Këtë mbrëmje në teatrin e qytetit “Adriana” në Ferizaj, është bërë përzgjedhja e sportistëve të vitit 2022. Sportiste e vitit 2022 është zgjedhur karateistja nga klubi i karatesë “Sharri” Behije Mustafa, e cila ka arritur që të jetë pjesë e Kampionatit Botëror e cila me plotë meritë është rreshtuar ne vendin e pestë. Ndarjen e këtij çmimi e ka bërë Nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Lulzim Aliu. Ai me këtë rast ka përgëzuar Behijën, por edhe të gjithë sportistët për sukseset e arritura gjatë vitit të kaluar. Hapjen zyrtare të kësaj mbrëmje e bëri drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Xhemile Murati-Shabani, e cila ka thënë se përzgjedhja e më të mirëve ka qenë mjaft e vështirë me vet faktin se sportistët ferizajas, gjatë vitit të kaluar kanë treguar suksese të mëdha. Kjo ngjarje vijoi me ndarjen e mirënjohjeve, medaljeve dhe kupave për sportistët më të mirë dhe kontribut dhënësit në sportin ferizajas gjatë vitit 2022. Me mirënjohje post-mortum u nderuan Ahmet Hyseni- Petrova dhe Isak Ilazi. Mirënjohje u ndanë edhe për klubet sportive të personave me nevoja të veçanta siç janë: shoqata e të verbërve, shoqata “Handikos”, shoqata “Hendifer”, shoqata “Handicap Kosova”. Mirënjohje u ndan edhe për sportistë veteran të cilët edhe pse në moshë kanë lënë gjurmë të thella në sportin kosovar. Me mirënjohje u nderuan Mehmet Sahiti, Ismet Jupa dhe Njazi Behluli. Çmimi për mjekun sportiv të vitit 2022 ju nda Dr. Florent Dauti dhe Dr. Enver Ismaili. Punëtori i vitit sportiv u zgjodh Lulzim Abazit nga KF Ferizaj, ndërsa trajner i vitit u shpall Shemsi Shaqiri. Gazetari sportiv për vitin 2022 u shpall Rrahman Kurti nga Televizioni Festina, ndërkaq gjyqtari më i mirë ishte Fitim Sadriu, ndërsa pedogogu i vitit u shpall Hazir Salihu, si dhe çmimi tjetër ju nda shoqatës bjeshkatare alpiniste “Lybeteni”. Ekipi i vitit 2022 që ka shënuar rezultate të mëdha, duke korre suksese si ne garat brenda Kosovës ashtu edhe jashtë vendit, është Klubi i Karatesë Sharri “Ferizaj”. Në këtë mbrëmje u shpallen edhe sportistët pionier të vitit 2022 e të cilët janë: Yll Mahalla-karateist, Mevlan Dalipi-karateist , Reina Matoshi -karateiste si dhe Etnik Ferizi-gjimnastike. Por, më i miri i të mirëve, sportist i vitit pioner në këtë grupmoshë është përzgjedhur Shkëmb Reqica nga klubi i notit “Kastrioti”. Sportistet kadet u zgjodhën: Lijana Hyseni- karateiste, Muhamet Sahiti-karateist, Rron Shahini-not si dhe Era Aliu-basketboll. Por, më i mira prej kadetëve është zgjedhur xhudistja Jetesa Baliu. Sportistët junior 2022 u zgjodhën: Olsa Hoxha-hendbolliste, Alban Abazi-boksier, Dea Misini-notuese, Verona Muhaxheri-hendbolliste, Fjolla Rushiti-notuese, Ermir Bytyqi-xhudo dhe Valentin Uruqi-shah. E nga ana tjetër këshilli ka shpallur Drin Bajraktarin si më të mirin në futboll, pasi ka mbrojtur ngjyrat e klubit të vet në moshë të re dhe me leje special nga mjeku u angazhua ne reputacionin e Kosovës. Në këtë mbrëmje u shpallën edhe dhjete sportistët senior. Blerton Nuha-ciklist, Yllka Jashari –volejbolliste, Shega Hashani-pingpong, Loris Idrizi-boksier, Jeton Bislimi-hendbollist, Albion Neziri-karateist, Hysen Hyseni-automobilizëm, Gentrit Halili-futbollist, Vlera Gashi –xhudiste si dhe Alma Loku-karateiste.