leoni

Behxhet Shala: Taksat dhe maskat

 Gjykata Speciale, e cila ë u ngjiz nga një aventurier sharlatan që për interesa, mbase materiale, u shndërrua në një mercenar dhe paragjykues të krimeve më monstruoze të mundshme, më në fund po formohet nga “institucionet e Kosovës” dhe rrjedhimisht do të jetë pjesë e “sistemit të drejtësisë së Kosovës”. Nëse i lexoni qoftë edhe shkarazi dokumentet përcjellëse të kësaj Gjykate, atëherë nuk duhet të keni njohuri të shumta për të besuar atë që i imponohet opinionit, sidomos deputetëve të Kuvendit të Kosovës, si kokat larg më të mençura të popullit, prandaj i kemi votuar apo ua kemi shitur votën ne injorantët, faktin se kjo Gjykatë ka të bëjë me institucionet e Kosovës aq sa unë kam të bëj me eparkinë e Rashkës apo me sulltanin Bolkiah të Brunejit. Po, vakti e ha kashtën dhe mjerë i ligu sa i fortë është.

Aq shumë presione për themelimin e një Gjykate që do ta “pastrojë” luftën e UÇK-së dhe që qenka kërkesë e “miqve” ndërkombëtarë nga e cila u varka integrimi në BE, NATO, OSBE, Kombe të Bashkuara dhe kartelet “bamirëse” të Gjirit, Lazaratit, Sinaloas, Kalit, Zetas etj. Të gjitha projektet që na janë imponuar nga “miqtë” ndërkombëtarë pas përfundimit të luftës kanë pasur vulën e suksesit për zhvillimin e Kosovës, anëtarësimin në mekanizmat ndërkombëtarë, liberalizimin e vizave dhe dokrra të tjera nga të cilat ka përfituar vetëm Serbia, ndërkohë që ne kemi bërë maratonën, si Muçua pas daive. Nëse analizoni sot bisedimet e Brukselit dhe ato që u paraprinë, atëherë lehtë do të kuptoni se po bisedojmë ekskluzivisht për çështje që i takojnë një shteti të pavarur dhe sovran. Ku jemi sot në këto procese? Jemi bira e fundit e kavallit.

Pata rënë në depresion të thellë dhe nga kjo situatë, në dukje të parë e pashpresë, në jetë më riktheu njohja e fundit nga një superfuqi botërore siç është Niue. Niue, Niue, Niue. Çfarë shteti i fuqishëm, pashë Bacën! Kemi rënë në situatë sikur pleqtë e Serbisë dhe Maqedonisë që blejnë gra në Shqipëri. Gjykata Speciale në Kosovë po formohet pavarësisht kundërshtimeve, qoftë parimore të individëve, që nuk rrezikohen fare nga kjo Gjykatë apo të një subjekti politik që e ka shndërruar kundërshtimin në një “Gërvisht e fito” politike. Përjashtuar disa raste. Kjo Gjykatë po formohet pas një presioni dhe kërcënimi të hatashëm që po u bëhet atyre që marrin vendime dhe atyre që do të votojnë, qoftë edhe formalisht. Kjo Gjykatë po quhet speciale sepse vërtet është speciale. Herë quhet speciale e herë quhen Dhoma të Veçanta. Gjykatë Speciale e quajnë “miqtë” ndërkombëtarë, ndërsa Dhoma të Veçanta i quajnë kameleonët vendorë për ta minimizuar këtë Gjykatë dhe për ta paraqitur si pjesë e sistemit të drejtësisë kosovare e që nuk është mesa është Gjykata në Veri të Mitrovicës pjesë e këtij sistemi.

Rrethanat pse kanë pranuar ta votojnë këtë Gjykatë si dhe motivet mund të mësohen më vonë, ndërsa disa dihen qysh tani. PDK-ja ashiqare këtë gjykatë e konsideron si Arkën e Noas, ku mund të ruhet dhe shpëtohet lloji apo soji politik. Realisht është më e rrezikuara sepse, sipas sharlatanit Dik, Drenica ishte zemra dhe shpirti i UÇK-së dhe “kriminelët” më të mëdhenj dhe më të rrezikshëm ishin aty. Shpresa se me votimin e kësaj Gjykate do ta fitoni imunitetin nga ndjekja është e barabartë me shpresën se, pasi nuk do ta paguani këstin e kredisë për vite të tëra, do ta zvogëloni borxhin ose do t’u falet borxhi. Realisht, në këtë situatë vetëm do të përballeni me përmbaruesin dhe asgjë më tepër. Pastaj, dihet se vala e parë e cunamit kurrë nuk i shkakton dëmet më të mëdha sikur që as sulmi i parë në zemër nuk shkakton vdekjen e menjëhershme. As Nastradinit kurrë nuk i kanë dalë llogaritë si i ka bërë vetë. Po, po duan ta votojnë, ia pafshin hairin!

 

LDK-ja nuk ka asnjë arsye ta kundërshtojë themelimin e kësaj Gjykate sepse mendon të dalë më e fortë dhe fituese duke shpresuar se kjo Gjykatë do të merret me zbardhjen e rasteve të vrasjeve të aktivistëve të këtij subjekti politik e që nuk besoj se do të ndodhë fare. Pjesa joserbe e pakicave e voton formimin e kësaj Gjykate sipas inercionit dhe automatizmit të koalicionit, ndërsa Lista Srbska e voton sipas kërkesës zyrtare të Serbisë dhe me vullnet pasionant. Po të ishte në interes të Serbisë dhe Rusisë që kjo Gjykatë të themelohet nga Kombet e Bashkuara (ku janë edhe armiqtë e pavarësisë së Kosovës sikur na kërcënojnë “miqtë” ndërkombëtarë), atëherë Lista Srbska do ta kundërshtonte këtë Gjykatë Speciale më shumë se LVV-ja. Formimin e kësaj Gjykate e mbështet fuqishëm edhe opozita zaeviste (titiste) në Kosovë, e cila ka vlerësuar se kjo Gjykatë do ta shembë rendin ekzistues në Kosovë sikur edhe konstelacionin politik duke krijuar parakushte që kjo opozitë (një pjesë e madhe e saj ka qenë kundër luftës) do ta marrë pushtetin në pjatë. Është i çuditshëm fakti se edhe këta të PDK-së që do ta votojnë këtë Gjykatë deklarojnë se është e dëmshme për Kosovën ndërsa vetë e votojnë. Nuk e kuptoj sepse truri nuk po më punon si duhet, prandaj edhe nuk jam deputet i Kuvendit të Kosovës, ku janë kokat më të mençura të vendit.



Me çka do të merret kjo Gjykatë Speciale:


 

Pritjet nga kjo Gjykatë janë se do ta vendosë një rend dhe ligj në Kosovë sikur që dikur e pati vendosur në luftën kundër korrupsionit njësia elitare e Italisë, Guardia di Finanzza, e cila zbarkoi në Kosovë duke kontribuar në shëndoshjen tej mase të këtij fenomeni gjithëpërfshirës. Kjo Gjykatë do të merret kryesisht me raportin e sharlatanit Dik (për trafikim të organeve në ahurin me lopë e me dhi të katuçëve të Burrelit), të cilin e shndërruan në klinikë ekskluzive disa medie të Serbisë me disa simotra në Shqipëri dhe Kosovë. Nuk do të merret as me vrasjet e aktivistëve politikë, ushtarakë e lëre më me rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit të profilit të lartë, ku bartësit e flamurit kanë qenë pikërisht ndërkombëtarët që, përkundër akuzave të ngritura, kurrë nuk janë dënuar, as në Kosovë e as në shtetet e tyre. Kjo Gjykatë do të jetë speciale sepse specialisht do të arrestojë vetëm shqiptarë, do të dënojë vetëm shqiptarë dhe do të mbajë në burg vetëm shqiptarë. Kjo Gjykatë do të jetë Speciale sepse të gjithë hetuesit do të jenë të huaj, të gjithë prokurorët do të jenë të huaj, të gjithë gjyqtarët do të jenë të huaj, të gjitha gjyqet do të jenë të huaja, të gjithë guardianët do të jenë të huaj dhe i tërë stafi administrativ do të jetë i huaj. Të gjitha shtetet ku do ta vuajnë dënimin të dënuarit do të jenë të huaja. Kjo Gjykatë do të jetë speciale sepse të gjitha lëndët e arkivuara do të jenë të mbyllura për shqiptarët dhe do të mbesin në pronësi të kësaj gjykate.

Kjo Gjykatë do të jetë speciale sepse do ta amnistojë drejtësinë kriminale dhe të korruptuar të UNMIK-ut, EULESH-it ndërsa do ta fajësojë atë që nuk ka pasur fare qasje në proceset për krime lufte në Kosovë, gjyqësorin e Kosovës.

 Para 8 vitesh, KMDLNj pati kërkuar të formohet një dhomë e veçantë për krime lufte ndërsa ndërkombëtarët kundërshtonin duke deklaruar se e kemi këtu UNMIK-un sikur që jashtë e kemi Tribunalin e Hagës prandaj nuk kemi nevojë për gjykata tjera. Tash po del se paskan nevojë për një Gjykatë e cila, nëse dënon vetëm të akuzuarit e një përkatësie etnike të një lufte “multietnike”, lirisht mund të konsiderohet si një Gjykatë e tipit të aparteidit, si një gjykatë raciste. Parimi i ndarjes së drejtësisë sikur edhe të shpagimit të viktimave duhet të mbështetet në prova e jo se cilës përkatësi etnike i përkasin viktimat apo të dyshuarit. Viktimat duhet të trajtohen dhe shpaguhen si viktima ndërsa kriminelët duhet të dënohen dhe trajtohen në përputhje me peshën e krimit e jo në bazë të përkatësisë etnike. Në këtë pikë e kam kundërshtuar dhe e kundërshtoj këtë Gjykatë e jo se ajo e cenon sovranitetin e Kosovës apo se dua ta mbroj luftën e pastër të UÇK-së. Mendoj se nuk ka lufta të pastra, por se ato janë të ndyra dhe më të ndyra. As lufta më çlirimtare dhe më e drejtë nuk e përjashton mundësinë që dikush të ketë bërë krime individuale. Edhe Tribunali për Krime Lufte në Hagë, ndonëse shumicën e vendimeve dënuese dhe liruese i ka marrë nën ndikimin e politikës, ka qenë i kujdesshëm duke e ruajtur një balancë etnike të të arrestuarve dhe të dënuarve që Gjykata Speciale nuk e bënë.


Të gjithë këta që e kanë kundërshtuar formimin e kësaj Gjykate, kundërshtimin e tyre e kanë mbështetur me argumente politike që i ka bërë joseriozë dhe të anshëm. Ata është dashur të kërkojnë nga kjo Gjykatë përgjegjësi dhe drejtësi për të gjithë, pa bërë dallime në baza etnike apo politike. Është dashur të jenë kundër drejtësisë selektive por nuk e bënë këtë.

Tash duhet të merren me pasojat sepse kjo Gjykatë do ta thellojë përçarjen midis shqiptarëve edhe më shumë.


A po keqpërdoren taksat e qytetarëve:


Një grup i qytetarëve të Kosovës, pjesë e së cilës janë edhe disa zaevistë kosovarë e kanë kundërshtuar ligjin që mbulon shpenzimet për sigurimin e mbrojtjes së të akuzuarve para kësaj gjykate si edhe shpenzimet për familjet e tyre me arsyetimin se ato janë paratë e taksapaguesve kosovarë dhe ata duan të dinë se ku shkojnë dhe si shpenzohen paratë e tyre. Plotësisht kanë të drejtë, nga këndi i tyre. Argumentimi i tyre ishte kryesisht politik duke bërë krahasime midis mbrojtjes para Gjykatës për Drejtësi në Hagë e cila i ka dhënë të drejtë shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe rasteve individuale që do të trajtohen para kësaj Gjykate duke e paragjykuar fajësinë e mundshme. Realisht, thirrja në luftën e UÇK-së në këtë argumentim është e rreme sepse, disa prej tyre kanë qenë, edhe kundër luftës edhe kundër UÇK-së duke bërë përpjekje të vazhdueshme për rrënimin e këtyre vlerave. Po kjo është temë për trajtim në një rast tjetër.


Në mesin e të nënshkruarve ka njohës të mirë të ligjeve, kontribuues për lirinë e Kosovës dhe njohës, gjithashtu të mirë të drejtave të njeriut. Prandaj është dashur ta dinë se qytetarët e Kosovës në mënyrë të jovullnetshme po dërgohen në shtete tjera, para gjykatave të huaja, do ta mbajnë dënimin në burgje të huaja dhe familjarët do të detyrohen t’i vizitojnë në shtete të huaja sikur që dikur familjarët tanë i kalonin nga 2000 km. për të na vizituar në llogoret e ish Jugosllavisë për një vizitë 20 minutash deri sa provokoheshin dhe fyheshin nëpër autobusët, trenat dhe anijet e ish Jugosllavisë.

Majkat dhe baballarët e disa nënshkruesve të sotmes, përveç se na kishin futur në burgje, vazhdimisht punonin në shkatërrimin e familjeve tona. A do të bëhet edhe sot kështu përmes mohimit të përkrahjes së familjeve që duhet t’i vizitojnë anëtarët e familjeve të tyre, të dënuarit eventualë që do të mbahen nëpër burgje të shteteve të ndryshme të Evropës e që është edhe kundër ligjeve të Kosovës, edhe kundër të drejtave të personave të dënuar. Nëse thoni se kjo gjykatë është pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës atëherë lexojeni Ligjin për Sanksione Penale ku shprehimisht thuhet se i dënuari duhet ta vuaj dënimin sa më afër vendit ku jeton. Nëse më shumë u besoni ndërkombëtarëve atëherë lexojini Rregullat Evropiane të Burgjeve, Deklaratën Universale për të Drejtën e Njeriut, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe konventat për parandalimin e torturës dhe trajtimit çnjerëzor. Atëherë do të flisni ndryshe. Nëse do ta kemi një Gjykatë Speciale për Kosovën e cila formohet me një letërkëmbim special midis baroneshës Ashton dhe zonjës Atifete Ashton, nëse qeveria e Kosovës nën kushte dhe presion special e “bënë” ligjin për këtë Gjykatë, nëse deputetët e Kuvendit të Kosovës pas presionit special detyrohen ta votojnë këtë gjykatë, nëse kjo gjykatë themelohet me një presion special të paparë ndërkombëtarë, nëse të dënuarit janë shqiptarë specialë, nëse pala akuzuese dhe dënuese është specialist e huaj sikur edhe burgjet, guardianët dhe shtetet dhe përfundimisht nëse qeveria e Kosovës në mënyrë speciale lejon që qytetarët e saj të internohen në shtetet e tjera ndërsa shoqëria civile, që do të duhej të ishte pjesa më e ndërgjegjshme nuk i kundërshton, jo në mënyrë speciale por në mënyrë normale këto veprime, atëherë, me çfarë të drejte ua mohon të drejtën e mbrojtjes për të akuzuarit (ata kanë të drejtë në mbrojtje juridike falas) e sidomos familjarëve për t’i vizituar anëtarët e tyre të dënuar. Nëse të akuzuarit kërkojnë mbrojtje dhe mbrojtës ekskluziv, atëherë le t’i sigurojnë mjetet ose le të krijojnë fonde.

Kroacia, Bosnja, Serbia dhe Maqedonia kanë ndarë mjete për mbrojtje për shtetasit e tyre të arrestuar dhe për familjet e tyre që janë akuzuar para Tribunalit të Hagës. Dhe krejt në fund, për të akuzuarit nga Gjykata Speciale, që janë arrestuar me ligje speciale dhe që dënohen sipas një procedure speciale dhe mbahen në burg në kushte speciale, kush e mbanë përgjegjësinë?

Ata që po shiten si specialistë duke promovuar standardin Guantanamo të trajtimit të të arrestuarve apo ne që po e kundërshtojmë internimin e tyre jashtë Kosovës dhe që po kërkojmë që të dyshuarit të dënohen në Kosovë, me ligje të Kosovës, të vuajnë burgun në Kosovë? Kush është për respektimin e ligjit dhe kush po e dhunon ligjin në këtë rast ? Kush është për të drejtat e njeriut dhe kush është kundër këtyre të drejtave? A i konsideroni të arrestuarit dhe familjet e tyre si njerëz, shtrohet si pyetje e thjeshtë ? Për këtë e kundërshtoj Gjykatën Speciale sikur që nuk pajtohem me peticionin që ua mohon të drejtat për mbrojtje të akuzuarve sikur edhe familjeve të tyre. Sepse, po të mos ishin këta “kriminelë” të Speciales dhe lufta e tyre, shumica e të nënshkruarve nuk do të kishin gjasa të bëheshin pagues të taksave.

Kontrolloni gjithashtu

Kur Kina të zgjohet … bota do të dridhet II

Qeveria e Kinës ka tërhequr vërejtjen se SHBA-të po luajnë me zjarrin

Qeveria e Kinës ka tërhequr vërejtjen se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po luajnë me …