leoni

Bedri Tahiri

Bedri TAHIRI: Në përkujtim të Pranverës Shqiptare 1981

KAMELEONËT

Ka kriza ideologjish, por asnjëherë

 s’ka pasur kriza idealesh

 (E. Sabato)

 

Oda ishte e madhe, tetë me pesë. Odë katundi më, aso e traditës, me parmak e me oxhak. Dhe, prapë së prapë, nuk mjaftonte për të gjithë të ftuarit. Kryeplaku po e martonte djalin e hasretit, andaj kishte ftuar nga të katër anët e vendit. Bënte dasmë se jo mahi, dasmë që të mbahej mend. Dasmë e pasluftës, dasmë në liri, kur euforia dalldisëse ishte në kulm. Jo që kishte munguar dikush, siç ndodhte zakonisht, por kishin ardhur edhe më tepër. Sekush i kishte dhënë vetes aq të drejtë sa ta merrte edhe ndonjë tjetër. Ishin bërë shumë, ishin palosur radhë-radhë, si fishekët në gjerdan. Ca ishin shtruar këmbëkryq, ca rrinin në gjunjë, ca të tjerë qëndronin galuc e qe besa, ndonjëri, andej nga dera, edhe fare në këmbë. Edhe korridori, që nuk ishte aq i vogël, tamam sa një dhomë e zakonshme, ishte mbushur plot e përplot…

Dorën në zemër, atmosfera ishte për lakmi. Mbretëronte një qetësi, sa miza dëgjohej. S’ka, ore vëllaçko, çdo gjë me sull e me kanun. Ke parë ti, ky është parim i moçëm, njëri flet, të tjerët mbajnë vesh.

Kësaj here, mbase po përkiteshin ca ato rregulla. Ai që po fliste, qe nxehur dhe qe skuqur si lapër gjeli qafëcullak. Bah, i verbuari, as që kujtohej të lëshonte rend. Djersët i shkonin çurkë faqeve të fryra e të lëmuara akull. Koka tullace i bënte dritë më shumë së vetë elektriku. Me trupin e bëshëm kishte zënë vend sa tre veta. Kravata e kuqe mbi këmishën e zezë, sikur ia shtonin kodoshëllekun. Burrë katërqind dërhemësh, mund të thoshte, ai që nuk e njihte. I pispillosur e i lyer, si nusja në muajin e mjaltit. Ani për të llafosur, lëre mos e nga, ore të paça për jetë! Gurmazi po i shqyhej për të nxjerrë fjalë sa më të mëdha atdhetarie. Pa, pa, pa, ku hynte e ku dilte. Bam andej, bam këndej. Me i lyp edhe një palë vesh e një palë sy për të dëgjuar e për të parë. Gjoksin e kishte bërë varrë, duke e rrahur me grushte. Herë-herë edhe gjunjët i fuste në zahmet, sepse ndreqej për t’u krekosur më mirë. Vëmendja e të tjerëve e cyste edhe më.

Dhe, fliste e fliste…

Në cepin e mëngjër, andej nga pasdera, qëndronte një tridhjetepesëvjeçar, paksa hafif, me mustaqet si pendël korbi e me një shenjë të kuqe në faqen e djathtë. Me kokën poshtë, dëgjonte në heshtje. Herë-herë e vidhte me bisht të syrit oratorin sedërmadh dhe me lëkundje koke shprehte habi. Po ta vërente dikush, me siguri do ta merrte për të krisur.

-Ore, jam në vete apo kam rrjedhur fare!- bënte me vete, duke u zier përbrenda. Mos po më mashtrojnë sytë?!- mëdyshej sakaq dhe, sërish ia hidhte një sy mosbesimi…

E zgjati dorën përpara, ia mori tjetrit çakmakun dhe e ndezi një cigare. Përmes shtëllungave të tymit dendurak e shikoi më me kujdes.

-Po, po, ai është, dora vetë!- bëri gati me zë, sa burri që e kishte afër u kthye prej tij dhe sa nuk thirri: urdhëro zotëri, mos deshe gjë! U ndje keq dhe lëshoi një buzëqeshje instiktive. Kur e mori veten, sërish u përqendrua andej. Edhe pse kishte kaluar një kohë e gjatë, nga ajo zezonë, ia njohu timbrin e zërit. Ishte njeriu, i cili, në burgun e Prishtinës, e kishte torturuar për vdekje…

…Hë, qen bir qeni, ç’kujtove, të të lëmë ty dhe shokët e tu të na merrnit në qafë e të na e prishnit vëllazërim- bashkimin?! Ju, ju plëngprishës e bukëpërmbysësh, të bëheni më të mençur se ne?! Kurrë e kurrë! Ne bëmë shkollë të madhe, shkollë nate, shkollë Kumrovci, ore trutharë! Sa t’ju zhdëpim dajak, e t’ua bëjmë shpinën më butë së barkun, do t’ju bjerë në mend se ju kanë mashtruar, ata që nuk ia duan të mirën këtij vendi. Hë, hë, duam Republikë, brohorisnit dhe gjuanit me gurë! Na, këtë do ta merrni, ia kishte matur bërrylin dhe, i mllefosur që nuk po nxirrte gjë prej tij, e kishte qëlluar fort në kokë, me qytën e TT-së. Vetëm kur e kishte lënë të alivanosur e të mbuluar me gjak, ishte larguar që andej. Ashtu kishte vepruar çdo ditë, derisa e kishin shqiptuar dënimin me dhjetë vjet heqje lirie…

Duro zemër e duro, sa duron mali me borë! Kështu ndrydhej e shtrydhej në vete i persekutuari dhe ndezte cigare pas cigareje. Ashtu, disi, më lehtë po i rendiste mendimet e shkapërderdhura. Nëpër fjollat e tymit i ravijëzoheshin më qartë ato kujtime të hidhura…

– Dale, ore dale, njeriu i gjorë edhe mund të gabohet,- ia priste një mendje tjetër. Dhe, i vinte gisht kokës. Po të tjerët, ç’bëjnë të tjerët?! Ujku që s’më dëmton mua, rroftë njëqind vjet! Kështu thonë?! Mbase edhe shumë prej këtyre miratojnë këtë mendim! Kjo nuk do shumë mend. Njeriun, që dje, na e piu gjakun me pambuk, sot e kanë vënë në krye të vendit!

Dhe, e respektojnë!

Dhe, e dëgjojnë aq vëmendshëm!

Dhe, pajtohen me ato që thotë!

Dhe, askush, asnjë fjalë kundër!…

-O tokë e bekuar, pse po na mbanë!

Dhe, madje- madje, as atë vetë, fare nuk e vret ndërgjegjja për ato që ka bërë?!

-Ah, sa i marrë që jam! Gdhe, fare! Pse, paskëshin ndërgjegje të tillët! Ç’po flasë edhe unë përçartë. Po bëhem çilimi e shkuar çilimiut. Vetë bota qenka e tillë, e pabesë dhe lozonjare e pafytyrë! Më falni. Jo bota, por ne, ne që denbabaden qemë mendjefyell…

– More, mos nxitoni, se mund të këtë ndryshuar më vonë, do të thotë ndonjë i tretë.

– Ua, po të ishte ashtu, do ta puthja mu në ballë! Më mirë vonë së kurrë. Por, jo xhanëm. Pizevengu, kurrë nuk ndërroi mendje. Ende pa krisur lufta, harbuti mori familjen dhe ua mbathi të katrave. Iku larg e larg, vajti përtej deteve e oqeaneve. Atje u bë i kamur dhe më nuk ndjeu për asgjë. Edhe sot, gjysmën e familjes atje e ka. E vetë bërlyket e kapardiset si më i miri atdhetar. O Perëndi! Është profet, zbritur nga qielli, a xhind ngritur nga nëndheu?! E dëgjoni ç’flet? Fund e krye fjalë demagogjie. Dokrra! Qyfyre! Medet, medet, ç’soj pushti! Puthadorësh! Kameleonë fare! Po, po, asgjë tjetër, veçse kameleonë…

Ai ende po llomotiste. Derdhte lot krokodili për çështjet madhore të popullit të ngratë. Qante hallin e skamnorëve, të jetimëve, e të familjeve të dëshmorëve! Qortonte ashpër politikanët tanë, vërtet të përçarë, dhe hidhte helm e vrer mbi ndërkombëtarët kapriciozë. Me një fjalë, hiqej si babai i kombit me njëqind e njëmijë telashe mbi kokë…

Sakaq, sytë e tij tinëzarë zunë fytyrën e sakatosur. Obobo! Fill e njohu. Fjalët i ngecen në grykë. U zbeh dhe ndryshoi aq shumë, sa të gjithëve u ra në sy. Oda u pre. Dikush nga jashtë vrapoi me një gotë ujë në dorë. Tjetri hapi dritaren, që të hynte ajri i pastër. Po i vinte për të vjellë nga një tundim i brendshëm. Mezi arriti ta çlironte pakëz kravatën, në qafën e trashë, e cila po e shtrëngonte në të ngulfatur. Tëmthat po i kërcisnin si daullja e shpuar. Mendja i sillej vërdallë nëpër rradaken e boshatisur. Në kujtesën e turbullt zunë t’i faniteshin pamje nga e kaluara…

…Ishte pranvera e vitit 1981. Rrugët e kryeqytetit u lanë me gjak. Lulet e rinisë, që me të drejtë kërkonin ndryshim të jetës, u vranë, u sakatosen, u burgosen…Si inspektor sigurimi, u tregua gjahtar i mirë dhe i suksesshëm. Nëpër duart e tij u përpunuan shumë prej tyre. Vërtet, edhe të tjerë punuan në atë detyrë, por ky e kishte tepruar. Ishte treguar më i pamëshirshëm se edhe vetë shpirtzinjtë e përtej Tunës. I marri, kurrë nuk kishte besuar se do të vinte një ditë e tillë. Dhe, kishte marrë në qafë shumë e shumë të rinj…Të tjerët nuk i dinin të gjitha këto poshtërsi… Vetëm ky, që i ka provuar mbi lëkurën e vet, i dinë më së miri. Ehu, ehu,  sa ngushtë që jam…Tashti, burri i botës, do të ngritët dhe në sy të të gjithëve do të m’i përplasë një nga një në surrat…Oh, sa mirë do të ma bëjë. E di vete se jam i krimbur fund e krye dhe prapë bishtin përpjetë, si dhia e zgjebosur. Dreqi më hyri në bark e nuk më la rehat. Edhe dheu zor që do të më pranoi brenda me gjithë ligësitë e mia…

Tjetri po e shikonte me një gjakftohtësi tmerruese. Ia kishte ngulitur sytë zhbirues, mu si atëbotë në hetuesi. Por, atje, në bodrumin e errët e me mure të gjakosura, ishte krejt ndryshe, ishte i pranguar, në duar e në këmbë

-E sheh, ore burrec, veç mali me malin nuk piqen, se njeriu me njeriun po! Hë, ç’më thoshe atëherë?! Të kujtohet? Padyshim se po. Nëse ke harruar, mjafton ta shikosh plagën në faqe…

E sot, ç’thua sot?! Dërdëllis, hiç pa pra, për ato që nuk të takojnë fare. Turp të kesh, faqezi! Por, ani, se tekefundit, as sot nuk jemi të barabartë. Ti që bëre zi e më zi mbi popullin tënd, për hatër të gjakësorëve serbë dhe paskëtaj ike larg, për t’u kthyer më vonë, me një thes para, sërish në krye të vendit. I nderuar e i respektuar! Unë që hoqa të zitë e ullirit dhe e shkriva rininë time nëpër birucat e gurta, sërish prapa derës! I nënçmuar e i përbuzur! Hajde mendje e sëmurë, hajde!!!

– Hollë- hollë, në ty nuk po më mbetet hatri aq shumë, sepse ti je zhveshur deri në palcë nga çdo ndjenjë njerëzore. Çuditëm me të tjerët. Vallë, si u ka rrjedhur logjika e shkretë?! Si, disa, ende janë të përgjumur dhe shohin ëndrra ditën për diell?! Vallë, edhe çka tjetër duhet ngjarë, që të vetëdijesohen dhe të dinë të dallojnë; të mirën nga e keqja, të bardhën nga e zeza, dritën nga errësira…Ama, mos harro, unë nuk jam i lig sikur ti. Nuk bëj çka të më vjen ndoresh. Këtë amanet të të parëve nuk e shkeli dot. Nuk hakmerrem qyqarisht. Jo, jo…Rri i qetë, po munde, rri…

-Oh, vdiqa! Më nxirrni jashtë, ju lutëm, se mbarova!- u dëgjua një hungërimë ngjethëse. Të gjithë morën pamjen e meitit. Askush qele guri gojën. Katër veta mezi po e mbanin trupin e tij të majmë, që ishte shkokëluar si i pashpirt.

-Tpfu, ndyrësirë! O zot, qiti fare të gjithë kameleonët e llojeve të ndryshme, që mjerisht, nuk janë të pakët në mesin tonë!- shfreu fytyrëvrari gati më zë hakërrues.

Shikoi anash dhe kur u bind se të tjerët nuk e kishin dëgjuar mërmërimën e tij mbytëse u çlirua…

Drejt prehrit të tij, nga të katër anët e odës, fluturuan shumë cigare…

Kontrolloni gjithashtu

BDI dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina

BDI: Qeveria me eksponentë putinistë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ka bllokuar marrëveshjet e mëhershme

Bashkimi Demokratik për Integrim, nënvizoi  rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të Republikës së …