Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka takuar drejtorin ekzekutiv financiar të kompanisë “RECURA”, Besart Disha, me bashkëpunëtorë, me ç’rast temë diskutimi ishte përmbyllja e procesit për dosjen e tenderimit për dhënie në shfrytëzim të objektit Qendra Komerciale, si pjesë e kompleksit të objekteve të ndërtuara nga BE-ja. Në takim morën pjesë edhe nënkryetari i komunës, Safet Kamberi dhe drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, Sami Zeka.
Pasi që u mor edhe qëndrimi i Zyrës ligjore lidhur me ligjshmërinë e tenderimit, të pranishmit u dakorduan që krahas pranimit teknik të objektit, të përshpejtohen të gjitha procedurat për tenderimin e objektit.
Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, tha se komuna do t’i kryej me kohë të gjitha obligimet e veta, por kërkoi që këtë ta bëjnë edhe të tjerët, në mënyrë që edhe procesi i përzgjedhjes së organeve të Ndërmarrjes Publike, që do të administroj me objekte, të kryhet me kohë dhe sipas dispozitave ligjore.