Në mbledhjen e rregullt të qeverisë komunale, të mbajtur sot, kryetari i Komunës së Malishevës, z.Ragip Begaj, vizitën e javës së kaluar në Gjermani, përkatësisht në qytetet Soest dhe Sundern, e ka cilësuar të suksesshme dhe e ka vlerësuar lart pritjen e udhëheqjes së këtyre qyteteve, si dhe të mërgimtarëve tanë që punojnë dhe jetojnë në këtë pjesë të Gjermanisë.
“Vizita që kemi bërë në Gjermani, ka qenë e frytshme. Kemi pasur shumë takime me kryetarët e këtyre dy qyteteve dhe departamentet tjera, e po ashtu na është bërë një pritje e jashtëzakonshme nga mërgimtarët tanë. Gjithashtu kemi vizituar edhe disa fabrika në këtë rajon dhe jemi takuar me komunitetin e biznesit”, tha kryetari Begaj, duke e informuar Këshillin e Drejtorëve, lidhur me vizitën në Gjermani.
Sipas kryetarit Begaj, kanë shkëmbyer përvoja në udhëheqje, në ekonomi, arsim dhe fusha tjera, si dhe kanë marrë ndihmë konkrete në fushën e arsimit, nga qyteti Soest. Gjatë vizitës në Gjermani, kryetari Begaj, ka qenë i shoqëruar nga drejtori për ekonomi, Vesel Krasniqi, drejtori për gjeodezi, Blerim Thaçi dhe zyrtari i lartë në drejtorinë e arsimit, Shefqet Kryeziu.
Përndryshe, në mbledhjen e sotme të Këshillit të Drejtorëve, u raportua, se janë duke u realizuar disa projekte, si ai i shkollave në Astrazup dhe Banjë, si dhe fushat sportive në Llapqevë dhe Senik.
Po ashtu në këtë mbledhje, u tha se po vazhdon repelimi i kafshëve, ku deri më tani kanë përfunduar pesëmbëdhjetë fshatra, në ciklin e parë, ndërsa dezinfektimi i zonave endemike, varësisht nga kushtet atmosferike, pritet të filloj nga gjysma e muajit e prill.