SHOTË GALICA DHE HILET E JETËS Ose ZEMËRTHYERJA E HEROINËS ME TRE VARRE
Po të kishte horoskop edhe për vendbanime, korriku do t’i përgjigjej Galicës.
Këtë e them me plot gojën, ngase kam argumente:
Në korrik të vitit 1907, në betejën e Deviçit, në luftë kundër turqve, ra heroikisht Bejtë Galica (babai i Azem Galicës);
Në korrik të vitit 1921 Shotë Galica vret naçallnikun në Mitrovicë;
Më 15 korrik të vitit 1924 u zhvillua Epopeja e Arbërisë së Vogël;
Më 25 korrik të vitit 1924 dha shpirt Azem Galica;
Më 10 korrik (ka edhe data tjera për vdekjen e saj), të vitit 1927, në mjerim të plotë vdiq Shotë Galica dhe
Më 17 korrik të vitit 1998, në Rrasë të Zogut ra dëshmori i UÇK-së Adem R. Ademi!
* * *
Azem e Shotë Galica- unikat në jetë e në histori!
Dymbëdhjetë vjet luftë çlirimtare e sakrifica vetëmohuese!
Gjashtëdhjetë beteja fitimtare!
Varri i Kryetrimit Azem Galica- Varri më i thellë në botë (73 metra)!
Dhe, nga gurmazi i tij enigmatik, pas dyzet e shtatë vitesh, eshtrat e Tij “fluturuan” në Galicë!
Vdekja e “Nuses së Maleve”- Heroinës Shotë Galica, një nga më të rëndat në historinë tonë; vdiq në mjerim të plotë, e braktisur fare nga pushteti i kohës, madje edhe e kërcënuar nga mbreti e nga uria katandisëse!
Dhe, sot, ende loja vazhdon në këtë dramë kombëtare!
O tempora, o mores!
Ende, as sot e kësaj dite, nuk ekziston një lapidar a shtatore e mirëfilltë për këta dy heronj të kombit!!!
Ende, as sot e kësaj dite, nuk ekziston asnjë lapidar a pllakë përkujtimore për luftëtarët e Çetës së tyre kreshnike!!!
Lëri, lëri të gjitha këto. Aq më keq, e që mendjet e shëndosha nuk mund ta pranojnë dot një gjë të tillë, këta dy bashkëshortë e bashkëluftëtarë, të cilët mezi arriti t’i ndajë vdekja, edhe sot e kësaj dite janë të ndarë!!!
Varri i zbrazët i Shotës në Galicë është kenataf i llojit të vet, për të cilin grekët e vjetër do të bënin çmos!!!
Besoj se ka ardhur koha që mos të bëhemi krejt të shurdhër e të verbër! Vallë, a nuk është një satisfaksion moral e kombëtar që këta dy bashkëluftëtarë e bashkëshortë, të cilët për dymbëdhjetë vjet nuk i ndanë as luftërat, as betejat, që sot t’i bashkojmë! Sinqerisht, nuk jemi nisur nga shpirtngushtësia e përvetësimit të këtyre figurave madhore kombëtare. Jo, ore jo. Azemi dhe Shota tashmë janë shpallur HERONJ TË KOMBIT dhe i përkasin gjithë SHQIPTARISË! Përkundrazi. Jemi nisur thjesht nga ndjenja e pastër e idealit të tyre, që, ashtu siç qenë në jetë- TË PANDARË, edhe sot në amshueshmëri e në LIRI të pushojnë TË PANDARË!
Ne të afërmit e kryetrimit si dhe komisioni nismëtar, sikur kemi mbetur zë i humbur në shkretëtirën e paanë. Që nga viti 2004 nuk kemi lënë derë pa trokitur, në Kosovë e në Shqipëri. Dosja me kërkesa e shkresa të ndryshme është fryrë aq sa nuk peshohet dot. Dhe, përpos fjalëve të mira, të buta e të ëmbla, askush asgjë konkrete! Thuajse jemi lodhur, andaj kërkojmë ndihmë. Kërkojmë ndihmë nga ata që e kuptojnë drejt problemin e shtruar. Le të gjykojnë paanshëm mendjet e ndritura të kombit dhe le ta japin ndihmesën e tyre të mundshme.
Tekefundit, ky bashkim zemrash, eshtrash e idealesh ka simbolikë edhe më të thellë: Ai është amaneti i Tyre dhe paraprakisht nënkupton BASHKIMIN TONË KOMBËTAR!!!
* * *
Kërkesa për rivarrosjen e eshtrave të saj në Galicë, pranë bashkëshortit dhe bashkëluftëtarit Azem Galica, le që po injorohet tash e dy dekada, nga shoqëria e nga të dy qeveritë, por, së fundmi, doli në shesh edhe një hile e paparë dhe e padëgjuar: Krahas dy varreve të ditura, mbiu si nga dheu edhe varri i tretë, për të cilin thuajse nuk di askush të të jap përgjigje!!! Shih deri ku ka vajtur misterioziteti i një sistemi totalitar mbytës!
Hajde, mendjekrisur, hajde!!!
Jemi mësuar të kemi personalitete pa varre e pa eshtra: Heroin kombëtar, Gjergj Kastriotin- Skënderbeun; të madhin Pjetër Bogdanin, paskëtaj poeti kombëtar, Gjergj Fishta…
Edhe për Ali Pashë Tepelenën dimë se trupin e ka në Janinë e kokën në Stamboll, por me tre varre jo!!!
Çudi e çudive!
Heroina Shotë Galica me tre varre!
1. Varri dhe lapidari në Fushë- Krujë, bërë më 1962,
2. Varri në Galicë, i rregulluar në vitin 2014 dhe
3. Varri në Krujë, i “zbuluar” javët e fundit, a, i rregulluar në kohën e komunizmit!
Një skandal e shkuar skandalit!!!
Kjo lojë me eshtrat e Heroinës Shotë Galica duhet të marrë fund!
Turpi bie mbi institucionet vendimmarrëse shtetërore!
Ky turp, le të rëndoi si gur mallkimi edhe në ndërgjegjen e të gjithë atyre që në çfarëdo mënyre pengojnë realizimin e këtij amaneti!
O sot, o kurrë!- të ndriçohet ky fenomen që jep një pasqyrë të trishtë të mendësisë sonë mjerane dhe eshtrat e Heroinës Shotë Galica të pushojnë aty ku e kanë vendin, në Galicë, pranë burrit e bashkëluftëtarit Azem Galica!
Nuk i ndau LUFTA!
I ndau POLITIKA!
T’i bashkoi LIRIA!