Behxhet Shala

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA: Përpjekja për ta mohuar atdhedashurinë e kombëtarizmin e Adem Demaçit është mohim i vet qenies shqiptare!

Kush dhe pse në këtë kohë po merret me Adem Demaçin: Në historinë e re të shqiptarëve dhe të Shqipërisë e sidomos të Kosovës, sa i përket angazhimit për çështje kombëtare, pa e bërë edhe një ditë të vetme pushim, duke u sakrifikuar deri në vetëflijim apo mohim të vetvetes, si frymëzues i dhjetëra e mijëra patriotëve që vepruan, përballuan çdo torturë dhe vdiqën nën torturë në burgjet e ish-Jugosllavisë dhe të Serbisë, ata që e themeluan, luftuan dhe ranë heronj në luftën çlirimtare të së lavdishmes Ushtri Çlirimtare e Kosovës, nuk mund ta gjeni një tjetër të tillë përveç në personalitetin e pazëvendësueshëm të Bacë Adem Demaçit. Personalitetet e mëdha njerëzore, historike, kombëtare, morale dhe politike identifikohen dhe përcaktojnë, duke i vulosur periudha dhe procese të tilla historike. Të rrallë janë ata që e kanë fatin apo, unë e them vendosmërinë, ta marrin përgjegjësinë historike për këto procese. Baca Adem Demaçi, në këtë aspekt është rast unik, i papërsëritshëm, i pazëvendësueshëm dhe pa mundësi të riinkarnimit. Edhe ne kemi bërë nga pak burg politik por… është e papërfillshme me atë që e ka bërë Baca Adem, në aspektin politik dhe kombëtar sikur edhe komandanti legjendar Adem Jashari, në aspektin e rezistencës dhe luftës së armatosur. Ne kemi qenë shoqërues, ndihmues, vijues dhe, në një mënyrë, sakrifikues, por si Adem Demaçi nuk ka dhe më nuk do të ketë në mesin e shqiptarëve. Është një rregull i pashkruar se personalitetet e fuqishme dhe me ndikim, për së gjalli nuk respektohen sa duhet, nëse nuk instrumentalizohen nga politika, ngaqë i marrin si rrezikues të posteve apo pushtetit politik, mirëpo pas vdekjes apo ikjes në amshim, në të shumtën e rasteve bëhet vlerësimi objektiv dhe i ndahet vendi që i takon. Edhe në këtë aspekt Baca Adem është rast unik, për së gjalli ia ngushtuan dhe i pamundësuan qasjen në institucione që i takojnë para se të gjithë të tjerëve, edhe nëse bëhen bashkë, e sulmuan dhe e pushkatuan publikisht përmes mediave dhe intrigave, ia organizuan një ceremoni mortore, që më shumë e fyente personalitetin e Bacës se që e nderonte dhe, për një kohë, e lanë të qetë. Tash, pasi u bë pjesë e përjetësisë njerëzore, botërore dhe shqiptare, mbetjet nga sistemi sllavist, jugosllav dhe serb, që i kishin shërbyer me aq pasion dhe përulje apo zgjatjet e tyre biologjike, përsëri kanë filluar të merren me personalitetin e të pavdekshmit Adem Demaçi.

Nuk mbeti morr i nënbishtit apo horr njerëzor dhe moral, pa e “vlerësuar”, siç thonë ata, Adem Demaçin, madje duke ia mohuar edhe burgun mbi 28-vjeçar në llogoret e ish-Serbisë dhe ish-Jugosllavisë. Po këto karikatura morale, që shqipen e përdorin vetëm pasi u çlirua Kosova, tash si gjuhë të parë, kurse më parë e kishin gjuhë shtetërore, gjuhë të nënës dhe gjuhë të babës, gjuhë të besimit, bindjeve politike dhe kombëtare, e kishin gjuhën serbe. Fillimisht u përpoqën ta vënë në një kontekst konfrontues me Ibrahim Rugovën ndonëse Baca Adem, thuaja deri në fillim të luftës, e kishte përkrahur Rugovën. Dallimet midis Bacës Adem dhe Ibrahim Rugovës nuk ishin politike apo kombëtare, por ishin në mënyrën se si duhet të arrihen ato qëllime. Baca Adem ishte për aktivizëm, fillimisht të rezistencës paqësore e, pastaj, edhe të armatosur, kurse Ibrahim Rugova ishte për aktivizëm vendnumërues, ku edhe ujku është i lumtur sikur që edhe qengjat mbesin të paprekur. Ishte dhe është shumë e qartë se në të njëjtin vend nuk mund të mbijetojnë dhe bashkëjetojnë ujku me qengjat. Shaip Beqiri bëri mirë që e bëri publike një letër që Baca Adem ia kishte dërguar në vitin 1992 Ibrahim Rugovës ku i drejtohet me vëlla dhe i jep përkrahje të plotë. Edhe unë e kam pasur atë letër dhe letra të tjera që e dëshmojnë se Baca Adem kurrë nuk e ka sfiduar Ibrahim Rugovën në luftë për pushtet, por se ka dashur të jetë katalizator për shpejtimin e veprimeve të Rugovës e që Rugova nuk e bëri këtë. Ka ende për të shkruar. Me kohë, besoj.

Grupi Baca Adem: Jemi një grup shokësh që u frymëzuam dhe u rritëm kombëtarisht dhe politikisht në frymën dhe personalitetin e Bacës Adem Demaçi dhe që e patëm fatin, për dallim prej të tjerëve, që të jemi bashkë me Bacën në vuajtje të dënimit në Llogorin e Stara Gradishkës, në Kroaci. Siç, me të drejtë e pohuan Vlladimir Sheks, Stipe Mesiq, dr. Marko Veselica dhe Gjuro Perica, patriotë nacionalistë kroatë, të dënuar me burgime të gjata me të cilët Baca Adem dhe ne ishim bashkë në ato llogore persekutuese për të dënuarit politikë, baca Adem ishte autoritet suprem njerëzor, kombëtar, politik dhe moral për shqiptarët e dënuar politikisht, por edhe për vepra të tjera sikur që edhe për të burgosurit politikë kroatë. Ata me të drejtë e thanë se Baca Adem ishte një nacionalist i bindur, siç e kam thënë tërë kohën që ishte në gjendje të bëjë çdo gjë që kërkohej për popullim shqiptar mirëpo, në të njëjtën kohë, kur ndonjë popull rrezikohej sikur shqiptarët, menjëherë, në përkrahje, deklarohej si pjesëtar i atij populli të rrezikuar! Kush mund ta bëjë këtë, ndonëse e sulmuan vazhdimisht, përveç Bacës Adem që kishte vetëdije superiore njerëzore, kombëtare, politike dhe morale! Askush, pa asnjë dyshim! Ish të burgosurit politikë që janë në Grupin Baca Adem nuk iu ndanë kurrë Bacës Adem, deri kur kaloi në përjetësi. Edhe tash e ruajnë dhe kultivojnë frymën e Bacës Adem, sikur të ishim bashkë me të. Në Grupin Baca Adem jemi, dr. Haki Gashi, Tahir Hani, Nuhi Ahmeti, Elmi Reçica, Avdullah Dërguti, unë dhe disa të burgosur të tjerë që do të bashkëngjiten. Pikërisht dr. Haki Gashi na dërgoi një tekst prononcimi ku, Jusuf Buxhovi, historian kosovar, thotë: “Demaçi ka qenë poli lindor. Programi i tij nuk ka qenë kombëtar. Programi i tij ishte ideologjik, koncept rus. Demaçi ishte në anën prosovjetike…” (Rrokum TV, Kanal 10, 25 shkurt 2021). Tash, ta shohim kush e thotë këtë dhe kush na qenka ky Jusuf Buxha apo Jovan Guxha! Sa isha i izoluar në Burgun e Mostarit me Rexhep Malën, i papërsëritshëm është Rexha, në planin kombëtar, me Skender Kastratin, intelektual me integritet të lartë njerëzor, kombëtar, politik dhe moral, me Agim Sylejmanin, që ndonëse ishte në moshë të re, ishte i pathyeshëm dhe i pakthyeshëm kombëtarisht, më ra në dorë romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, që ma dërgoi gruaja ime, Fexhrije Shala-Bilalli, e burgosur politike dhe shumë e keqtrajtuar, e cila, ndonëse nuk dinte a do të dal gjallë nga burgu, më priti tërë kohën sa isha në vuajtje të dënimit. Këtë sakrificë mund ta bëjnë vetëm gratë shqiptare që e ngritën kombin shqiptar dhe ishin dhe mbetën themel i shtetit shqiptar. Më bëri përshtypje ky roman sepse, në atë kohë edhe nuk kishim ndonjë roman në gjuhën shqipe që ia vlente dhe që e kalon censurën rigoroze të burgut, derisa binte në duar të burgosurve politikë.

 

Çuditërisht, romanin e Jusuf Buxhovit ma dhanë pa e bërë asnjë kontroll, që nënkupton se nuk ka qenë në listën e romaneve të ndaluara. Pasi u dënova, për herë të dytë, në Gjyqin Ushtarak në Zagreb, me 12 vjet burgim, më dërguan në Llogorin e Lepogllavës për të më mbajtur, kryesisht, ose në vetmi, ose në izolim. Madje për 18 muaj më mbajtën në Burgun e vjetër, nga koha e Austro-Hungarisë, vetëm me dr. Marko Veselica. Ai ishte emër i njohur, unë emër i panjohur. I tërë kati i parë ishte për të, kurse kati i dytë ishte për mua. Nuk kishte të burgosur të tjerë, ndonëse kishte kapacitet për 150-200 vende. Mund të mendoni se kemi bërë shtatë palë qejfe në atë hapësirë por, më duhet ta sqaroj se hapësira ime, sikur edhe e dr. Marko Veselices, ishte dhoma ku qëndronim 24 orë të mbyllur, pa tualet dhe pa ujë brenda. I kishim vetë dy orë për ajrim brenda 24 orëve, kurse nevojën e kryenim në një uturak, kibëll të ndryshkur metalike, mbase e vitit 1945 të cilën e zbraznim një herë brenda 24 orëve në tualetin e burgut, në fund të korridorit të gjatë. Gjatë kohës sa isha me të burgosur të tjerë rrija me Remzi Ademajn, nga Zhuri, patriot i madh i cili punonte dhe vepronte në Gjermani. Ua thoshte këngëve patriotike që i kishte mësuar në Zhur dhe në Gjermani e që e dëgjonim me shumë pasion dhe përkushtim. Më tregoi se si e kishin burgosur në kufirin Slloveni – Itali duke bërë përpjekje ta kalojë ilegalisht një anëtar të familjes Gërvalla. M’u shtua interesimi se ku e njihte familjen Gërvalla, ani pse ata, bashkë me Kadri Zekën, për aktivitet patriotik i kishte ekzekutuar UDB-a jugosllave, apo shërbimi për ekzekutime politike që udhëhiqej nga Stane Dollanc.

 

Jusuf Gërvallën e mbaja mend sa ishte student në Prishtinë ku, çdo mbrëmje luante me kitarë duke kënduar këngë të lehta, serenata korçare, me përmbajtje patriotike. Edhe unë banoja afër por, në moshën që e kisha, nuk e kuptoja se kush, në fakt, ishte Jusuf Gërvalla. Remzi Ademaj, “komandant Petriti”, gjatë luftës çlirimtare u vra, në rrethana ende të pasqaruara, duke rënë në një pritë. Më tregoi se kishte bashkëpunuar ngushtë me vëllezërit Gërrvalla dhe, çdoherë kur fliste për ta, sytë i mbusheshin me lot. Remzi Ademaj në atëkohë e implikonte historianin kosovar, tash “vlerësuesin” e Bacës Adem në ekzekutimin e patriotëve të pashembullt, Jusuf dhe Bardhosh Gërrvalla dhe Kadri Zeka sikur që thoshte se po ky historian merrte pjesë në çdo aktivitet të diasporës shqiptare, ndonëse ishte pjesë e stafit konsullar jugosllav.

Edhe në shumë media është përfolur e kaluara, asnjëherë e sqaruar e Jusuf Buxhovit, me dyshime të rënda se i ka shërbyer regjimit jugosllav, si pjesë e pandashme e mendësisë dhe orientimit sllavo-rus, pa asnjë dyshim, në dëm të shqiptarëve! Po i njëjti ishte ndër themeluesit e LDK-së e që flitej se Rrahman Morina kishte dhënë dritë të gjelbër për themelim, me arsyetim se në këtë mënyrë e parandalojmë themelimin e një partie që do të kishte kërkesa, qëndrime dhe veprime radikale. Mund edhe të mos pajtoheni me qëndrimin politik të Bacës Adem, mund të thoni se në situata të caktuara mund të ketë pasur qëndrime dhe veprime të nxituara dhe gjëra të tjera por, të thoni se Adem Demaçi nuk ka pasur program kombëtar, se ka qenë poli lindor, pro rus dhe jashtëqitje të tjera që ia atribuon Jusuf Buxha, alias Jovan Guxha, është jo vetëm jokorrekte dhe jonjerëzore, por është aso çmendurie që as i çmenduri më i madh nuk e beson.

Derisa shovinistët serbë, duke filluar nga Aleksandar Rankoviq, Millovan Gjillas e deri te kryekrimineli Tito, e kanë vlerësuar Adem Demaçin nacionalist të papërmirësueshëm, të pandreqshëm dhe, për këtë e kanë prangosur thuaja 30 vjet, një ish-besnik i ish-regjimit e thotë të kundërtën. Duket se kur ky farë historiani e ka dhënë këtë vlerësim duke i ngatërruar programet, nuk e ka lexuar fare programin e Bacës ndërsa i është referuar programit të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë së cilës me aq përkushtim dhe besnikëri i ka shërbyer e që po e bën edhe tani. Realisht, të thuash se Adem Demaçi nuk ka pasur program kombëtar, kur e tërë jeta e tij, veprimtaria dhe përcaktimi ka qenë histori e ecjes dhe zhvillimit kombëtar është njëjtë sikur të thuash se Zoti nuk e ka dërguar pejgamberin Muhamet për ta interpretuar Kuranin dhe për ta përhapur besimin islam, por se e paska dërguar me Manifestin e Partisë Komuniste për ta përhapur ateizmin! Realisht, përjashtuar disa raste, pjesa dërrmuese e historianëve “kombëtarë” në Kosovë i kanë shërbyer regjimit jugosllav dhe ka bërë përpjekje ta mjegullojnë historinë kombëtare duke e zëvendësuar me historinë e Rankoviqit, Ivo Andriqit, Ilija Garashaninit dhe kriminelit Broz.

Jusuf Buxhovi, para se të merret me “rusin” dhe “sovjetin”, Adem Demaçi, duhet ta heqë mjegullën nga e kaluara e tij duke dhënë sqarime për ekzekutimin politik të vëllezërve Gërvalla, Kadri Zekës dhe shumë patriotëve shqiptarë që kanë vepruar jashtë. Jusuf Buxhovi është në nivel intelektual, moral, kombëtar, njerëzor dhe politik kur e bën vlerësimin e Fadil Hoxhës, Ali Shukrisë, Sinan Hasanit, Kolë Shirokës dhe të ngjashmëve sepse është ngjizur, rritur dhe zhvilluar në folenë e tyre e që ka shërbyer si furrik për mbajtje të temperaturës optimale të prapanicave të të lartpërmendurve, patriotëve të shquar të çështjes jugosllave dhe serbe.

Po të kishim mundësi t’i hapin dosjet tona nga e kaluara, ndoshta do të krenoheshim me të kaluarën e Cufës por, pasi Jusufi e ka të qartë se nuk mund të kemi qasje në ato dosje, që e mbrojnë, pa asnjë dyshim, atëherë, duke i fshehur këmbët si një gjarpër helmues, godet personalitetin më të shquar të historisë së re të popullit shqiptar, Bacën Adem Demaçi dhe, në këtë mënyrë, edhe neve që kemi shkuar pas Bacës e që edhe sot e kemi alfa dhe omega në aspektin kombëtar.

Grupi Baca Adem do të rritet me anëtarë të rinj, fëmijët tanë, nipa dhe mbesa për ta mësuar historinë e vërtetë kombëtare dhe për ta demantuar historinë e Jusuf Buxhovit e do jusufave të tjerë, derisa të krijohen kushtet që historianët e vërtetë, ta shkruajnë historinë e vërtetë. E që tani nuk e kemi, as në Kosovë e as në Shqipëri. Deri atëherë, ne jetojmë me historinë tonë për të cilën një çikë kemi kontribuar me vuajtjet tona dhe të familjeve tona, si pjesa e vërtetë e popullit shqiptar dhe me historinë e Jusufit që, në thelb, ka proveniencë sllave, atyre iu ka shërbyer në kohën kur “rusi”, “sovjeti” dhe “antikombëtari”, Adem Demaçi, kalbej në llogoret e urdhërdhënësve të këtij historiani gjatë thuaja 30 vjetëve. Respekt dhe i përjetshëm qoftë kujtimi për veprën, sakrificën, qëndresën dhe kuptimin e fjalës liri dhe Bashkim Kombëtar, Baca Adem Demaçi!

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA, Grupi Baca Adem

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …