Bedri Islami

Bedri Islami: Shqiptarët në Kosovë fituan në luftë dhe po humbasin në paqe!

1342 fëmijë shqiptarë të Kosovës të vrarë nga forcat fashiste serbe që nga marsi i vitit 1988 deri në qershor 1999.

Fëmijët e vrarë në Kosovë janë më shumë se gjithë fëmijët e vrarë në luftën e Bosnjes dhe të Kroacisë, së bashku.

Askush nuk është dënuar për vrasjen e tyre.

ASKUSH!

Rreth 13.600 shqiptarë të Kosovës të vrarë në harkun e 15 muajve luftë, ose rreth 1000 shqiptarë në secilin muaj. Dhjetëra masakra masive. Gjak i derdhur rrugëve. Dëbim dhe shfarosje e planifikuar shtetërore.

Askush nuk është dënuar për vrasjen e tyre. Gjyqet farsë të zhvilluara në Serbi dhe dënimet e pakta qesharake dëshmuan se asgjë nuk ka ndryshuar nga mentaliteti fashist i politikës serbe.

Më shumë se 1.600 shqiptarë të Kosovës janë të zhdukur në varrezat masive serbe ose të djegur në krematoriumet provizore që ngriti shteti serb.

Pa sqarimin e fatit të tyre nuk mund të ketë paqe të vërtetë, as drejtësi e as marrëveshje politike!

Për zhdukjen e tyre nuk është dënuar askush!

ASKUSH!

Më shumë se gjysma e Kosovës u dogj dhe u grabit, qindra u burgosën dhe u torturuan egërsisht, figura të shquara si Ukshin Hoti u zhdukën, disa u vranë në burgjet serbe, qindra e ndoshta mijra gra e vajza u përdhunuan!

Për gjenocidin në Kosovë nuk është përgjigjur askush.

Figura të larta të politikës në Serbi, që nga presidenti serb, kryetari i Kuvendit dhe të tjerë janë përgjegjës po aq sa Millosheviqi për krimet në Kosovë.

Nga dhjetori i vitit 1944 dhe deri në qershor 1999 janë vrarë nga pushteti serb rreth 46.000 mijë shqiptarë të Kosovës, ose afërsisht një mijë të tillë në vit.

Për analogji të padrejtë – nga UÇK-ja po dërgohet në gjykim zinxhiri komandues i UÇK-së, në shtetin serb po bëhen liderët e lartë politikë të një shteti që asgjë nuk ka mësuar nga e kaluara.

Në Gjykatën Speciale është e mundur që të jenë dëshmitarë të akuzës drejtues të lartë të shërbimit të fshehtë serb, që akuzohen për krime lufte; vetë shteti serb ka pranuar se ka dërguar drejt Prokurorit të Specializuar dhe zyrës së tij mijëra e mijëra faqe me dëshmi; vetë kjo strukturë ka pranuar se ka kërkuar nga shteti serb edhe dosje të viteve të ndryshme  që nuk kanë të bëjnë me kohën dhe hetimin për të cilin janë ngritur.

Tentimi për barazuar krimin me viktimën, edhe më tej, për të fajësuar viktimën dhe pastruar krimin, është mëkat e jo vetëm mëkat politik; është ç’ballancim i të drejtës për të qenë i lirë, mbrojtur popullin e kombin tënd.

Shqiptarët fituan në luftë dhe po humbasin në paqe!

Po humbasin atë që fituan me gjak!

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …