Zgjedhje të” lira” dhe aspak të mira : Pas zgjedhjeve të 8 qershorit 2014 të gjithë dolën me vlerësime se në Kosovë kurrë nuk ka pasur zgjedhje më të mira , që nga koha e Titos , të Rrahman Morinës , zgjedhjet e “ lira “ të “presidentit historik” në kohën e Millosheviqit ku kutitë e votimit paturpësisht bënin karshillëk 56 martirëve dhe dëshmorëve në Prekaz , zgjedhjet në Serbi për të cilat bënte ftesë për pjesëmarrje të shqiptarëve ana tjetër e medales konceptuale politike sot e Albinit , Vetoni, sepse, sipas tij, me demokratizimin e Serbisë do të fitonin edhe shqiptarët e Kosovës që rriheshin, vriteshin, arrestoheshin, dëboheshin , përziheshin nga Kosova çdo ditë pikërisht nga ata që organizonin zgjedhje.
Këto zgjedhje u vlerësuan më të mira se të gjitha zgjedhjet e pasluftës në Kosovë madje edhe më të mira se ato zgjedhje që i organizonte Serbia për serbët e Kosovës me ndihmën e OSBE-së dhe UNMIK EULEXIT ! Një shtet i ri, me një demokraci ahmetzogiste, me i organizuar zgjedhjet më mirë se Serbia, OSBE dhe UNMIK EULEX ta krijon një ndjenjë krenarie ! Shqiptarët kryesisht udhëhiqen nga parimi i llamarinës – teneqes apo , për këta me tituj shkencorë apo politikajt , udhëhiqen nga euforia. Nxehen shpejt dhe ftohen edhe më shpejt! Kështu ndodhi edhe për vlerësimin e zgjedhjeve e sidomos pas bërjes publike të rezultateve preliminare! Të gjithë festonin fitoren . Pasi dolën rezultatet, koalicioni parazgjedhor i prirë nga PDK festuan sepse fituan. Në anën tjetër, ata që i humbën zgjedhjet e sajuan një arsye për të festuar duke krijuar një koalicion paszgjedhor dhe bënë më shumë zhurmë se vet fituesit! Për një mbrëmje Kosova u bë Bangladesh! Vetëm sa nuk plasi lufta midis fiseve politike .
E bënë një bllok të fuqishëm, jo për t’u ndihmuar qytetarëve të Kosovës dhe vet Kosovës por për ta përjashtuar çdo mundësi që Thaçi, si mandatar legjitim të bëjë përpjekje ta formojë qeverinë e Kosovës të cilën pastaj do ta votonin apo nuk do ta votonin deputetët e Kuvendit të Kosovës! Nëse nuk do ta votonin atëherë Thaçit do t’i merrej mandati për formimin e qeverisë ! Llogari e pastër është kjo! Grupi Anarkist i Prishtinës ( Albin Kurti, Ramush Haradinaj , Fatmir Limaj dhe Isa Mustafa ) aspak nuk dallon me veprime e sidomos për nga qëllimet nga Grupi Anarkist i Shkodrës para luftës së dytë botërore në Shqipëri ( Anastas Lulo, Sadik Premte, Nako Spiro dhe Vojo Kushi ). I vetmi dallim është se në Grupin Anarkist të Shkodrës të gjithë kanë pasur tope ndërsa në këtë të Prishtinës vetëm dy veta kanë tope ndërsa dy të tjerët topet i mbajnë vetëm për shkak të identifikimit të gjinisë! ! Edhe në Grupin e Shkodrës, si edhe në ate të Prishtinës, postet ndaheshin dhe ndahen sipas dëshirës dhe mbledhjet e Byrosë Politike ( Grupi i Shkodrës ) dhe “ kabinetit qeveritar “ të Grupit të Prishtinës mbahen nëpër kafene dhe restorante dhe në kushte të ilegalitetit të thellë dikur dhe ilegalitetit legal tash! Sajimi i këtij koalicioni paszgjedhor është bërë vetëm për dy qëllime : 1) shpëtim kokash për ata që i humbën zgjedhjet dhe 2) heqje të kokave atyre që i fituan zgjedhjet! Prandaj, e tëra kjo urrejtje që po e rëndon situatën dhe po e ndotë mjedisin ku po jetojmë. Edhe ashtu skajshmërisht të ndotur ! Ky fjalor ngulfatës dhe kërcënues me Dyz dhe pensionim ! I tërë ky linçim publik i atyre që marrin guxim ta shprehin një qëndrim qoftë edhe të gabuar dhe i cili nuk u shkon për shtati këtyre tereqëve të tredhur të politikës kosovare!
Të cilët me koeficientin QI 2.038% mendojnë se mosdëgjueshmërinë dhe mosbindjen ndaj tyre e menaxhojnë me para ose me stupc! Jo me tru sepse QI 2.038% është pengesë e pakapërcyeshme për të vendosur dialog me ata që nuk janë dhe nuk duan të bëhen si ata! Pse e tëra kjo zhurmë paszgjedhore dhe takimet e “ kabinetit qeveritar “ që vetëm ka mbetur të votohet nga Kuvendi i Kosovës pas zgjedhjeve të vitit 2016 apo 2017 ?! Për ngritje të pazarit politik dhe për një hapësirë pushteti në madhësi të prapanicës që do të ulet në të! E cila quhet karrike , fotele , fron, sedile apo stollica! Kjo është luftë e lakuriquar për pushtet. Në emër të shtetit! Këta që i kanë fituar zgjedhjet duan që me çdo kusht ta mbajnë pushtetit dhe kanë plotësisht të drejtë nëse i sigurojnë 61 vota. Në të kundërtën, lirisht mund t’i bien kavallit! Kështu e thotë Kushtetutka, demokracia dhe vullneti i votuesit ! Koalicioni paszgjedhor mendon të vishet me pushtet duke u thirrur në Kushtetutkën e Kosovës dhe duke vepruar sipas Kushtetutës së Hajkobillës! Kjo nuk kalon! Pa një marrëveshje politike apo pa një Kajdanov apo Dell. Tash me një emër tjetër! Që as emrin nuk kam guxim t’i përmendi sepse ma kanë futur frikën në palcë ata që ua përmenda emrin më lart!
Po pse po më hidhërohen miqtë e mijë kombëtarë në PDK, LDK, kaolicionin FER – LVV, AAK , Nisma për Kosovën dhe AKR ( për çastin nuk kanë arsye sepse kanë pushtet sa kam edhe unë ):
Këta të PDK-së po hidhërohen se po ua them se nuk kanë bërë punë aq të madhe apo të mirë që ta meritojnë pushtetin dhe se në një shtet normal e meritojnë të jenë opozitë! Dhe se formimi eventual i qeverisë me 61 vota nuk është respektim i votuesit dhe qytetarit të Kosovës por vazhdim i një ankthi qeverisës që send të hajrit nuk i sjell Kosovës. Përveç dhunimit mental me mundësi të shoqërohet me dhunë fizike. Dhe shumë vërejtje të tjera ….
Këta të LDK-së po hidhërohen se po ua them se pushteti merret me forcën e votës e jo me inate . Se në Kosovë në fuqi është Kushtetutka e Kosovës dhe jo ajo e Hajkobillës. Se kurbani ( koalicioni ) nuk prehet ( bëhet ) dhe ndahet pasi të falet Bajrami por para Bajramit. Se Isa Mustafa, në kontekstin aktual bëhet kryetar i Kuvendit të Kosovës vetëm nëse e propozon Hashim Thaçi . Dhe se do të bëhet president i Kosovës, si kandidat i Grupit Anarkist të Prishtinës kur do të bëjë shelnja rrush duke kënduar këngën: “ nën një portokalle moj , ma bëre me sy , lulet e limonit moj , mbrapa më kanë ….Shpresoj se i kujtohen Isës por edhe Pacollit fjalët që ua kam thënë në Rings. Ishin aty miqtë e mi, Ismet Beqiri, Ibrahim Makolli, Muhamet Gashi dhe Vjosa Osmani. Nuk dëgjuan, sepse Isa ishte i bindur se do t’i fitonte zgjedhjet edhe nëse për kundërshtar do ta kishte Barak Obamën ndërsa Pacolli mendonte se do të hynte në Kuvend duke ua përvjelur mëngët Fadil Ismajlit , Ibrahimit dhe Bernard Nikajt duke mos ditur se këta, për herë të parë i përvilnin mëngët për t’u shfaqur në bilborda. Hashimi i pati përvjelur duart katër muaj para zgjedhjeve dhe fitoi! Prandaj Pacolli tash edhe po kërkon rinumrim të votave duke shpresuar se e kalon 5%-in. Kjo pritje po i kushton edhe Hashimit i cili, do të gëzohet më shumë se vet Behgjeti nëse AKR e kalon 5%-in. Kohë të vështira kanë ardhur !
LVV e dikurshme nuk ka çka hidhërohet në mua sepse, në gjendje normale do të ndjeheshin shumë keq dhe me siklet nëse do të më shikonin në sy. Në gjendje të një përflakjeje deri në përvëlim në luftë për pushtet kur ngadalë po shndërrohen në FERR dhe kur Albini ka rënë në dashuri konceptesh me Vetonin dhe tash, bashkë të konceptuar në një shtrat interesi, për mua nuk paraqesin ndonjë vlerë sepse kjo dashuri është e panatyrshme, pa pasion dhe përfundon me një kontakt fizik të pandjenja.
Miqtë në AAK m’u hidhëruan sepse u tregoja se për të parin e Prishtinës nuk do ta kalojnë as 5%. Ashtu doli. Pastaj u hidhërua Ramushi sepse ditën kur u kthye nga Haga donte të bëhej kryeministër. Unë i sugjeroja që të pushojë nja tre muaj me familje, shokë dhe dashamirë dhe pastaj të pozicionohet politikisht. Fort i pati mbetur hatri por doli se kisha të drejtë unë, si mik i vërtetë i Ramushit e jo ata eunukët politikë që e rrethojnë të shndërruar në llaskucë që presin ndonjë asht për ta lepirë! Kur dola me parashikim se AAK në zgjedhjet e fundit nuk do të fitojë më shumë se 10% të votave , një mik imi më thirri në telefon dhe më tha a tërheq shkrimin nga botimi ose, nëse është vonë të dal me një kërkimfalje publike ndaj Ramushit ( sepse qenka hidhëruar Ramushi!!!) dhe të them se AAK do të jetë fitues me 32 % dhe Ramushi do të bëhet kryeministër! Që nuk e bëra e as nuk do ta bëjë dot! Dhe doli përsëri se pata të drejtë! Edhe tash po e them botërisht se Ramush Haradinaj kurrë nuk do të bëhet kryeministër me propozim të Grupit Anarkist të Prishtinës pa një marrëveshje politike të ndërmjetësuar nga “ të fortët “ apo pa propozimin e Hashim Thaçit! Do e shohim.
Miqtë e mi nga Nisma për Kosovën janë hidhëruar në mua sepse kam thënë dhe po e përsëris se ata janë më shumë të interesuar ta rrëzojnë Hashim Thaçin se ta forcojnë këtë parti si subjekt parlamentar. Bërjen e politikës e kanë personalizuar në luftë ekskluzive kundër Hashimit! Prandaj u bënë pjesë shumë e zëshme dhe aktive e Grupit Anarkist të Prishtinës!
Vetoni mund të më hidhërohet sepse nuk po e këndoj këngën :” druzhe Tito mi ti se kunemo … “……. Dhe plotësisht ka të drejtë!
Si të dilet nga ky ngërç: Koalicioni i prirë nga PDK i fitoi zgjedhjet dhe duhet ta bëjë qeverinë nëse i bënë numrat! Ndryshe shkohet në zgjedhje të parakohshme ku lista e koalicionit paszgjedhor do të pësonte humbje të pashmangshme. Do të kishte shumë probleme ta bëjnë një listë të përbashkët prej 110 kandidatëve. Po t’u bashkohej , si shumë e etshme për pushtet koalicioni FERR – LVV atëherë do të krijohej situatë si në Halep të Sirisë! Edhe koalicioni fitues, nëse nuk e siguron një qeveri me së paku 75-80 vota nuk do të ketë jetë të gjatë e as stabilitet funksional. Koalicioni me 61 -65 vota do të jetë shpëtim i përkohshëm dhe përmbushje e egos prej fituesi si dhe shprehje e një sadizmi ndaj të mundurve që nuk e besoj se është qëllimi! Qeveri me 61 vota është dhunim dhe legalizim i prostitucionit politik në Kuvendin e Kosovës. Pavarësisht kush e formon këtë! Kosovës i duhet një stabilitet qeverisës afatgjatë që siguron numra të mjaftueshëm për marrjen e vendimeve, pa pasur nevojë të bëhet presion apo shantazh të deputetëve. Këtë e garanton vetëm një koalicion gjithpërfshirës që siguron 2/3 e votave të Kuvendit. Kjo mund të bëhet vetëm me “ ndihmën” e miqve ndërkombëtarë! Nëse ne vendosim , do të bëhen shumë grupe apo kabinete qeverisëse. Grupit të Koalicionit paszgjedhor me Ramush Haradinaj kryeministër dhe Grupit të koalicionit parazgjedhor , me Hashim Thaçin , kryeminstër së shpejti mund t’i bashkangjitet Grupi i RINGSIT, me kandidatin më serioz për kryeminstër, Balin Met, ndryshe i njohur si komandant suprem i Zonës Operative të Çagllavicës ! Në numër Grupi i RINGS-it është më i madh se dy grupet paraprake! Le të bëhet puna lesh deri në fund!
Besoj se ndërkombëtarët do ta bëjnë koalicionin 2/3 sepse u duhet për vazhdimin e bisedimeve me Serbinë dhe formimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë të cilën tash nuk po e kundërshton as koalicioni FERR – LVV sepse po e mbështet koalicionin paszgjedhor ndërsa edhe vet po lëpihet të bëhet pjesë e qeverisë. Varianti PDK – LDK – pakicat sigurojnë 2/3 e votave. Mirëpo edhe varianti Grupi Anarkist i Prishtinës me pakica duke e lënë në opozitë koalicionin e PDK-së gjithashtu siguron 2/3 të votave. Jemi në situatë që prej dy të këqijave ta zgjedhim të keqen më të vogël! Fatkeqësisht!
Rrofsh sa malet o Agim Bahtiri : Barikada në urën që e ndanë Mitrovicën u hoq. Unë nuk besoj në dezinformata. Vetëm fakteve u besoj. Dikush po thotë se kjo barikadë u hoq pas takimit të Kancelares Merkel me kryeminstrin e Serbisë Aleksandar Vuçiq në Gjermani pas zonja Merkel paska thenë se po të ishte mirë të kishte barikada gjermanët nuk do ta rrënonin murin e Berlinit! Edita Tahiri tha se bisedimet e saj në Bruksel e rrënuan këtë barikadë sikur që Hashim Thaçi tha se ka biseduar me ambasadorët e Quintit për largimin e barrikadës. Ndërkaq , lojtari kryesor ishte në fakt Agim Bahtiri apo Agim Paçurka si e quajnë armiqt e popullit. Ai pati thënë se brenda gjashtë muajve do ta largojë barrikadën. Dhe, sa u bënë?! Tash, vetëm i mbetet që pjesën e mbetur të urës ta mbjellë me paqurka. Serbët e mbollën me bredha dhe lule duke e quajtur Ura e Paqes. Emër shumë i qëlluar aq më parë që këta serbë e dëshmuan orientimin e tyre paqësorë gjatë luftës 1998 -1999 , në shkurt të vitit 2000 kur vranë 10 shqiptarë dhe shpërngulën afërsisht 14000 shqiptarë, në vitin 2004 kur mbytën në lumin Ibër të fshatit Çabër tre fëmijë nën 10 vjeç dhe shumë vrasje të pasluftës. A ka ma kënaqësi se t’i shohësh paqësorët e Rojave të Urës dhe gardistët e Gardës së Car Llazarit duke mbjellë lule apo duke mbledhur paçurka në barikadën ekologjike mbi urën që ende e ndanë Mitrovicën ! Po luajnë koqe vëllaçko. Edhe naj ditë!
Provokimi i Nexhit: më kanë sharë për këto shkrimet e fundit dhe i falenderoj për vlerësimin! Mirëpo provokimin më të madh ma ka bërë Nexh Mitrovica e Jugut duke më ftuar të marrë pjesë në promovimin e një libri për rritjen e një foshnje ( kombi ) kosovar! O Nexh, unë jam rritur nga prindërit shqiptarë dhe rrisë fëmijë shqiptarë sepse kështu na bëri Zoti! Nuk rrisë unë komb kosovar ( bastard gjenetik si kryqëzim i intereseve personale dhe politike ) që e keni ngjizur ti dhe Lil Toshi! Harroje këtë!