Kryetari i komunës së Malishevës, Ragip Begaj i ka cilësuar eksperimente Marrëveshjen për Asociacionin dhe atë për Demarkacionin, të arritura në gusht të vitit të kaluar. Në një intervistë dhënë për Radion ‘Kosova e Lirë’, ku ka folur për zhvillimet në komunën që drejton, Begaj ka komentuar edhe dy marrëveshjet që po kundërshtohen tash sa kohë nga opozita. Ai ka theksuar se ‘qeveritarët tanë i kanë bërë shumë marrëveshje sy-mbyllurazi, pa e ditur përmbajtjen e tyre’. Kryetari i komunës së Malishevës ka thënë se në veri të Kosovës nuk mund të udhëtojnë as zyrtarët e lartë të Qeverisë, duke përkujtuar ndalesën që iu bë ministrit të Financave, Avdullah Hoti. “Në Kosovë po ndidhin eksperimente. Është e papranueshme, për mua, që të krijohet një shtet një-etnik nga një shtet multi-etnik”, ka deklaruar Begaj.
