Behxhet Sh. Shala: Kosova eksperiment i madh i bashkësisë ndërkombëtare!

 


Republika e Kosovës është vend i paradokseve dhe një eksperiment i madh i bashkësisë ndërkombëtare. Qytetarët e Kosovës janë shndërruar në minjë eksperimental, as më pak e as më shumë! Andaj edhe e pësojnë si minjtë! Në këto eksperimente aspekti i trajtimit human është përjashtuar! Na kanë pranuar si shtet me pavarësi të mbikëqyrur dhe pa sovranitet fare! Në një mjedis ku, së paku 92% janë shqiptarë po mundohen ta bëjnë shtet multietnik! Kësi rasti nuk mund ta gjeni askund në botë! Unë, nuk di nëse ka një shtet të ngjashëm në rruzullin tokësorë! As Serbia, as Mali i Zi, as Maqedonia e mos të flasim për Kroacinë apo Slloveninë nuk cilësohen si multietnike ndonëse realiteti i përbërjes etnike është më heterogjen, më i larmishëm se ai në Kosovë! Mos të flasim për përdorimin e gjuhës si gjuhë zyrtare. Në të cilat komuna përdoret si gjuhë zyrtare gjuha shqipe në Mal të Zi, Serbi apo Maqedoni?! Ndërkaq në Kosovë gjuha serbe është gjuhë zyrtare në tërë territorin e Kosovës, kurse gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në 70% të territorit të Kosovës!>>>


 


 Përpiquni ta përdorni gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare në Mitrovicën e Veriut, komunat në pjesën veriore që administrohet nga Serbia, UNMIK-u dhe EULESH-i dhe do ta shihni si do të kaloni! Në Kosovë është dashur të jetë zyrtare gjuha shqipe dhe gjuha e komuniteteve atje ku i plotësojnë kushtet ose është dashur të jenë gjuhë zyrtare të gjitha gjuhët e komuniteteve që jetojnë në Kosovë, sikur në Zvicër! Është për të ardhur keq por në Kosovë nuk flitet për një polici profesionale, një gjyqësi profesionale, shtyp të pavarur, institucione funksionale por për mekanizma multietnik! Multietniciteti është përcaktuaes i profesionalizmit dhe cilësisë!  Madje, edhe shoqëria civile më lehtë mbijeton mos të them se e ka kusht për të mbijetuar nëse edhe formën edhe përmbajtjen e ka multietnike pavrësisht a bënë ndonjë aktivitet të hajrit a jo! Edhe nëse vjedh në emër të Kosovës multietnike, ke imunitet para ligjit!


Kushtetuta është multietnike, flamuri është multietnik, himni është kurrfare hiç! Çështja e multietnicitetit, si parim i imponuar nga ndërkombëtarët në Kosovë po prostituohet skajshmërisht! Koncepti i një shteti qytetar në Kosovë ku të gjithë qytetarët do të kishin të drejta të barabarta, përgjegjësi dhe detyrime të njëjta është përjashtuar me një zëvendësim me një Kosovë multietnike që në planin afatgjatë nuk mund të mbijetojë dhe se padyshim do të bëhet burim i rilindjes së një nacionalizmi te shqiptarët! Kjo, duket do të jetë e pashmangshme! Dhe kjo nuk do të jetë meritë e shqiptarëve por e ndërkombëtarëve! Çështja e pakicave po problematizohet vetëm në Kosovë dhe Shqipëri. Madje, në Shqipëri, jo që do të bëhet regjistrimi i popullatës në bazë të përkatësisë etnike por edhe në baza fetare! Nuk është çudi që nesër mund të bëhet regjistrimi në bazë se çfarë këpucësh i kanë mbathur! Shikoni si trajtohen shqiptarët në Maqedoni, Mal të Zi e mos të flasim në Serbi?! Edhe në Kosovë! Nga një forcë absolute numerike janë shndërruar në një minoritet sa i përket vendimmarrjes politike! Agjendën e zhvillimit të proceseve politike në Kosovë nuk e përcaktojnë shqiptarët si shumicë por serbët si pakicë!


Merreni me mend, me vizën e Shengenit më lehtë mund të pajiset Ratko Mladiqi, si kriminel lufte se Naim Tërrnava si kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës! I pari, pra Ratko Mladiqi është përfshirë në Shengenin e bardhë kurse i dyti, pra Naim Tërrnava, si shqiptar që është, llogaritet në Shengenin katran të zi! Kosovarët dhe shqiptarët e Kosovës, si minoritet që janë, duhet ta paraqesin se janë qytetarë të Kralevës, Pozharevcit, Nishit, Beogradit, Novi Sadit, Nikshiqit apo Podgoricës dhe këtë ta paguajnë me disa mijëra euro në mënyrë që të bëhen pjesë e liberalizimit të vizave! Apo t’i mitosin zyrtarët e ambasadave të huaja për një vizë! Vetëm shqiptarët mund t’i shihni duke krijuar radhë të gjata në Shkup, para ambasadave të huaja për një të drejtë aplikimi për një vizë! Nëse nuk kanë para t’i mitosin edhe guardianët që e mbajnë rendin, pamëshirshëm fyhen nga ata!


Në këtë gjendje i keni sjellë kosovarët dhe shqiptarët e Kosovës zotni Louis Michael Giffoni duke i izoluar nga shtetet e tjera, sikur të ishin leprozë, me murtajë! I keni margjinalizuar në kohën kur vazhdimisht flisni për proceset integruese! Kur të gjithë popujt po bashkohen, qytetarët e Kosovës i keni ndarë në shqiptarë dhe kosovarë! Kur Evropa po bashkohet, Ju e keni ndarë Kosovën! I keni bërë dy Mitrovica, të Jugut dhe të Veriut. Mitrovicën e Jugut po e sundon Piter Fejt me 40 hajdutët, ndërkaq që duket se Mitrovicën e Veriut do ta sundojnë Marko Jakshiqi dhe Milan Ivanoviqi, me ndihmën e Shkëlqesisë Suaj! Ndryshe nuk mund ta kuptojë deklaratën tuaj se do të bisedoni me të gjithë madje edhe me strukturat kriminale të Serbisë, që e terrorizojnë atë pjesë, dikur të Kosovës e që Ju i quani struktura paralele!


Integrimi dhe ndarja janë dy procese diametralisht të kundërta! Sundimi i kriminelëve dhe demokracia asnjëhere nuk shkojnë bashkë, njëra e përjashton tjetrën! Andaj, zotni Giffoni, duhet të përcaktoheni a jeni vërtetë për demokracinë apo demokracinë e përfytyroni në figurat e Marko Jakshiqit, Milorad Delibashiqit, Milan Ivanoviqit dhe kriminelëve të tjerë që janë pëprgjegjës për vrasjen e 11 shqiptarëve dhe boshnjakëve në shkurt të vitit 2000, shpërnguljen e mbi 12.000 shqiptarëve, gjithashtu në shkurt të vitit 2000, mbytjen e tre fëmijëve shqiptarë në lumin Ibër të Qabrës, djegien dhe shkatërrimin e pikave kufitare 1 dhe 31, okupimin e Gjykatës së Qarkut në Mitrovicën e Veriut, vrasjen e një polici ukrainas dhe shumë krime të tjera!


 


Prandaj, duhet t’i përmbaheni kësaj thënie të bukur të gjuhës Suaj amtare: ”o mangi per la minestra, o salti per la finestra!” Ose, në gjuhën shqipe: “dy gjëra nuk mund t’i bëni në të njëjtën kohë apo dy topa nuk mund t’i mbani në një dorë!” Edhe demokracia, edhe Marko Jakshiqi me kriminelët tjerë nuk shkojnë në të njëjtën kohë! Përcaktohuni për njërën. Nëse e doni demokracinë, angazhohuni të arrestohen kriminelët, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike! Ç


 


 Dhe krejt në fund një pyetje e thjeshtë për Ju, z.Giffoni.


 


Nëse Kosova është shtet i pandarë dhe Sovran, pse Ju, si përfaqësues i BE-së keni nevojë të hapni Shtëpi të BE-së në Mitrovicën e Veriut e Piter Fejt të jetë përfaqësues i BE-së në Mitrovicën e Jugut?! Nëse Kosova është shtet i pandarë atëherë Ju do të duhej të ishit banor i Shtëpisë në Prishtinë! Mirëpo, kam frikë se ekzistimi i dy shtëpive të BE-së në Kosovë tregon qartë se pronësia e Kosovës po ndahet në dysh! Nëse nuk është kjo pronësi e dyfishtë tashmë fakt i kryer!

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …