RKL: Meqë tani jemi në gjysmën e dytë vitit, do të donim të dinim si është duke shkuar trendi i të hyrave në ATK, ku pritet të grumbullohen 301 milionë euro për vitin 2013?
Haliti: Në sajë të një plani të përgjithshëm të veprimit për vitin 2013, ATK është duke performuar në kuadër të pritjeve, zotimeve dhe planeve që janë miratuar nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës. Në momentin kur po flasim ka arritur në nivelin 50% të të hyrave të përgjithshme vjetore, apo shprehur në shifra 150 milionë, pa përfshirë këtu edhe 55 milionë euro të tjera të grumbulluara ne emër të Trustit të Kursimeve Pensionale. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kemi një ngritje prej 10 përqind, ndërsa krahasuar me planin aktual gjashtë-mujor kemi tejkalim për 3 përqind.
RKL: Në cilën periudhë të vitit kemi të hyra më voluminoze?
Haliti: Te ATK kemi përafërsisht një trend konstant të të hyrave në muaj, ndërsa në tremujor kemi një ngritje të dukshme. Zakonisht ajo është në muajin janar, prill, korrik dhe tetor, kur kemi deklarime dhe pagesa të periudhave tremujore. Brenda muajve të tjerë, kemi pagesa dhe obligime të rregullta mujore të atyre që janë deklarues të TVSH-së.
RKL: Bazuar në shifra, vetëm një e pesta e buxhetit të Kosovës vjen nga tatimet. Kur mendoni se do të ndryshojë ky proporcion në të mirë të të hyrave?
Haliti: Në të vërtetë, nga të hyrat e projektuara në buxhetin aktual, rreth 1 miliardë e 200 milionë euro janë të hyra që mblidhen nga dy agjencitë dhe doganat në kufi. Në kuadër të këtyre të hyrave, ATP menaxhon, trajton dhe kontrollon përmes aktiviteteve të saj rreth 63 përqind të krejt të hyrave, e cila nominalisht plasohet si një e hyrë prej 300 milionësh ose 25 përqind, pa përfshirë këtu edhe rreth 150 milionë që grumbullohen për Trusti-n. Vetëm gjatë vitit të kaluar, ne kemi grumbulluar rreth 285 milionë dhe rreth 114 për Trustin Pensional. Ndërsa, aktualisht ne kemi trajtuar edhe 524 milionë që lidhen me TVSH-në, e cila mblidhet në kufi në emër të Administratës Tatimore por që kontrollohet, monitorohet e menaxhohet nga ATK dhe pas konfirmimit nga ne, bëhet e disponueshme edhe për shtetin.
RKL: Sa jeni efikas në kontrollimin e bizneseve që merren me lojërat e fatit? Në opinion qarkullon mendimi se këto biznese fitojnë shumë ndërsa paguajnë pak…
Haliti: ATK në përgjegjësinë dhe kompetencat e veta ka edhe menaxhimin, shpjegimin dhe interpretimin e ligjit mbi TVSH-në, ligjin mbi tatimin e të ardhurave personale, ligjin për tatimin e korporatave dhe ligjin për lojërat e fatit. Për këtë të fundit, janë bërë disa ndryshime para dy vitesh. Pas lirimit nga TVSH për lojërat e fatit dhe lirimit nga tatimi për premitë e fituesve, si kompetencë e ATK ka mbetur licensimi dhe trajtimi i pagave të punëtorëve, kurse të gjitha autorizimet dhe kompetencat kanë kaluar tek Doganat përmes mbledhjes së akcizave në tarifat për lojërat e fatit. Për mendimin tim është bërë një zgjidhje e qëlluar, një monitorim më i mirë dhe më i saktë për shkak se kemi të bëjmë me një segment të tatimpaguesve që ka specifikat e veta. Falë bashkëpunimit që kemi me Doganat për trajtimin e këtij segmenti, gjatë vitit të kaluar kemi arritur të mbledhim rreth 15 milionë euro. Dogana është bartësi kryesor për trajtimin e të gjitha rasteve që nuk paguajnë akcizën për lojërat e fatit.
RKL: A janë prioritet e juaja vetëm planifikimet dhe grumbullimet apo edhe trajtimi i barabartë i tatimpaguesve?
Haliti: Në fakt, misioni i ATK përcakton qartë rolin dhe përgjegjësinë e saj. Në Kushtetutën e Kosovës, gjegjësisht në nenet 119 dhe 120 përcaktohen të drejtat e shtetit që t’u vendos taksa dhe tatime qytetarëve të vet për përmbushjen e të gjitha obligimeve brenda një viti kalendarik. Në kuadër të saj, janë krijuar edhe institucione të cilat menaxhojnë, shpjegojnë dhe kanë përgjegjësi për realizimin e këtij misioni të rëndësishëm. Prandaj, roli i ATK-së nuk është grumbullimi i të hyrave, por është lehtësimi i të gjithë atyre që u ka vendosur obligim shteti për të deklaruar dhe paguar tatimet. Pra, ATK nuk është mbledhës tatimor, por është lehtësues dhe sqarues i ligjeve, duke u përpjekur të krijojë edhe infrastrukturë, sisteme dhe udhëzime. Tatimpagues nuk është biznesi, por qytetari ose konsumatori dhe mbledhës real i tatimeve është vetë biznesi. ATK është që t’u shpjegojë dhe lehtësojë mbledhësve tatimor që ato para të shkojnë aty ku është përcaktuar nga ligji për Buxhetin. Konsiderojmë se fshehja e tatimeve është krim i madh sepse biznesi duke bërë një aktivitet që i sjell përfitime në emër të shtetit duhet të mbledh nga qytetarët si konsumatorë një pjesë për shtetin. Ato kanë për obligim që muajin e ardhshëm ta dorëzojë në llogarinë e shtetit. Çdo ditë gjatë aktiviteteve të tij, çdo qytetar shpenzon diçka, dhe për këtë shteti ka kalkuluar brenda një çmimi një pjesë, e cila më pas kthehet si e mirë e përgjithshme. Në rast se ndonjëra nga hallkat organizative, d.m.th bizneset apo qytetarët nuk i përmbushin obligimet e veta, atëherë ATK ka fuqinë ligjore që të marrë edhe masa ndëshkuese. Në këtë drejtim, ATK ka dokumentet e saj siç është Plani Strategjik dhe Strategjia e Përmbushjes, që na ofron një qasje të segmentuar ndaj tatimpaguesve dhe varësisht nga kategorizimi i tyre ne marrin edhe masat përkatëse. Është një kategori e tatimpaguesve që deklaron dhe paguan, duke e konsideruar si mision patriotik por edhe si obligim ligjor deklarimin e tatimeve. Për ne si Administratë është obligim që këtyre t’u ofrojmë sa më shumë lehtësira, sqarime dhe të publikojmë udhëzues në formë fletëpalosje. Nëse krahasojmë shifrat para 5 viteve, ne sot kemi ngritje të të hyrave për 56 përqind. Në atë kohë vetëm një tatimpagues ka marrë pjesë me 33 përqind të të gjitha të hyrave në Kosovë e kjo ka qenë PTK, ndërsa sot ajo është në mesin e 100 tatimpaguesve të parë. Këtë vit, ne kemi 93 përqind deklarim dhe pagesa vullnetare. Mbetet detyrë që në kuadër të misionit tonë të inkurajojmë përmbushjen vullnetare, ofrimin e shërbimeve transparente dhe trajtimin e njëtrajtshëm dhe të barabartë të të gjithë qytetarëve para ligjit.
RKL: Në rast se ka ngritje prej 93 përqind siç thoni, atëherë pse ka kaq borxhe të mëdha?
Haliti: Te çdo institucion dhe ndërmarrje publike, ekzistojnë borxhe sepse një pjesë padashje nuk i realizojnë planet dhe hyjnë në ujërat ku çrregullohet rrjedha e parasë dhe për pasojë kanë obligime të papërmbushura. Një pjesë dashje ose padashje janë delikuentë sepse interpretojnë në mënyrë të gabueshme ligjin, pastaj ATK bën vlerësimin e drejtë krahasuar me ligjin. Mund të themi se të gjitha borxhet që i kemi janë borxhe të grumbulluara prej vitit 2000 e deri më sot. Gjatë viteve të fundit, në emër të borxheve kemi grumbulluar rreth 40 milionë në vit dhe nivelin e borxheve nga 365 milionë sa ishte në vitet 2008-2009 e kemi zbritur në 220 milionë.
RKL: Por vetëm një e treta janë borxhe reale…
Haliti: Në kuadër të kësaj strukture të borxheve, rreth 40 përqind është baza tatimore, kurse pjesa tjetër janë ndëshkimet dhe interesat.
RKL: Si mund të jenë më të mëdha ndëshkimet dhe interesat?
Haliti: Interesi llogaritet deri në infinit, për aq sa ekziston një bazë tatimore. Mesatarja vjetore ka qenë 18 përqind, ndërsa nga viti i kaluar ka rënë në 15 përqind.
RKL: A ka pasur një vendim të Qeverise për faljen e tyre?
Haliti: Një pjesë e madhe e kanë shfrytëzuar këtë vendim të Qeverisë. Ne kemi grumbulluar në vitin 2009-2010 nga 20 milion vetëm si iniciativë të atij aktiviteti, ndërsa ndëshkimet u janë falur bazuar po në atë vendim. Mirëpo në kuadër të krejt këtij borxhi, dy të tretat i takojnë periudhës deri në 2008 para shpalljes së pavarësisë, ku një pjesë e tatimpaguesve nuk i kanë pasur të qarta udhëzimet. Madje, rregulloret e UNMIK-ut asokohe kanë qenë mjaft të mangëta. Në këtë drejtim, jemi mirë meqë jemi duke punuar në ngritjen e stafit. Prandaj kemi punuar një plan detal në trajtimin e borxheve si dhe kemi dhënë në përdorim doracak për mbledhjen e detyrueshme. Një e katërta e këtyre borxheve kanë të bëjnë me ndërmarrjet publike dhe shoqërore ose një pjesë e tyre janë në menaxhimin e AKP-së. Edhe ky si segment është duke u trajtuar në mënyrë profesionale nga Administrata Tatimore .
RKL: Sa ka dhënë rezultate linja e bashkëpunimit pa pagesë?
Haliti: Një prej shtyllave të misionit të Administratës Tatimore është trajtimi transparent dhe profesional. Në agjencionin tone janë 760 zyrtarë, dhe 400 prej tyre janë zyrtarë të operativës dhe gjatë aktiviteteve të tyre me dashje apo nga mos-dija mund të bëjnë shkelje të caktuara. Për këtë arsye, ne kemi ofruar linjën pa pagesë, ku mund të lajmërohen ato raste që lidhen me tatimpagues, konkurencën apo për ndonjë sjellje që nuk janë në përputhje me kodin e mirësjelljes për zyrtarët tonë. Linja pa pagesë dhe kutitë e vërejtjeve janë një burim shtesë i informacionit për ne, e përmes të cilit matim edhe nivelin e kënaqshmërisë por edhe besueshmërinë e qytetarëve ndaj Administratës Tatimore. Falë këtyre informacioneve, gjatë vitit të kaluar kemi shqiptuar rreth 1000 gjoba ndaj tatimpaguesve apo ndaj bizneseve të caktuara që kanë lëshuar kupona jo-tatimor ose nuk kanë lëshuar fare fatura.
RKL: Ndonëse është një çështje tjetër, do të donim të dinim nga ju nëse miratimi i Ligjit për Amnisti do të dëmtojë buxhetin e ATK-së?
Haliti: Këto ditë ka pasur interesim edhe për këtë çështje edhe tek ne. Çështja e amnistisë ekomomike më shumë lidhet me menaxhimin e integruar të kufirit, me doganat dhe policinë që kanë pasur të bëjnë me hyrjen pa zhdoganim të mallrave. Cilido që të jetë versioni i miratuar, ATK do të zbatojë atë me përpikëri. Një pjesë e borxheve që mund të jenë te bizneset me pronarë shqiptarë, mund të jetë si pasojë e pamundësisë së atyre për ta dokumentuar mallin që ka hyrë ilegalisht. Vendimi i Qeverisë në vitin 2008 për uljen e ndëshkimeve të gjithë atyre që kanë hyrë në marrëveshje dhe kanë pranuar të paguajnë bazën tatimore, ka dhënë efekt meqë kanë rritur të hyrat por edhe besueshmërinë e tatimpaguesve.
RKL: Si sfidë e ATK-së mbetet evazioni fiskal dhe qasja tek tatimpaguesit në veri?
Haliti: Me vetë faktin së po bëhet një evidentim nga doganat për çdo hyrje dhe dalje të mallrave, atëherë kjo në mënyrë indirekte do të ndikojë pozitivisht edhe tek ATK për vlerësimin e drejtë të obligimeve të atyre kontraktorëve në veri të Kosovës. Të gjitha deklarimet e tatimit i bazojmë në burime të sigurta të informacionit, meqë sistemet tona i kemi integruar me doganat, regjistrimin e bizneseve, thesarin dhe bankat. Çdo hyrje-dalje që evidentohet nga doganat, për ne do të jetë burim shtesë dhe do të ketë impakt pozitiv në grumbullimin e të hyrave dhe trajtimin e barabartë të të gjithë tatimpaguesve.
RKL: A keni presion apo pengesa nga njerëzit e fuqishëm të politikës për trajtimin e barabartë të të gjithë tatim-paguesve?
Haliti: Duke marrë parasysh sistemet me të cilat jemi duke operuar, mënyrën e planifikimit dhe zbatimit të praktikave pozitive nga Administrata Tatimore, mund të them se jemi të mbrojtur dhe imun nga ndikimet e jashtme. Çdo tatimpagues mund ta sigurojmë se do të realizojë të drejtën e vet. Siç e përmenda më parë, kemi një ngritje të deklarimeve dhe përmbushjes vullnetare për 93 përqind dhe ngritjes së të hyrave deri në pesëfish më shumë se shkalla e rritjes së bruto prodhimit vendor. Nëse shkalla e rritjes ekonomike në Kosovë gjatë viteve të fundit llogaritet nga 3 deri në 4 përqind, ne gjatë këtyre viteve kemi pasur një rritje prej 10 deri në 20 përqind. Kjo do të thotë se jemi duke kontribuar në uljen e evazionit fiskal, zvogëlimin e hendekut tatimor dhe në të njëjtën kemi rënie të ankesave të tatimpaguesve. Gjatë kësaj kohe kemi ngritjen e kënaqshmërisë, diçka që ka rënë në sy edhe nga monitorimet e institucioneve të pavarura. Kësaj mund t’i shtohet edhe raporti i të bërit biznes ose ‘Doing business’, në të cilin jemi renditur në pesëdhjetëshen e parë të vendeve për ofrimin e shërbimeve dhe për qëllime tatimore.
RKL: Më herët e cekët se PTK-ja nuk është në mesin e dhjetë tatimpaguesve më të mëdhenj në Kosovë…
Haliti: Kjo shpjegohet për arsye se janë rritur bizneset e tjera dhe është rritur performanca e ATK-së për t’i trajtuar dhe përfshirë në një segment më të madh në skemën e pagesave të atyre që kanë paguar më pak ose nuk kanë paguar fare. Për segmentet të cilat bëjnë pjesë në grupin e bizneseve të mëdha, ne kemi një njësi të posaçme të tatimpaguesve të mëdhenj. Ky është një segment i tatimpaguesve, që ne i quajmë strategjik e të cilët i trajtojmë në baza javore në mënyrë që të adresojnë çdo shqetësim meqë 500 biznese marrin pjesë me 60% të të hyrave të përgjithshme. Ky model i trajtimit të veçantë është bërë edhe nga këshillat e ekspertëve të FMN-së, duke ndjekur parimet zbatohen nga administratat moderne.
RKL: Cila do të ishte porosia juaj për stafin e administratës por edhe për tatimpaguesit kosovarë?
Haliti: Porosia për të dyja kategoritë është që të rritet komunikimi për një zhvillim të përbashkët. ATK dhe zyrtarët e saj duhet t’i përmbahen ligjeve, procedurave dhe kodit të mirësjelljes. Ata duhet të ndihen krenarë që janë pjesë e një institucioni shumë të rëndësishëm të shtetit. Prandaj, ngritja profesionale dhe permanante e tyre do të matet me nivelin e kënaqshmërisë së tatimpaguesve. Këtyre të fundit u bëj thirrje që të jenë më kërkues për sqarime por në të njëjtën kohë, të ndjehen krenarë për pjesën që e deklarojnë dhe e paguajnë, pasi që ata janë çelësi kryesor për zhvillimin e Kosovës. Vitin e kaluar kemi vënë në shërbim të tyre Qendrën e thirrjeve të tatimpaguesve, që brenda ditës frekuentohet nga afërsisht 400-500 tatimpagues e të cilët shërbehen në mënyrë profesionale dhe të shpejtë. Kjo i mundëson atyre që të mos bëhen pre e ndëshkimeve apo mosdijes eventuale gjatë procesit së kryerjes së obligimeve ligjore. Prandaj, bashkëpunimi dhe ngritja e vazhdueshme është një apel që duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Intervistoi: Jeton SYLA
11.07.2013