Bedri Tahiri: MONUMENT PËRJETËSIE PËR YJET E DITURISË E TË LIRISË 

Bedri Tahiri: MONUMENT PËRJETËSIE PËR YJET E DITURISË E TË LIRISË 

(Qazim Berisha-Zymer Mehani “ARSIMTARËT DËSHMORË DHE MARTIRË TË RËNË NË          LUFTËN E KOSOVËS (1997-1999)”, Radio Kosova e Lirë, Prishtinë, 2023). 

                              

          Historia e popullit shqiptar është, sa e dhimbshme, aq edhe krenare. Përherë luftëra e beteja, sakrificë e mbijetesë. Fati i popullit tim është edhe fati im,- thoshte mendjendrituri ynë, Pjetër Bogdani. Lirisht mund të thuhet edhe ndryshe: Fati i popullit shqiptar është edhe fati i shkollës shqipe. Pushka dhe pena, denbabaden, bashkëjetuan të pandara, si vëllezërit siamezë. Njëra pa tjetrën as që mund të mendonin gjallimin e tyre nëpër kapërcyellit historike.

          Shkolla shqipe bëri rrugë shumë të mundimshme, duke ecur nëpër ferra e gjemba të gjakosur. Që kur nisi çapin e parë, në Korçën e lulëzuar, më 7 mars 1887, mësuesit e saj u shndërruan në lulëkuqe lirie. Mësonjëtorja e Korçës, përkundër pushtuesit dhe klerit antikombëtar, veproi plot pesëmbëdhjetë vjet, duke mbëltuar suksesshëm farën e diturisë gjithandej trojeve shqiptare..

          Dëshmorët e saj ëndërruan ditën e bardhë dhe ecën pandalshëm shtigjeve të ardhmërisë. Nuk harrohen për jetë të jetëve Pandeli Sotiri, Gjokë Shqiptari, Petro Nini Luarasi, Papa Kristo Negovani, Nuçi Naçi, Thoma Avrami etj. Ata, me gjakun e tyre të shtrenjtë, qëndisen abecenë tonë lavdiplote.

          Populli ynë i përvuajtur e kishte fare të qartë dhe e barti vath në vesh atë thënien profetike: Ku hapet një shkollë, mbyllet një burg! Trimat tanë, në çdo periudhë kohore, krahas çlirimit të vendit, luftuan edhe për përparimin dhe mbrojtjen e shkollës shqipe. Hasan Prishtina e shkriu tërë pasurinë për dritën e diturisë në gjuhën amtare. Azem e Shotë Galica zunë shkrim- leximin nëpër male e nëpër flakë pushkësh…

          Por, ajo, që më mirë së të tjerët, i doli zot Kosovës dhe shkollës shqipe, duke kurorëzuar edhe gjithë aspiratat tona shekullore, qe Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ajo ishte ushtri e popullit, e idealeve të larta dhe e moralit të pathyeshëm. Mbi supet e saj të brishta rëndoi edhe amaneti i brezave liridashës.

          Trimat u mblodhën tok, si një grusht i vetëm dhe shtrënguan fort armët e lirisë. Aksionet e tyre ilegale tmerruan satrapët e Beogradit. Sërish fati nopran u shkarkua mbi shkollën shqipe. Gjaku i mësuesit Halit Geci shkëlqeu si fanar në furtuna dhe lufta mori krahët e dragoit. Betejat e aksionet nuk kishin të sosur. Ajo që vulosi fatin e Kosovës dhe bëri kthesa historike, duke ndërruar edhe rrjedhat e globit, ishte Epopeja heroike e Jasharëve të pavdekshëm , e cila u zhvillua më 5, 6 e 7 mars 1998. Komandant Adem Jashari, me gjithë familje e me Jasharët e tjerë, u shkrinë deri në një dhe i dhanë jetë lirisë. Ai u shndërrua në legjendë, u bë i pavdekshëm dhe si Prometheu shpërndau flakën e luftës në të gjitha trojet e robëruara shqiptare. Pushkët e lirisë nuk pushuan për dy vjet rresht. Edhe shumë dëshmorë u radhitën në Altarin e pavdekësisë. Në mesin e tyre edhe 400 arsimtarë e mbi 1200 nxënës.

          Dhe, një lapidar të përbashkët përjetësie për këto rreze dritë, që përherë do të shërbejnë si flakadanë të pashuar lirie, e kanë skalitur me akribi fanatike e me daltën e artistit, dy studiuesit e palodhur Qazim Berisha e Zymer Mehani, me librin monografik “ARSIMTARËT DËSHMORË DHE MARTIRË TË RËNË NË LUFTËN E KOSOVËS (1997- 1999)”.

Të hartosh monografi për një gjeneratë të artë luftëtarësh, që me armën e dijes dhe me pushkë u vunë në shërbim të atdheut, është nder dhe krenari, por, njëherësh edhe përgjegjësi. Është një punë sizifiane! Thënë ndryshe, sikur ta provosh ta prekesh diellin me dorë apo ta kapërcesh detin me këmbë! Këtë e kanë pasur parasysh edhe autorët, andaj këtë punë e kanë marrë me një seriozitet të veçantë, prandaj edhe ia kanë dalë mbanë me sukses, gjë që, qysh në fillim, meritojnë një përgëzim të veçantë!

Duke qëmtuar si bleta punëtore nektarin, lule me lule, pas një pune të mundimshme e të gjatë e kohore (2005-2023), studiuesit entuziastë, me një përkushtim e pedanteri të pashoqe, kanë arritur të grumbullojnë një mal faktesh e dokumentesh, kujtime e rikujtime, ngjarje e personazhe, faksimile e procesverbale, burime arkivore e ditarë, vendime zyrtare e jetëshkrime personale, dëftesa e diploma, dëshmi e fotografi, të cilat flasin me gjuhën e vërtetësisë për një rrugëtim përplot peripeci të një brezi idealistësh, që me gjakun e vet shkruan historinë tonë më të re.

Për t’i mbarshtruar mirë e mbarë gjithë këto materiale: jetëshkrimet dhe veprimtaritë e 400 arsimtarëve dëshmorë e martirë dhe mbi 50 punëtorëve teknikë, sekretarë dhe arkëtarë shkollash, të rënë në Luftën e lavdishme të Kosovës (1997-1999), dhe për të bërë lëndën më të kapshme e më konkrete, për lexuesit e të gjitha moshave, autorët, kanë ndjekur një metodologji të lehtë të punës, duke i ndarë ata nëpër komuna e duke i radhitur sipas renditjes alfabetike. Kështu, këto rreze të diturisë e yje të lirisë, spërndritën anekënd trojeve tona, që nga Albaniku (me një lulëkuqe) e gjithandej, për të kulmuar në Drenicë e në Gjakovë, me më shumë sosh, që për jetë e mot do të mbesin frymëzim për brezat e ardhmërisë.

Po kush tjetër mund të shkruante më mirë e më vullnetshëm për profesionin e shenjtë të mësuesisë se sa vetë mësuesit! Askush, vetëm ata që edhe vetë e kanë ushtuar atë mision, siç janë autorët e librit, Qazim Berisha e Zymer Mehani.

Historikisht, arsimit shqip në Kosovë i ra hise barra më e rëndë e të gjitha ngjarjeve kulmore: Demonstratat e ’81-it, diferencimet ideopolitike, largimet, përjashtimet, dënimet, rrahjet, helmimet, plagosjet dhe vrasjet e nxënësve dhe të mësimdhënësve.

Kaptinë e veçantë e kësaj kronologjie të analeve kohore, mbetën Shtëpitë- Shkolla. Kjo është histori në vete, mbase unikate në botë, kur dashuria për shkollën në gjuhën amtare, mundi një aparat të ter shtetëror shtypës, duke mbijetuar e triumfuar. Mjafton të përmendet vetëm një fakt: Republika e Kosovës për herë të parë jetësohet në dëftesat e lëshuar nga mësimdhënësit tanë sypatrembur. Pra, arsimi, realisht i dha vulën shtetësisë sonë

Edhe lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjeti mbështetjen e duhur te mësimdhënësit,  të nxënësit e të stafi shërbyes i shkollave, cep me cep Kosovës. Thuhet, kur gjëmojnë armët, muzat heshtin! Këtë mision e kuptuan shumë arsimtarë liridashës, të cilët lanë ditarin dhe rrokën armët çlirimtare për t’i  dalë  zot atdheut.

Aparatura e duhur shkencore: fusnotat sipas standardeve të reja studimore (mbi 926 sosh) dhe literatura e bollshme, mbi 100 burime, shumë konsulentë e informatorë, ia shtojnë vlerën librit monografik “ARSIMTARËT DËSHMORË DHE MARTIRË TË RËNË NË LUFTËN E KOSOVËS (1997- 1999)”, duke e radhitur në  vargun e veprave më të plota e më thukëta të kësaj fushe, të cilën, me plot gojën,  mund ta konsiderojmë si një enciklopedi të llojit të vet.

Diskursi shkrimor i librit, të krijon mundësi që, përveç si monografi, ai të lexohet edhe si studim historik, edhe si publicistikë, edhe si narracion, edhe si kronikë, edhe si biografi, edhe si fatktografi, edhe si dokumentar, sepse të gjitha këto elemente gërshetohen dhe shkrihen mjaft mirë në tipin e një simbioze të bukur stilistikore e shumëdimensionale.

Natyrisht, kur shtrohet sofër madhe, bëhen edhe thërrime, të cilat nuk ia ulin shijen bukës as namin konakut. Edhe në këtë sofër të madhe, mund të këtë rrjedhur ndonjë lëshim a ndonjë harrim i paqëllimshëm, që autorët do ta kenë pasur parasysh, dhe, që në ribotimin e parë, do të përmirësohen!

Dhe, fare në fund, pa mëtuar të shkoqisim librin më në imtësi, ngase ai do të përjetohet vetëm kur të lexohet, autorëve u dëshirojmë shëndet, mbarësi dhe suksese të mëtejme në fushën e krijimtarisë, ndërkaq librit lexim të merituar e mirëpritje nëpër shtëpitë e bibliotekat tona!

Galicë, shkurt 2023 

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …