Nga kryeqyteti i Lidhjes Shqiptare
Nuk mund të shkohet në Kuks
As pas udhëtimit të gjatë shekullor
Sa mur i lartë sa udhë e gjatë
Ndanë gjysëmtokat e Atdheut
Nga Prizreni deri në Prishtinë
Pritave policore shkohet si nëpër kufij
Trafiku i tankeve mbushë zhurmë
Edhe kryeqytetin e Kosovës
E qiellit nxijnë avionët e luftës
As nëpër tokë as nëpër qiell
Nuk ka udhë të hapur për Tiranë
Kufijtë e hekurtë hapin varre
Përtej Kaçaniku kufiri për në Shkup
Përtej Ulqini kufiri për në Shkodër
Sa keq na e prenë hartën shqiptare
Edhe Dibrën nga Dibra e ndanë
Pogradeci matanë, Struga në këtë anë
Nga një nënë u nda tërë Çamëria
Preshevën as me Kosovë s’e lanë
Një ditë a do të shkojë në Tiranë
Pa pasaportë pa vizë pa frikë
Dhe nëpër Kuks deri në Prizren
Me zambak do kthehem në Prishtinë
Ta shohë TVSH-në pa antenë satelitore
KUKSI
Kuksi vjen në mesditë (vinte)
Me tranzistor
Në shtëpinë time në Strofc
Më flet tinëz që mos ta dëgjojë
Veshi që përgjon
E ruaj si syrin nga syri i keq
Vjen me shumë pengesa e gërhamë
Si ti kish njëmijë prita
Nëpër Sharr e Qyqavicë
***
SHËNIM NË FUNDVITIN 2019 – TË 20 VJETORIT TË LIRISË SË KOSOVËS: Këto vargje në një copë letre janë nga dorëshkrimet e viteve të para luftës e të luftës, të shpëtuara të fshehura në mur në banesën time në Prishtinë të uzurpuar gjatë luftës nga forcat serbe, si dhe të tjerat dorëshkrime që janë gjetur mes blozës, hirit e rrënojave në shtëpinë në Strofc gjysëm të djegura apo krejt të djegura nga zjarri i luftës në Kosovë të përfunduar në Qershorin e vitit 1999.
Janë vargje të kohës së okupimit të Kosovës, të kufirit të hekurt mes shqiptarëve, të ndalimit e pengimit edhe me zhurmues të valëve të Televizionit Shqiptar (TVSH) e edhe të Radio Kuksit që vinte “me shumë pengesa e gërhamë” dhe e dëgjonim në një radio të vogël-tranzistor…