Behram Sadik Behrami (25.1.1959 – 28.5.1999)

Behram Sadik Behrami (25.1.1959 – 28.5.1999)

Në fshatin Pollatë që shtrihet thellë në Grykën e Llapit më 25 janar të vitit 1959 u lind dëshmori i kombit Behram Behrami. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen , gjimnazin në Besianë. Edhe pse bënte udhëtim të gjatë dhe të mundimshëm nga Pollata në Besinë, Behrami ishte nxënës i dalluar në mësime dhe sjellje. Më pas vazhdon shkollimin në SHLP në Prizren, grupi gjuhë dhe letërsi shqipe.
Më pas nisi punën në shkollën e fshatit “Shefki Latifi” (që atëbotë mbante emrin “Ramiz Sadiku”). Kështu në këtë shkollë dhe në shkollat e fshatrave Zhiti, Mugrgullë, Sllatinë që ishin paralele të ndara të shkollës së Pollatës punoi si mësimdhënës i gjuhës shqipe që nga viti 1979 deri në vitin 1986.
Dëshmori Behram Behrami ishte pjesëmarrës i shumë manifestimeve kundër pushtuesit që organizoheshin në Besianë, përfshirë këtu demonstratat e vitit 1981 dhe të gjitha manifestimet tjera deri në luftën e UÇK-së.
Në vitin 1990 fshati Pollatë qe sulmuar nga forca të mëdha të policisë serbe me që rast në mbrojtje të pragut të shtëpisë kishin rënë Besim Latifi dhe Skënder Monolli si dhe ishin arrestuar dhjetëra banorë të Pollatës. Më pas policia serbe e ndërmori edhe një aksion të gjerë të arrestimeve të të rinjve të këtij fshati. Në mesin e të arrestuarve ishte edhe Behrami, i cili u dënua me tre muaj burg nënë akuzën se kishte shtënë në forcat e policisë serbe. Edhe pas lirimit nga burgu është marr disa herë në polici në të ashtu quajturat biseda informative.
Dalja në skenë e UÇK-së Behramin e gjen të gatshëm dhe pa hezitim u bashkëngjitet luftëtareve të lirisë. Kështu më 17. 09. 1998 vendoset në njësinë “Ulpiana-55” në fshatin Zhiti, ku edhe i kryen ushtrimet e nevojshme ushtarake. Më pas ishte pjesë e njësisë së Ismet Hoxhës – K . 3. Batalioni 4, Brigada 152 – “Shaban Shala”.
Mori pjesë në betejat si në Tashefc , në vendin e quajtur “te Potokët”, luftime të cilat u zhvilluan nga 24-26 mars 1999. Po ashtu mori pjesë në luftën e prillit e cila u zhvillua nga 25-28 prill 1999 ku u zhvilluan luftime të rrepta dhe më 28 prill 1999 dhe në betejat tjera deri në rënien e tij heroike.
Forcat serbe ishin të pozicionuara në fshatrat e brezit kufitar, pjesa veriore dhe veriperëndimore e ZOLL. Më 25 maj filluan ofensivë të zgjeruar kundër fshatrave të kësaj ane nga disa drejtime si Përpelalc – Livadhi – Llapias -Albonë, ana tjetër Tashefc – Potok – Pollatë, drejtimi tjetër Mavrishtë –Mavri – Gurkrypas – Murgullë – Ahishtë, Tashefc – Repë – Metehi – Llapias – Revuçë – Gegaj etj.
Qëllimi kësaj ofensive serbe ishte koncentrimi i popullatës në një lokacion dhe shfrytëzimi i tyre si mburojë nga bombardimet e NATO-së dhe shkatërrimi i UÇK-së në këto anë.
Luftimet në këtë betejë kishin filluar në mëngjes me sulmin e forcave serbe drejt njësiteve të UÇK-së në Albonë. Në këto luftime morën pjesë njësitet e Brigadës 152, të komanduara nga Naser Hyseni , togu i dytë i njësisë speciale të Brigadës 151, i komanduar nga Mensur Hoti, dhe një skuadër e njësitit special “Komando”. Në luftime morën pjesë edhe epror të lartë të ZOLL-it si Latif Gashi, Muhamet Latifi etj.
Në këto luftime të rrepta, forcat serbe, në pamundësi të depërtimit drejtë Albonës , tërhiqen në drejtim të Repës dhe Pollatës , duke lënë me dhjetëra të vrarë. Njësitet e kësaj ane , në mbështetje të njësive nga Albona, zhvillojnë luftime të rrepta, të cilat shtrihen deri në fshatin Fierishtë. Gjatë luftimeve të 26 majit , luftëtarët e lirisë të njësive të mbështetura nga eprorët e ZOLL-it, për orë të tëra zhvilluan luftime të pabarabarta. Luftime të rrepta ishin zhvilluar në Repë ku ranë disa dëshmorë të kombit. Beteja vazhdoi edhe më 28 maj 1999 ku gjatë luftimeve në Pollatë mes njësiteve të UÇK-së dhe forcave serbe në vendin e quajtur “Qarrat e Pollatës” bien dëshmor Behram Behrami dhe Hasan Dema si dhe u plagosën disa të tjerë. Nga pjesëtarët e forcave serbe në këto luftime mbetën dhjetëra të vrarë e të plagosur. Në këto luftime ushtarët e UÇK-së do të korrin rezultate edhe më të mëdha, sikur popullata të mos ishte nën rrethim të plotë të forcave serbe, të cilët masën e qytetarëve e drejtuan për në fshatin Metehi dhe e shfrytëzonin si mburojë.
Kështu më 28 maj 1999, Serbia ndërmori aksionin makabër ndaj UÇK-së në Pollatë si dhe ndaj popullatës së asaj ane dhe këtë ditë Behrami ra heroikisht në vendin e quajtur “Qarrat e Pollatës”.
Është varrosur më 29. 05. 1999, Pollatë. Në vendin e rënies së dëshmorëve Behram Behrami dhe Hasan Dema është ngritur lapidari që ruan pavdekësinë e tyre dhe dëshmorëve tjerë të rënë në betejat e zhvilluara në Grykën e Llapit.
Pas luftës familja e dëshmorit nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, është nderuar me mirënjohje, për heroizmin dhe guximin që ka treguar në betejat e luftës çlirimtare. Është dekoruar nga SHP i UÇK-së, nga SHP i UÇK-së të ZOLL-it, me mirënjohje është nderuar edhe nga shoqatat e luftë së UÇK-së. (M. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …