Në Bosnjë dhe Hercegovinë…
Pas shpartallimit të Brigadës, ne që mbetëm brenda, jemi sistemuar nëpër njësitë tjera të Ushtrisë Kroate. Unë personalisht jam sistemuar në një njësi speciale për punë të veçanta. Njësia quhej “Mbreti Tomisllav” dhe me të ka komanduar gjenerali me emër të luftës: Nijaz Batlak ndërsa emrin e vërtetë e kishte Mate Sharllija. Kjo njësi elite selinë e kishte në Vaskopole dhe ka vepruar që nga Dubrovniku e deri në Osijek. Këtu kam qëndruar deri në vitin 1992.
Edhe shqiptarët tjerë janë sistemuar nëpër njësite të caktuara. Në Sisak dhe në Komarevë kanë qenë Bekim Berisha-Abeja, Ramë Cervadiku, Afrim Shyreci- Leopardi… Pra, disa kanë qenë në Sisak, disa në Karllovc, disa në Gospiq, disa në Osjek. Thjesht, që nga Dubrovniku, kudo, në çdo pikë të frontit në Kroaci, i cili ishte i gjatë 1200 kilometra, nuk ka pasur njësi që nuk kishte edhe shqiptarë…
Kur erdhëm në Bosnjë, njësiti të cilit i prija unë vazhdonte të ishte nën komandën e gjeneral Mate Sharllias. Njësia jonë speciale, e cila ishte njësi super elitare, ka vepruar që nga Gorazhda e deri në Mostar, nëpër Sarajevë, Igman, Bjellashnicë, Zenicë, Konjicë, Jabllanicë etj. Fillimisht isha i vetmi shqiptar. Me ata 1000 luftëtarë, më 1 prill 1992 hymë në Bosnjë, pesë ditë para se të kriste pushka e parë çlirimtare (pushka e parë ka krisur më 6 prill 1992).
Mirëpo, zhvillimi i Ushtrisë së Bosnjë Hercegovinës, ka ecur pak më ngadalë, se sa ai i Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës…
Tek gati pas dy vjetësh, janë krijuar do grupime taktike, divizionet, korpuset. Unë në divizion kam qenë ndihmës i komandantit për sigurim ushtarak, ndërsa në Korpusin 4 kam qenë kryeshef i sigurimit ushtarak për korpus. Zëvendës ishte Ismet Aliu, që më pas u bë atashe ushtarak i Bosnjë Hercegovinës në Turqi. Edhe unë, në vitin 1996 kam qenë i propozuar me detyrë të atasheut ushtarak të B e H-së në Shqipëri, mirëpo që atëherë e kisha të qartë se situata në Kosovë nuk është e mirë dhe se lufta ishte e pashmangshme, kështu që nuk e pranova emërimin dhe me padurim e kam pritur ditën kur populli ynë do t’ia kthejë pushkën shkaut dhe të çlirohet njëherë e përgjithmonë nga prangat e robërisë…
Lufta e Bosnjës dhe Hercegovinës ka qenë e tmerrshme. Aty luftohej në shumë fronte: ishte luftë ndërshtetërore, ndërfetare, ndëretnike! Ajo ka zgjatur nga 5 prilli 1992 deri më 28 shkurt 1996. Veç Sarajeva ka qëndruar 1423 ditë e rrethuar dhe e bllokuar. Nga granatimet dhe snajperistët serbë janë vrarë rreth 20.000 veta. Qytetin e ka mbrojtur me mish e shpirt Korpusi I, ndër ta luftëtarë nga krahina e Sanxhakut, prej të cilëve kanë rënë në fushën e nderit (duke e mbrojtur Sarajevën) rreth 5000 ushtarë.
Në Kosovë…
Erdhi edhe viti 1996. Isha në Jabllanicë, bri Neretvës dhe po e merrja veten nga gjithë ato beteja e luftime. Një ditë bie zilja e telefonit. Ishte Fehmi Lladrovci:
-A i kemi fjalët e ’91-it për me shkue në Kosovë?
-Po, po, i gatshëm jam!
– Atëherë, grumbullo armatim kah të mundesh e si të mundesh!
-U tha, u bë!
Unë isha përgjegjës për oficerët shqiptarë që ishin në Bosnjë. Në Sarajevë erdhi edhe Fadil Demiri po për të njëjtën detyrë, t’i mblidhte oficerët shqiptarë dhe të grumbullonte armatim. Ashtu vepronin edhe Xhemail Fetahu, Asllan Peci, etj. Ndërkaq nga Kroacia ishte Nevxhet Haziri, Xhafer Jashari dhe aktivistë nga Tetova e Gostivari. Armët veç kishin zënë të lëviznin në relacionin Split-Durrës-Tiranë, pastaj edhe me autobus e me kamionë në vijën tokësore…Katër vite më herët (në fillim të 1992), asaj rruge ishte nisur edhe mitralozi im, Sharci M-53, i cili, për fat të mirë, arriti aty ku duhej, në dorën e Adem Jasharit si dhe automatiku AK-47 për Zahir Pajazitin!
Pas pak, ia mësymë edhe vetë kthimit në Kosovë. Shkuam në linjën ajrore Sarajevë-Stamboll-Tiranë. Në Tiranë nuk qëndruam shumë, sepse ne donim të luftonim e jo të shëtisnim rrugëve të saj, larg vijave të frontit. Kur u zhvillua Beteja e Jasharëve, ne kemi qenë në Tiranë. Aty jemi munduar që t’i bashkojmë të gjitha grupimet politike të kosovarëve dhe t’i shkrijmë në UÇK, gjë që në fillim ka ecur me një vështirësi bukur të madhe.
Pas rënies së komandantit Adem Jashari, nuk na rrihej më, nuk na zihej vendi-vend. Kështu, një grup oficerësh: Naim Maloku dhe Afrim Basha, dy muaj më herët u futën në territorin e Kosovës, e pastaj: Bislim Zyrapi, Kadri Kastrati, Hysni Ahmeti, Binak Gashi, Agim Çela, Mahir Hasani, Nysret Krasniqi-Hansi unë (Mensur Kasumi) etj., ia mësymë kufirit të mallkuar shqiptaro- shqiptar. Ishim të parët që futeshim në Kosovë. Me ne erdhën edhe 77 luftëtarë të tjerë (në mesin e tyre edhe Tahir Sinani e Indrit Cara- tashmë dëshmorë si dhe vetë udhëheqësit e grupit Hashim Thaçi e Kadri Veseli). Ishte majii i vitit 1998…
Kur u nisëm për çlirimin e Kosovës bashkëluftëtarëve u thashë: “Në këtë rrugë të shenjtë që jemi nisur të nxitur nga historia e lavdishme e popullit tonë, do t’i tregojmë gjithë botës se ç’mund të bëhet me vetëm një grusht njerëzish që luftojnë me të drejtë. Ndërsa, të gjithë ata që s’na kanë besuar në suksesin tonë, do të turpërohen kur të shohin shtetin tonë të ri.
Diellin do ta kemi flamur, e qiellin mburojë! Toka do të dridhet dhe qielli do te kumbojë nga suksesi jonë!
Të mbështetur në armët tona, do të ngremë ushtri të paparë ndonjëherë!
Do të jemi mbrojtës të drejtësisë e mëshirës ndaj të tjerëve dhe garantues të unitetit kombëtarë!
Me armët në dorë dhe me përpjekjet e pandalshme, do të korrim fitore dhe të ngremë lart emrin e lavdishëm të kombit tonë!
Zoti na ndihmoftë ta çlirojmë Kosovën tonë!
…Kaluam në Rogovë të Hasit, afër Rahovecit në Drenoc dhe pas pesë ditësh arritëm në Drenicë. Në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Likofc, morëm detyrat dhe u shpërndamë nëpër zona…Mua më caktuan në Zonën Operative të Shalës…
Fillimisht u emërova si Zëvendës komandant i UÇK-së në Zonën Operative të Shalës, ndërsa nga mesi i shkurtit i vitit 1999 kalova në Shtabin e Përgjithshëm.
Në qershor të vitit 1998 mbërrita në Zhilivodë.
Po atë natë erdhi Fehmi Lladrovci dhe u takuam pas shumë vitesh. Takimet me të i kemi pasur të përhershme deri në rënien e tij heroike në Altarin e Lirisë!
Betimi…
Rënien e komandant Fehmi Lladrovcit bashkë me heroinën Xhevë dhe bashkëluftëtarë të tjerë, në shtatorin e përgjakshëm të vitit 1998, gjeneral Mensuri e kishte përjetuar rëndë.
“Komandant Mensuri, i cili e kishte pasur bashkëluftëtar Fehmiun në luftën e Kroacisë, u betua në emër të Luftëtarëve të Lirisë se do të marrin hak për të gjithë të rënët dhe se deri në shqiptarin e fundit do të vazhdojnë rrugën e Fehmiut!”- shkruan në Ditarin e tij, gazetari i luftës, Haqif Mulliqi, që ishte bashkëpjesëmarrës në ngushëllime në familjen e komandant Fehmi Lladrovcit.
Mirëpo, sot, vetë Gjenerali, shprehet se përkundër praktikave të luftërave te popujve tjerë gjatë historisë, në luftën e lavdishme të UÇK-së ngjau një fenomen i veçantë: Çdo rënie e komandantëve në vijën e parë të frontit, shënoi ngritje të moralit luftarak, mobilizim e masivizim të luftës sonë çlirimtare, shënoi përtëritje!
I tillë ishte edhe bashkëluftëtari im i hershëm, komandant Fehmi Lladrovci, emri dhe heroizmi i të cilit na frymëzuan dhe na prinë drejt fitoreve të reja, drejt LIRISË!
Vlerësime:
Haqif Mulliqi: Mensur Kasumi është një prej figurave më të dashura, për mua, që kam njohur tek Ushtria Çlirimtare e Kosovës…
Elifa Krijestorac (ish-luftëtare boshnjake): Mensur Kasumi, Luani nga Vushtrria!
Ne, boshnjakët e kujtojmë Mensur Kasumin si kapiten, i cili menjëherë pas zhbërjes së ish-Jugosllavisë, me fillimin e agresionit të parë serb në ish republikat jugosllave, e braktisi Zvicrën, e pastaj merr pjesë pothuajse në të gjitha betejat kundër agresorit serb, duke filluar nga Sllovenia, Kroacia deri në Bosnje dhe Hercegovinë ku si Zëvendës Komandant i Njësisë Speciale për Qëllime të Posaçme (NjSQP) të Shtabit të Komandës Supreme, e më vonë edhe i Korpusit të IV të Ushtrisë së B e H, qëndroi deri në vitin 1996.
Tani, Shqiptarët e Kosovës e kanë shtetin e tyre dhe territorin në të cilin pa frikë dhe pa dhimbje do t’i ngritin gjeneratat e reja. Gjeneral, Mensur Kasumi edhe në luftën e tij të fundit, nga Ushtria e Republikës së Kosovës doli me gradën Gjeneral, por i mbeti besnik vetes dhe modestisë së tij të lindur. As këtë herë nuk kërkoi qe t’i kthehet asgjë, ani pse pas shumë luftërave të udhëhequra për lirinë e Kosovës së tij , në fund u sëmur dhe mbeti invalid.
Ne boshnjakët e Bosnjës dhe të Sanxhakut, Gjeneral, Mensur Kasumit, i cili bashkë me ne mori pjesë në mbrojtjen e Bosnjës e Hercegovinës dhe popullit të saj- i jemi falënderues. Ne e kemi edhe obligim që gjeneratave boshnjake, të cilat vijnë, tua përcjellim që ta kujtojnë dhe të mos e harrojnë. Ne gëzohemi njëkohësisht qe vëllezërit tanë shqiptarë-më në fund e realizuan lirinë e vet, por ne do t’i kujtojmë ata në të ardhmen vetëm aq sa ata ta kujtojnë dhe nderojnë Gjeneralin tonë dhe të tyre- Mensur Kasumin.
Prof. dr. Islam Qerimi: Gjeneral Mensur Kasumi, një person ushtarak, i cili kishte mbaruar akademinë ushtarake dhe i graduar në ish armatën e rregullt jugosllave në kapiten i klasit të parë. Gjeneral kishte luftuar në tri luftërat e zhvilluara për lirinë e popujve nga hegjemonizmi dhe bolshevizmi serbosllav. Gjatë këtyre betejave luftarake, ai ishte plagosur disa herë dhe kishte marrë 5 plumba në trupin e tij, si pasojë e tyre ai dhe sot ka probleme të rënda me shëndetin e tij, njëra veshkë iu ka dëmtuar në tërësi.
Dhe, Gjeneral Mensur Kasumi meriton edhe më shumë!