Bedri Islami

Bedri Islami: Vetëvendosja mes Albin Kurtit e Dardan Molliqajt

Albin Kurti dhe Dardan Molliqaj ishin deri tani dy figurat kryesore të Lëvizjes; njëri themelues i saj dhe tjetri bashkëthemelues; njëri kryetar i asaj që do të bëhej parti politike dhe tjetri sekretari i përgjithshëm dhe organizativ i saj. Njëri do të njihet gjërësisht dhe do të jetë ideologu dhe lideri pa kontestim , në fakt shpresë për shumë njerëz të zhgënjyer me qeveritë dhe koalicionet e përkohshme, ndërsa tjetri, Molliqaj, do të jetë njeriu që qëndronte pas akteve të cilat sipas tij e jo vetëm sipas tij, do të shpejtonin ardhjen e Vetëvendosjes në pushtet.

Në fakt ata kanë përfaqësuar deri tani dy rryma të ndryshme brenda të njëjtit grupim por që deri tani ia kishin nevojën njëri-tjetrit.

Tani, njëri nga ata është bërë i tepërt dhe duhet të ikë nga struktura që e bashkëkrijuan. Një histori e vjetër kjo në lëvizjet politike shqiptare që vazhdon të përsëritet, por kësaj here në një formë disi më të vrazhdë. Ndoshta më të hapur, por edhe më agresive. Si asnjëherë tjetër rrezikun e rënies së njërit e ka ndjerë ai që ishte edhe më poshtë, Molliqaj, i cili në fakt deri tani është njohur si njeriu i dorës së hekurt që organizonte grupet e goditjes, bënte shantazhet, përgatiste militantët dhe drejtonte në mënyrën më sekrete të mundshme, por edhe të dukshme, një krah që po rritej e që shumë lehtësisht po kthehej në një strukturë e shërbimit të fortë brenda partisë së tij.

Albin Kurti është njëri ndër politikanët që e nxori forcën e tij politike në majën e forcave më të votuara shqiptare dhe në zgjedhjet e fundit të parën e më të fuqishmen në Kosovë. Qershori tregoi se ai vazhdonte rritjen. Pas tij qëndronte Molliqaj. Kurti ishte njeriu më i votuar në Kosovë. Molliqaj i dyti, pas Kurtit, më i votuar në partinë e tij. Një dyshe që simbolizonin, i pari mendjen dhe aftësinë e artikulimit të fjalës shkoqur, drejtpërdrejt dhe sarkastike, ndërsa tjetri forcën, goditjen, fshehtësinë dhe botën e nëndheshme të një force politike që po rritej dhe që, sa më pranë po i vinte pushteti, aq më shpejt do të shfaqeshin ulërimat e para.

Nëse Kurti ndahet pa mëdyshje me Molliqajn ai do të bëjë aktin e parë të madh të pastrimit të partisë që drejton de fakto nga një trupë që po shndërrohej në një forcë militante goditëse dhe agresive.

Nëse Kurti do të bëjë edhe më tej kompromis me Molliqajn atëherë është e natyrshme të lindë dyshimi përse i duhet atij ky kompromis dhe çfarë do të dijë , përtej asaj që duket, Molliqaj për të. Njëri ndër njerëzit e afërt dikur të të dyve, Arben Gecaj, i larguar nga Lëvizja “Vetëvendosja”, do të shkruajë këto ditë se, “Albin Kurti kishte krijuar bishën, një superstrukturë mbrenda partisë, të quajtur Sekretariat i Përgjithshëm”.

Ky instrument ishte koka e cila përgatiste planin dhe metodën e shantazheve, linçimeve, aksioneve si dhe sulmeve ndaj individëve dhe pronës shoqërore.

Siç duket,  kjo bishë ishte rritur deri në atë masë sa që ajo do ta gëlltiste edhe atë.

Problemi është që bisha, Sekretariat i Përgjithshëm, ka shumë informacion dhe mund të shantazhoj secilin nga ata. Kundërgoditja do të vijë shpejt.

Jam i bindur se Geci, si njëri ndër të larguarit nga partia e tij shfryn mllefin, por  po ashtu jam i bindur se pas shumë sulmeve anonime të ndodhura në Kosovë, sidomos nën maskën e të panjohurve, qëndron Molliqaj, ashtu si pas tij, mund të qëndrojë njëra ndër lidhjet e panjohura deri tani mes kësaj strukture të Molliqajt  me klane e grupime të fuqishme islamike në Kosovë. Kur njëri ndër ish kandidatët për deputetë të VV, Sadri Ramabaja, guxoi e shkroi për rrezikun e ekstremizmit islamik në Kosovë, ishin pikërisht njerëzit e Mollqajt që iu vërsulën deri sa e dëbuan jashtë rrethit të tyre.

Kurti e Molliqaj janë dy njerëz të ndryshëm. Aida Dërguti e Molliqaj janë po ashtu dy botë të ndryshme. Ajo që qëndron mes Kurtit dhe Dërgutit, deputetja më e votuar në Kosovë dhe nënkryetare aktuale e parlamentit, më shumë se sa diferencë politike, është shikim ndryshe i problemeve brenda strukturës së tyre partiake.

Lëvizja Vetëvendosja më shumë se askush tjetër sidomos pas shpalljes së pavarësisë ishte ndër strukturat që shkundi letargjinë politike, kaloi kufirin që ndanin mes tyre dy partitë e mëdha, krijoi menjëherë polin e tretë të fuqishëm dhe si ishte pritur, ndërtoi për vete atë tribunë që kishte përgatitur: të forcës politike më të madhe në vend.

Ndryshe nga partitë e tjera politike, të cilat, të gjitha, e shpallën veten si forca të djathta!!!!, Vetëvendosja e shpalli hapur se ajo aspironte për ide socialdemokrate, synonte të ishte një ditë pjesë e forcave të majta progresiste evropiane dhe kjo nuk e pengoi atë të rritej.

Ajo e shkundi hipokrizinë e të “djathtëve“, që ose kishin ardhur nga Lidhja  e Komunistëve të Kosovës, ose kishin qenë vërtet forca të majta dhe të devotshme, me tendencë të shquar drejt nacionales dhe bashkimit kombëtar.

Afishimi hapur i ideve të saj nuk e bëri VV të nëmur e të mallkuar ashtu si nuk i bërë më të dashura partitë e tjera se po vetëshpalleshin të djathta.

VV e bëri shkundjen e jetës politike edhe përmes lëvizjes. Albin Kurti ishte një veprimtar i vjetër i saj. Në kufirin që ndante vitin 1997 me luftën e vitit të ardhshëm, Lëvizja Studentore do të kishte katër prijës të shquar; Bujar Dugollin, Dritan Lajçin, Muhamet Mavrajn dhe Albin Kurtin. Pranë tyre kishin një figurë madhore të mendimit intelektual, profesor Ejup Statovcin, rektorin e Universitetit të Prishtinës. Këto organizuan dhe demonstratat e mëdha që u shkelën barbarisht nga dhuna serbe. Kurti, me flokët e gjatë, në rrjeshtin e parë të demonstratës, do të jetë figura e parë publike e tij. Thuajse të gjithë ishin aso kohe anëtarë të Lëvizjes Popullore të Kosovës, strukturës politike që kishte ngritur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Kurti, sapo Demaçi do të emërohej nga Shtabi i Përgjithshëm për ndërtimin e Institucioneve të Kosovës ( për saktësim: nuk ka qenë i emëruar si përfaqësues politik i saj në Prishtinë), zuri vendin më të afërt pranë tij dhe ishte njeriu i domosdoshëm për Demaçin. Jo vetëm për anglishten e përkryer, por edhe për fuqinë e fjalës dhe rininë që reflektonte.

Një fillim i tillë të çon një ditë drejt pushtetit.

Kurti do të shkojë drejt pushtetit. Ndoshta koha e tij nuk ka ardhur, por do të vijë. Ai po e nxit këtë kohë dhe duke e nxitur do të humbë disa nga miqtë e ditëve të para, por kjo nuk do të jetë asgjë apokaliptike. Do të jetë normale në një truall politik shqiptar e jo vetëm këtu.

Ndryshe nga shumë të tjerë , të cilët kërkojnë të pazakontën në jetën politike të një lideri, unë do i këshilloja më të domosdoshmen: largimin e tij nga Molliqaj, si nga një e keqe që një ditë mund të bëhej gangrenë për vetë partinë e tij por edhe për rrugën e tij politike.

Kurti është figura idealiste që kërkonin shqiptarët. A është vërtet i tillë, kjo është diçka mes tij, së vërtetës dhe kohës.

Por, që duhet ndarë me të keqen, duhet ndarë. Nuk besoj se mes tij dhe një krahu radikal brenda Lëvizjes, të përmbledhur tek emëri i Molliqajt dhe tek njerëzit radikalë pranë tij, mund të ketë të ardhme. Nuk është asnjë fatalitet ndarja.

Fatale do të ishte nëse do të bashkëjetonin nën një strehë edhe mendimi, edhe dhuna; edhe shpresa, edhe represioni. Nëse Kurti flet për drejtësi e shtet ligjor, Molliqaj deri tani ka folur vetëm për burgosje, hakmarrje e dërmim. Ai është në kohën e duhur për t’u ndarë nga e keqja e parë brenda forcës që e ngriti fuqishëm. (Dita)

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …