leoni

Behxhet Sh. SHALA: Opozita po e imiton PDK-në, po blenë kohë, meqë s’guxon të marrë vendime

Koalicioni, pasi u fal Bajrami me akronimin VLAN, e mbajti premtimin apo besën, duke mbajtur mbledhjen “konstituive“ të Kuvendit të Kosovës, të cilën e përdorte si kërcënim ndaj “pakicës” parlamentare, pasi kjo nuk përfilli kërkesën e opozitës që të lëshojë rrugë për formimin e institucioneve e që vazhdimisht deklarojnë se janë të kapur nga pozita. Foljet kapje në gjuhën shqipe po përdoren jashtëzakonisht shumë nga opozita sikurse po përdoret edhe folja zaptim nga gjuha turke e që e ka thuaja të njëjtin kuptim. Me përdorimin e këtyre dy foljeve Kosova vetëm sa po dëshmon se është një vend multietnik, ku të gjitha komunitetet janë të barabarta. Madje edhe shqiptarët, si pakicë politike e shumicë numerike. Disi u krijua një disponim euforik, pasi opozita u tregua e vendosur që, mbështetur në pikën e Donikës apo shprehur me numrin 127, ka vendosur përfundimisht ta zgjedhë Isa Mustafën kryetar të Kuvendit, ndërsa çelësat e qeverisë t’i dorëzojë në duart e atij që qysh në shtator pati premtuar se do ta niste punën si kryeministër. Mund të kishte ndodhur edhe ashtu po të mos ishin zhvillimet në Ukrainë, Siri, Mali të Afrikës apo ato në Haiti. Kosova, si faktor shumë i rëndësishëm në krijimin dhe zbatimin e politikave globale, nuk ka mundur të mbetet jashtë këtyre zhvillimeve, prandaj kemi një ngecje të vogël në formimin e institucioneve.


Sido që të bëhet, posti i kryetarit të Kuvendit dhe kryeministrit janë të panegociueshme. Për to nuk vendos as Kuvendi, as Kushtetuta, as rregulloret e as presidentja sepse është marrë vendimi në nivele më të larta: në restorantin “Te Pishat”, në çajtoren “Te Rexha” i Muçivërcit dhe në “Passion”. Po kush ta pyet sot Gjykatën Kushtetuese dhe çfarë paraqet kjo gjykatë për ekspertë kushtetues (të cilët deri sot nuk i kemi njohur) kur vendimet për postet udhëheqëse janë marrë para vendimit të GJK-së. Opozita mazhoritare e kishte vetëm një pikë të rendit të ditës e ajo ishte zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit pas së cilave do të shkohej në legalizimin e kryeministrit dhe kabinetit të ri qeveritar për t’i dhënë vendit një drejtim të ri drejt humnerës dhe theqafjes. I kemi lexuar dhe i kemi dëgjuar fjalë të forta të opozitës për skenarë 1, 2, 3… etj. dhe se nuk do të ketë kthim prapa kësaj radhe se e kanë përnjëmend.


Sipas opozitës, sot Kuvendi i Kosovës do ta kishte kryetar të saj Isa Mustafën si dhe nënkryetarë të rinj. Kurrë nuk kam marr pjesë në një seancë të tillë. Në vend se të votohej për drejtues të rinj të Kuvendit të Kosovës, aty ishte një heshtje varri. Në vend se të ishte një seancë konstituive, të cilën nuk kanë të drejtë ta thërrasin, por e bënë më shumë të dukej si një mbledhje komemorative në të cilën informohej se dikush paska vdekur! Supozohej se ka vdekur pozita minoritare (me numra) dhe për të “vdekurin” është dashur të fliteshin fjalë më të zgjedhura. Mbështetur në traditën tonë dhe në një kodeks moral apo në rregulloren e kompanisë për shërbime funerale “Lotët e Krokodilit”. Po këtu u përdorën aq shumë fjalë të rënda, fyese, nënçmuese, përqeshëse, nxitëse etj. që drejtoheshin në radhë të parë kundër Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasanit, kryetar të kësaj gjykate, presidentes së vendit, znj. Atifete Jahjaga, e cila, për dallim prej shumicës së politikanëve që “operojnë” sot në skenën politike, ka sjellje normale, është bashkëpunuese dhe nuk është përjashtuese ndaj askujt.


Por, me djallin nuk bëhet dasmë. Fyerjet për Thaçin dhe drejtuesit e tjerë të koalicionit parazgjedhor janë bërë pjesë e menysë ditore apo ushqim i domosdoshëm për mbijetesë politike dhe fizike!


Natyrisht se llogariten të kapur nga PDK-ja të gjithë ata që nuk janë në frekuencat e VLAN-it. Qoftë media apo shoqëri civile. Po t’i dëgjoje çka diskutuan, çfarë kritikuan dhe çfarë premtuan dhe po të mos i njihje se kush janë këta individë, atëherë do të lakmoje që në shtetin tuaj t’i keni këta njerëz, deputetë dhe politikanë. Dhe cili njeri që e do vendin e vet nuk do të kishte dëshirë të kishte udhëheqës të këtij profili moral dhe profesional? Mirëpo, pasi i njohim shumicën e tyre, atëherë duhet të pajtohemi se realiteti është pikërisht e kundërta e asaj që e folën sot opozita dhe dje pozita. Këta sot shahen dhe hahen midis vete, ndërsa nesër, për një miligram pushtet, për tre minuta merren vesh. Harrojnë çfarë kanë folur dje. Pikërisht këtu qëndron joserioziteti, josinqeriteti, dyfytyrësia dhe pafytyrësia. Nëse qenka e tillë presidentja Jahjaga, pse atëherë shkoni në takim te ajo? Nëse nesër Gjykata Kushtetuese merr një vendim në favor tuajin, a do ta llogarisni si të kapur nga krimi?


Nëse qenka e kapur nga krimi i organizuar, pse atëherë kërkoni objektivitet nga kjo Gjykatë? Nëse Hashim Thaçi dhe PDK-ja qenkan organizim kriminal, a do të bëheni edhe ju të tillë nëse nesër bëheni pjesë e koalicionit me ta? Nëse këta qenkan të tillë, si do të bashkëpunoni nesër me ta në komisione, borde dhe trupa të përbashkët institucionalë, pjesë e së cilave do të jenë pozita dhe opozita? Nëse deri dje i keni quajtur vrasës, zhvatës, bartës të haraçit, tradhtarë të çështjes kombëtare, pengues të luftës çlirimtare, si mund të bëni koalicion sot me ta duke na ofruar “qeverisje të shpresës” apo të rrinë gatitu para bijve dhe bijave të atyre që me “rezistencën pasive” e kanë sabotuar luftën duke mos e njohur UÇK-në, duke pritur që bijtë apo bijat e këtij mohuesi të luftës çlirimtare dhe UÇK-së, t’ua japë fjalën në foltore apo t’ua zgjasë fjalimin edhe për 2-3 minuta të tjerë. Josinqeritet është ky veprim, shprehur me fjalët më të zgjedhura. Duhet ta kuptojnë edhe këta që po luajnë me ne se: ai që vjedh shtetin nuk mund të ligjërojë se si ruhet thesari i shtetit apo buxheti i shtetit, se i pamoralshmi nuk mund të ligjërojë për moral, se dhunuesi nuk mund ta luajë rolin e viktimës, se vrasësi nuk është paqësor, se duart e përgjakura nuk kanë ngjyrë tjetër përveç të zeza, se kërcënuesi nuk është mik, se frikacaku nuk bëhet kurrë trim, se i padituri nuk bëhet i mençur, se tradhtari kurrë nuk bëhet patriot, se nuk mund ta akuzosh dikë se e lakmon pushtetin kur edhe vetë je i tillë, se pakurrizori mund të bëhet shtyllë e shtetit dhe shoqërisë dhe shumë se të tjera që mund t’i përdorë mbase në shkrimet e radhës.


 


Vazhdimi i seancës “konstituive” realisht ishte një pasqyrë e ndjenjave të përziera. Aty kishte çaste sikur Çerçiz Topulli thoshte kushtrimin Te Rrapi në Mashkullore, variante kosovare të fjalimit të Fidel Kastros, fjalime kërcënuese të tipit të Kim Xhon Illit pasi mori pushtetin në republikën më demokratike në botë, Korenë e Veriut, fjalime ku flitej për shpëtimin e Republikës sikur në Revolucionin borgjez francez, aty ishte Dantoni, Robespjeri, kardinali Rishelje, fjalime nga lidhja Besa-Besë, fjalime pasionante të Maria Antoanetës dhe Kleopatrës, etj. etj.


Definitivisht, u dridh mali dhe polli VLAN-i. Polli një deklaratë e dehidruar, të lodhtë fare, pa përmbajtje, pa porosi dhe pa qëllim përfundimtar. Sikur të ishte shkruar në zyrat e PDK-së.


 


Zgjidhja apo zgjedhje?


 


Opozita ia futi vetes një autogol. Pa pasur fare nevojë. Folën fjalë të forta, të cilat nuk u dëgjuan as 10 cm larg, të cilat ikën me erën. Opozita po e imiton PDK-në duke blerë kohë. Ka mungesë guximi të marrjes së vendimeve.


Sot nuk guxuan ta zgjedhin Isa Mustafën kryetar të Kuvendit. Sikur që nuk guxojnë as në të ardhmen. Sikur që nuk pranon e as nuk guxon të kandidohet Isa Mustafa për kryetar të Kuvendit pa ndryshuar rrethanat. Koalicioni VLAN nuk e bënë Isa Mustafën kryetar të Kuvendit pa u ndryshuar Kushtetuta. Marrëveshja politike e bënë sikur që do ta bënin edhe zgjedhjet e jashtëzakonshme, nëse i fiton votat. Pasi procedura nuk ia lejon kurorëzimin me kurorën e kryeparlamentarit atëherë VVLAN duhet t’i provokojë zgjedhjet e jashtëzakonshme në mënyrë që t’i fitojë të gjitha apo asgjë E kanë lëshuar rastin ta zgjedhin Agim Aliun kryekuvendar dhe ta marrin drejtimin e qeverisë. Tash, sa më shumë të kalojë koha aq më vështirë do ta kenë ta realizojnë skenarin 1, 2, 3…etj. ndërsa skenari i restorantit Te Pishat, i çajtores Te Rexha i Muçivercit dhe Passionit përfundimisht ka vdekur. Në rastin konkret vetëm zgjedhjet e jashtëzakonshme e pastrojnë situatën dhe terrenin. Sidomos e pastrojnë Kuvendin duke ua pamundësuar disa injorantëve, mujsharëve, matrapazëve, dhunuesve dhe hajdutëve ta gëzojnë lirinë e lëvizjes dhe qarkullimit në tempullin e demokracisë siç duhej të ishte Kuvendi. Edhe të pozitës, edhe të opozitës.


Në rastin kur injorohet Kushtetuta, Gjykata Kushtetuese dhe Presidentja nuk mbetet zgjidhje tjetër. Ose duhet të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme ose duhet të rikthehet koha e haxhi Qamilit dhe Kuvendi të merret apo mbrohet me armë. Këta njerëz që sot duan t’i nxjerrin sytë njëri-tjetrit nuk e duan as Kosovën e as qytetarët e saj. Këta duhet t’u lëshojnë rrugë ata që Kosovën e duan duke e zhvilluar ekonomikisht, duke siguruar shkollim profesional, shëndetësi shëruese dhe cilësore, duke e ulur papunësinë dhe varfërinë. Këta janë patriotët e vërtetë të Kosovës. Përfundimisht, ne nuk jemi ata.

Kontrolloni gjithashtu

Peter Stano: Bashkimi Evropian nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, por është në kontakt me ta

BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”

Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …