Behat Nazmi Begolli (6.3.1978 – 21.5.1999)

Behar (Nazmi) Begolli u lind më 06. 03. 1978 në fshatin Tërrnavë të Podujevës1. Kishte kryer shkollën e mesme dhe ishte profesionist i karatesë. Karakterizohej me disiplinë dhe ishte tërheqës. Behari gjatë muajve të parë të vitit 1999 ishte informuar se diku në trevën e Llapit po bëheshin ushtrime ushtarake dhe e kishte parë të arsyeshme që edhe ai të inkuadrohej në ato formacione, në mënyrë që t’i dalë krah atdheut të robëruar nga serbosllavët.

Një ditë, Behari m’u drejtua:

– Abej! Po deshe, më lejo t’i shkoj në ndihmë UÇK-së.

Vërejta nga sytë e tij të përndezur se kishte një vullnet të veçantë dhe i thashë:

– Ti vendos!- dhe ofshana, pastaj vazhdova:

– E djali im, Esadi që ka shkuar në Gjermani…

Behari ma ktheu:

– Ai ka shkuar me arsye e po deshe, unë do të kyçem në UÇK.

Unë i thashë:

– As të them shko, as mos shko… – ngase kisha një përgjegjësi edhe si xhaxha i tij që isha, por edhe për faktin se asokohe, babai i tij ndodhej larg Kosovës, në SHBA.

…Nga këmbëngultësia e djaloshit vërej qartë një vullnet të çeliktë, që të kyçej në radhët e UÇK-së dhe i thashë:

– Po, gjenerata juaj është e kyçur në ushtri… dhe besoj se do të të thërrasin edhe ty…

Dhe ashtu ngjau. Ai shkoi aty ku deshi dhe s’u kthye më me shpirt.

Behari u vra më 21 maj 1999.

Me shpërthimin e luftës, çdo përpjekje  me Beharin ishte njëherazi edhe takim me një djalosh me karakter të fortë dhe gjithnjë më të pjekur. Fytyra e tij bardhoshe, asokohe bëhej e vranët, ngase dëshironte që sa më parë të rreshtohej në radhët e ushtarëve çlirimtarë të UÇK-së. As bisedat s’ishin më si më parë me djaloshin trim, sepse mungonin edhe ato llafosjet e këndshme të gjirit familjar dhe se këmbëngultësia dhe vendosmëria e tij për t’i shërbyer atdheut i kalonte të gjitha.

Tanimë lufta ishte përhapur kudo në Kosovë e shpirti luftarak i beharit ishte i prirur për revolt rinor me dufin guximtar, i gatshëm për luftë. Shpesh fliste me shokë e miq për luftën e drejtë dhe të domosdoshme të UÇK-së. Ishte edhe sportist i shquar i artit luftarak-karatesë, element edhe ky që dëshmon për shpirtin luftarak të tij.

Shpeshherë bisedonte me të afërmit edhe për mizoritë e egra të njësive paramilitare dhe militare serbe ndaj popullatës civile shqiptare, pa kursyer, fëmijë, gra, as pleq. Në këso rastesh, me mllef të madh, por dhe krenarisht deklaronte se kishte gjak shqiptari, se i përkiste kombit të trimit Adem Jashari dhe s e do të luftonte edhe ai pa ngurruar kundër agresorit serbosllav.

Nuk u desh të pritej shumë dhe erdhi çasti i shumëpritur, kur djaloshi iu bashkua radhëve të UÇK-së për ta dëshmuar dashurinë dhe besnikërinë ndaj atdheut dhe kombit. U inkuadrua në radhët e luftëtarëve të lirisë vullnetarisht dhe menjëherë filloi t’i kryente detyrat që i ngarkoheshin. Guximi i Beharit i tejkalonte shpesh edhe normat e pashkruara dhe shumë të rrebta të luftës. Shokëve u ndihmonte me këshilla që të ishin të kujdesshëm, ngase çdo tepërim guximi mund të ishte më i rrezikshëm se moskujdesi.

Edhe pse i ri, Behari inkuadrohet me tërë qenien e tij në radhët e UÇK-së, duke ia shtuar luftës sonë çlirimtare edhe një pushkë, nga e cila pothuajse asnjëherë nuk ndahej.

Beharit gjithmonë i dukej se po e ngarkonin pak me obligime dhe detyra dhe kështu u bë i dashur sinqerisht nga ushtarët e tjerë, por edhe eprorët, ndërsa fjalët e tij nguliteshin thellësisht në mendjet e bashkëluftëtarëve.

Edhe ushtarët më të moshuar te Behari gjenin energji dhe vullnet të pashuar prej një luftëtari të denjë.

III

Kosova kullonte gjak, por liria po buzëqeshte dhe përpara buzëqeshjes së saj, ajo po e harronte plagën e vet. Behari, edhe pse shumë i ri në moshë, shpesh mendonte dhe u thoshte shokëve se gjer në ditën kur do të ndodh ribashkimi i kombit dhe pajtimi i madh njerëzor, lufta do të jetë e domosdoshme. Okupatori serb po dhunonte kufirin moral, ashtu sikurse me pushtimin e tij e dhunoi gjeografinë tonë kombëtare të Kosovës dardane, prandaj të luftosh këtë okupator dhe makinerinë e tij vrastare do të thotë ta rimarrësh atë që të është grabitur pabesisht, ta rifitosh truallin tënd amtar, i cili të takon vetëm ty, si pasardhës i Dardanisë ilirike.  Erdhi çasti kur protestat paqësore, por as filozofia pacifiste s’po pinin më ujë, e në vend të tyre erdhi domosdoshmëria e të vepruarit, ngase tani më veç kemi hyrë në Epokën Ademjashariane dhe se vetëm forca e gjallë, palca e kombit tonë- UÇK-ja do ta kryejë dhe realizojë me çdo kusht atë që e ka përvijuar ideja. Duhet t’ua ndriçosh sytë njerëzve dhe popujve me dritën e së vërtetës, t’ua hedhësh atë dritë me grushta çlirimtarë, që ata vetë ta ndiejnë dritësimin me fuqi rrufeje, që do të sjellë shpëtimin. Këtë dritë vezulluese që e patën ndezur në mugëtirë të shekujve stërgjyshërit tanë, e që më pas e mbajtën të ndezur gjyshërit dhe baballarët tanë, sot po e shpërndajnë armët tona çlirimtare, dhe vetëm me anë të tyre do ta sjellim lirinë në këto troje, e cila është vetë shpëtimi ynë.

Duhet që luftëtarët e mëdhenj, ashtu si Zahir Pajaziti e Adem Jashari, të çohen dhe ta ndriçojnë kombin me anë të guximit dhe ta çjerrin këtë napë të zymtë robërie, që e ka mbuluar qiellin e atdheut tonë me terr, duke e shndërruar të tërin në skëterrë.

E drejta na takon neve, sepse karakteristikë e saj është se ajo s’njeh hatër, ngase as ustallëk nuk don. Çdo marrje nëpërkëmbë e popullit duhet të shtypet, e kështu duhet të veprojmë edhe në situatën tonë, kur tërë një popull po nëpërkëmbet, përndiqet e dëbohet, duke u vrarë e masakruar nga plumbat dhe thikat vrastare të hordhive çetnike, ngase ata po duan ta përvetësojnë Kosovën tonë dardane, prandaj, meqë kjo është e jona dhe flet vetëm shqip, atyre s’u takon, e për këtë arsye, ne ushtarët çlirimtarë do të luftojmë pareshtur për të drejtën tonë, madje edhe deri në flijimin tonë, në mënyrë që të mos ndodh ky përvetësim i padrejtë i truallit dardan, sepse Kosova ishte, është dhe gjithmonë do të jetë shqiptare. Shkurt, ne po luftojmë për liri, për dinjitet e sovranitet të Kosovës, me arsye e drejtësi dhe patjetër se do t’i asgjësojmë projektet shfarosëse të serbosllavëve që i projektuan ndaj shqiptarëve.

A ka gjë më të drejtë dhe, si rrjedhim, a ka luftë më të madhe se kjo?! Luftërat e këtilla e nderojnë paqen. Ne me pushkët tona çlirimtare do ta shembim gjer në themele fortesën e gënjeshtërt të okupatorit ndaj Kosovës, dhe nëse është e nevojshme Kosova do të bëhet varr për okupatorin serb. Do t’i shembim mitet, paragjykimet, elaboratet, bestytnitë gënjeshtare e falsifikimet serbe ndaj Kosovës dardane. Kjo kështjellë serbe do të shembet nga zjarri i armëve tona çlirimtare,  ngase themelet i ka në gënjeshtra.

S’ka njeri që të mos e ketë vërejtur në vetvete se shpirti ynë çuditërisht është i aftë që të arsyetojë pothuajse fare ftohtë edhe në çastet më kulminante. Kjo ishte edhe gjendja shpirtrore e luftëtarit të lirisë Behar Begolli.

Behari gjer në çastet e fundit kur ra për liri s’u mposht asnjëherë nga sprovat e rënda, nëpër të cilat kishte kaluar. Ai u kishte dalur përpara të gjitha andrallave e vështirësive. Kurrë s’ishte sprapsur as nënshtruar para asgjëje, por i kishte vu gjoksin e çeliktë të gjitha rreziqeve, kur e lishte kërkuar puna;  kishte sakrifikuar gjithçka, kishte vënë në rrezik kokën dhe kishte qenë stoik, gjer në atë shkallë, saqë shpeshherë mund të thuash se e harronte edhe vetveten, ashtu siç e harrojnë vetëm heronjtë e vërtetë, dëshmorët e martirët, ngase ai shëmbëllente në njëfarë uragani, që sot a nesër do të shpërthente me lavë atdhesie. Ndërgjegjja e tij e kalitur në stuhi dhe furtuna të papara kundër korbave karpatianë, mund të dukej përfundimisht si e pamposhtur.

Lavdi dëshmorit Behar Begolli!

Shënim:

  1. 1. Këtë biografi dhe këtë foto ia dhuroi publicistit Zymer Mehani xhaxhai i dëshmorit, Behar Begolli, z. Nebih Begolli, më 20 tetor 2018, në Besianë

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …