Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja para 17 viteve, në 21 Shkurt 2002, u dëbua dhunshëm, kundërligjshëm e padrejtësish nga shtepia e saj-Pallati me emrin e saj dhe detyrimisht u mbyll nga administrata e UNMIK-ut. Gjithë çka kishte brenda kateve të Pallatit gazeta historike, përfshirë Arkivin – pasuri kombëtare e pazëvendësueshme dhe e pakompensueshme e hodhën e ngujuan në bodrumin-bunker të errët, me lagështi e vërshima uji, e për këtë edhe për kulturocid është një nga tre paditë që ka bërë Rilindja në Gjykatë.
Pas komunikimeve me gazetën Rilindja, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 15 Shkurtit 2005 mori vendim për ndërprerjen e punimeve që po zhvilloheshin në pronën e uzurpuar – anulimin e kontratës për renovim të Pallatit të Rilindjes “për shkak të paqartësive juridike në lidhje me pronësinë dhe menaxhimin e objektit”, ndërsa për ta shndërruar në ndërtesë qeveritare i rifilloi në 7 Nëntor 2008 duke siguruar për zgjidhjen e ligjshme që do bëhet edhe për gazetën tradicionale të Kosovës edhe për punëtorët e saj, por që ende nuk u bë.
Ndërmarrja Shoqërore Gazeta Rilindja në vitin 2017 ka hyrë në procesin e likuidimit, gjatë të cilit punëtorët e saj, bazuar në ligje, në Agjencinë Kosovare të Privatizimit dhe në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës kanë bërë kërkesat e tyre edhe për kompensim për dëbimin kolektiv padrejtësisht nga puna.
Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindjes nisi të dalë para 74 viteve në 12 Shkurt 1945 në Prizren, në frymën e Konferencës së Bujanit.
Duke mos u ndalur, duke dalë gazetë e rezistëncës edhe me emrin “Bujku”, edhe kur e ndaloi regjimi okupues i Beogradit në 7 Korrik 1990, duke dalë me numra të jashtëzakonshëm edhe pasi e dëboi e mbylli UNMIK-u, gazeta tradicionale Rilindja u bë edhe histori e Kosovës deri në shpalljen e pavarësisë në 17 Shkurtin historik 2008 e njohjet ndërkombëtare.
Gazeta Rilindja pas dëbimit doli me rreth 40 numra të jashtëzakonshëm protestues të kohëpakohshëm, të cilët i ka përmbyllur në 30 Dhjetor 2008 me paralajmërimin në ballinë: DUKE BESUAR NË SUNDIMIN E LIGJIT NË SHTETIN E KOSOVËS PRESIM QË NGA NUMRI I ARDHSHËM RILINDJA TË DALË PËRDITË.
Pas 10 vitesh, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja në ndërrim motesh – në mbrëmjen e 31 Dhjetorit 2018 të pritjes së 2019-tës, ridoli simbolikisht (botim digjital) për protestë dhe me kërkesën e përsëritur për t’u rikthyer e përditshme – për privatizim, sipas shembullit të gazetave në rajon e në botë që kishin status të njëjtë ndërmarrje shoqërore e që janë pzivatizuar e vazhdojnë të dalin.
Një nga titujt e kësaj ridalje simbolike të gazetës Rilindja është: 23 Tetor 2018: Lajm i mirë nga Qeveria e Kosovës – Vendimi për kryerjen e pagesës për shpronësimin e Ndërtesës së ish-Ndërmarrjes Shoqërore Rilindja.
“Punëtorët e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja presin që në 2019-tën Qeveria të bëjë pagesën për shpronësim dhe të realizojnë 20 përqindëshin, se tepër shumë gjatë presin të drejtën – 17 vjet nga dëbimi i dhunëshëm, i padrejtë e i kundërligjshëm nga adminisrata e UNMIK-ut në 21 Shkurt 2002 nga Pallati Rilindja, ku pastaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës ka 10 vjet që janë vendosur disa ministri të Qeverisë së Shtetit të Kosovës”, theksohet në shkrimin e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja që ridoli simbolikisht, botim digjital, në 31 Dhjetor 2018.
Kërkesa për privatizim-ridalje të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja i është bërë edhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit, e cila është themeluar si një organ i pavarur publik, në bazë Ligjit të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, si pasardhëse e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit e themeluar nga Misioni i OKB i pas luftës në Kosovë, të përfunduar në vitin 1999.
Në arsyetimin e kërkesës për privatizim theksohet se emri dhe tradita e gazetës Rilindja është një vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë mëse shtatë dekadave, është pasuri me vlerë më të madhe se e çdo pallati, dhe kjo duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit.
“Dhe, ai që do ta blejë gazetën Rilindja dhe natyrisht do e nxjerrë këtë të përditshme historike dhe tradicionale të Kosovës do jetë pronar i një pasurie të madhe mediale kombëtare, do të jetë trashëgimtar i ligjshëm i firmës-emrit, traditës. Rilindja ishte, është dhe mbetet edhe si një shenjë identiteti”, theksohet në kërkesën drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit në 12 Shkurt 2014.
Në këtë ditë të 17 vjetorit të uzurpimit të Pallatit të Rilindjes nga UNMIK-u, këtij shkrimi protestë i bashkangjesim faqe nga numrat e jashtëzakonshëm protesues të gazetës – shtojcën e 4 Dhjetorit 2004 të rishpërndarë këtu me datë 31 Dhjetor 2008 “RILINDJA DËBIMI, MBYLLJA, NGUJIMI E SHKATËRRIMI DHE LUFTA PËR RIDALJE”, faqet me titujt “NË KOSOVË NUK KA LIRI SHTYPI DERISA KA GAZETË TË MBYLLUR E TË DËBUAR PADREJTËSISHT NGA AUTORITETET” të 3 Majit 2005 dhe “A E SHIHNI KU E KENI NGUJUAR GAZETËN TRADICIONALE TË KOSOVËS RILINDJA – ALARM NGA BUNKERI – ARKIVI I RILINDJES, PASURI KOMBËTARE QË PO SHKATËRROHET” të 11 Prillit 2005 dhe ballinat e Rilindjes të 30 Dhjetorit 2008 e 31 Dhjetorit 2018.
Behlul Jashari ishte Kryeradaktor i gazetës Rilindja deri në numrin e fundit dhe në kohën e dëbimit nga Pallati i Rilindjes (Ndërmarrja Shoqërore Gazetare Rilindja sipas Statutit nuk ka drejtor, por vetëm kryeredaktor i cili e menaxhon dhe përfaqëson) Kryetar i Këshillit Drejtues nga zgjedhjet me votim të fshehtë-referendum të 7 Shkurtit 2002, që i mbajtëm për të krijuar legjitimitet përfaqësimi në luftën për të drejtën derisa kishim presionet e ultimatumet e UNMIK-ut për të na dëbuar nga puna dhe Pallati, që ndodhi disa ditë më vonë në 21 Shkurt 2002 dhunshëm.
Prishtinë, 21 Shkurt 2019