dhe më madhorja: Prokurori i ri, qoftë edhe i përkohshëm, është pjesë e reformës në drejtësi dhe është e qartë se këtë ata e kanë frikë. Ky prokuror i ri, ndoshta ndryshe nga të tjerët, do të gjejë forcën të përkulet fuqishëm mbi dosjet e nxehta përvëluese, të kthejë ata për një rihetim serioz, gjë që do të ndryshonte jo vetëm jetën e vendit, por edhe përmbysjen e njëhershme të një oligarkie politike që e ka kërrusur këtë vend.

Janë shumë çështje që mund të krijojnë dy gjëra njëherësh. Të kemi një kryeprokuror në tërë kuptimin e kësaj fjale dhe, më në fund, të kuptojë secili nga pushtetarët se nuk janë të pandëshkueshëm.

Shumica e dosjeve që priten të hapen janë të lidhura pikërisht me ata që do të protestojnë dhe që, përmes luftës për prokuror, duan të rrëzojnë qeverinë. Çështje të tilla të mëdha, që janë mbyllur përmes akteve qesharake, si 21 janari, CEZ, Rruga e Kombit, Rapiscan, akuzat e Izet Haxhisë, njeriut më të afërt të Berishës, tregtia e paligjshme e armëve dhe karburanteve me regjimin e Millosheviçit, krijimin e shtetit shqiptar si një bazë për radikalët islamikë, shitjen e detit dhe marrëveshjet e turpshme,  Gërdeci dhe përpjekjet për ta fshehur familjen ish kryeministrore nga krimi, grushti i shtetit i vitit 1997 që mbeti pa ndëshkim, vjedhjet pa fund në koncensionet e dhëna, sidomos në javët e fundit të qeverisë Berisha 2, privatizimet pa kriter, paratë e lobimit apo të dërguara në parajsat fiskale – të gjitha këto janë makthi i opozitës së sotme. Ata që flenë sot në vilat e jashtëzakonshme, para së cilës shtëpitë e ish bllokut të duken si kasolle, kanë drojën se, një ditë të bukur, mund të ia nisin nga e para, ose, si do të duhej, nga fundosja e emrit të tyre në një vend të sigurisë së lartë.

Asnjëri prej tyre nuk mund të justifikojë pasuritë marramendëse, shpenzimet për jetën e tyre, të fëmijëve dhe të të afërmve, sidomos vjehrrave dhe kunetërve, askush nuk e di se ku do i gjejë argumentet për zaptimin e bregdetit, shkatërrimin e shtetit, vendosjen e një borxhi , si hallkë për përmbysje, dhe, po ashtu, askush nuk do mund të mbulojë thirrjet e tyre delirante për shkatërrim.

Janë kaq shumë, sa që edhe t’i numërosh të merret fryma. Merret me mend se sa pa frymë janë ato që i kanë bërë të gjithë këto masakra.

Të gjitha këto do të kthehen në se një ditë do të kemi një drejtësi të pastër, që fillon përmes një kryeprokurori të ri të përgjithshëm, i besuar ndaj ligjeve, i aftë për të përballuar valën goditëse nëntëballëshe që do të përplaset mbi të.

Kjo do të prekë një ditë edhe të majtën në pushtet, nëse njeriu që do ë zgjedhin do të ketë kurajon t’u thotë, “faleminderit që më besuat, por tani shkoni në punën tuaj”.

E majta në pushtet ka mbi vete plot akuza, që presin të faktohen, por të paktën, ata nuk po pengojnë ngritjen e sistemit të drejtësisë, që, pa droje mund të thuhet, ishte karta më e fuqishme në duart e tyre për një mandat të ri.

Shumë dosje janë mbyllur me procedurë ajo përmes mandatit të deputetit. Disa të tjera anë menduar të kalojnë me parashkrime ligjesh që askush nuk e di se cilët do të amnistojnë. Janë dhënë vendime të turpshme për ngjarje makabre. Disa janë gjykuar sa për të thënë. Të gjitha mund të hapen. Një precedent i ri, bazuar mbi ligjet e së drejtës, është gjithnjë i pranishëm.

E hëna do të jetë dita e parë e përplasjes së hapur mes dy qëndrimeve ndaj drejtësisë. Mes asaj që kërkon zvarritjen e përjetshme dhe kalimin e drejtësisë në një gjyshe plakë që edhe kur bën si të godet të përkthej faqet, dhe asaj që njerëzit kanë pritur tash pesë vite: goditjen e krimit përmes një drejtësie të fuqishme, të besuar, të ndershme dhe të saktë.

A do të jetë kjo përplasje edhe shenja e parë e një fillimi të ri?

Ndoshta.

Shpesh herë kemi menduar se e kemi parë dritën ende pa aguar.

Na duhet një prokuror i fortë.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …