TV Dukagjini, muajin gusht ia ka kushtuar rrëfimeve të ish të burgosurve politikë në emisionin “Debat Plus” e që po udhëhiqet, e them shkëlqyeshëm nga Ermal Panduri. Në këto rrëfime, të gjitha të vërteta, të dhimbshme dhe të trishta, ish të burgosurit politikë shqiptarë përfaqësojnë me mijëra e mijëra të tjerë që kanë kaluar të njëjtën Rrugë të Golgotës por se nuk kanë mundësi t’i bëjnë publike përjetimet e tmerrshme falë, në radhë të parë, terrorin që ndaj tyre e kanë ushtruar pjesëtarët e UDB – së jugosllave dhe serbe, bastardë që kanë lindur si shqiptarë e që kanë qenë më të këqij se udbashi më i keq serb. Për dhunë të shfrenuar kanë qenë të njohur “shqiptarët” udbash nga Lugina e Preshevës përkatësisht nga Medvegja. Sikur edhe disa gjakovarë, pejanë, mitrovicali dhe drenicakë. Edhe më parë kishte informata të fragmentarizuara për këtë dhunë duke përmendur emra të përveçëm të udbashëve bastardë shqiptarë nga Nait Hasani dhe Gani Koci dhe, çuditërisht, në vend se të merreshin masa ndaj tyre, me të gjitha mjetet bëheshin përpjekje që deklaratat e Naitit dhe Ganiut të margjinalizohen duke ua ngushtuar hapësirën të tjerëve.
Kategoria që më së keqi është trajtuar në Kosovë pas përfundimit të luftës janë të burgosurit politikë. Shteti ka menduar se me një kompensim, më shumë ofendues se ndihmues, do t’i shlyejë borxhet ndaj kësaj kategorie jashtëzakonisht sakrifikuese. Dhe, këtu e ka mbyllur tregimin pa e bërë as përpjekjen më të vogël të sigurojë drejtësi për vuajtjet e tyre. Të sigurojë kushte për rehabilitim shëndetësor shkaku se shumica ishin me shëndet të rrënuar. Të sigurojë kushte për shkollim dhe aftësim profesional shkaku se për shkak të dënimeve të gjata nuk kishin mundësi të shkollohen. Të sigurojë kushte për punësim duke krijuar raste sociale .
Për ilustrim, një hetues i UDB- së, një prokuror apo gjykatës, që kanë punuar pa asnjë pengesë nën pushtetin e UNMIK -ut dhe institucioneve të Kosovës (pavarësisht partive politike) kanë përfituar më shumë se 100 të burgosur politikë që janë kompensuar. Mos të flasim për fëmijët e tyre që janë shndërruar në milionerë në saje të aktiviteteve kriminale antikombëtare të prindërve të tyre udbash ose që kanë qenë të lidhur me kërthizë me Jugosllavinë dhe Serbinë, kundër shqiptarëve. Edhe sot fëmijët e tyre janë pronarë të mediave, pronarë të mëdhenj të tokave, ndërtues të pallateve, thithës miliona fondesh të ndërkombëtarëve dhe vendore, në diplomaci, borde, këshilltarë politikë, udhëheqës të ndërmarrjeve përfituese, në Universitet, në QKUK dhe thuaja në të gjitha vendet ku ka shumë para dhe ndikim. Ku janë të burgosurit politikë dhe fëmijët e tyre?! Në vartësi materiale nga të parët dhe në përndjekje nga ta.
Në prapaskenë punuan për themelimin e Gjykatës Speciale duke bashkëpunuar me Serbinë dhe ndërkombëtarët për ndërtimin e trillimit për Shtëpinë e Verdhë dhe trafikim me organe. Dërguan dosje partiake dhe personale në Gjykatë të Hagës. Sigurojnë dëshmitarë të mbrojtur sikur që edhe vet janë dëshmitarë. Të rrejshëm duke e sulmuar UÇK-në dhe udhëheqësit e tyre, deri sa i dërguan në Hagë. Të pafytyrë dhe të poshtër. Qenie me anatomi njerëzore por pa asnjë përmbajtje njerëzore!
Reagimet pas këtyre rrëfimeve: Kanë dhe kishin përkrahje nga kontribuuesit për lirinë e Kosovës dhe çështjen kombëtare. Institucionet përkatëse, KM, Presidentja, Kryefolësi i Kuvendit nuk reaguan fare. As ajo që deklarohet si Ministre e Drejtësisë, ndonëse nuk ka lënë pa e komentuar çdo dhunë (edhe në Afganistan), nuk ka reaguar fare, i mbronë pasardhësit e këtyre kriminelëve me të cilët është e rrethuar. Xhelali e rrezit cullën në liqenin e Ujmanit pasi e mbron dhe ruan Amir Gërguri, i blinduar si kalorës i Skënderbeut, në 40 gradë celsius dhe të cilit po ky Xhelua donte t’i çante kokën me tulla betoni dhe e kishte shpallur në kërkim përmes fotove WANTED, sikur të ishte Xho Dillinxheri. Nuk reagoi fare as luftëtari i madh për Ujmanin dhe Vatanin që postonte foto nga liqeni, i veshur me mercedeska të kuqe, krejtësisht i gatshëm të sakrifikohet për ….Paradën e Krenarisë, ku do të bëhej edhe komandant. Nuk kishte reagim nga asnjë institucion i sigurisë.
As Komandant Mefi, as Dilmali apo partnerja e Radojçiqit. Turpërisht nuk kishte reagim as mendermethënë nga opozita. Reagimi ishte vetëm nga Mehmet Loci, udbashi nga Peja me fakultet të kryer për arkeolog në Zarë të Kroacisë e i cili nuk punoi fare si arkeolog. Hyri, sigurisht i përpunuar në Kroaci, në sigurimin shtetëror të Jugosllavisë dhe Serbisë. Në vend se të hulumtonte nëntokën për të zbuluar artefakte arkeologjike, ai gërryente organet, shpirtrat dhe trurin e patriotëve shqiptarë dhe familjet e tyre. Ky, tash paska kërkuar debat te Ermal Panduri, sigurisht jo se mendon të pendohet por se do të përpiqet të shantazhojë të tjerët të mos merren me te. Ky nuk e ka vendin në Debat Plus por e ka vendin në nivelin minus të Dyzit. Dhënia e hapësirës këtyre horrave është ridhunim i viktimave, rehabilitim i dhunës së tyre, humanizim i krimeve të tyre. Ky nuk është për Ermalin, është për Blerimin, Kryeprokurorin Special të Shtetit.
Për lexuesit dhe shikuesit e rrëfimeve në fund të ciklit të intervistave do të keni një numër të konsiderueshëm të emrave të udbashëve që flasim shqip. Të gjithë i njohim, në veçanti rrethi nga janë dhe ku kanë jetuar. Si përfundim, asnjëri nga ata nuk është përballur me ligjin, nuk ka pësuar për krimet që i kanë bërë. Me disa është marrë Zoti, disa kanë fituar azil në shtetet perëndimore, një numë kanë zënë vend në institucionet e vendit, disa janë biznesmenë etj. Sahit Ismajli jeton në Prishtinë, më mirë se vet Hasan Prishtina të cilin institucionet e kanë përzënë nga Prishtine. Vajzën e ka në një pozitë të lartë udhëheqëse. Dhe, kështu me radhë. Prandaj, nuk i kemi punët edhe aq keq, nuk meritojmë më shumë.