Lideri i Aleancës Kosova e Re, Behxhet Pacolli ka komentuar zgjedhjet e djeshme. Edhe pse koalicioni i partisë së tij me Nisma-n dolën humbës të këtyre zgjedhjeve, Pacolli tha se sovrani e tha fjalën e tij dhe ai ka gjithmonë të drejtë. Pacolli gjithashtu i uroi punë të mbarë qeverisë së re.
“Bashkudhetarët e mi dhe unë e ndoqem me interes numërimin e votave. Sovrani e tha fjalën e tij dhe ai ka gjithmonë të drejtë. Është për t’u përgëzuar populli i Kosovës që votoi me qetësi dhe maturi. Urime për udhëheqësit e Opozitës që me koherencë, me etikë, e konfirmuan alternativën e tyre duke siguruar votim popullor të qartë. Përgëzoj zotni Albin Kurti për integritetin e tij politik dhe zonjën Osmani që krijoi energji të re mbi themelet e trashëgimisë rugoviste. Procesi është në përmbyllje e sipër dhe duhet poashtu të kemi durim që institucionet e numërimit dhe legjitimimit të votave të japin verdiktin përfundimtar, pa presione triumfaliste apo të dëshpërimit. Është krejt e qartë, se pakënaqësia popullore e krijuar prej mungesës së perspektivës, stagnimit ekonomik, izolimit ndërkombëtar favorizoi ardhjen në pushtet të forcave të opozitës. Më gëzon fakti për ardhjen e rinisë në krye të institucioneve, atë që e kam dashur më së shumti. Vullneti për ndryshim fitoi. Ne duhet të mbajmë shënim këtë vullnet popullor. Tani duhët mbi të gjitha t’i tregohet miqve tanë perëndimorë se orientimi proatlantik i Kosovës është i pakthyeshëm dhe ai vetëm do të forcohet. Miqët perëndimorë, poashtu, tani të mbajnë shënim rezultatin dhe të hedhin hapin e parë të shumëpritur për popullin e Kosovës.Punë të mbarë qeverisë së re!”, ka shkruar ai.