leoni

Behxhet Shala: Veprimtari dhe atdhetari, Ahmet Haxhiu (6 maj 1932 – 6 korrik 1994)

Më 6 korrik 2014 u bënë 20 vjet kur më nuk është në mesin tonë Ahmet Haxhiu – Zullufi, atdhetari i shquar dhe i përjetshëm i çështjes kombëtare, i cili tërë jetën ia kushtoi bashkimit të trojeve shqiptare dhe i cili u rrit, jetoi, veproi dhe kaloi në amshim me flamurin kuq e zi dhe himnin kombëtar që sot thuaja po intonohet ilegalisht, ndërkaq flamuri kombëtar më shumë u shndërrua në detyrim individual dhe familjar sepse, ngadalë por sigurt po përjashtohet nga institucionet për t’u zëvendësuar me një krijesë të cilën nuk e do askush e madje as ai që e ka disejnuar. Baca Ahmet nuk kishte parti dhe as shokët nuk i ndante në bazë të bindjeve politike por kriter i vetëm ishte gatishmëria për t’i shërbyer atdheut dhe çështjes kombëtare deri në vetmohim dhe flijim. Për këto atdhetari me vepra të mëdha dhe fjalëpak nuk kishte fare mëdyshje duke qenë në gjendje që gjatë 24 orëve të jetë në shërbim të atdheut dhe duke mos hezituar që të përkulet si para një fëmiu, femre apo edhe të moshuari që ishin në rrugën që ai e ndiqte apo që ishin të gatshëm të bëhen udhëtarë e më vonë edhe ushtarë që rrugëtonin vetëm drejt një caku, bashkimit të trojeve shqiptare në një shtet të vetëm, Shqipërisë ashtu siç e kishte krijuar Zoti e jo Shqipërisë që e katandisën si mos më keq njerëzit dhe sidomos jonjerëzit! Baca Ahmet nuk ka lënë hapësirë tjetër të veprimit dhe qëllimit politik dhe në këtë drejtim ka qenë shumë i vendosur.

Si e njoha Bacin Ahmet?

 Gjatë kryerjes së detyrës sime njerëzore dhe kombëtare në llogoret e Lepogllavës dhe Stara Gradishkës ku pata fatin ta takoja edhe bashkëmendimtarin dhe bashkëluftëtarin e Bacës Ahmet, frymëzimin për lirim nga robëria e të gjithë të robëruarve, Bacën Adem (Demaçin), gjatë bisedës e përmendi emrin e Bacës Ahmet të cilin nuk e njohja dhe nuk e kisha takuar më parë. Baca Adem, si më pak i rrezikshëm se unë u lirua disa muaj para grupit tonë dhe na kishte përgatitur terrenin në mënyrë që të mbetemi pjesë e “lojës”, ndonëse shumica ishim të vendosur të shkojmë deri në fund! Aq sa dinim dhe aq sa kishim mundësi! Atëherë kishte idealizëm, kishte ideale, kishte moral, kishte besë dhe askush dhe në asnjë rast nuk diskutonte për pushtet, poste, pozita apo përfitime materiale apo të tjera.

 Pasi u liruam nga një burg i vogël (Sllavonska Pozhega, Kroaci) erdhëm në një burg të madh në Kosovë, Shqipëri! Atëherë, të burgosurit politikë ishim mall i çmuar, i respektuar dhe i kërkuar në tregun ku kërkohej flijimi. Si të burgosur politikë ishim të parapaguar që duhet t’i kryenim detyrat më të rënda dhe më të rrezikshme ndërkaq që alternativa e krijuar politike në Kosovë ishte ajo pjesa e butë e rezistencës. Edhe si të tillë e përkrahëm në fillin deri në kohën kur ajo u bë pengesë në rrugën tonë drejt çlirimit dhe lirisë!

 Pas daljes sime nga burgu në verën e vitit 1990, në shtëpinë e Babushit tim të Madh, Shaban Shalës – Bajgora i cili ndërroi jetë në kohën kur isha i izoluar në burgun famëkeq të Gospiqit, vinin shumë vizitorë për të më respektuar si të burgosur politikë dhe njëkohësisht për të më shprehur ngushëllime për Babushin, shkaku se atëherë nuk lejohej që të burgosurit politikë shqiptarë të shkonin në shtëpi pa e mbajtur edhe ditën e fundit të dënimit të shqiptuar. Në fakt, as ne nuk kërkonim por as nuk pranonim këtë për shkak të parimeve që i respektonim me një fanatizëm që sot nuk kuptohet nga gjeneratat e reja apo të burgosurit shqiptarë që vuanin dënim në Hagë apo Kosovë! Të pamen atëherë ma organizuan në Burgun e Gospiqit, Hysen Shurdhani – Aga Cenë i Kaçanikut, Ilmi Muzaqi dhe shokët e tjerë!

 Një të shtune në dhomën ku pritnim vizitorë hyri një burrë hijerëndë, me mërrola të mëdha dhe vetulla të dendura dhe pasi na përshëndeti iu drejtua Nënës Sime të Madhe, Hamide Shala -Menxhiqi me fjalët: ”motër, më shtro diçka për të ngrënë me çka ka qëlluar“! Më habiti liria e tij sepse takohesha për herë të parë me të. Pastaj kërkoi të dalim në një dhomë tjetër duke u prezentuar dhe duke më thënë se është i gatshëm në çdo kohë të takohet me mua kur unë do të kem nevojë për Bacin Ahmet. E kuptova se Baca Adem i kishte folur për mua prandaj ai ndjehej i lirë si në shtëpinë e tij ndonëse për herë të parë hyri në shtëpinë e Babushit! Disi kisha frikë sepse u takuan dy mërrolana mirëpo që në takimin tjetër ishte krejt ndryshe! Prapa “hijesë së rëndë“ dhe “mërrolave“ të Bacit Ahmet ishte një shpirt i butë, një zemër e madhe, një njeri i urtë, një patriot i paepur dhe një bashkëluftëtar që sakrifikohej në çdo çast në mbrojtje rë shokëve. Punët më të rrezikshme i merrte mbi vete. Praj takimit të parë, deri pak çaste para se të kalonte në amshim nuk jemi ndarë dhe jam përpjekur, me shumë modesti t’i ndihmojë. Shtëpia e Bacit Ahmet ka qenë shtëpi e shokëve, bashkëmendimtarëve dhe bashkëluftëtarve që kanë bërë rrugëtimin e njëjtë drejt një caku të përbashkët! Me Bacin Ahmet dhe Bacën Adem e pata mësuar gjeografinë e Kosovës dhe viseve tjera ku jetonin shqiptarën në ish Jugosllavinë pasi nuk lamë pëllëmbë pa e shkelur!

Strehimi i armëve dhe lotët e Bacës

 Më thirri Baca Ahmet urgjentisht në Prishtinë: ”sepse i duhej një mjek urgjentisht për një operim të një shoku ..” Shkova te shtëpia e tij, e dija se nuk ishte fjala as për mjek e as për operim. Ishte një valë e arrestimeve ndërkaq Baca Ahmet kërkoi që urgjentisht të gjindet një strehim për disa “bota – boca për saldim“ të cilat ishin të mbushura me armë dhe ishin mjeshtërisht të kamufluara nga Baca. Ishte kohë shumë e shkurtër prandaj shkova te një kushëri imi Ejup Shala, i vrarë nga forcat çetnike serbe gjatë luftës, i cili gjeti strehim në një fshat të Besianës te një Ejupi …. Nuk kam parë njeri më të gëzuar se Baca Ahmet kur armët u futën nën dhe. Pas një kohe nuk kam parë njeri më të mërzitur se Baca Ahmet kur pa se disa armë ishin prekur nga ndryshku. Për herë të parë dhe të fundit kam parë lotë në sytë e Bacës.

Armatosja dhe ç’armatosja e grupeve guerile

 Baca Ahmet ishte mjeshtër për mëshehje të armëve të cilat vet i sillte nga shtetet perëndimore. Veturën e kishte shndërruar në bunker lëvizës furnizues me të cilën shpërndante armë te çdo person që vlerësohej se mund ta përdorte. I patëm shpërndarë disa kallashnikova në disa fshatra të Besianës (disa persona sot janë fytyra publike dhe nuk po ua përmend emrat sepse mund t’ua dëmtojë karrierën pas së cilës po vrapojnë me një grykësi të pabesueshme). Pas një kohe u kthyem te disa persona të armatosur për t’i ç’armatosur dhe ato armë shkuan te ata që i përdorën dhe nuk lejuan t’i prekë ndryshku.

Arrestimi Bacit dhe këshilla e Bacës

 Pasi u arrestua Baci Ahmet njeriui i parë që e kam vizituar ka qenë Baca Adem. I kam thënë: ”Bacë kështu e kështu është puna dhe si të veproj…” Sepse, atëherë ishte si rregull që kur arrestohej një shok që punoje me te, ose dilje në ilegalitet ose arratiseshe jashtë vendit. Pyetja e Bacës Adem ka qenë se nëse një person i tretë është në dijeni për punën që e keni bërë dhe pas mohimit tim këshilla e Bacës ishte: “shko në shtëpi dhe vazhdoje punën se prej Bacit Ahmet nuk del fjalë që e tradhëton shokun“. Ashtu edhe ndodhi. Gjatë hetimeve gruaja ime Fexhrije Shala, përmes një shoku të klasës që ishte gardian në Burgun e Prishtinës i ka dërguar Bacit Ahmet barëra që i duheshin. Gardiani që na sillte informata për gjendjen shëndetësore të Bacit Ahmet (nuk ia di emrin) e thirri gruan time për një informatë urgjente dhe unë e këshillova të takohej në një kafeteri sepse më lehtë kamuflohej ky takim. Ai na dha informatën se pasi ia kishin sjellur një shok të dërrmuar së rrahuri nga UDB-ja dhe e kishin ballafaquar me te, Baci Ahmet, për t’i kursyer shoktë e arrestuar nga dhuna çnjerëzore kishte bërë përpjekje të vetvritej me një tel të metalit që e kishte hjekur nga fshesa. Menjëherë kemi shkuar te shtëpia e Bacit dhe jemi takuar me Shaipin, djalin e madh dhe i kemi treguar se Baci Ahmet gjindet në spital. Pasi është kthyer në shtëpi nga Centrallni Zatvor i Beogradit (burgu qendror në Beograd ku janë torturuar mizorisht të burgosurit politikë shqiptarë), Baca Ahmet na ka treguar se gjatë hetimeve e kanë pyetur edhe për time shoqe Fexhrijen të cilën gjatë qëndrimit të Bacit në paraburgim e ka marrë në pyetje sigurimi shtetëror serb përkatësisht inspektori Cvejiq të cilit UÇK i dha “shpërblimin“ në rrugën Besianë – Prishtinë. Në fakt, Baci Ahmet e ka respektuar Fexhrijen shumë, shkaku se ajo ka qenë e organizuar në grupin e Fadil Vatës me të cilin Baca Ahmet ka vepruar një kohë të gjatë. Unë nuk kam ditur asgjë!

Takimi i fundit deri në takimin e radhës me Bacin Ahmet

 Baci Ahmet në ato çaste kur ballafqohej me vdekjen kërkoi të vizitohej nga ime shoqe Fexha për t’i treguar brengën se tërë kohën ka pasur frikë se ajo do të arrestohej, ndonëse ishte shatëzënë dhe thuaja para lindjes. Pasi e pyeti si është Shkëmbi e pyeti si ia ka lënë emrin djalit që lindi me 31 maj 1994. Emri Blini i pëlqeu shumë dhe në gjendje që ishte i mbërthyer me aparaturë për frymëmarrje dhe infusion, bënte përpjekje të ngritej. Baci Ahmet dinte ta respektonte sakrificën sepse ishte trashigimi gjenetike e një martirizimi të babait Shaip Zullufi në luftë për liri, bashkim kombëtar dhe Shqipëri! Unë e kam pasur vështirë të përmbahem dhe pasi kam dalë jashtë shtëpisë i kam telefonuar Nuhi Ahmetit, duke i thënë ta lajmërojë edhe Abdullah Dërgutin që ta vizitojnë Bacin Ahmet sepse nesër nuk do të ishte gjallë më! Këta të dy ishin anëtarë të Lëvizjes Popullore dhe i kishin ndejtur afër në kohët më të vështira!

Varrimi i Bacit

 Ishte një varrim madhështor ku morën pjesë thuaja të gjithë shokët e vërtetë të Bacit Ahmet, por edhe ata për të cilët Baci ka menduar se i ka shokë por nuk ishin të tillë! Bacin Ahmet e mashtronin sepse ai donte të kishte sa më shumë bashkëmendimtarë që pastaj do të bëheshin bashkëluftëtarë! U besonte sepse vet ishte zemërbardhë dhe mendonte se edhe ata ishin të tillë. Ky varrim mbahet mend për kah numri i madh i pjesëmarrësve dhe fjalët që i folën në varrim dy autoritete, kombëtare dhe fetare. Autoriteti suprem kombëtar, Adem Demaçi dhe autoritet fetar por edhe kombëtar Mulla Ahmet Berisha, që më nuk është në mesin e të gjallëve.

Përkujtimi i datës 6 korrik 2014

Ishim pak shokë të vërtetë që kishim mbetur ende gjallë. Ishin shumë fytyra të reja që donin të përfitonin nga Heroi i Kombit, Ahmet Haxhiu. Ishin aty edhe disa “shokë“ të Ahmet Haxhiut që në çastet më të vështira ia kishin kthyer shpinën e tash shtyheshin në rreshtin e parë! Të çuditshëm janë njerëzit, me karakter dhe pa karakter. Ahmet Haxhiu nuk i takonte asnjë partie. Ai i takonte shqiptarisë dhe Shqipërsisë. Ai la veprën më fisnike dhe më të madhe , shërbimit të përjetshëm ndaj kombit dhe atdheut, deri në sakrifikim! Ne që mbetëm pas tij u koritëm krejt. Pas posteve dhe parave. Në shërbim të interesit personal që nënkupton se jemi në shërbim të dreqit! Duket se do të koritemi edhe më shumë. Strehë e kemi veprën e përjetshme të Ahmet Haxhiut dhe heronjve tanë nën të cilën fshihemi kur e kemi ngushtë dhe kur na thërret ndërgjegja! Dikush tha se kur u kthye nga Zvicra në Kosovë, Baci Ahmet u la amanet shokëve Kosovën. Kohë të vështira dhe të pështira! Kam pasur fatin që të jem shërbëtor i kombit dhe bashkudhëtar i Bacit Aghmet. Atëherë e dinim rrugën sepse ishte vetëm një. Tash na janë ngatërruar rrugët dhe kemi humbur rrugën në oborr… Kosovë! Zoti na ndihmoftë!

Kontrolloni gjithashtu

Luigj Bumçi (1872 -1945) klerik, ipeshkëv, atdhetar

Luigj Bumçi (1872 -1945) klerik, ipeshkëv, atdhetar

Kleriku atdhetar, Luigj Bumçi u lind në Shkodër, në vitin 1872 në një familje të …