Behxhet Shala: Mejtepi i Salep Sulltanit dhe mendësia e Vidovdanit!

Kosova është vërtet rast i veçantë, rast sui generis. Jo vetëm sa i përket statusit politik i cili është përcaktuar sipas këtij parimi. Por, edhe sipas cilësisë së shkollimit e cila do të duhej të ishte përcaktuese gjithashtu për të gjitha infrastrukturat shtetërore dhe kombëtare. Krejtësisht është normal fakti se shkalla e zhvillimit të një populli apo të një shteti është në përputhje të plotë me nivelin arsimor në përgjithësi dhe me kualitetin e mësimnxënies në veçanti! Një shtet që ka për qëllim zhvillimin, mirëqenien e qytetarëve, por edhe vet ekzistencën si shtet në planin afatgjatë, investimin më të madh, më serioz, material dhe jomaterial e bënë pikërisht në arsimimin e qytetarëve të vet. Sepse, prej shkollimit varet se çfarë shëndetësie do të kemi, çfarë ekonomie, politike, çfarë kulture dhe çfarë zhvillimi do të kemi! Sot është lehtë e identifikueshme të vërtetohet se në çfarë niveli të zhvillimit janë shtetet që kanë investuar në arsim dhe në çfarë niveli janë shtetet që mburren se e kanë ulur shkallën e analfabetizmit nga 65 për qind në 59 për qind. Shkalla e zhvillimit ndikon shumë edhe në proceset vendimmarrëse në botë!

 

Kohëve të fundit është hapur një debat për arsimin në Kosovë e sidomos për pasojat që ka prodhuar dhe prodhon ky shkollim. Botërisht dihet fakti se arsimi në Kosovë ka qenë i përcaktuar nga statusi shoqëror dhe politik i qytetarëve të saj. Kur e them këtë, mendoj kryesisht për shqiptarë duke iu referuar një periudhe të caktuar kohore, para dhe pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Dhe, duke pasur parasysh kontekstin dhe rrethanat. Shqiptarët gjithmonë kanë qenë të rrethuar me popuj dhe shtete që kanë pasur traditë në fushën e arsimimit.

 

Falë kësaj tradite dhe rrethanave, këta popuj kanë mbajtur nën robëri shqiptarët për shekuj me radhë, prandaj as që kanë qenë të interesuar të investojnë në shkollimin e shqiptarëve, sepse nuk kanë dashur t’i pajisin me dije ngase do të ktheheshin kundër tyre. Një popull i pashkolluar dhe i paemancipuar kombëtarisht nuk është në gjendje ta fitojë lirinë e vet. Një popull i padijshëm shumë më lehtë mbahet në robëri apo shumë më lehtë kthehet kundër interesave të popullit të tij. Sikur që edhe një inteligjencë e zgjedhur dhe e shkolluar nga okupatori paraqet rrezik të madh për popullin e vet. Kjo është vërtetuar gjatë disa periudhave të zhvillimit të shtetit dhe popullit shqiptar.

Në kohën e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, ata pak shqiptarë që janë shkolluar më shumë i kanë shërbyer mbretërisë, sesa popullit të vet. Ata pak shqiptarë që janë shkolluar në shtetet tjera dhe që janë angazhuar për lirinë e popullit shqiptar ose janë arrestuar – ose janë vrarë . Janë vrarë kryesisht nga shqiptarët.

 

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, shkollimi i shqiptarëve bëhej kryesisht përmes çrrënjosjes së analfabetizmit me kurse të ditës dhe të natës. Çdokush që i dinte shkronja të alfabetit shqip dhe atij arab, bëhej mësues. Merreni me mend se çfarë kuadro dilnin nga ky shkollim?! Në Shqipëri kishte shkollim shumë më cilësor, por atje politika përmes Nënës Parti i dha një vulë ideologjike arsimit duke e përjashtuar përmbajtjen kombëtare. Internacionalizmi proletar ishte mbi interesin e një arsimi kombëtar. Vendin e intelektualëve shqiptarë të shkolluar në universitetet evropiane e zunë komisarët politikë të trajnuar nga popoviqët, mugoshët, vukmanoviqët, gjillasët etj. Kombëtarët u burgosën, ekzekutuan me gjyq apo edhe pa gjyq apo u rekrutuan nga Sigurimi.

 

Në Kosovë, ata pak intelektualë që ishin e që kishin përcaktim kombëtar, u arrestuan apo u vranë duke kundërshtuar regjimin jugosllav. Disa të tjerë i futën veshët në lesh duke ndërtuar karrierë dhe duke marrë poste të larta në hierarkinë sunduese jugosllave. Kushti ishte që të punonin kundër interesave të popullit, gjuhën e të cilëve edhe vet e flisnin. Flisnin shqip, vepronin serbisht! Për të menduar nuk mendonin, sepse të tjerët mendonin për ta! Regjimi jugosllav shumë saktë përzgjidhte kuadro “shqiptare”: i shkollonte ata duke i shndërruar në jeniçerë, të cilët ndaj shqiptarëve ishin më të dhunshëm dhe më të paskrupullt se vet serbët.

 

Rasti konkret ishin pjesëtarët e UDB-së, prokurorëve shqiptarë, gjyqtarëve shqiptarë, politikanëve shqiptarë apo “intelektualëve” shqiptarë të kohës së Titos që e dëmtuan popullin e tyre më shumë se vet serbët. Shumë prej tyre sot janë sistemuar, janë rehabilituar dhe jetojnë më mirë se në kohën e Brozit. Pra, regjimi serb ka krijuar një inteligjencë servile, kundërkombëtare, e cila ka qenë dorë e zgjatur dhe jashtëqitje jonjerëzore e këtij regjimi të dhunshëm.

 

Objektivisht, periudha që ka prodhuar më së shumti analfabetë në Kosovë ka qenë ajo e kohës 1989-1998 apo siç është quajtur: periudha e sistemit paralel arsimor. Në këtë kohë prodhimi i analfabetëve ka qenë serial. Ata janë shumuar me një shpejtësi algjebrike! Në emër të një rezistence ndaj okupimit serb, kanë dalë kuadro të pakualifikuara që më vonë na kanë okupuar mendërisht dhe shpirtërisht. Përjashtim këtu bëjnë rastet e talentuara dhe që kanë punuar vet për të nxënë dije. Apo, që kanë pasur mundësi të shkollohen jashtë Kosove. Për këtë arsye Serbia nuk ka qenë fort e interesuar dhe këmbëngulëse ta pengojë këtë paralelizëm arsimor, duke ditur se pasojat do t’i bartin vet shqiptarët. Koha pas përfundimit të luftës e vërteton këtë më së miri!

Pas përfundimit të luftës së fundit, arsimi në Kosovë iu nënshtrua një eksperimenti të mashtruesve të ndryshëm nga Evropa, sharlatanëve nga Afrika, Azia dhe disa përfituesve të projekteve nga Amerika që në emër të reformave të ndryshme e katandisën arsimin si mos ma keq. Miliona e miliona euro u shpenzuan për këto reforma, ndërsa cilësia e shkollimit nuk vërehej fare! Shkollimi kryhej me para, me kallash apo duke blerë profesorët me një gullash.

 

Doli gjenerata e “intelektualëve” të pasluftës të pajisur me tituj shkencorë me referenca të kallashit dhe gullashit. Kryesisht ishin në poste politike apo zaptuan poste politike! Rektorët, me përjashtime të rralla, ishin injorantë, të abortuar në politikë dhe të kontrabanduar në tempuj të dijes. Prandaj, edhe dekanët, jo të gjithë,  përzgjidheshin në baza partiake dhe si dëshmi të “kualifikimit” të tyre ishte e kaluara e tyre kriminale, injoranca e dëshmuar dhe servilizmi i skajshëm ndaj zeusëve politikë, lokalë dhe atyre ndërkombëtarë!

 

Nëse e vendosni një të padijshëm në një vend kompetent, atëherë nuk mund të prisni që ai të përzgjedh rreth vetes njerëz të dijes. Përzgjedhja do të jetë se do të punojë ose me budallenj më të mëdhenj se vet ata, nëse i gjen, ose trurin e tyre do ta blejë me një grusht euro! Prandaj, e kemi këtë politikë që e kemi! Këtë ekonomi që e kemi! Këtë shëndetësi që e kemi! Këtë gazetari që e kemi! Këtë gjyqësor që e kemi! Këtë moral që e kemi! Dhe shumë të “mira” që i kemi! Thjesht, këtë mjerim dhe prostituim moral dhe intelektual! Po i shkëpus dy raste për të cilat kam qenë dëshmitar edhe vet pas përfundimit të luftës.

Një komandant zullumqar i dërgon një letër një profesori të njohur dhe parimor në Prishtinë në të cilën i kërkon që në provim te ai duhet të vlerësohet me një 10-she simpatike. Në të kundërtën, nuk do të guxojë të dal as në rrugë! Vazhdimisht i telefononte duke e kërkuar notën e vlerësimit. Dhe profesori parimor, por i kujdesshëm për jetën e tij, thuaja kaloi në ilegalitet. Nga frika për jetën e tij! Thuaja për dy muaj nuk dukej i gjallë, derisa e mora letrën, numrin e komandantit “intelektual” dhe bisedova me të. Pas kësaj bisede komandanti nuk e thirri më profesorin dhe as që hyri te ai në provim.

 

Po i njëjti profesor më tregoi se në provimin e tij hyri një komandant dhe politikan i fuqishëm dhe në pyetjet e tij kishte  demonstruar analfabetizëm kapital. Për shkak të kaluarës heroike dhe sakrificës vendosi ta vlerësoi me një 6-sh të lodhtë. Komandanti e refuzoi kategorisht dhe pas dy jave të njëjtin provim e dha te një profesor tjetër me një 10-she me yll! E njoh këtë komandant. Sot është shumë i fuqishëm, ndonëse ka mbetur budalla i njëjtë!

Analfabetizmit intelektual dhe mjerimit moral po i kontribuojnë shumë edhe disa institucione private të arsimit që për një grusht euro apo lekë shqiptar të pajisin me diploma, master dhe titull doktor shkence! Cilës shkencë?!

 

Sa shumë më merr malli për nënën time të ndjerë! Ka punuar shumë, por ka qenë pa shkollë. As një ditë nuk ka qenë në shkollë! Po të ishte sot gjallë shpresoj se do të mbërrinte së paku titullin master. Me kusht që shtatë  fëmijët e saj të kontribuonin me nga 1000 euro në shkollimin e saj. Ani pse nuk ka ditur as shkrim dhe lexim.

Kosova është vend i mundësive të mëdha! Kosova është rast sui generis! Ku ka më shumë të diplomuar dhe me tituj shkencorë se të tillë që kanë dëftesa të shkollimit të mesëm! Ku, sipas disa politikanëve: “Shumë më lehtë kryhet fakulteti dhe doktorohet se ta përfundosh shkollën fillore”. Dhe, ku shkolla fillore është e detyrueshme dhe kusht për t’u regjistruar në universitet, ndërsa diploma e fakultetit është kusht të bëhesh politikan dhe të përparosh në karrierë. Ani pse je dhe mbetesh injorant!

 

Ku edhe arsimimi, por edhe krimi është multietnik! Ku jo vetëm politikanët shqiptarë dhe kosovarë pajisen me diploma dhe tituj shkencorë, por edhe ata serbë. Sikur që ishte rasti i këshilltarit të kryeministrit serb Ivica Daçiq, i akuzuar për bashkëpunim me krimin e organizuar i cili e paska diplomën e Universitetit të Prishtinës, dega e Bujqësisë. E nënshkruar nga një dekan shqiptar apo nga Marko Ivanoviq në Mitrovicën e Veriut, nuk ka rëndësi. Rreth krimit të përbashkuar!

 

Tash jemi para një sprove nëse do të dëshmohemi se jemi intelektualë të vërtetë. Nëse i arsyetojmë diplomat dhe titujt shkencorë! Nëse do të jemi në gjendje ta mbrojmë nderin e Akademisë sonë të Madhërishme të Shkencës, Arteve dhe ndikimeve politike!

Një delegacion i vendlindjes së Salep Sulltanit do të vjen së shpejti në Kosovë dhe do ta bëjë auditimin e teksteve të historisë. Uroj që të ndahen të kënaqur, ndryshe do të mbetemi pa programin edukativ, moral dhe kombëtar të serialeve turke. Shpresoj shumë se ky delegacion nga vendi i Salep Sulltanit do të hasë në mirëkuptim të plotë nga shkenctarët dhe intelektualët e mendësisë së Vidovdanit!

 

Nastradin Hoxha ka qenë shakaxhi i madh. Njeri i përrallave dhe njeri që ka krijuar përralla. Njeri i imagjinatës që ka mbijetuar të gjitha kohërat! Njeri i imagjinatës dhe me imagjinatë të bujshme. Që ka pasur përgjigje për çdo pyetje dhe ka zgjidhur çdo problem! Njëherë e dërguan mësit për një vajzë të njohur nga bukuria, duke i dhënë 100 dukatë nëse e merr fjalën! Duhej që pas dy jave të binte fjalën. Pasi kaluan katër javë, babai i djalit shkoi te Nastradini duke kërkuar sqarime për rezultatet e mësitnisë. Nastradini, pasi u zu ngushtë për çastin e dha një përgjigje lakonike dhe plotë sharmë: “Nuk kishte qenë kismet për juve. Ishte një rast shumë i rëndë! Mezi e bëra për vete”!

Basri Musmurati është politikan. Duket serioz edhe për shkak të moshës, edhe për nga e kaluara e tij. E imiton mirë Nastradin Hoxhën. Ka përgjigje për çdo pyetje. Besa është edhe shakaxhi i madh! Paraqitej si mësit i ruajtjes së pozitës për Sekretar të PDK-së për Jakup Krasniqin. Pas “mesitnisë” doli se ishte Nastradin Hoxha vet. Mezi e mori postin e sekretarit të partisë për veti! Kohë e përrallave, vëllaçko !

 

Mjedisi në Kosovë u ndotë nga një fushatë reklamuese krejtësisht e marrë e EULEX-it për “punën” e këtij misioni për “sundimin e ligjit” dhe “luftës” kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ndotja e dytë e madhe ishte afera korruptive rreth Grandit në të cilën ishin përfshirë “politikanë” të mëdhenj dhe sekserë të vegjël. Në fund, me një përfundim të turpshëm doli se nuk ishte ndotje e as kundërmim i ajrit. Por, rifreskim i korrupsionit dhe krimit të organizuar. Me ndihmën e politikës dhe EULEX-it. Kemi një opozitë të padjallëzuar , naive që nuk është në korrent me realitetin.

 

“Opozitë” vërtetë e mbathur me njohuri politike është vetëm AAK-ja dhe lideri i saj karizmatik. Që e kupton realitetin politik dhe faktik. Se, jo vetëm në Kinë, por edhe në Kosovë ky vit është Viti i Gjarprit!

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Islami: Me fitoren e Donld Trumpit në Amerikë, Opozitës në Shqipëri i duket se iu afrua Shtëpia e Bardhë

Ka një gëzim të ekzaltuar dhe të pritur në opozitën shqiptare lidhur me rikthimin e …