Shemsi Xhafer Istrefi (20.8.1977 - 27.4.1999)

Bedri Tahiri: Në përvjetorin e rënies së dëshmorit, Shemsi Xhafer Istrefi

Topi që shemb kështjellat më të forta

është atdhedashuria. (Naim Frashëri )

Dhe, kush tha se nuk përsëritet historia!

Dhe, kush tha se nuk trashëgohet trimëria!

Dhe, kush tha se, edhe pa gjak vjen liria!

Ah, jo, ore lum vëllai jo, ato janë gjepura që nuk i ha as gomari i Babatasit. Çdo gjë, në natyrë e në jetë, lëviz, evoluon, ndryshon. Çdo gjë ecën dhe rrokulliset në pakthyeshmëri, veç trimëria nuk lozi dot nga këto troje. E ku të vete e bekuara xhanëm, kur përherë këtu mungoi gjëja më e shtrënjtë, LIRIA. Madje, edhe mësuesja e jetës, historia, këtu bëri përjashtime, vazhdimisht u përsërit …

Në këtë rrjedhë u gjend edhe Bajgora me kokën tej në qiell. Burrat e saj lanë nam e emër në histori. Pushka dhe lahuta denbabaden qenë të pandara në kullat prej guri, që për miq e dashamirë gjithmonë e patën sofrën shtruar me bukë, kripë e zemër.

Piceli kësulëbardhë u bëri vend edhe vetë perëndive që nga lartësitë të bënin sehir para luftërave dhe betejave tona shekullore.

Trung me rrënjë të thella, i rrahur fort nga erërat e stuhitë e shumta, qe edhe ai i kovaçicëve. Hë, hë, derë e tyre kurrë nuk ia ndau pushkën pushtuesit.

Në këto rrënjë bulëroi edhe filizi i njomë, djaloshi, i cili ende pa i djerësirë mustaqet bëri heroizma, ushtari i dalluar i UÇK-së me nofkën “BELLA”, Shemsi Xhafer Istrefi.

Në rrugën e të parëve…

Xhafer Istrefi prej kohësh kishte zbritur në qytetin e vjetër të Hasan Prishtinës, në Vushtrri. Vinte nga një familje atdhetare e me traditë trimërie. I ati, Murseli, nip i Hys Popovës, ishte bashkëluftëtar i Ahmet Selacit dhe i Shaban Palluzhës, të cilit as pas luftës nuk iu ndanë të këqiat, burgosjet dhe maltretimet. Atë fat e përjetoi edhe i biri.

Që nga viti 1981 ishte në shenjestër të UDB-së serbosllave dhe në çdo kolektiv që shkoi disi qe i “papërshtatshëm”. Bastisjet e shpeshta të policisë sebe i trazonin panda sa që edhe fëmijët në djepa u mësuan me ta.

Mirëpo nuk pati forcë që ta ndalonte në rrugën e nderit, në rrugën e madhe të atdhedashurisë. Kjo ndjenjë e flaktë atdhetarie u përcoll edhe tek të bijtë, të cilët shumëherë u ndoqën e u larguan edhe nga shkolla…

Prej gjithë të tjerëve dallohej Shemsiu, i cili erdhi në këtë botë më 20 gusht 1977. Ishte i urtë, i dëgjueshëm, i sjellshëm dhe mjaft intelegjent.

Aq shumë interesohej për rrëfimet dhe këngët e trimërisë, për kreshnikët , për trimat e motit dhe në përgjithësi për fatin e atdheut të sakatosur sa nuk përkonin fare me moshën e tij.

I shkreti gjysh, sa hiqte derisa e vënte në gjumë. Për çdo natë e lodhte me pyetjet e shumta për Isa Boletinin, për Azem e Shotë Galicën, për Hasan Prishtinën, për Bislim Bajgorën…

Thellë në kujtesën e tij brilante iu kishte thadruar ngjarja e shumëpërsëritur që fliste për betejën e fundit të 19 e 20 shkurtit 1947, të Kërshi i Vllahisë, kur Ukshin Kovaçica me të birin Hashimin dhe bashkëluftëtarin besnik, Smajl Sfarçën, luftuan dhe qëndruan derisa ranë heroikisht.

Edhe në shkollën fillore “Zija Prishtina “ dhe atë të mesmen ”Muharrem Bekteshi”, dega e Elektroteknike, ishte nxënës shembullor. Lexonte shumë, çka i binte në dorë, por librat historik i gëlltiste fare.

Aq i ri dhe jetonte me hallet e popullit të vet të përvuajtur. Merakosej për çdo gjë, sidomos për padrejtësitë që ushtroheshin mbi kurrizin e të pafajshmive.

Për të studjuar nuk pati kohë. Ngjarjet morën tatëpjetën rrokullimë. Zullumi ishte rënduar shumë. Edhe pakënaqësitë ishin shtuar. Kosova ngjante në det të trazuar.

Damllaja e mbledhur më vite ishte në të shpërthyer. Djaloshi, i pjekur e i burrëruar para kohe, përherë gjendej në ballë të protestuesve e demonstruesve.

Çdo ditë e më shumë po e kuptonte se nga pacifizmi nënshtrues nuk do të dilte gjë. Këtë ua thoshte edhe të tjerëve. Sërish lypsej ajo kënga e vjetër e të parëve, kënga e bukur e grykëhollave…

Dhe, dita e shumëpritur erdhi. Fillimi i luftës në Drenicë trandi edhe shpirtin e trazuar të djaloshit. Zemra zu t’i rrahte ndryshe.

– Dua të bëhem ushtar i lirisë!- u tha një ditë në shtëpi dhe u nis drejt majave të larta të Bajgorës ku shqipet kishin folenë. I hodhi të gjitha mënjanë; familjen, shoqërinë, shkollën, gëzimet, jetën. Zëri i atdheut ishte më i fuqishëm se të gjitha, kushtrimi i Adem Jasharit kishte bërë që edhe malet të lëkundeshin nga vendi.

– Njëherë nuk kemi armë dhe qenke i ri, ore djalosh!- i thanë komandantët, mbase për ta provuar.

– Armët do t’i gjej, ku janë e ku nuk janë, dhe hasmin do ta qëlloi mu në lule të ballit!- nguli këmbë ai, sa askush nuk mundi t’ia bëj fjalën dysh.

Dhe, më 15 korrik 1998 veshi uniformën e dashur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sa s’fluturoi nga gëzimi. Fillimisht u angazhua në Batalionin IV të ZOSH. Trimëria dhe guximi i tij u hetuan shumë shpejt, që në betejat e para.

Luftëtar i njësisë speciale

Ofensivat e falangës së tërbuar serbe kundër UÇK-së s’kishin të ndalur. Dhe, tamam kur mashtroheshin se ia arritën qëllimit, zhdukjes dhe shkatërrimit të saj, ngjante e kundërta, ajo rishfaqej si Feniksi, bëhej edhe më e fortë, edhe më e organizuar.

Edhe luftëtari i ri, Shemsi Istrefi, përparonte dukshëm. Eprorët ishin tejet të kënaqur me punën e tij. Në ndërkohë u formua edhe Skuadra e tretë e Njësisë Speciale e Brigadës 141 “ Mehë Uka “.

Në të bënin pjesë djemtë më të zgjedhur, më të aftë, më të shkathtë: Ali Berisha, Latif Hyseni, Tahir Isufi, Hazir Jonuzi, Fehmi Preteni, Hamdi Hasani, Basri Zeneli, Mursel Xhemaili, Ramadan Tahiri, Zymer Hyseni, Naim Ferati, Bajram Musa, Naim Gashi, Sejfi Mustafa, Shemsi Istrefi, Qerim Hetemi, Afrim Imeri, Imer Fejzullahu, Halil Strana dhe Besim Istrefi.

Këta drangonjë me flatra gjithmonë ishin në vijat e para të zjarrit. Ushtronin dhe kaliteshin shumë, edhe nga gjashtë orë në ditë, andaj kishin fizik e moral të fortë e të qëndrueshëm. Nuk harrohen betejat e tyre të suksesshme në Rahovë, në Trepçali, në Kutllovc, në Sumë, në…

Shemsi Istrefi paraqitej vullnetar për çdo aksion luftarak. Që kur krisi pushka e parë e lirisë zemra ime nuk u qetësua.

Çdo ngjarje në Kosovë ma thyente një pjesë të shpirtit tim dhe po nuk do t’i bashkangjitësha luftës për liri, këtë nuk do t’ia falja vetë skurrë- i kishte thënë një ditë shokut të tij, Hamdi Hasanit nga Koshtova.

Dhe, vërtet nuk zinte vend askund. Herë- herë kalonte edhe matanë lumit, në ndihmë Brigadës 142. Një ditë, kur ai nuk kishte rastisur aty, një grup kishte vajtur në ndihmë. Kur e mori vesh, sa nuk plasi nga marazi. I mori dy vetë dhe u nis që andej.

Si për inat, lumi që fryrë si kocek farkëtari dhe bënte shumë ftohtë, ishte muaji shkurt, andaj duhej kaluar nëpër urën e Pestovës. Sakaq djajtë e zinj kishin kurdisur prita dhe pas luftimeve të gjata arritën të tërhiqeshin pa pasoja.

Me fjalë të tjera, aq shumë i donte betejat dhe aksionet sa kur nuk merrte pjesë në ndonjërën prej tyre ndjehej i fyer dhe i turpëruar, kujton sot Miftar Kurti.

Do të marrë hak për shokët…

Shkëmbi i Majdanit në Melenicë ka zënë vend nderi në historinë tonë të re dhe sot me të drejtë quhet Shkëmbi i Lirisë. Aty, sikur zbriti Hyeu nga qielli dhe ngjau mrekullia vetë.

Edhe lulet e para të marsit pllakosen nga gjaku i lirisë. Cerberët po e shihnin ëndërr Shalën. Trimat e lirisë kishin bërë benë se përveç mbi trupat e tyre të pajetë mund të kalohej andejpari. Dhe, për tridhjetë e nëntë ditë luftime, beteja, qëndresë…

Erdhi edhe 26 prilli 1999. Dielli kishte ngatërruar rrugën që në  çapin e parë. Dragonjtë e kuçedra fytafyt. Shumë krerë të saj u sakatosen. Edhe gjaku i lirisë rodhi rrëke. U vranë shumë trima të lirisë.

U vra edhe komnadant Shemi… O Zot, Majdani kurrësesi nuk bën të binte. Kërkoheshin përforcime. Andej fluturonin edhe dy shqipe krahlehta. Ishin Shemsi Istrefi e Enver Musa- DIVI. Dhe, krisma, këngë e kukulele të shumta.

Dy të plagosur ( Ismail Istrefi dhe Mustafë Ibishi) i nxitonin për në spitalin e Potokut. I pari, djali i axhës së tij, ia dha gjoksoren dhe e luti që të shkonte me ta.

Burrat edhe plagosen edhe vritën!- u tha trimi duke i përshëndetur ushtarakisht. As me ju nuk vijë pa e marrë hakun e shokëve- ua ktheu me një buzëqeshje të çiltër. Dhe, e mbajti fjalën.

Natën kobtare të 27 prillit 1999 luftuan e luftuan derisa ranë për të mos vdekur kurrë. Atë ditë Pretenin e kishte mbuluar hija e zezë. Kudo zymtësi…heshtje…pikëllim…

Në Altarin e lirisë edhe dy emra të shkruar me gjak; Shemsi Istrefi dhe Enver Musa.

Për trimin e paepur, Shemsi Istrefin, sot flasin me admirim shokët dhe eprorët e tij. Flet Bajram Beqiri, flet Sedat Ferati, flet Basri Zeneli, flet Ali Berisha, flet Sabri Haziri… Flasin të gjithë, flet edhe mjeku që shërbeu nëpër istikamet e përgjakura, dr. Shukri Gërxhaliu.

Kolonel Hasan Preteni pos tjersh thotë: “Në mesin e atyre idealistëve të rinj që ishin nisur vetëdijshëm në rrugën e sakrificës, vetëflijimit, në rrugën për çlirimin e atdheut pa dyshim u gjend edhe Shemsi Istrefi, i cili kreu me nder obligimin ndaj atdheut.

Vendosmëria e djemve si Shemi do të jetë motiv dhe burim frymëzimi për brezat e ardhshëm për të kaluar çdo pengesë që u del përpara deri në realizimin e aspiratave kombëtare ”.

Por, më së miri flet vetë vepra e tij, flet gjaku i tij që ushqeu lirinë, të cilën po e gëzojmë sot, flet emri Dëshmor i kombit që ia dhuroi Pavdekësinë.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …