Fjalia me të cilën hap këtë shënim të ditës nuk është e imja, megjithëse mund të ishte. Është e shefit të qeverisë së sotme në kujtimet dhe refleksionet e tij për 5 Majin.
“5 Majin e lidh gjithmonë me pantallonat e shkurta blu, këmishën e bardhë dhe shallin e kuq që më vishnin atë ditë festive, para se të më nisnin në Pallatin e Pionierëve….” do të kujtojë në fundin e vitit 1990, Edi Rama.
Ndryshe nga ai unë e lidh këtë ditë, por edhe shumë të tjera si ajo, me çastet kur në Shtëpinë e Madhe të Gjylbegajve, në të cilën kishte pasur tre të vrarë gjatë luftës, nga të cilët dy ishin Heronj të Popullit, as me pantallonat blu e as me këmishën e bardhë. Shtëpia zgjohej herët dhe gjithë ditën priste njerëzit që do të vinin, shumë nga të cilët i kishin njohur shkallët e gjëra të saj, dhomat dhe kthinat, që gjatë luftës, kishin bujtur apo kishin mjekuar plagët. Këta njerëz, disa me poste të larta shtetërore e disa të tjerë në punëra të zakonshme, këto të fundit më të shumtë, uleshin pranë Nënës sonë plakë, i merrnin duart në duart e saj, kujtonin çfarë kishte ndodhur dhe rrugët që kishin bërë. Disa kishin qenë studentë të Gjimnazit të Shkodrës, disa të tjerë liceistë, normalistë në Elbasan, të kthyer nga akademikë apo universitetet jashtë Shqipërisë: vinte gjithmonë një grua mirditore që u kishte dhënë ujë djemve që ishin vrarë bashkë me dajën tim, në Vigun e Mirditës, dhe, kishte sjellë me vete letrën e fundit të tyre, në të cilën ishte edhe përbetimi i tyre se “duem me e dhanë jetën si me le”, njëlloj si disa muaj më parë, në Pojskë të Pogradecit, bashkë me Reshit Çollakun do të binte daja i madh i Edi Ramës, vëllai i Nënës së tij, që më parë kishte shkruar në revistën “Lyceum” botim i Liceut të Korçës, viti 1936, “ Oh! Sa bukur të kishje vdekë edhe unë për atdhe”.
Në 5 maj, e jo vetëm në 5 maj, në Shtëpinë e Madhe vinin gjithë të afërmit, edhe ata që banonin disa dhjetra metra larg Shtëpisë sonë, që ishin, po ashtu nga i njëjti fis i Nënës sime, Gjylbegaj, dhe që kishin qenë kundër luftës antifashiste, për të shkuar më tej, më i njohuri prej tyre kishte qenë ministër i njërës ndër qeveritë e ndërtuara nga gjermanët nazistë. Nuk vinin për t’u dukur, se “edhe ne jemi këtu, nga i njëjti fis”, sepse qyteti i njihte të gjithë, brezi i ri i tyre ishte thuaj i gjithi mësues, por respektonin flijimin që ishte bërë nga njerëzit e tyre për vendin e tyre, ani se dikur kishin qenë kundërshtarë.
Mbaj mend se si në çardakun e madh, shpesh herë netëve, me hapa të ngadaltë dhe paksa e kërrusur nga vitet, ecte Nënokja e shtëpisë, mbuluar flokët me shaminë e bardhë, quhej dagermi, dhe mundohesha të kuptoja se çfarë fshihnin ata hapa të vegjël dhe përse herë pas here mbështetej në njërën nga dritaret e mesit të çardakut.
Në fillim, tetor i vitit 1942, i ishte vrarë vëllai i saj, Esati, i bukur si drita dhe i paqtë si buka. E kishin vrarë ballistët e dajës së tij, sepse daja ishte në anën tjetër të luftës. Pushkët kishin qenë italiane, dorasit që e rrethuan në një lagje të vjetër të Shkodrës, ishin shqiptarë. Pastaj i kishte ardhur gjëma e të birit. Vetë i pesti. Kësaj here pushkët kishin qenë gjermane, por dorasit nuk kishin ndryshuar, shqiptarë. Pak ditë më pas do vritej i treti, Eljazi, kësaj here vrasësit kishin qenë gjermanë, por dorëzuesi kishte qenë shqiptar. Të nesërmen e 5 Majit Nënës së Madhe i duhej të dilte në punë. Kishin dhënë gjithçka për luftën e për pasluftën, tokat e shumta, pronat, tani u duhej të punonte. Ishte në një post të madh: ndihmëskuzhiniere në një konvikt, por nuk e kam dëgjuar asnjëherë të mërmërisë me vete për punën e saj.
Nejse, pak kush e di se Edi Rama është nip heroi të Luftës Antifashiste dhe, për mendimin tim, mirë ka bërë që nuk e ka ngritur rrugën e tij mbi gjakun e dajës së vrarë. Megjithëse ai gjak ia ka hapur rrugën, edhe nëse nuk do të kishte dashur. Edhe tani ai mund të thotë, se si mund të më përmendë dikush tjetër vrasjen e një djali të ri, që, “ashtu si edhe vdekja e martirëve të tjerë, ndodhi sepse donit që liria të vinte më shpejt. Prandaj e meritoni nderimin e shqiptarëve në piedestale dhe në çdo 5 maj”, si shkruan edhe ai vetë.
Mirëpo tani, i nderuar shef i qeverisë së të majtës, piedestalet janë rrënuar dhe po ngrihen piedestalet e atyre që i kanë vrarë.
Tani, me paratë e dhëna nga qeveria juaj, njëjtë si ajo që ishte para jush, po listohen kriminelët e luftës, pikërisht njerëzit e afërt të dajës suaj dhe të dajës tim, njëri nga të cilët, daja juaj, ende liceist, do të shkruante , “sa bukur sikur të kishe vdek edhe unë për atdhe”, ndërsa daja im, në çastin e tij të fundit të jetës, do të dërgonte në letër dëshminë se “ kemi vendosë me e ba vdekjen si me le”.
Kjo listë, që mund të jetë e para e listimit të “kriminelëve të luftës nacionalçlirimtare”, do të ketë nesër një të dytë, ku mund të jetë edhe daja i madh i juaji, që u vra në luftë, që është dëshmor, me fotografi dhe me emër në librin e këndimit, me poezi dhe këngë në radio, e, mund të jetë edhe daja im, nipi i Kryetarit të parë të Bashkisë së Shkodrës, që ngriti flamurin pikërisht me 28 nëntor në kalanë e Shkodrës së rrethueme, edhe ai me fotografi në mur, me rrugë me emrin e tij, me poemë dhe këngë.
Do të jetë në listën e kriminelëve të luftës së një Instituti fantazmë daja juaj, që i binte bukur kitarës, që vajzat e donin haptas ose fshehurazi, se ishte i pashëm dhe vishej bukur, që nuk denjonte t’u përgjigjej letrave plot mall të një gruaje nga Franca, që tallej aq hollë dhe nuk i trembej burgut? Mundet. Një ditë ju nuk do të jeni shefi i kësaj qeverie që investon për një listë “kriminelësh”. Do të jetë një shef tjetër, ku ta dish, pas dy vitesh, pas disa muajve a pas gjashtë viteve, që, duke financuar një Institut haptas kundër luftës antifashiste të dajës suaj, ta vendosë atë në një listë të re! Do të jetë në listën e re edhe daja im, i bukur si dritë, syqeshur dhe gazplotë, pinjoll i njërës familje latifondiste, si e cilëson historiani i shquar, Hamdi Bushati, thonë se i dashuruar mrekullisht dhe që recitonte Mjedën po aq bukur kur ishte në burgun e Shkodrës? Mundet.
Është plotësisht e mundur, nëse nuk i pritet hovi kësaj vale të çuditshme neofashiste që po lind jo vetëm në Shqipëri, por që, si askund tjetër, përdhos vlerat antifashiste të një kombi që mbijetoi sajë luftës së tyre.
Është bërë lojë e bukur kjo e demokracisë së tashme. Njerëz të këputur nga hallet, që jetojnë edhe më keq në një periudhë tjetër, bllokojnë rrugët dhe thonë jemi të djathtë.
Oligarkë të fuqishëm financiarë rrahin gjoksin dhe thonë se jemi të majtë, pasi Ti përfaqëson të majtën.
Një ditë tjetër gjërat mund të përmbysen, ashtu si duan të përmbysin një periudhë, e cila, aq sa ishte mrekullisht idealiste, ishte edhe e përgjakshme. Vetëm një fshat i zakonshëm në jugun e vendit, Hekal quhet, ka 47 dëshmorë. Do të jenë edhe këto kriminelë, apo mjafton të jenë prijësit e tyre dhe kuptohet se ashtu do të jenë të gjithë?
E dini pse kanë marrë hov pseudohistorianë dhe pseudopsikologë në këtë turr neofashist? Jo se ju keni prirje apo bindje të tilla, por sepse, duke u nisur nga lojrat fëminore të politikës suaj, nga dëshira e togfjalëshëve dhe nga një llastim politik, u keni hapur rrugën.
Keni shkruar dikur se “U ulëm të zbërthenim mitologjinë e 28 mijë dëshmorëve. Gjaku i rremë në themel të kolltuqeve nisin tërmetin”.
Jo të gjithë ata që bënë luftën u bënë kolltugofakë. Por, për fat të keq, njerëzit e kolltugëve, duke ikur, lanë aty atë dreq Mantelit të të Mundurit, që shefat e sotëm e veshin krenarisht.
Nëse ju mendoni se ishte gjak i rremë, të tjerët shkojnë edhe më tej, ata thonë se ishte gjaku i krimit.
Tani, le të vij tek ajo për të cilin nisa edhe këtë shënim.
Në dhjetorin e vitit 1990, duke bërë shënimin tuaj për 5 Majin, dhe vizitat në Shtëpinë e Momës suaj, qetësi i pastë shpirti, keni shkruar:
“Sa më tepër errej, aq më të rëndësishëm bëheshin anëtarët e Byro-së. Deri sa në ndajnatë qëllonte të vinte Ai. Fëshfërimë kostumi gri të shndritur, humor pozitiv me shumë të qeshura,kot. ASNJË fjalë për dajën e vdekur”.
Tani, “Ai”, qoftë edhe në miniaturë jeni ju. Ashtu si ishte para jush Saliu, Fatosi, Iliri, Pandeliu, përsëri Saliu.
Të gjitha i keni në duar, pushtetin, financat, punësimin, shkollimin, lehtësimin e jetës, shëndetësinë, drejtësinë . Keni në duar rehabilitimin e figurave të munduara dhe, nuk ka qenë e pazakontë rikthimi i eshtrave të një pinjolli Frashërli, qoftë edhe ish shefi i Ballit të vjetër, nga nipi i një heroi të luftës, si shenjë përbashkimi; e pazakontë ka qenë vendosja e kohës së tij nën një diktat tjetër. Për atë, ashtu si pararendësi juaj, Berisha, ju nuk e keni në duar të ndryshoni historinë, por të dërgoni mesazhe të një bote të re të përbashkët, ku të rënët nuk na ndajnë dhe ku e vërteta nuk është në dorën e politikës.
Si “Ai” shkoni në tubime dhe mitingje, megjithëse keni shumë herë më tepër shoqërues, policë dhe forca të ndërhyrjes së shpejtë.
Megjithëse demokraci, si i thonë, frikën e keni më të shumtë. Jo se regjimi është diktatorial, por sepse njerëzit kanë tani të drejtën e fjalës, dhe, shkojnë edhe më tej, bufallshëm, përdorin të drejtën e bllokimit të rrugës.
Ju shkoni në mitingje gazplotë, i hareshëm, batutëhazër, mohues i gjithçkaje që nuk ka të bëjë me ju dhe pohues i gjithçkaje që ke menduar se është bërë ose se është bërë. Nuk e mohoj dot atë që është bërë. Do të votoja përsëri për forcën tuaj politike, e cila ka edhe ajo mëkatin e madh të heshtjes ndaj miopisë së një qeverisje që ushqen neofashistë.
Në mitingje flisnin për gjithçka, me gjithfarë kostumesh, i hareshëm, me shumë të qeshura, nganjëherë kot.
POR ASNJË FJALË PËR DAJËN E VDEKUR!
Dhe është 75 vjetori i përfundimit të një lufte, në të cilin, në vend që të ringrihen piedestalet e atyre që bënë një pjesë historie, çka nuk është bërë në asnjë ditë të qeverisjes suaj, financohet një institut , i cili, pa pikë dinjiteti boton një listë “krimenelësh”, të cilët, ashtu si daja juaj i madh kishin bindjen se ishte bukur të kishte vdek për atdhe, ose, ashtu si daja ynë, “me e ba vdekjen si me le për lirinë e vendit të tyre”.
Asnjë fjalë për të rënët! (Dita)