Behxhet Sh. Shala: Vatikani, Graçanica dhe Gazimestani!

 


Djepi i Serbisë në Vatikan:


 


Sipas disa mediave përkatësisht sipas gazetës “ Blic” të Beogradit e cila thirret në Agjencinë Katolike “Kathpress”, kardinali i Kishës Katolike dhe anëtar i Këshillit Papnor, Walter Casper i ka dhënë arsyet pse Vatikani nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Nuk ka thënë asgjë të re që para tij nuk e pati thënë eprori i tij, Ati i Shenjtë, Papa Benedicti i XVI –të i cili shprehimisht e ka kundërshtuar pavarësinë e Kosovës. Dhe këtë e ka bërë në enciklikat e shumta, urbi et orbi nga sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan.


Askush nuk e pati kundërshtuar këtë diversion politik të këtij “njeriu” të Zotit i cili e ka një mision krejt tjetër e jo të rreshtohet politikisht pas një politike që ka qenë përgjegjëse për qindramijëra civilë të ekzekutuar, përndjekje biblike të civilëve nga shtëpitë e tyre dhe gjenocid në hapësirat e ish Jugosllavisë. Dhe kjo nuk ka ndodhë larg Selisë së Shenjtë por shumë afër, disa qindra kilometra larg! Në Kosovë dhe në Bosnje. Në vendet ku ka më së shumti myslimanë në hapësirat e kësaj pjese të Ballkanit andaj edhe viktimat civile kanë qenë kryesisht të besimit islam! Kardinal Casper!


 


Në Kosovë në periudhën 1 janar 1998 deri më 12 qershor 1999 janë vrarë 8214 civilë të paarmatosur prej të cilëve 6804 janë të gjinisë mashkullore dhe 1407 të gjinisë femërore. 3 nuk janë identifikuar. Si të pagjetur/zhdukur në këtë periudhë llogariten 1421 prej të cilëve 1254 janë meshkuj dhe 167 femra. Gjithsej janë identifikuar 142 varreza masive me 2031 të ekzekutuar dhe 274 raste të vrasjeve në masë me 3721 të ekzekutuar. Prej moshës 0 deri në 7 vjet janë ekzekutuar 209 fëmijë ndërkaq prej 8-14 vjeç 264 fëmijë. Në moshën midis 15-18 vjeç janë ekzekutuar 479 fëmijë ndërsa në moshën 19-60 vjeç janë ekzekutuar 4839 veta.


Nuk janë kursyer as ata të moshës mbi 60 vjeçare dhe numri i të ekzekutuarve është 2139 persona. Nuk ka të dhëna për moshën e 284 të ekzekutuarve ndërsa 3 të ekzekutuar nuk janë identifikuar. Po në të njëjtën periudhë gjithsej 178 familje shqiptare me 989 anëtarë janë ekzekutuar pjesërisht apo tërësisht.


Janë të njohura masakrat ndaj familjeve Jashari (Prekaz), Muçolli (Poklek), Deliu (Abri e Epërme), Bogujevci (Besianë), Ahmeti (Likoshan), Duriqi (Besianë), Berisha (Therandë), Gërxhaliu (Studime), Vejsa (Gjakovë), Balaj (Pejë), Gashi (Qyshk), Rama (Kastriot), Reka (Bërrnicë), Vishesella (Ribar i Vogël), Gërbeshi (Sllovi) dhe shumë familje të tjera. U vranë aktivistë për të drejtat e njeriut siç ishte rasti i avokatit të njohur Bajram Kelmendi i cili u ekzekutua me të dy djemtë e tij. Dhe shumë të tjerë.


Lëre më që nuk po shfaqni mëshirë ndaj qytetarëve të vrarë të Kosovës të besimit islamë të cilët duket se i urreni derisa e përkrahni Kishën Ortodokse Serbe historia e së cilës është përshkruar me gjak dhe krime por nuk po tregoheni të mëshirshëm as ndaj besimtarëve të devotshëm të krishterë, shqiptarë të Kosovës që u masakruan nga forcat serbe!


Po ju përkujtojë krimin e tmerrshëm ndaj Mark Palokës nga Korenica e Gjakovës dhe anëtarëve të familjes së tij që pasi u ekzekutuan nga forcat serbe, shtëpisë së tij iu vë flaka dhe ata u dogjën bashkë me shtëpinë! Si në kohën e inkuizicionit! Apo masakrën ndaj familjes Dedaj nga fshati Guskë e Gjakovës dhe shqiptarëve të tjerë të besimit të krishterë!


Më shumë se 1000 shqiptarë të ekzekutuar janë bartur nga Kosova dhe janë varrosur në varrezat masive në Serbi si në Batajnicë ( bazë ushtarake afër Beogradit), Petrovo Sello dhe Peruçac në përpjekje për ta mëshehur krimin monstruoz. Kosova e vogël prej 10.000 km u bë një varrezë e madhe për shqiptarët dhe qytetarët e tjerë të përkatësive të ndryshme etnike si pasojë e krimeve monstruoze të forcave të armatosura serbe të bekuar nga Kisha Ortodokse Serbe për të cilën Ju keni konsideratë dhe e përkrahni! Kjo do të duhej të ishte e kundërta e asaj që keni mësuar dhe që e predikoni si “ njeri” i Zotit! Por nuk po e bëni!


 


Në Kosovë forcat serbe nuk kanë bërë dallime fetare! Ato si kriter të vetmin e kanë pasur të vrasin shqiptarë! Ndërkaq në Bosnje ka qenë e theksuar urrejtja fetare dhe atje serbët kanë dashur t’i vrasin të gjithë myslimanët apo balije si i kanë quajtur. Kujtojeni gjenocidin në Srebrenicë ku për një javë nga forcat e armatosura serbe janë ekzekutuar mbi 8000 civilë boshnjak të besimit islam.


Këto janë fakte të cilat nuk mund të mohohen nga askush. Të gjitha këto krime janë bërë me bekimin e Kishës Ortodokse Serbe për të cilën Vatikani dhe zyrtarët e tij po tregojnë aq kujdes madje e marrin edhe si arsye për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës. Çmendi hesapi! Të deklarosh se Kosova është djep dhe qendër e sllavizmit do të thotë se është në pyetje ose mosnjohje elementare e historisë ose paragjykim i qëllimshëm që nuk përkon me mendjen e shëndoshë!


Nëse, me një lehtësi të pabesueshme deklaroni se Kosova është djep i sllavizmit atëherë është çështje teknike të thuhet se: ”në Kosovë po rrënohen përmendoret e rëndësishme historike, kulturore dhe fetare dhe se në këtë mënyrë po zhduket historia prandaj nuk duhet të lejohet dhe Vatikani angazhohet për ruajtjen e përmendoreve ortodokse, kishave dhe manastireve në Kosovë dhe është shumë i shqetësuar për shkak të brutalitetit të caktuar kulturor”. As më shumë e as më pak se këtë e ka thënë i përndrituri Walter Casper, kardinal i Kishës Katolike në Vatikan!


Të parët që është dashur të reagojnë kundër këtij mashtrimi ordiner mediatik janë zyrtarët e Kishës Katolike në Kosovë në me krye me ipeshkvin e saj, por nuk e kanë bërë këtë! Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë ka qenë vendi ku forcat serbe kanë marrë bekimin për krimet e tmerrshme që i kanë bërë në Kosovë. Kjo kishë gjithashtu ka shërbyer si depo e armatimit, para dhe gjatë luftës duke u shpërndarë armatim të shumtë civilëve serbë të cilët pastaj kanë ekzekutuar bashkëqytetarë të tyre shqiptarë!


 


Në këtë kishë janë strehuar paramilitarët dhe forcat e armatosura serbe si dhe shqiptarët që kanë qenë bashkëpunëtorë të Serbisë! Këto kisha gjatë luftës kanë qenë vendet ku në mënyrë drastike janë shkelur të drejtat e njeriut. Sot kishat ortodokse serbe, me pakon e Ahtisaarit janë shpallur zona të mbrojtura apo shtet më i fuqishëm se vet shteti i Kosovës.


Pas vdekjes së patrikut Pavle, kryepari i Kishës Ortodokse Serbe, pasardhësi i tij ipeshkvi Irinej ka paraqitje edhe më ekstreme sa i përket Kosovës dhe shqiptarëve. Është skajshmërisht përjashtues! Në kompleksin universitar qëndron e paprekur kisha ortodokse politike e kriminelit Milosheviq e cila moti i ka plotësuar kushtet të zhvendoset nga ai vend! Askush nuk ka guxim të marr qëndrim për rrënimin e saj! Ajo duhet të rrënohet sepse nuk e ka vendin aty! Nëse besimtarët serbë kanë nevojë për një objekt fetar ku do t’i përmbushin nevojat e tyre fetare atëherë duhet ta ndërtojnë në tjetër vend por jo në kompleksin universitar!


Gazimestani, si epiqendër e promovimit dhe fuqizimit politik të kriminelit Milosheviq sot ruhet nga Policia e Kosovës! Sa për informatë për z. Casper. Manastiri i Deçanit ua kufizon qytetarëve të asaj ane lirinë e lëvizjes dhe të drejtën për shfrytëzimin e pronës private. Askush nuk guxon t’ua prishë tymin e duhanit! Shqiptarët njihen për tolerancën fetare madje në shumë raste janë treguar qyqarë dhe nënshtrues ndaj feve tjera.


Qytetarët e besimit islam në Kosovë përkatësisht udhëheqësit e tyre fetarë janë treguar oportunistë të vërtetë kur është dashur t’i mbrojnë interesat e besimtarëve të tyre. Nga frika të mos etiketohen si fundamentalistë islamikë dhe nga dëshira t’u pëlqejnë “miqve” ndërkombëtarë! Sot mund t’i shihni besimtarët islamë duke i kryer ritet fetare në rrugë, në mungesë të objekteve fetare. Në shi dhe në borë! Asnjëherë Vatikani, Kisha Katolike në Kosovë e lere më Kisha Ortodokse Serbe nuk kanë reaguar për këtë diskriminim flagrant që u bëhet besimtarëve islam në Kosovë!


Duket se ambalazhimit të jashtëm dhe fetar po i mungon përmbajtja kryesore, njerëzorja! Prandaj, me pietet e kujtoj njeriun dhe atdhetarin e madh të Kosovës, imzot Nikë Prelën! Ai ishte dhe mbeti shembull se së pari duhet të jesh njeri i mirë për t’u bërë fetar i mirë dhe se asnjëherë nuk mund të bëhesh besimtar i mirë nëse nuk je njeri i mirë!


Ish presidenti i Kosovës tashmë i ndjeri Ibrahim Rugova për të cilin flitej se e ka ndërruar fenë (që konsideroj se është diçka krejt personale) disa herë i ka puthur dorën Atit të Shenjtë të Vatikanit, Papa Gjon Palit duke menduar se Vatikani do t’i përkrahë shqiptarët dhe Kosovën. Madje për këtë, si trashëgimi politike e Ibrahim Rugovës po ndërtohet Katedralja politike në oborrin e gjimnazit “Xhevdet Doda” nga janë përjashtuar afërsisht 1400 nxënës të cilën mësojnë nëpër bodrume të shkollave të stërngarkuara dhe në shumë ndërrime andaj prindërit në ankth i presin fëmijët e tyre deri sa të kthehen në shtëpi se mos janë sulmuar nga huliganët apo qentë endacakë!


Premtimi ka qenë që së pari të ndërtohet shkolla pastaj Katedralja politike. Po duket se këtë premtim e ka dhënë çifti i kardinalit Casper andaj fëmijët tanë bredhin rrugëve, Katedralja politike është në përfundim e sipër dhe gjithashtu edhe “ barbarizmi kulturor” i shqiptarëve ndaj serbëve, ndryshimi i historisë dhe demolimi i djepit dhe qendrës së sllavizmit në Kosovë!


 


Nëse kemi parasysh qëndrimin e Vatikanit për Kosovën, qëndrimin e Papës Benedicti të XVI, ndryshe boss i Vatikanit dhe qëndrimit të kardinalit Casper atëherë del se Ibrahim Rugova nuk paska pasur kujt t’i puthë dorën dhe për kënd të ndërtojë Katedralen politike?! Me një fjalë Ibrahim Rugova as që ka pasur ide se kënd po e përkrahë derisa Vatikani sillet në këtë mënyrë. Dhe kjo mund të llogaritet si njëra ndër huqjet më të mëdha të Ibrahim Rugovës! Në njërën anë ka mbajtur qëndrim nënshtrues ndaj Vatikanit ndërsa në anën tjetër ka mbajtur qëndrim injorues ndaj Bashkësisë Islame të Kosovës dhe vendeve islamike!


Nuk jam kundër ndërtimit të Katedrales për besimtarët e krishterë në një lokacion tjetër por jam fuqishëm kundër kësaj Katedraleje politike që po ndërtohet në oborrin e një shkolle e cila është rrënuar dhe në këtë aspekt këtë Katedrale politike nuk e dalloj aspak nga Kisha Ortodokse Serbe që është ndërtuar dhunshëm në oborrin e Universitetit të Prishtinës!


Dhe, për fund një sugjerim për kardinalin dhe anëtarin e Këshillit Papnor të Vatikanit, z. Walter Casper. Mos të brengoset fort për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë sepse ajo është mbi shtetin e Kosovës të cilin , jo që nuk e pranon por punon kundër tij! Kardinali Casper dhe zyrtarët e tjerë të Vatikanit duhet ë merren me punë tjera, jopolitike sepse interesi i tyre strategjik është ta frenojnë dhe ta mbajnë nën kontroll agresivitetin seksual të vartësve të tij ( klerikë të gjitha niveleve) që dhunojnë fëmijë, motra nderi, të rritur dhe bëjnë veprime të tjera imorale në emër të një puritanizmi ( pastërtie morale) të rremë!


Duket se kjo është pika që i bashkon me Kishën Ortodokse Serbe aq më parë kur ta kemi parasysh se edhe themeluesi i kësaj kishe, Shën Sava ka qenë diku afër me klerikët e Kishës Katolike sa i përket përcaktimit seksual! Andaj edhe e përkrahin! Kur ta rregullojnë këtë çështje atëherë mund të merren edhe me punë tjera!


Autori i shkrimit është drejtor ekzekutiv i KMDLNJ. Qëndrimet në këtë shkrim janë personale)

Kontrolloni gjithashtu

Ministrja, Hykmete Bajrami

Hykmete Bajrami: Qeveria e kanë shti buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Hykmete Bajrami ka komentuar vendimin e …