Bedri Islami

Bedri Islami: Që nga shtatori 1998, Rugova ia ndaloi Berishës hyrjen në Kosovë dhe kurrë më nuk përmendi emrin e tij

Ndër të gjitha justifikimet absurde që janë hedhur në tregun medial për të justifikuar ndëshkimin e dhënë nga Departamenti i Shtetit ndaj Berishës dhe familjes së tij, më grotesku është ai që paska lidhje me qëndrimin e tij për Kosovën. Vetë ai, në konferencën, po ashtu groteske, para mediave e theksoi këtë si njërin nga tri arsyet e vendosjes në Listën e Zezë.

Të pranosh këtë tezë do të thotë që gjithsecila administratë e Shteteve të Bashkuara, qoftë ajo e republikanëve, që i përzgjodhi Berisha si miqtë e tij, qoftë kjo e tanishmja, që bëri kujdes t’i veçonte si linçuesit e tij, paskan pasur dhe vazhdojnë të kenë në plan ndarjen e Kosovës apo, edhe më tej, shitjen e saj.

Një absurd i tillë, i denjë vetëm për mendjen e çartur të tij dhe të atyre që i dinë punët e administratës amerikane si punët e SHQUP-it, është një gjethe fiku, pas së cilit nuk mund të fshihet asgjë nga e vërteta.

Shtetet e Bashkuara, pikërisht kur qeverisnin demokratët bënë të mundur lirinë e Kosovës dhe, kur qeverisnin republikanët shpallën pavarësinë e saj. Dy arritjet më të mëdha të fundshekullit të shkuar dhe të këtij shekulli kanë lidhje pikërisht me qëndrimin e një politike strategjike shumëdimensionale, me parimet e demokracisë dhe të drejtës për vetëvendosje dhe nuk mund të ketë shërbim më të dukshëm në klanet panserbe se sa shtetin që ishte faktor përcaktues i lirisë dhe pavarësisë tënde ta cilësosh tani projektues i copëtimit të asaj që vetë krijoi.

Lidhjet e Berishës me Kosovën, që i ka cekur shpesh herë në shënimet e botuara, janë fasada e asaj që njihet dhe e asaj që ka ndodhur në të vërtetë.

Për shumë gjëra në jetën e tij politike ai mund të justifikohet, ama kurrë me Kosovën. Kosova është plaga e tij dhe asnjë fashë e tanishme nuk mund ta fshehë atë.

Unë i kuptoj mjaft politikanë të kohës së dikurshme që janë vënë në shërbim të tezës se Berisha e mbrojti Kosovën dhe bëri shumë për të, pasi, në fund të fundit, ata, si edhe vetë ai i shërbyen të njëjtës kauzë, asaj të mbetjes së Kosovës si një krahinë e pjesshme, gjithnjë nën shtetin serb dhe asnjëherë e mëvetësishme.

Nga të gjithë liderët e Kosovës, ai që e bojkotoi që nga viti 1996 e deri në largimin e tij nga jeta ishte Rugova. Viti 1996 është ai ndarjes së Demaçit, pasi, megjithëse vonë, e kuptoi se thirrja e Berishës në dhjetor 1996 për radikalizim të gjendjes në Kosovë nuk ishte asgjë tjetër veçse shkëputja e vëmendjes nga ajo që pritej në Shqipëri: rrëzimi i piramidave financiare. Me Thaçin kishte për shumë vite një heshtje të gjatë, shumë të gjatë, përshkruar nga një oportunizëm politik dhe, si pritej, mjaftoi të hiqej vetëm cipa e asaj që vlonte brenda një kazani politik dhe gjërat shpërthyen.  Lidhjet e tanishme me Kurtin janë të përkohshme, shumë të përcipta, më shumë konjukturale, se sa nga vizioni i përbashkët, janë lidhje nga halli, jo nga malli dhe ata do të vazhdojnë të zbehen, deri sa të heshtin.

E gjithë jeta politike e Berishës nuk ka sjellë dobi në Kosovë dhe as që mund të kishte sjellë. Fakte të shumta, mjaft nga të cilat të pranuara nga vetë ai, me gjithë vonesën e pranimit, kanë sjellë mjaft tablo të asaj që ka ndodhur dhe që nuk është pritur në ato përmasa.

Ka pasur mjaft kundërshti mes tij dhe Departamentit të Shtetit për çështjen e Kosovës, por jo tani, shumë të hershme dhe të thepisura. Ata kanë pasur të bëjnë me të ardhmen e Kosovës si shtet apo si krahinë, kur Berisha mbronte idenë e krahinës dhe Shtetet e Bashkuara përgatitnin mjedisin për shumë më tepër se kaq: ka pasur kundërshti mes asaj që po ndodhte në Kosovë, e që gjeti fillimisht mbështetje të heshtur e më pas, gjithnjë e më të hapur dhe asaj që predikohej nga trupa rreth Berishës; duke ia nisur edhe nga ai vetë.

Trafiku i karburanteve dhe i armëve drejt shtetit serb dhe serbëve të Bosnjës, pikërisht në fillimet e luftës atje, duke iu kundërvënë embargos ndërkombëtare, takimet e fshehta me funksionarë të lartë të shtetit jugosllav, si me kryeministrin e Malit të Zi, ku edhe më të fshehta ishin marrëveshjet e nënshkruara; takimet e krerëve të Shërbimit Informativ të kohës së tij presidenciale me figura të krimit në Serbi, si ka ndodhur Gazidede-Arkan, në afërsi të qytetit të Shkodrës, në ndërtesën e një pularie, në të njëjtën kohë kur në Kosovë po shfaqej Ushtria Çlirimtare e Kosovës, dekonspirimi i grupeve të para të armatosura të stërvitura në Shqipëri, dëshmonin jo një shef presidence pro çështjes shqiptare, por në të kundërtën e saj.

Secili personalitet politik ka një kohë, një periudhë kur ai shfaqet në dimensionin e tij real për një çështje të caktuar. Sado që kjo kohë mund të vijë disi e vonuar, ajo do të vijë domosdo dhe kësaj nuk i shpëton askush.

Koha e Berishës për të shpallur kredibilitetin e tij si njeriu i përkushtuar për Kosovën do të jetë periudha e luftës në Kosovë.

Është periudha e izolimit total të tij nga lidhjet me strukturat e luftës dhe asnjëherë nuk ka pasur një shtysë nga shtetet perëndimore për të vendosur lidhje mes Shtabit të Përgjithshëm, Drejtorisë Politike apo Kryesisë së Organizatës, Lëvizjes Popullore të Kosovës me vetë Berishës. Të gjitha dokumentet pranë arkivit të Shtabit të Përgjithshëm apo në struktura të tjera e dëshmojnë këtë. Edhe më herët kam shkruar se deklaratat e mëvonshme për ekzistencën e lidhjeve mes tij dhe njerëzve të luftës kanë qenë koniunkturale, sepse nuk kanë ekzistuar. Më saktë, kanë qenë thuaj të ndaluara.

Që nga marsi i vitit 1998, periudha e luftës së hapur, herë frontale dhe herë guerile, deri në qershorin e vitit 1999, asnjë drejtues i strukturave të luftës nuk ka pasur takime zyrtare, e ndoshta as vetjake me Berishën. Megjithëse do e kishim dashur atë, sepse , në fund të fundit ai përfaqësonte besimin e një pjese të rëndësishme të popullsisë, sidomos në veriun e Shqipërisë, ku po ngriheshin edhe strehët për logjistikën e UÇK-së.

Shtatori i vitit 1998 është koha e ngrirjes së çdo tentimi për të pasur një bashkërenditje. Është koha kur përmes zotit Holbrooke, në takimin e veçantë me përfaqësuesit politikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Zvicër, zhvilluar disa javë më parë, takim disa orësh dhe që është në fakt njohja e parë ndërkombëtare e UÇK-së pas së cilës Departamenti Amerikan i Shtetit deklaroi se kemi vendosur lidhje të drejtpërdrejta me UÇK-në, në Tiranë ndodh ajo që nuk mendohej: përpjekja për të rrëzuar me çdo kusht një qeveri të ligjshme, përmes grushtit të shtetit, zaptimit të godinës kryeministrore dhe selive të tjera, mes tyre edhe të RTSH, si media e vetme vizive e kohës, nga ku një monarkik deklaroi se qeveria ra.

Grushti i shtetit pak lidhje kishte se kush qeveriste në Shqipëri apo se ndodhi vrasja enigmë e Azem Hajdarit, megjithëse ishte një vrasje e paralajmëruar. Arkmorti i Hajdarit u braktis, sytë u terrën nga egërsia për pushtetin, por pas saj qëndronte një e vërtetë e shpallur: grushti i shtetit synonte të godiste pikërisht luftën në Kosovë, rrugët e logjistikës, mbylljen e kufirit, sidomos në zonën operative të Dukagjinit, ku, në të njëjtën kohë kishte filluar edhe ofensiva e madhe serbe.

Do të ishte i mjaftueshëm vetëm ky episod politik dhe ndërlidhja e tij me FARK, një strukturë paraushtarake që vegjetonte në rrethinat e Tiranës, dhe që, përmes financimeve të saj kishte ndodhur shtatori i zi i vitit 1998, por edhe synimi për të ndërprerë burimet e logjistikës së UÇK-së.

Rugova, enigmatik si ishte, nuk e priti kurrë më Berishën. Ndaloi edhe futjen e tij në Kosovë dhe kurrë më nuk përmendi emrin e tij. Ndoshta kjo ishte edhe shpallja e parë non grata e Berishës, pasi, ashtu i sot nuk i lejohet futja në SAHBA, Rugova ia ndaloi hyrjen në Kosovë.

Arsyetimi i tanishëm i tij me Kosovën është bajat dhe i pavlerë, gjë që e di edhe ai vetë. Në fakt, klasa politike që e ka mbështetur më shumë atë ishte nga radhët e Lidhjes Komuniste të Kosovës, një filial i Lidhjes Komuniste të Serbisë, që më pas u shndërrua në një themel të LDK-së. Pikërisht vazhdimi i asaj politike, pa një kauzë të qëndrueshme, nën drejtimin e një ish ministri të Millesheviçit, si ishte Isa Mustafa, ka bërë që sot LDK të jetë e besuar për vetëm 13 për qind e njerëzve në Kosovë dhe për më pak se 5 për qind e shqiptarëve të Kosovës në perëndim. Paterniteti i Berishës ndaj asaj që ishte dhe asaj që donte, e njëjta vijë politike dhe mendësi do të të sjellë edhe rënien e PDK-së, nëse vazhdon të ketë të njëjtin frymëzim politik.

Shtetet e Bashkuara nuk të ndëshkojnë se ke shpallur devizën se ju kundër ndarjes së Kosovës.

Nëse Berisha pret që ta mbrojë një Edita Tahiri apo funksionarë të dikurshëm të LDK-së, që zgjoheshin me idenë e autonomisë dhe mallkonin luftën çlirimtare, atëherë do të jetë edhe më tej i humbur. Në Kosovë thonë “mos u bajsh me të qajtë serbi”, e këto nuk kanë qenë shumë larg tyre.

Nuk ka pasur asnjë plan të tillë dhe nuk është shtruar asnjëherë në temë e tillë në qarqet e larta të politikëbërjes.

Aq më pak që të bjerë nën gjykimin e Berishës, dosja e të cilit kishte kohë që ishte e hapur dhe pritej vetëm mbyllja e saj.

Tani që ajo u mbyll dhe jo shumë larg do të ndodhë mbyllja edhe aty ku ai vetë duket si i plotfuqishëm, Berisha bën mirë të mos hedhë teza të tilla, përmes të cilave synon fajësimin e shtetit që Kosovën e bëri shtet, sikur me thika dhe kosoret e Ilir Metës është ulur për të copëtuar Kosovën.

Ky është shërbimi i fundit që ai bën një politike të mbrapshtë.

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …