Në këtë foto-reportazh do t’ju sjellim pamje të cilat janë shqetësuese për pyjet dhe malet tona. Edhe më të vrazhda duken ato kur kemi të bëjmë me parqet tona të mbrojtura, siç është rasti me Parkun e Garmisë.
Siç dihet, Parku i Gërmisë ndodhet në Malësinë e Gallapit të Komunës së Prishtinës.
Duke pasur parasysh faktin se Gërmia gjendet shumë afër kryeqytetit tonë Prishtinës, është për çdo kritikë mosmirëmbajtja adekuate e këtij Parku shumë pitoresk.
Do theksuar se qytetarët e pakujdesshëm si duket nuk po janë sa duhet të vëmendshëm për ta mbrojtur këtë pasuri që na ka falur Zoti, ngase pyjet e këtij Parku në masë jo të vogël po dëmtohen, madje edhe nga mosmirëmbajtja adekuate nga organet kompetente.
Pra kompetentët do të duhej të ishin në nivel të përgjegjësive përkatëse për mbrojtjen e pyjeve dhe maleve tona. Konkretisht drunjtë e prerë do të duhej të largoheshin nga vendi në mënyrë që mos të jenë pengesë për rivitalizimin e florës dhe faunës në këtë pjesë, që janë shumë të bollshme.
Në fotot e shkrepura me këtë rast, shihen pamje të shëmtuara si pasojë e prerjes së drunjve pa ndonjë kriter profesional. Kësaj pamjeje irituese ka mundur t’i kontribuojë edhe ndonjë keqbërës eventual. Edhe nëse janë prerë lisat që kanë qenë në gjendje jostabile dhe me qëllim që t’i mënjanojnë ata, megjithatë dominon bindja se për të ruajtur florën dhe faunën e pasur do të duhej që ata të largoheshin menjëherë, për t’ua lëshuar vendin barishteve dhe drunjve të rinj.
Shi për këtë, do të ishte mëse e nevojshme të organizohet ndonjë aksion vullnetar i organizatave joqeveritare ambientaliste apo bjeshkatare, në të cilin do të merrnin pjesë edhe qytetarët e Prishtinës, për largimin e këtyre drunjve të prerë dhe pastrimin e terrenit, në mënyrë që pyjet dhe parqet tona, siç është Parku i Gërmisë, të duken edhe më të bukura dhe më tërheqëse, ngase me të drejtë thuhet se pyjet e Parkut të Gërmisë janë “mushkëritë” për Prishtinën dhe qytetarët e saj.
Foto e teksti:
Behram Krasniqi