Bedri Tahiri: Në Vlorën historike

Bedri Tahiri: Në Vlorën historike

Takimet vëllazërore përherë e kanë atë bukurinë e vet mahnitëse. Veçan, kur ato bëhen midis krijuesish. Dhe, në raste të tilla, ngjajnë edhe mrekullira. Vushtrriasit dhe vlonjatët sikur i lidh diçka e veçantë. Kështu ngjau edhe gjatë vizitës dyditore të delegacionit tonë (krijues të klubit “Latif Berisha”: Ermirë Jusufi, Safet Hasani, Remzije Zekolli e Bedri Tahiri dhe zyrtarë komunalë: Besim Muzaqi, Fatmire Cecelia e Burim Rexhepi), që në vete ngërthenin gjithë afshin e frymës atdhetare, me një synim të përbashkët: Ribashkimin kombëtar!

Ishim të ftuar nga miqtë tanë vlonjatë, të prirë nga z. Thanas Jani (alias Nasi Jani) në përurimin e Antologjisë së krijuesve të Klubit “Drita”, që do të bëhej në Vlorë, më 6 gusht 2018. Kjo erdhi pas nënshkrimit të një Marrëveshjeje bashkëpunimi midis Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve “Drita”, Drejtorisë për Kulturë Rini dhe Sport të Vushtrrisë dhe Klubit letrar “Latif Berisha”, në Kalanë e lashtë të Vushtrrisë më 26 korrik 2018.

 

Në Fushë-Krujën e Shotë Galicës

Rrezet e diellit po përcëllonin ashpër, bashkë me pluhurin e rrugës së pashtruar tek po zbrisnim ta nderonim Heroinën e Kombit, trimërshën sypatrembur, Shotë Galica, e cila para 91 vitesh na e kishte lënë shëndënë, duke ikur në amshim në një gjendje të mjeruar!

Ah, ç’katandisje kombëtare! Dymbëdhjetë vjet luftëra kundër katër perandorive pushtuese të kohës, gjashtëdhjetë e dy beteja fitimtare bashkë me kryetrimin Azem Galica, e në fund, tek po i rriste jetimët e shokëve të vrarë, ende pa i mbushur mirë tridhjetë e dy pranvera, t’i mbyll sytë në mjerim e pa bukë, një unikat i llojit të vet!

Dhe, marrëzitë, nuk kanë të ndalur. Bashkëshortët dhe bashkëluftëtarët  që nuk i ndau armiku as lufta, po i mban të ndarë djallëzia e injoranca e kohës. Varri bosh në Galicë po e pret tash e katërmbëdhjetv vjet! Një kenataf bashkëkohor, për të cilin grekët e lashtë do të jepnin shumë!…

Edhe dreka në Durrës, në restoranin “BESA” të Naim Kapitit, qe mjaft domethëse për ne. Vëllezërit Kapiti kanë dhënë shumë për luftën tonë çlirimtare, në lokalin e tyre “DRENICA” u bë mobilizimi i vullnetarëve që ktheheshin nga perëndimi dhe ia mësynin vatrave të luftës në Kosovë…

Rruga e gjatë nuk na lodhte fare. Fushën e Myzeqesë e kaluam duke rikujtuar romanet kryevepra të Jakov Xoxës. Hyrja e Fierit na solli ndërmend Hanin e Bishtankës, ku Adili e Vita ngjizen farën e bukur të dashurisë…

Pritja e mysafirëve bëhet sipas traditës. Nikoqirët kanë dalë larg e larg, në hyrje të Vlorës heroike, dhe, sa takohemi, fill ngjitemi lart për kafen e mirë se ardhjes, nga, si në pëllembë të dorës shihet Vlora e Pavarësisë, Vlora e Ismail Qemalit,  Vlora e Isa Boletinit, Vlora e mësuesit të Libohovës, Avni Rrustemit, Vlora e kujtesës sonë historike, emrin e së cilës e mbajnë shumë vasha në Kosovë. Këtë e mban edhe vajza ime e dytë, për të cilën më qortuan më vërejtje kur e regjistrova në vitin e demonstratave studentore, pra më 1981…

 

Në  bordin e anijes pranë “Bolonjës” -Vlorë

Dielli përvëlues sikur përtonte të fundosej tej horizontit të detit të paanë. Mbase edhe ai kishte dëshirë të merrte pjesë në eventin e thjeshtë kulturor, pa protokol zyrtar, por të një rëndësie të veçantë, ku mplekëseshin si gërshetë nimfash dy cepet e atdheut. Aty, në bordin e anijes së ankoruar, që herë-herë hepohej mbi ujin kaltërosh, do të flitej me gjuhën e perëndive, përmes fjalës poetike, nga anëtarët e dy klubeve: “Drita” dhe “Latif Berisha”. Vlora e Vushtrria. Sa bukur! Mrekullia vetë!

Dhe, sipas rendit, që Labëria e çmon shumë, mysafirët në krye të vendit. Antologjia 5, me 140 shkrimtarë dhe artistë nga mbarë trojet shqiptare, fliste vetë. I madhi, Nase Jani, i zoti i shtëpisë në këmbë. Atmosferë mahnitëse. Nën zërin e bukur të gazetares Anila, çdo gjë frymon lehtë e qetë…Recitime, përshëndetje, kujtime, dhurime librash…Njohje e miqësi të reja…

Nën dritën vezulluese të hënës shihnim se si na bënin roje nderi ishulli më i madh i Shqipërisë, Sazani, e tej lart, puçur me qiellin, Kanina heroike, vendlindja e bejlerëve vlonjatë. Tryezat mbushur përplot: Mirënjohje, libra, kafe e pije freskuese… Fare pranë edhe piktura e piktores-poete, Mimoza Hametaj, dhuratë për “Drita”- “Pelegrin”, në të cilën  firmosëm të gjithë anëtarët e Klubit “Drita”.

 

Darkë tradicionale

Vonë, pasi bëmë edhe ca shëtitje përgjatë bregdetit me hijeshi përrallore, ngjitemi lart, në konakun mikpritës të Lela Qejvanit. Dhe, ç’të shihnim?! Një darkë tradicionale, me gjithë të mirat, të gjitha “bio”, siç shprehet Nase Jani. Në përgatitjen e dy kecave në hell kishte ndihmuar edhe zonja e Nases, znj. Leonora, e cila, bashkë me të tjerat edhe na e shtroi sofrën e bujarisë…

 

Në Manastirin e Shën Mërisë

Në të kthyer, nuk na bënte zemra t’i themi lamtumirë Vlorës pa kaluar pyllin e Sodës e për ta vizituar një mrekulli shqiptare, lagunën e Nartës, gjegjësisht ishullin e Vërnecit, ku në një qetësi hyjnore, nën gumëzhitjen dehëse të xhinkallave, sikur flinte Manastiri i Shën Mërisë, në varrezat e të cilit pushon edhe Marigona e Flamurit tonë të shenjtë…

 

Dolli për Dritëronë!

Në kuadër të kësaj mrekullie, ngjau edhe një drithërimë emocionuese, kur poemën e Perikli Jorgonit, kushtuar Azem e Shotë Galicës, që vitin e shkuar e pata botuar në Prishtinë dhe Klubi ynë “Latif Berisha” e pati përuruar në kullën e Azem Galicës, ia dhurova  z.Nase Jani, pa e ditur se ky paskësh qenë nxënës i Perikliut të papërsëritshëm! Aty më doli edhe nxënësi tjetër i Periliut, ushtaraku e poeti Ylli Qemal Meçaj! Dhe, paskëtaj, u zbrazën emocione e kujtime të shumta.

Në përmbyllje edhe shkëmbime librash e kafeja lamtumirëse. Nase Jani më dhuroi librin “…me Dritëronë”, për të cilin edhe ngrëmë dolli, mu pranë shtatores së trimit Avni Rrustemi.

Faleminderit e gjithmonë qofshi të nderuar miq vlonjatë!

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …