Nuk e di a do te bashkohet Kosova dhe Shqipëria, por e di se, nisur nga evidenca e antroponimisë së fëmijëve, secila familje shqiptare ne Kosova ke një Shqipëri brenda!
Historia mijëvjeçare e popullit shqiptar është historia e përpjekjeve për ndërtimin e identitetit kulturor, gjuhësor, etnik dhe kombëtar, prandaj është e kuptueshme pse edhe onomastika në përgjithësi dhe antroponimia në veçanti kanë qenë një pjesë e asaj vlere që mund të quhet bartëse e rëndësishme e kësaj historie. Për shumë dekada shqiptarët në përgjithësi dhe shqiptarët e mbetur jashtë shtetit të sotëm shqiptar në veçanti luftuan pareshtur për lirinë e tyre dhe po për kaq dekada fëmijët e tyre i pagëzuan me motive të kësaj qëndrese, me motive të kësaj lufte, me motive të çasteve të krenarisë, me motive të luftëtarëve të kohës së cilës i kanë takuar etj. Kështu, ata edhe sot vazhdojnë që me emrat e fëmijëve të tyre të identifikojnë momentet më të lavdishme nëpër të cilat kaluan viteve të fundit, viteve më të lavdishme të historisë sonë, viteve kur djemtë dhe vajzat e këtij populli ngritën përballë pushtuesit shekullor krenarinë e shqiptarëve, në vend të përuljes së deridjeshme; nxorën vlerat më të larta të dinjitetit të tij, në vend të vetive të stërkequra morale të deridjeshme; treguan vendosmërinë për të ndryshuar jo vetëm bindjet politike të politikave të brendshme, të cilat e bënin pushtetin, por edhe bindjet politike të diplomacisë së kancelarive të Evropës dhe Amerikës, se shqiptarët e Kosovës janë ngritur në luftën e fundit dhe vendimtare për jetë a vdekje.
Dhe këtë luftë shqiptarët e kanë bërë edhe me një vlerë të rëndësishme kulturore, gjuhësore, etnopsikologjike, etnokulturore, që ka ndihmuar mbijetesën e tyre: kjo është vazhdimësia për të përtërirë emrat historikë, vazhdimësia që me emrat e rinj të shenjëzojnë ngjarjet historike, vendet ku janë zhvilluar ato ngjarje historike; toponimet, oronimet, hidronimet dhe shumë onoma të tjera, që në momente të tilla kanë marrë karakter historik. Kjo është vazhdi¬mësia për të bërë të pavde¬kshëm emrat e gjyshërve, baballarëve, vëllezërve të vrarë, luftëtarëve më të njohur etj.
Kjo veçori e popullit shqiptar është vënë re mjaft herët nga studiuesit shqiptarë dhe të huaj dhe është konstatuar se bëhet fjalë për një veçori të hershme arbërore dhe madje ilire . Populli shqiptar në Kosovë, edhe në luftën e fundit 1997-1999, ka vazhduar që jo vetëm oikonimet, mikrotoponimet, oronimet etj., por edhe fëmijët e porsalindur t’i emërtojë në mbështetje të motiveve historike dhe aktuale të kohës nëpër të cilën po kalonte.
Duke vënë re këtë element të rëndësishëm të shoqërisë së Kosovës për shquarjen e kësaj veçorie edhe në këto vite, kam bërë hulumtime të kësaj dukurie gjatë viteve të fundit, të cilat i kam bërë edhe objekt studimi. Paradigma toponimike e antroponimeve Bazat e një sistemi onomastik me burim nga motivet e historisë bashkëkohore i ka ndjekur si toponimia, ashtu edhe antroponimia, të cilat si motiv kanë burimet denominues të kohës, sigurisht për shkak se toponimet dhe antroponimet e tilla zgjojnë ndjenjat e përkatësisë kombëtare. Këtu si motiv shërbejnë rrethanat e lindjes së fëmijës, që përkujtojnë ndonjë moment, vend ose ngjarje me rëndësi historike, dukuri natyrore apo situata të pazakonta të kohës etj., të cilat Shefki Sejdiu i grupon në bashkësinë e burimeve e motivimeve denominuese antroponimike që shprehin dëshirë . Prandaj është e kuptueshme pse, ndryshe nga përvoja e shënuar në luftërat e tjera shumëshekullore, gjatë gjithë kësaj kohe të fundit ka pasur më shumë emra abstraktë (gjithnjë të motivuar në nomenklaturën gjuhësore dhe semantike të shqipes), sesa emra të karakterit historik. Në Kosovë kanë vazhduar të krijohen toponime të reja kryesisht me karakter historik. Edhe në këtë rast, siç do të shprehej studiuesi Igor Gostl “fusha semantike e toponimeve është shumështresore: në të reflektohet, ndër të tjera, varësia politike, përkatësia etnike, vazhdimësia e popullzimit. Me një fjalë, ato shprehin realitetin ekzistues gjeografik, politik ose etnik. Kështu, toponomastika merr jo vetëm nuanca kuptimore, profesionale, shkencore por edhe politike e gjeopolitike” .
Toponimet dhe oronimet e vjetra brenda ditës morën karakter politik e historik, bie fjala: Likoshan, Prekaz, Lugina e Leshanit, Gllogjan, Junik, Koshare etj; emrat e krahinave shpesh të harruara, si rezultat i ndryshimeve shoqërore: Drenicë, Rrafshi i Dukagjinit, Llap, Reka e Keqe, Rugovë etj., brenda kësaj kohe u rikujtuan dhe u bënë pjesë e historisë sonë të re. Emrat e krahinave etnografike dhe shpesh me përdorim, brenda natës u bënë sinonim i vetëdijes historike, i krenarisë kombëtare e historike, i vlerave më të larta morale dhe shoqërore të kohës.
Në këta dhjetë vjetët e fundit kemi qenë dëshmitarë të prirjes së formimit paralel të toponimeve dhe antroponimeve me motive nga zhvillimet e përditshme në Kosovë e në përgjithësi në trojet shqiptare. Në Kosovë, gjatë këtyre viteve, shumë toponime janë bërë shembull i krenarisë dhe pjesë e identitetit tonë kulturor, shoqëror dhe horizonti më i lartë i vetëdijes sonë historike. Një dekadë më parë, toponimi Fusha e Lotëve, gjatë Aksionit të Pajtimeve të Gjaqeve, u emërtua Fusha e Pajtimit. Toponimi me motiv legjendar Qafa e Krushqëve të Ngrirë, për të cilën legjenda thotë se “aty janë therë me thika deri në një treqind krushq të dy dasmave, dhe dyluftimin e kanë mbyllur nuset nën duvak”, u emërtua Qafa e Krushqëve t’Pajtimit. Po krijoheshin toponi¬me të reja, të cilat, në mënyrën e tyre, bënin historinë e re të Kosovës. Kështu janë krijuar edhe toponimet e tipit Lugina e Pajtimit, Livadhi i Pajtimit, Fusha e Pajtimit dhe antroponimet Pajtim e Pajtime. Po të kësaj kohe (rreth një ose dy vite më parë) janë edhe antroponimi Minator dhe shkolla “Minatori”, i motivuar nga lëvizja e minatorëve në vitin 1989. Me të njëjtin motiv të denominimit antroponimik e toponimik është vazhduar gjatë luftës në Kosovë, por edhe gjatë përndjekjes masive të shqiptarëve jashtë Kosovës. Gjatë kësaj kohe shpesh do të dëgjojmë dhe shpesh do të lexojmë toponi¬met e tipit Lëndina e Dëshmo¬rëve, Fusha e Dëshmorëve, Kodra e Dëshmo¬rëve të Kombit (Gjilan), Varret e Dëshmorëve (Kukës, Shqipëri) etj., madje, për herë të parë, ky tip i toponimeve do të depërtojë edhe në jetën e qytetit: Parku i Dëshmorëve të Kombit (Sharr) etj.
Në jetën personale, familjare dhe shoqërore të shqiptarëve do të hyjnë me motive të sforcuara paradigma¬tike edhe një numër i madh emrash më pak ose më shumë të njohur, të ndarë edhe këta në dy linja: linja e parë është ajo e toponimeve me karakter mburrjeje e krenarie: Kukës, Qaf e Morinit dhe Qafë e Morinës, Bajram Curr, Shko¬dër, Tiranë, Durrës, Korçë, Koni¬spol, Tetovë, Dibër, Shkup, Strugë, Ulqin etj., dhe vija tjetër e toponimeve me paradigmë të së keqes: Bllacë, Stankovec, Çegran etj.
Megjithëse në shumë kampe të dëbuarit gjetën shpëtim dhe pritje të sigurt, asnjë kamp shpëtimi në Maqedoni nuk paraqitet (sipas vlerësimeve gojore të popullatës) si sinonim i së mirës, shpëtimit etj. Përkundrazi, të gjitha kampet paraqesin vendin e vuajtjes, dhembjes, lëndimeve shpirtërore etj. Ndryshe nga kampet, ndërkaq, çdo familje shqiptare, çdo shtëpi e shqiptarëve, për të dëbuarin paraqet vendin ku familjet nga Kosova gjejnë shpëtim, paraqet sinonimin e së mirës, sinonimin e shtëpisë së re, e vatrës së re kombëtare. Sigurisht, edhe për shkak se familjet shqiptare lëvizin brenda trojeve etnike dhe etnografike shqiptare, pavarësisht prej kufijve të rinj dhe pavarësisht prej sistemeve shtetërore, me cilësitë me të cilat shprehen të dëbuarit shqiptarë për familjet jashtë Kosovës: në Maqedoni dhe Shqipëri, ne e kuptojmë konceptin mbi arbrin si etni, sipas traditës popullore dhe asaj të shkruar që paraqet Skiroi i Ri, kur thotë se: “aty ku arbëri ndezte një zjarr, aty ishte arbër”. Le të thuhet ndërkaq, se as kampet e tjera në Shqipëri nuk kanë lënë ndonjë përshtypje të keqe, krahas vatrave familjare.
Nga të gjitha pikat toponimike, emri i Bllacës do të bëhet mbase shenja më e përgjithshme dhe vlera më universale e konceptit tragjik për toponiminë historike të dëbimit të shqiptarëve nga vatra e tyre. Kampi i Bllacës, deri një ditë më parë, një toponim i zakonshëm i fshatrave shqiptare, tani fshat ndërmjet kufirit Kosovë – Maqedoni, është sinonim i kalvarit nëpër të cilin kaluan shqiptarët e dëbuar nga ushtria serbe, në fillim të prillit të vitit 1999, dhe aq më shumë, një shembull i ri i Tivarit të vitit 1945. Dhe prej këtu rrjedhin edhe thëniet e përditshme në Kosovë: “Bllaca është një Tivar i kohës sonë”; “Për çdo brez nga një Tivar i ri”; “Kush e ka kaluar kalvarin e Bllacës do të jetoj edhe njëqind e një vjet”; “E kemi mbijetuar Bllacën e jo edhe këtë dimër”; “E kemi mbijetuar Bllacën e s’po e kalojmë edhe këtë (akëcilin) problem (vështirësi)” etj. Pa dashur që
këtu të merremi më gjatë me Bllacën, nuk mund të lëmë pa përmendur se, ndër individë që luftën dhe sjelljen tonë e kanë parë nga një prizëm kritik, nuk kanë munguar as ata që Bllacën e kanë quajtur edhe “sinonim të inteligjencës së Prishtinës” (!).
Antroponimia pasvajtëse
Cilat janë motivet denominuese antroponimike që do të mbulonin të gjitha antroponimet e fëmijëve të lindur pas fillimit të luftës në Kosovë, dhe sidomos pas dëbimit të shqiptarëve në Maqedoni, Shqipëri, Evropë, Amerikë etj ?
Në një regjistër të hartuar nga Shoqata “Nëna Terezë” në Dardani të Prishtinës, prej pesëqind e një emrash të fëmijëve të lindur gjatë vitit 1999, më kanë dalë vetëm katër emra të paradigmës fetare: Elmedina (tri herë), Xheneta (tri herë, të kujtojmë se emri i saj nuk ka gjithnjë paradigmë fetare, sepse është e mundur që prindi të ketë marrë si paradigmë emrin e këngëtares Xhenet Xhekson -BB), Elfati dhe Medina nga një herë. Emrat më të shpeshtë në këtë regjistër, pjesa më e madhe e të cilëve kishte lindur jashtë Kosovës ose jashtë shtëpisë së prindërve të tyre, kishin të bënin para së gjithash me motivet aktuale të lëvizjes kombëtare shqiptare për çlirimin e Kosovës, me aktualitetin e kohës etj: Flamur, Urim, Albulenë, Çlirim, Lumbardh, Laberion, Toskë, Furtunë, Albion, Arbias, Molos, Qëndresë, Arbërie, si trinom familjar: Qëndresa, Qëndrim e Çlirim, pastaj Granit, Kastriot, Ejona (fjala e jona, e kthyer edhe në antroponim e toponim, përdorej nga pjesëtarët e lëvizjes kombëtare duke nënkuptuar Shqipërinë), Leutrim, Çlirimtare, Trim, Lirije, Liridon, Kosovare, Arbër; binomi: Qëndresa e Qëndron, pastaj Shpresim, Fitim, Çlirimtar, Delvina, Flaka, Skordion, Lindita, Fitore, Yll, Vatër, Lirim, Atdhe, Festa, Jon, Andrra, Gramoz, Shota, Shqipton, Shreson, Shpat, Etnik etj.
Nuk ka dyshim se motivet janë të shumta dhe të ndryshme, por asnjëri prej tyre nuk del jashtë veçorive të trashëguara që më parë. Pra, kjo kohë ka bërë që brenda këtyre viteve, një veçori e përdorimit të emrave të jetë më e theksuar, por kurrsesi që të dalë jashtë sistemit të motiveve. Fjala është për: Emrat e fëmijëve që kanë trashëguar emrat e baballarëve, luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës;
Emrat e fëmijëve që tregojnë qëndresë, luftë, krenari historike;
Tipin e emrave që tregon besim në të ardhmen;
Emrat e fëmijëve që tregojnë veçori kohe;
Tipin e emrave të traditës dhe besëtytnisë;
Tipin e emrave me të cilët nderohej Shqipëria dhe shqiptarët;
Tipin e emrave me të cilët nderoheshin të huajt etj .
Emrat e fëmijëve që kanë trashëguar emrat e baballarëve – luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në traditën popullore, edhe më parë ka ndodhur që fëmijët të trashëgojnë emrin e babait, të gjyshit, të xhaxhait ose të një anëtari të familjes, por më shpesh të vëllait ose të motrës së vdekur gjatë ose pas lindjes. Kjo traditë është bartur më pak ose më shumë edhe gjatë viteve kur shumë motra, vëllezër e prindër ranë në demonstrata gjatë viteve 1981-1999. Bie fjala, Bardha Bardhosh (Bardhosh-emri i gjyshit) Gërvalla mban emrin e babait të vrarë nga sigurimi jugosllav në Gjermani më 1982, ndërsa babai i saj mbante emrin e babait të vetë Bardhoshit, të vrarë ndërmjet dy luftërave botërore, gjatë kolonizimit serbo-malazez në Rrafshin e Dukagjinit. Fahri Fadil Fazliu nga Prishtina mbante emrin e xhaxhait Fahri Fazliu, i vrarë në një kundërvënie të armatosur prej policisë serbe më 1989 në Breg të Diellit – Prishtinë. Mustafë Mustafë Veseli nga Theranda mban emrin e babait të vrarë në demonstratat e vitit 1989 në Prishtinë etj. Të këtyre motiveve janë edhe emërtimet e fundit, por kjo dukuri është theksuar mjaft, sidomos në rastet kur babai i të lindurit ka qenë ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Bashkim (Bashkim) Berisha, i lindur “në ofensivën e Tushiles” (Skënderaj), më parë sesa për vlerë semantike kombëtare të emrit e më parë se sa emrin bashkim, për paradi¬gmë denominuese ka marrë emrin e babait të vrarë, ushtar i UÇK-së. Nuhi Nuhi Geci i lindur në maj të vitit 1999 në Tiranë, tre muaj ka pritur gjetjen e kufomës së babait, luftëtar i UÇK-së në Drenicë, për të verifikuar vdekjen e tij ose jo, dhe për t’i marrë emrin. Ramiz (Ramiz) Bazaj (Tërstenik) u lind më 1 tetor 1999 dhe mori emrin e babait të vrarë si ushtarë i UÇK-së. Halim (Halim) Bajraktari (Drenas) lindi më 1999 dhe përtëriu emrin e babait të rënë në luftë, ushtar i UÇK-së. Driton Ahmeti (Likoshan) u pagëzua me emrin e Driton Ahmetit të vrarë në familjen Ahmeti gjatë masakrës së Likoshanit të ndodhur më 28 shkurt -1 mars 1998. Ismet Shkëlzen Ramadani, i lindur në pyll, ka marrë emrin e gjyshit të vrarë, sikurse edhe Haki Muharrem Ramadani etj.
Emrat e fëmijëve që tregojnë qëndresë, luftë, krenari historike
Mund të thuhet se me fillimin e liberalizimit të politikës jugosllave, diku nga viti 1966 e këndej, në Kosovë, por fatkeqësisht jo edhe në Maqedoni e më gjerë në ish-Jugosllavi, fëmijëve filluan t’u vinin emra që tregonin jo vetëm motivin historik, e që kryesisht kishin të bënin me bartjen e emrave historikë (heronj, shkrimtarë e madje edhe emra të personazheve të veprave të tyre, piktorë etj.), por edhe me emra nga leksiku i gjuhës shqipe, që tregonin veçori të lëvizjes sonë të përgjithshme kulturore, historike dhe çlirimtare. Gjatë luftës së fundit, paradigma të tilla kanë dominuar shumë edhe në gjithë hapësirën kombëtare nga kanë lëvizur të përndjekurit dhe të dëbuarit e Kosovës, por kjo paradigmë do të dominojë sidomos për atë popullatë që do të mbetet në lëvizje të përditshme brenda kufirit të Kosovës. Le të shohim disa shembuj: Çlirim Ragip Krasniqi (Carrallukë, Malishevë).
Qëndresë Sabit Gashi (20.4.1998, Vërbovc – Drenas) është emër përkushtimi ndaj Luftës së Likoshanit. Yllka Naim Bazaj (Tërstenik) ka lindur në fushën e Tërdefcit, në qershor 1999. Leutrim Fadil Dvorani nga Tërsteniku lindi në maj të vitit 1999 në Malet e Tërstenikut, gjatë kohës kur pesë ditë me radhë u mbajt fronti në mbrojtjen e Urës së Spahisë në Tërstenik. Herolinda Musli Krasniqi (Negroc) është vajza e ushtarit të UÇK-së, i vrarë në Malet e Berishës. Qëndrim Jakë Bytyçi (Shkozë, Malishevë) lindi në qershor 1999 në Gjermani. Binjakët Pëllumb e Qelik Ejup Thaçi lindën në Malet e Berishës. Siç dihet, emri Çelik na paraqitet për herë të parë në antroponi¬minë shqiptare në Kosovë dhe është motiv i denominuar nga emri i Fatmir Limës, i njohur nga lufta si Komandant Çeliku Dardan Fatmir Jashari (Açarevë) lindi në prill të vitit 1999 te Tunelet e Ujmirit. Qëndrim Naim Zabeli (Rezallë), lindi në ofensivën e parë të gushtit, vetëm pak ditë pas arritjes në Prishtinë. Malësore Shaban Reci (Siçevë) lindi në shtator 1998 në Ulqin. Kosovare Rexhep Rexhepi lindi në Burrel. Çlirim Ali Totaj (Gjonaj, Prizren) lindi në një spital të improvizuar në një shtëpi private. Vëllanë e kishte luftëtar në Brigadën 138, Zona e Pashtrikut “Agim Ramadani”; Drilon Musa Gashi (Prizren) lindi në spitalin e Durrësit. Pagëzuesja, nëna e tij, siç duket me këtë emër ka krijuar një trinom historik Drilon, Teutë, Taulant.
Tipi i emrave që tregon besim në të ardhmen
Asnjë popull që lëviz në rrugën e lirisë nuk e bën këtë lëvizje vetëm brenda një aspekti a një prizmi të caktuar, por ndodh shpesh që këtë lëvizje ta realizojë vetëm një shtresë e caktuar kulturore, sociale, filozofike etj. Për më tepër, në këtë lëvizje, shpesh, ndodh që bartës të misioneve të caktuara dhe të ndryshme nga njëra – tjetra të jenë jo tërësia e një populli, por thjesht grupe të caktuara të atij populli. Pa dashur të merrem me krahasime të veçanta, këtu mund të them se, besoj, janë të pakta rastet kur një popull ballafaqohet, qoftë edhe për lirinë e tij, me të gjitha elementet e mundshme kulturore, mendore, ushtarake etj., madje në shkallën më masive, sikur veproi populli shqiptar.
Identifikimi i idealeve të një populli edhe përmes emrave të pasardhësve të tij, besoj, është shembulli më i mirë i gjetur te shqiptarët e Kosovës. Në pasqyrën e emërtimit të fëmijëve, që nga gjysma e dytë e shekullit të njëzetë, e mbase edhe më parë, mund të gjenden emra që për paradigmë kanë idealet prindërore, familjare dhe shoqërore të familjes kosovare, por, sidomos pas vitit 1966, kur ndihet një liberalizim më i theksuar shoqëror, paradigma e idealeve të tyre si bazë për t’u vënë emrat fëmijëve shtohet dhe zgjerohet shumë, për të mos thënë bëhet vlerë kryesore. Pasqyra e nxjerrë nga fëmijët e regjistruar në Shoqatën humanitare “Nëna Terezë” tregon se baza paradigmatike e emërimit të fëmijëve me emra kombëtarisht të motivuar shkon deri në 95%. Le të theksojmë se të gjithë fëmijët e regjistruar këtu i përkasin zonës rurale të Kosovës. Duhet, gjithashtu, të themi se, edhe emrat e paradigmës islame që mbajnë disa prej fëmijëve, nuk janë aspak të motivuar nga kjo paradigmë, por nga qëllimi për të trashëguar emrin e gjyshit, babait etj. Në këtë kohë, pra, në ditët më të stuhishme të luftës dhe të qëndresës popullore, shfaqen edhe emra tipikë të motivuar nga paradigma e besimit në të ardhmen, dashuria për jetën, lirinë, dashurinë etj.
Le të lexojmë shembujt konkretë: Rilind Shefki Bellaqa, Potoqan (Rahovec). Lirim Milaim Gashi (Verbovc) lindi në maj 1998. Lirie Fazli Koçinaj (Blaç-Sharr), lindur në Kampin italian të Kukësit. Poetesha, humanistja dhe mjekja e njohur dr. Flora Brovina, e burgosur nga regjimi policor e ushtarak serb në mars të vitit 1999, vajzën e mikut të saj, Nebih Balës (nënën e së cilës e ka pasur gjatë nën mbikëqyrje), ndërsa ishte në Burgun e Pozharevcit, e pagëzoi me emrin Jeta. Pas daljes së saj nga burgu, kuptova se motivi i emërit të saj lidhej edhe me pseudonimin e një luftëtareje që e kishte njohur gjatë luftës, Hyrije Veliu – Jeta, për të cilën nuk besonte se ishte gjallë, duke marrë parasysh përkushtimin e saj në aktivitetet ushtarake. Jetëlira Selim Sahiti (Korreticë e Ulët) lindi gjatë ofensivës së prillit 1999, në fshatin Shtrubullovë. Çlirim Xhevat Sinani (Korreticë, qershor 1999), u lind në fshatin Shtrubullovë. Pranvera Zymer Gashi (Verbovc) lindi në prill 1999 në Çikatovë të Re, në kohën kur i ati mbahej peng nga policia serbe. Rinor Behrami (Domanek) lindi në mars 1998 në Prishtinë. Krijona Jetullah Havolli (Resnik), lindi në maj 1999 në Malet e Resnikut. Siç mund të shihet, emri i saj është një kompozitë e ndërtuar nga parulla Kosova Republikë e Jona. Liridon Haki Avdija (Obri e Epërme) lindi në maj 1999, te Tunelet e Ujmirit. Agon Tahir Halilaj (Tërdevc) lindi në mars 1999, në Malet e Tërdefcit. Endrit Fatimir Çoçaj (Gjonaj, Prizren) ka lindur në fshat dhe është i biri i luftëtarit të UÇK-së. Fitore Dan Hameli (Mazrek, Prizren) lindi në tendën e katundit, ndërkohë që babai i saj kishte rënë dëshmor.
Emrat e fëmijëve që tregojnë veçanti kohe
Në vënien e emrave fëmijëve gjatë luftës, nuk ka mjaftuar vetëm baza paradigmatike e trashëguar vite e shekuj me radhë. Në pasqyrën e këtyre emrave janë shënuar edhe emra tipikë, që shënjojnë motivin denomi¬nues të quajtjes së fëmijëve me emra që tregojnë veçanti kohe dhe madje momenti e vendi. Le të pasqyrojmë shembujt konkretë: Malsor Krasniqi (Gllanasellë – Drenas) lindi në Malet e Vërbovcit te Fusha e Mollës, kamp i njohur gjatë ofensivës së shtatorit 1998. Siç dihet, kampi ishte i rrethuar nga policët e ushtarët serb. Në kamp ishin rreth 1000 veta (gra, fëmijë e pleq). Policët kishin dëgjuar për këtë lindje, i kishin thirrur dy pleq dhe i kishin pyetur nëse i porsalinduri ishte mashkull apo femër. Duke pasur përvojën e keqe të urrejtjes së policisë dhe ushtrisë serbe ndaj çdo lindjeje shqiptare dhe veçanërisht ndaj çdo lindjeje të gjinisë mashkullore, pleqtë u kishin thënë se i porsalinduri ishte i gjinisë femërore. Çlirim Qosaj (Ferizaj) ka lindur natën e hyrjes së këmbësorisë së NATO-s në kufirin Maqedoni-Kosovë. Krisma ka lindur më 2 prill 1999 në Qafë të Prushit. Lirie Bylykbashi (Tërstenik) lindi natën e nënshkrimit të marrëveshjes së Kumanovës.
Le të thuhet se antroponimi Lirie ka qenë mjaft i përhapur në Kosovë deri në gjysmën e parë të viteve ’70, por tri dekadat e fundit ndër familjet shqiptare konsiderohej si emër i dalë jashtë mode. Malsore Driton Plakiçi (Nekoc) lindi në prill 1999, në Malet e Berishës. Flaka Krasniqi (Negrovc) lindi në prill 1999 në Malet e Berishës. Flaka (Isak) Kadriaj (Deçan) lindi në kohën që po digjej fshati Isniq, ku ishte strehuar përkohësisht familja e saj. Ishte fëmija i parë dhe babanë e kishte luftëtar të UÇK-së. Beteja Luan Kadriaj (Deçan) lindi një ditë pas betejës së zhvilluar në fshatin Rastovicë, në të cilën ishte nën armë edhe babai i saj. Trim Fadil Maloku lindi në një familje prishtinase vetëm tri ditë pas mbarimit të luftës. Familja e tij nuk e kishte lëshuar Prishtinën gjatë bombardimeve duke pritur lindjen e tij. Po kjo paradigmë ka bërë që fëmijës t’i vihet emri e të porsalindurve Lirije Shemsi Ramadani (Vushtrri), Liridon Nexhip Maloku (Besianë), Qëndrim e Mërgim Rexhepi binjakë të lindur në mërgim.
Tipi i emrave të traditës dhe të besëtytnisë
Si në të gjitha shoqëritë e botës, edhe shoqërinë e shqiptarëve të Kosovës e ka shoqëruar një fije e veçantë e vendosjes së emrave të fëmijëve me motive nga trashëgimia e saj, e mbështetur në paradigmën fetare (myslimane dhe të krishterë), paradigmën kombëtare e krahinore dhe, më në fund, edhe në paradigmën e besëtytnisë, që dëshmon edhe për një element të veçantë të ekzistencës së strukturës historike, me rrënjë shumë të thella në këto troje. Shembulli i të quajturit të fëmijëve me paradigma të tilla edhe në ditët më të vështira të zhvillimit të luftës në Kosovë tregon më së miri ekzistencën e kësaj tradite brenda strukturave denomi¬nuese të vënies së emrave të fëmijëve në Kosovë. Bie fjala, Vanesa Mehmet Gashi (Çabiq, Klinë) është fëmijë i lindur pas shumë vitesh martese, Shkurta Vesel Rrusta (1999, Drenas), Fillim Ilir Kongjeli (Prishtinë, 1999), Enis Sylejman Zhdredha (Besianë, 1999), Enisa Aliu (Prishtinë), Shkurta Statovci (Prishtinë, 1999), Enis Ibrahimi (Plemetin – Kastriot, 1998), Vanesa Gashi (Prishtinë, 1998) etj.
Në Kosovë, shpesh, me lindjen e parë, prindërit i kanë pagëzuar fëmijët e tyre me emrin e babait ose të gjyshit, me kusht që ata të kishin vdekur që më parë. Mirëpo ka shumë vite që, për nderimin e babait, i biri të interesohet edhe sa është gjallë, prandaj shpesh ka ndodhur që fëmijët të pagëzohen me emrat e gjyshërve të gjallë. Muharrem Nexhat Asllani (Krushë e Vogël, Prizren) ka lindur pesë ditë pas kthimit nga Shqipëria, ku ishin të dëbuar gjatë luftës. Gjyshi i tij Muharremi bashkë me të pesë djemtë, e në mesin e tyre edhe babai i tij, Nexhati, konsiderohen të zhdukur dhe për fatin e tyre nuk dihet ende. Familja e pagëzoi me emrin e gjyshit, me qëllim që, siç thuhej “të mos i sillet kobi të atit”. Siç mund të shihet, kjo traditë e pagëzimit, më tepër sesa e mbështetur në veçoritë e mëparshme të nderimit, ka marrë veçori të besëtytnisë.
Nderimi për Shqipërinë dhe shqiptarët
Me këtë tip të emrave familjet e përndjekura nga Kosova i kanë nderuar vëllezërit e tyre shqiptarë në Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi, si edhe ata të huaj, të cilët kanë ndihmuar luftën, përpjekjen tonë për liri, refugjatët e ndodhur në shumë vendstrehime të botës etj. Tridhjetë vjetët e fundit, fondi i emrave të fëmijëve të Kosovës, që për paradigmë denominuese ka pasur emrat e motivuar nga qytetet, fshatrat, malet, lumenjtë etj. të Shqipërisë londineze ka qenë i madh, për të mos thënë dominues në pasqyrën e përgjithshme të emërtimeve. Mund të thuhet se janë të pakta familjet që nuk e kanë emërtuar një fëmijë me bazë denominimi me një onoma nga Shqipëria. Nuk ishte e rastit kjo. Në Kosovë gjenden shumë familje që brenda tyre kanë krijuar një sistem të tërë emrash të qyteteve: Shkodran, Berat, Labinot, Elbasan; të maleve: Dajt, por edhe Pushkëdajt, Tomor etj; të lumenjve: Drin, ose nga trajta e tij e vjetër (Drilon), Bunë etj., për të cilët nuk është vendi këtu të flitet. Më shumë sesa ndjenjë kombëtare dhe politike, ka pasur shumë vite kur kjo paradigmë e vënies së emrave ka qenë edhe modë. Prandaj është e kuptueshme se përse edhe në këto ditë të vështira, të dëbuarit do të vazhdojnë të nderojnë edhe me emrat e fëmijëve të porsalindur Shqipërinë dhe popullin shqiptar të përtej kufirit. Albinot Ibrahim Doberdolani (Korroticë e Epërme) lindi në Kukës. Shkodran Mërgim Rexhepi lindi në Burrel.
Valentina Isuf Salihu ka lindur në Prishtinë pas përfundimit të luftës. Gjyshërit e saj e kishin kaluar kohën e luftës në qytet dhe në shenjë mirënjohjeje ndaj gazetares së Dojçe Veles Valentina Saraçini, e cila çdo ditë në orën 13.00 njoftonte e para për ngjarjet më të reja të luftës në Kosovë, e pagëzuan me emrin e saj. I kësaj kategorie mund të konsiderohet emri i Olt Pacollit, i lindur në spitalin e Bilishtit (Korçë), kuptimin e të cilit pjesëtarët e kësaj familjeje në Kosovë nuk e dinin, por e kishin pranuar si emër për të nderuar propozimin e mamive të spitalit, të cilat “ishin kujdesur shumë për lindjen sa më të lehtë të nënës së Oltit”.
Nderimi për të huajt
Ashtu siç kanë nderuar familjen, shoqërinë, Kosovën, luftën çlirimtare dhe Shqipërinë, familjet nga Kosova, me emrat e fëmijëve, kanë nderuar edhe ata, që kanë ardhur nga vendet më të largëta të botës, duke i marrë emrat e tyre si relikte historike. “Jam shumë i lumtur që djali im ka lindur diku në Amerikë. Më vjen mirë që ai ka lindur këtu. Dhe ky është shkaku kryesor për ta pagëzuar Amerikan”. – Kështu e përcillte bisedën me një bujk 28 vjeçar nga Ferizaji gazetari i agjencisë telegrafike Rojters më 6 maj 1999 nga Mount Holly, Nju Xhersi. Sahebi Shefki Brahaj (Gjonaj, Prizren), lindi në Mullet të Tiranës dhe e pagëzuan mjekët arabë. Le të kujtojmë këtu se vëllezërit e saj të lindur më parë në Kosovë mbanin emrat Kushtrim dhe Kujtim. Halit Nehat Asllani (20 maj 1999) nga Bradosana – Sharr, lindur në “spitalin e arabëve” në Kukës, mori emrin e njërit prej tetë mjekëve arabë, që quhej Halit. Po kështu ndodhi edhe me emrin e Mana Ismail Bakiut nga po i njëjti fshat. Ky është emri i parë i këtij tipi. Por si fjalë ka ekzistuar. Mana është një sinonim i fjalës dadë, për motrën e madhe etj., të cilat i ndeshim në krahinat e tjera etnografike të Kosovës. Klinton Naim Mehaj (Tomaj, Istog) lindi ditën e ardhjes së Klintonit në Kosovë më 1999.
Përfundime
Historia mijëvjeçare e popullit shqiptar është historia e luftës dhe e përpjekjeve për liri, prandaj është e kuptueshme pse edhe onomastika në përgjithësi dhe antroponimia në veçanti kanë qenë një pjesë e asaj vlere që mund të quhet bartëse e rëndësishme e kësaj historie. Me qindra vjet shqiptarët në përgjithësi dhe shqiptarët e mbetur jashtë shtetit të sotëm shqiptar në veçanti, kanë vazhduar të luftojnë për lirinë e tyre dhe me qindra vjet, fëmijët e tyre, kanë vazhduar t’i pagëzojnë me motive të kësaj qëndrese, me motive të kësaj lufte, me motive të çasteve të krenarisë, me motive të luftëtarëve të kohës së cilës i kanë takuar etj.
Nuk ka dyshim se motivet janë të shumta dhe të ndryshme, por asnjëri prej tyre nuk del jashtë veçorive të trashëguara që më parë. Pra, kjo kohë ka bërë që brenda këtyre viteve, një veçori e përdorimit të emrave të jetë më e theksuar, por kurrsesi e dalë jashtë paradigmës denominuese të saj. Fjala është për emrat e fëmijëve që kanë trashëguar emrat e baballarëve luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, emrat e fëmijëve që tregojnë qëndresë, luftë, krenari historike; emrat e fëmijëve që tregojnë besim në të ardhmen; emrat e fëmijëve që tregojnë veçanti kohe; tipin e emrave të traditës dhe besëtytnisë, tipin e emrave me të cilët nderohej Shqipëria dhe shqiptarët, tipin e emrave me të cilët nderoheshin të huajt etj.
Me të gjitha këto dhe veçori të tjera, shqiptarët, edhe kur për shkaqe të dhunshme lëshuan vatrat e tyre, jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht, u bënë pjesë e luftës për çlirimin e Kosovës.
Kontrolloni gjithashtu
Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!
Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …