Në kazermën ,,Adem Jashari” të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Prishtinë, u mbajt ceremonia e ndërrimit të komandës së Brigadës së Mbështetjes Operacionale (BMO). Gjeneral brigade Naim Haziri i emëruar komandant i BMO-së, pranoi detyrën nga ushtruesi i deritashëm i kësaj detyre kolonel Avdi Rraci. Në hapje të ceremonisë u lexua dekreti i Presidentit të Republikës së Kosovës, për gradimet dhe emërimin e gjeneral brigade Naim Haziri komandant i Brigadës së Mbështetjes Operacionale (BMO)-së.
Zëvendësministri i FSK-së, Burim Ramadani, pasi përshëndeti të pranishmit, falënderoi gjeneral brigade Naim Hazirin dhe theksoi se detyrën e komandantit të BMO-së e merr një njeri i përkushtuar në punë dhe i cili në aktivitete të hershme ka kontribuar për lirinë dhe paqen në vend. Gjithashtu tha zëvendësministri se e vlerësoi angazhimin profesional dhe të përkushtuar në kryerje të detyrës në shërbim të atdheut. “FSK-ja është institucioni më i besueshëm në Kosovë, i vlerësuar lartë si brenda dhe jashtë vendit, dhe kjo paraqet një arritje të madhe që vjen si rezultat i angazhimit dhe përkushtimit tuaj”,- tha zëvendësministri Ramadani.
Të pranishmëve iu drejtua edhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama. Ai tha se “kjo ceremoni sot është proces i natyrshëm. FSK-ja është e aftë të kryej detyrat e saj në mënyre profesionale. Për mua si Komandant i FSK-së është nderë që sot bëjmë ndërrimin e Komandës së BMO-së gjithashtu e falënderoj për suksesin e treguar si zëvendëskomandant të BMO-së kolonel Avdi Racin , ndërsa gjeneral brigade Naim Hazirit i urojmë suksese në detyrën e re dhe besoj në aftësitë e tij të treguara në menaxhimin e punës”. Edhe këtë vit FSK-ja është vlerësua si institucioni më i besueshëm, dhe këtë besueshmëri e ka ngritur aktiviteti i BMO-së me operacionet e saj humanitare në të mirë të qytetarëve që ka bërë të vlerësohet lartë puna dhe angazhimi në këto operacione. Në fund të ceremonisë, gjenerallejtënant Rrahman Rama, bëri dorëzim-pranimin e detyrës nga kolonel Avdi Raci te gjeneral brigade Naim Haziri.
Në ceremoninë solemne ishin të pranishëm zv. ministrat e FSK-së, Burim Ramadani dhe Agim Çeku, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, gjeneralët e FSK-së, përfaqësues të KFOR-it, NALT-it, atashe ushtarakë, oficerë dhe nënoficerë të FSK-së, familjarë dhe mysafir të pranishëm.