leoni

Behxhet Sh. Shala: Lehtësuesit dhe shtrënguesit, injorantët dhe ekzekutuesit

Si pupla lehtësues, si robëria shtrëngues: Kosova është vend i ndodhive, por edhe i çudirave. Po të kishte kaluar këndejpari Liza, ai tregimi i mrekullueshëm për fëmijë e të kamurve ( politikanëve p.sh. dhe shërbyesve të tyre siç janë biznesmenët dhe “intelektualët”), “Liza në botën e çudive”, do të shkruhej ndryshe dhe do të kishte tjetër përmbajtje. Dhe, historia do të merrte një tjetër drejtim. Mirëpo, edhe në këto rrethana Kosova u dëshmua se është si ai zogu ( jo i Tunës) por Feniksi, sepse u ngritë mbi gërmadhat dhe hirin e saj që e lanë pas vete Millosheviqi, Koshtunica, Nikoliqi dhe Daçiqi me shokë që sot po bisedojnë ( dy prej tyre) për forcimin e Serbisë brenda Kosovës, ndërkohë që Koshtunica dëshiron të ndërhyjë në gjeografi duke e fshirë Kosovën nga harta gjeografike!


 


Millosheviqi është në rrethin 1765 të rrethit të ferrit të Dante Aligerit duke pritur të rehabilitohet nga simpatiku i baroneshës së Brukselit! Dhe, ky rehabilitim mund të ndodhë shumë shpejt, aq më parë që “normalizuesi” i marrëdhënieve me Kosovën kohë më parë e ka rehabilituar Aleksandar Rankoviqin, i njohur që ka kryer krime të llahtarshme kundër shqiptarëve që nga viti 1945 e deri në vitet }70-ta, kur e larguan nga posti pas Plenumit të Brioneve. Në fakt, krimineli Tito e largoi me pretekst se ka ushtruar dhunë ndaj shqiptarëve, mirëpo arsyeja e vërtetë ishte se ai u rrezikua nga Rankoviqi, Jovanka Brozi dhe gjeneralët serbë të Likës në krye me Gjoko Jovaniqin.


 


Tito e forcoi pozicionin te shqiptarët e Kosovës duke iu dhënë një infuzion edhe politikanëve dhe “intelektualëve” shqipfolës që ishin pjesë e mekanizimit dhunues të Rankoviqit, e tash e “gjykonin” kriminelin që e rehabilitoi Ivica Daçiq, pjellë politike e Slobodan Millosheviqit! Asokohe nënat tona nuk kishin dëgjuar për Lizën në botën e çudirave, andaj nuk na i tregonin këto tregime, por tregonin se si fshatra të tëra dhe lagje të qyteteve po shpërngulen në Turqi, në krahinat ku mizat brejnë hekur, për shkak të dhunës policore të përditshme.


 


Baballarët na vinin të mavijosur, pa dhëmbë dhe dhëmballë dhe për muaj të tërë nuk qëndronin në këmbët e tyre. Sa dhunimet, vrasjet dhe burgosjet ndodhnin atëherë! Në krye të kësaj piramide të krimit ishin Tito dhe Rankoviq! Rehabilitimi i Rankoviqit, pikërisht në kohën e “normalizimit” të marrëdhënieve me Kosovën është goditje e radhës që po e bënë Daçiqi ndaj shqiptarëve dhe Kosovës.


 


Pasi jemi te normalizimi, më duhet të theksoj se në ekipin negociator të Serbisë është edhe një serb i Kosovës me të cilin u pata takuar në shtëpinë e atdhetarit të mbytur nën torturë, Shefki Latifi – Monolli, në Besianë, para se fillonte varrimi. Unë isha në cilësinë e aktivistit për të drejtat e njeriut – KMDLNj – ndërsa ai ishte në cilësinë e ekspertit të mjekësisë ligjore. Kishte ardhur që me letra ta mbulojë krimin e policisë së Serbisë, kur shenjat e dhunës shtazarake fizike vëreheshin edhe nga Hëna!



Nuk është thjesht një simbolikë! Përmes rikthimit në një të kaluar me plotë vuajtje për shqiptarët ai po i gërryen plagët tona! Duke na provokuar, po na bënë me dije se ambalazhimi mund të ketë ndryshuar, por përmbajtje dhe synimi mbeten të njëjtë! Ndërsa, këta zogjtë tanë të Tunës po i fusin veshët në lesh!


 


Faktikisht, Kosova, që nga përfundimi i luftës ka pasur lehtësues për t’i ndihmuar proceset politike, por edhe për të bërë përpjekje për t’ua zbutur dhembjet dhe vuajtjet. Lehtësuesit kanë qenë ndërkombëtarë, miq të mëdhenj, që na kanë lehtësuar duke na shaluar, dhe vendorë që duke kuptuar vuajtjet tona kanë marrë përsipër këtë mision aspak të lehtë! Lehtësuesi i parë vendor nuk u vlerësua sa duhet, sepse thjesht nuk ishte ndërkombëtar, ndonëse me mish e me shpirt deshi të ndihmojë! E kuptoni se e kam fjalën për Bajram Rexhepin, i cili në emër të qeverisë së atëhershme në fshatin Reçak i dha përkrahje asaj nënës plakë legjendare, por nuk hasi në mir;kuptim! Madje, këtu edhe mori fund misioni lehtësues i Bajram Rexhepit!


 


Shtëpia e vetme publike e legalizuar në Kosovë – RTK, vetëm një herë e pati dhënë përgjigjen e Plakës së Reçakut dhe pastaj asnjëherë nuk e ka përsëritur, në përpjekje për ta mundësuar vazhdimin e karrierës së lehtësuesit Rexhepi! Fatkeqësisht për Bajramin dhe fatmirësisht për nevojtarët, këtij misioni iu vë pika. Por, ka mbetur si dokument i filozofisë popullore se “çka kërkon njeriu, atë e gjen”!


 


Me një lule nuk vjen pranvera, prandaj e kemi lehtësuesin tjetër i cili ka vepruar dhe për fat tonin të mirë ende po vepron çdokund ku bukës i thuhet hleb dhe ujit i thuhet voda! Puro shqiptar është angazhimi i tij. Ka vepruar edhe në Afganistan ku Shqipe(onjën) Hebibi e shpëtoi nga kthetrat e mullahëve të Talibanit, si degë të BIK-ut të Kosovastanit! Ku duhet të mbrohen interesat e shqiptarisë në kuadër të Serbisë dhe Rusisë, flijimi ka qenë i përmasave biblike për Mongolinë ekzotike!


 


Lehtësuesit ndërkombëtarë kanë qenë të shumtë. Ata klerikët e Shën Exhidios që donin të na linin nën Serbinë me drejta të plota politike, siç ishte ruajtja e alfabetit me shkronja cirilike! Na lehtësuan në Rambuje, duke na ngulur në kunj (si dikur turqit e sulltan Muratit), nga i cili kurrsesi të lirohemi! Vetëm po ngulemi thellë e më thellë! Na lehtësuan në Vjenë politikisht dhe materialisht! Na lehtësoi shumë edhe Tribunali i Hagës me zonjën Karla del Ponte! Na lehtësoi UNMIK-u, EULESH-i, e tash po bëhet gati të na lehtësojë OSBE me postierët e Valdete Dakës! Fort na ka lehtësuar dhe fatmirësisht po vazhdon të na lehtësojë edhe baronesha Ashton. Me një fjalë, dikujt po ia flladitë!


 


Është interesant se pas çdo lehtësimi, lartësia e kunjit ku na kanë ngulur ka treguar rënie. Sa ishte fillimi, i kishim ndjenjat e përziera të dhimbjes dhe kënaqësisë! Tash ka filluar të na dhemb pak si shumë! Për kënaqësi as që mund të flitet!


 


Është interesant se pas çdo lehtësimi situata është ngatërruar më shumë, sipas stilit të leshit të arapit! Pata dëgjuar se kur të bëhet puna lesh arapi, ngushtë do ta kemi!


 


Lehtësuesit tanë ndërkombëtarë, ndryshe miq të politikanëve tanë na fusin llugave për arritjen e marrëveshjeve, por nuk marrin asnjë përgjegjësi për zbatimin e tyre! Ta fusin deri në asht e pastaj thonë të merremi vesh me Serbinë! Serbia nuk merr vesh, sepse nuk detyrohet të merr vesh! Neve na detyrojnë ta marrim vesh se si është jeta në Mars, kur as prapanicën nuk e kemi në Tokë!


 


Lehtësuesi i radhës për të cilin besoj se nuk do të jetë i fundit, OSBE, pati mbetur pa punë krejt. Ishte në prag të falimentimit! Valdete Daka i angazhoi në punë, fillimisht si postierë, e më vonë do të jetë vet Valdete Daka ajo që do të bëhet postiere e tyre duke i bartur fletëvotimet pa logo të Kosovës! Këto fletëvotime do të jenë uniseks. Sikur brekët për femra dhe meshkuj! Këto fletëvotime do të jenë edhe të Kosovës, edhe të Serbisë. Uniseks fletëvotime!


 


OSBE sot është shtylla e vetme funksionale e UNMIK-ut në Kosovë dhe ka qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës! Jam i sigurt se OSBE do të jetë shumë e suksesshme në organizimin e zgjedhjeve për serbët në veri të Kosovës. Ka shumë përvojë në këtë drejtim, duke i organizuar të gjitha zgjedhje, së bashku me Serbinë në vendet ku ka jetuar edhe një serb i vetëm në Kosovë, që nga përfundimi i luftës deri në zgjedhjet e 3 nëntorit 2013.


 


Qeveria e Kosovës i ka hapur shumë punë OSBE-së në Kosovë, duke i angazhuar edhe pas zgjedhjeve. Duhet të jeni së paku të marrë e të besoni se me përfundimin e zgjedhjeve përfundon edhe angazhimi i OSBE-së. Pas zgjedhjeve do të formohen institucionet paralele lokale. Kush do të punojë për demokratizimin dhe integrimin e tyre?! Natyrisht se do të jetë OSBE. Dhe shumë punë të tjera!


 


Rroftë lehtësuesi (shaluesi) ynë i radhës, OSBE. Rrofshin zogjtë e Tunës në politikën tonë. Poshtë bashkimi kombëtar dhe rroftë Republika e Tretë e Kosovës!


 


Vrasja e Hasan Prishtinës në Selanik dhe rivrasja e tij në Prishtinë: Hasan Prishtina ka qenë dhe mbetet shembull se si duhet të jetë një politikan shqiptar. Në aspektin njerëzor, kombëtar, intelektual, moral, ushtarak, strategjik dhe atë të sakrificës. Është i patejkalueshëm deri më sot. Dhe do të mbetet i tillë edhe për shumë kohë. Përjetësisht besoj, sepse ato rrethana nuk do të përsëriten më.


 


Urdhrin për vrasjen e tij e dha Nikolla Pashiqi. Planin për vrasjen e bëri Ahmet Zogolli, mbreti analfabet i Shqipërisë me xhandarët e tij që paguheshin dhe ishin pjesë e buxhetit të mbretërisë serbo-kroato-sllovene, ndërsa ekzekutimin e bëri Isuf Reçi, një pinjoll i mbretit analfabet, vrasësit të patriotëve shqiptarë – Ahmet Zogollit të Parë!


 


Hasan Prishtina mbeti frymëzim për të gjithë patriotët shqiptarë. Ahmet Zogolli u rehabilitua nga demokrati i Partisë së Punës, Sali Berisha. U nderua shumë edhe nga Republika e Kosovës, përkatësisht nga presidentja e kësaj republike, zonja Atifete Jahjaga. Ajo, e mbushur me emocione të papërmbajtura vuri kurorë në përmendoren e këtij shfarosësi të patriotëve shqiptarë! Detyrat u ndanë. Presidentja duhej ta nderonte Ahmet Zogollin, ndërsa kryeministri Hashim Thaçi patriotin Hasan Prishtina. Seç u bë puna e kryeministrit, i doli një punë e rëndësishme shtetërore (kafja e mëngjesit me zëvendësin e tij të parë, Behgjet Pacollin). Ai e luti presidenten ta nderojë edhe Hasan Prishtinën. Edhe ashtu presidentja ishte në Tiranë dhe në këtë mënyrë kursehej buxheti i Kosovës. Me emocione të përgjysmuara nga presidentja e nderua edhe viktime e kriminelit. Ishte rasti i parë që thuaja në të njëjtën kohë nderoheshin edhe krimineli edhe viktima!


 


Universiteti i Prishtinës është vendi ku më së shumti në botë prodhohen analfabetë me diploma të cilët pastaj pajisen edhe me tituj shkencorë. Nga mr. e deri në dr. Në kohën e rektorit politik, kimistit Mujë Rugova, aty u vendos busti i Hasan Prishtinës. Me alkiminë e tij mashtruese, rektori politik i mashtroi të gjithë, sepse ishte krejtësisht e kundërta e Hasan Prishtinës! Ajo ishte vrasja e dytë e Hasan Prishtinës!


 


Me ardhjen e rektorit të dytë puro politik, historianit Ibrahim Gashi, ky universitet u emërua me emrin e Hasan Prishtinës. Ditë e shënuar do të duhej të ishte. Mirëpo, Universiteti i Prishtinës, tash Universiteti “Hasan Prishtina”, vazhdon ende që të prodhojë analfabetë serialë me diploma dhe tituj shkencorë! Për një vit ka rënë për 1000 vende në listën e universiteteve të botës! Është fare në fund të pusit me një rektor pus dhe një pjesë të profesorëve pus dhe të pistë. Të pamoralshëm.


 


Injoranca kryesisht është shoqëruesja e parë e imoralitetit. Këtu janë bashkuar. Thuaja janë bërë një! Këtu, në një farë mënyre është legalizuar shfrytëzimi i studenteve për skllavëri seksuale. Profesorë të caktuar i kushtëzojnë studentet që t’ua përmbushin pasionet e tyre të shfrenuara seksuale në këmbim të një note kaluese! Ua caktojnë provimet gjatë vikendeve dhe në orë të vona të mbrëmjes. Mbase, për t’i kursyer nga vapa e madhe. Madje ua heqin edhe rrobat. Duket për të njëjtën arsye: për t’i kursyer nga vapa e madhe. Profesorë të caktuar i mbajnë studentet me vite të tëra në një provim. Madje detyrohen edhe t’i ndërpresin studimet!


 


Në Universitetin “Hasan Prishtina” mund të flitet për krim të organizuar seksual, ku studentet e kanë rolin e topit për pingpong, ose nga një profesor te tjetri!


 


Pas përfundimit të luftës, profesorë nga koha e ish Jugosllavisë ua jepnin notat kaluese komandantëve dhe hajdutëve të ndryshëm. Nga frika, për para, apo për të kompensuar mungesën e patriotizmit! U mbushën institucionet me analfabetë me tituj shkencorë!


 


Kjo është vrasja e tretë e Hasan Prishtinës në Prishtinë. Në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. A do të jetë e fundit? Nuk besoj, sepse rrjeti i horrave është shumë i fuqishëm. Prapa tyre qëndron forca e politikës!

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …