Bekim Abdurrahim Maliqi (4.6.1976 – 15.9.1998)

Bekim Abdurrahim Maliqi (4.6.1976 – 15.9.1998)

Në mesin e shumë familjeve shqiptare që u shpërngulën dhunshëm nga vatrat e tyre etnike shqiptare, ishte edhe familja Maliqi. Kjo familje u shpërngul nga fshati Ratkocer, sot në Serbi dhe u vendos në Batllavë, ku jeton edhe tani.
Kjo familje njihet për trimëri dhe heroizëm që edhe më parë dha bijët e vetë për mbrojtje të tokave shqiptare. Kështu vëllezërit Nazif e Murat Maliqi ishin pjesëtarë të batalionit që udhëhiqej nga vëllai i madh i tyre Zymer Maliqi (Hoxha) të cilin kolonel Sylejman Vuçitërna e kishte emëruar komandant batalioni në pikën strategjike të “Vasilevcit”. Në luftimet e zhvilluara në këto anë ata ranë heroikisht fyt për fut me sllavo-çetnikët e Kosta Peçancit më 1943. Amaneti i tyre i fundit ishte “Luftë gjerë në fitore për Shqipërinë etnike”.
Duke folur për këtë familje, Mehmet Breznica ndër tjera thotë se “historia e lavdishme e vëllezërve Maliqi të familjes së madhe Ratkoceri është një histori e gjatë kombëtare. Komandanti i pikës strategjike të “Vasilefcit” Zymer Maliqi-Hoxha me mall dhe respekt në kullën e tij do t’i kujtojë bashkëluftëtarët e tij trima vëllezërit e tij të paepur Nazif dhe Murat Maliqin që ranë në mbrojtje të kufirit verilindor të Shqipërisë Etnike”. Me këtë ndjenjë të aktit heroik për komb dhe atdhe Zymeri tërë jetën do të moralizoi degët e trungut të kullës së tij që mbi të gjitha janë kombi dhe atdheu dhe se “pa komb e atdhe nuk na do Zot as fe”. Mbi këtë doktrinë të përkushtimit të tij dhe mbi këtë moral kombëtar ishte rritur edhe nipi i tij Bekim Maliqi.
Në këtë familje atdhetare, më 4 qershor të vitit 1976 lindi dëshmori i kombit, Bekim Maliqi. Shkollimin fillor e kreu me sukses të shkëlqyeshëm në shkollën e fshatit të lindjes. Po ashtu edhe shkollimin e mesëm, gjimnazin në Besianë e kreu me sukses të shkëlqyeshëm. Më pas u regjistrua në Fakultetin Juridik në Prishtinë. Gjatë shkollimit të mesëm dhe si student u tregua mjaft aktiv si në mësime dhe aktivitete tjera. Sidomos u dallua në artin dramatik ku ushqim shpirtëror e kishte skenën. Ishte anëtar i teatrit amator “Dea” të Besianës ku u tregua shumë aktiv dhe i suksesshëm në interpretimin e roleve që angazhohej.
Gjatë kohës së studimeve ai merrej edhe me punë të tjera ku ishte udhëheqës i një linje të përjavshme të udhëtarëve, në vijën Prishtinë – Grac të Austrisë.
Dhuna e madhe që zbatonte okupatori serb në Kosovë e sidomos në Llap, Bekimit ia shton edhe më shumë dashurinë për Kosovën. Kjo zaten e shtyn që të mendoi më seriozisht për zgjedhjen e kësaj drame të madhe. Urrente armikun dhe gjithnjë mendonte se kur do të vije një ditë që ta shoh Kosovën e lirë.
Tani ai filloi të mendoi për një rol të ri, jo në skenën teatrore, por në luftën çlirimtare. Kështu në qershor të vitit 1998, ai paraqitet në Shalë të Bajgores për t’u radhitur në radhët e luftëtarëve të lirisë. Ushtrimet e para ushtarake i kreu te komandant Kadri Kastrati – Daja. Pasi kreu ushtrimet Bekimi UÇK-së e ndihmoi mjaft në logjistikë. Luftën e UÇK-së e ndihmoi edhe babai i tij Abdurrahimi.
Bekimi mendonte se vetëm me logjistikë nuk po e ndihmon sa duhet UÇK-së. Dhe dëshira e madhe që të jetë pranë shokëve të tij vendos që sërish të shkoi në malet e Shalës së Bajgores. Kështu më 7 shtator 1998 sërish vesh uniformën e UÇK-së në kuadër të Brigadës 152 “Shaban Shala” të ZOLL-it. Një javë pas riaktivizimit të tij në UÇK-së fillon beteja e njohur e 15 shtatorit 1998 që njihet si “beteja e Kaçanollit”.
Hordhitë serbe më 15 shtator 1998 ia mësyn që të depërtojnë në Shalë të Bajgores nëpërmes të fshatit Gegaj (ish-Dobratin) mirëpo Bekimi me shokët e tij ishte në Rrafshnaltën mbi Gegaj apo siç e quajnë shumë në Qafën e Kaçanollit dhe aty i priste forcat e okupatorit për ti zmbrapsur për tri ditë me radhë, që të mos depërtojnë në ato male. Forca të mëdha serbe për tri ditë me radhë me 15, 16 dhe 17 shtator 1998, me një arsenal të madh të armatimit patën sulmuar pozicionet e UÇK-së në Qafën e Kaçanollit, aty ku bashkohet Llapi me Shalë. Beteja e Kaçanollit, ishte një nga fitoret më të mëdha të UÇK-së jo vetëm në planin ushtarak, por edhe atë moral. Kjo fitore e UÇK-së erdhi në një moment shumë të rëndësishëm dhe nga fitorja apo humbja e kësaj beteje varej shumë.
Duke qenë të bindur për këtë edhe forcat serbe kishin nisur forca të shumta për të zhdukur UÇK-së në këtë pjesë. Ata e dinin se Plani i tyre “Patkoi” mund të realizohej shumë më lehtë nëse nuk do të kishte rezistencë në Zonën e Llapit. Por llogarit u dolën gabim. Këtë ua prishën luftëtarët trima të Llapit, të cilët bënë një rezistencë të shkëlqyer duke i shkaktuar forcave dhe makinerisë serbe një humbje shumë të madhe. Në mesin e këtyre luftëtarëve trima ishte edhe Bekim Maliqi.
Edhe kjo betejë, si shumë beteja tjera gjatë historisë, dëshmoi se morali i lartë i luftëtarëve dhe dëshira e madhe e popullit për liri, është më e fortë se tanket e armikut. Në këtë betejë u bënë bashkë dija ushtarake, sakrifica dhe heroizmi i luftëtarëve trima të Llapit, të cilët i dhanë UÇK-së një fitore të rëndësishme. Në këtë betejë, si edhe në shumë beteja tjera, komandantët e UÇK-së luftuan në vijën e parë duke u dhënë moral luftëtarëve.
Armiku këtë ditë kishte nisur një ofensivë të gjerë në veriperëndim të rajonit të Llapit dhe disa fshatra të Shalës me qëllim të shkatërrimit të strukturës ushtarake të UÇK-së si dhe shkëputjes së lidhjeve mes dy zonave operative, Llapit dhe Shalës, që funksiononin në mënyrë më të mirë, por luftëtarët e UÇK-së nuk i frikësonte një gjë e tillë,sepse ishin të vendosur të qëndronin deri në ushtarin e fundit, e të vdesin për liri. Këtë Serbia e dinte shumë mirë dhe me çdo kusht përpiqej ta parandalonte, por nuk arriti dot ta bënte asnjëherë edhe pse forcat në armatim nuk ishin të barabarta, ishte vullneti dhe morali i lartë i luftëtarëve të UÇK-së, ai i cili nuk lëvizte dot nga pozicionet e tyre, e dinin se kishin arsye për të vdekur, ngase i mbronin tokat e tyre stërgjyshore. Kjo betejë, ku shtatë dëshmor ranë në altarin e lirisë, UÇK-në e bëri edhe më të fortë. Morali i saj po ngrihej edhe më lartë, radhët e vullnetarëve për t’u radhitur në këtë formacion ushtarak u shtuan edhe më shumë,si dhe bindja e krijuar nga populli për UÇK-së ishin fakte që tregonin mjaft mirë për suksesin e Betejës së Kaçanollit.
Në ditën e parë të kësaj ofensive Bekimi bie heroikisht duke marr rolin kryesor dëshmor i lirisë. Ai ra dëshmor që të jetoi në liri Valdrini i vogël, e Llapi të rrjedh i qetë, Shala dhe Llapi në Rrafshnaltën mbi Gegaj të takohen kur të duan pa prezencën e thundrës së okupatorit shekullor.
Artisti u flijua për tokën e Kosovës dhe lirinë e saj duke realizuar rolin jetësor që rrallë kush mund ta realizoi. Mori çmimin më të lartë dëshmor i lirisë.
Gjatë këtyre luftimeve ku forcat e UÇK-së treguan trimëri të rrallë dhe korrën suksese të mëdha në luftë kundër armikut të cilit i shkaktuan humbje të mëdha si në njerëz ashtu edhe në teknikë luftarake. Në këtë betejë bashkë me Habib Zekën, Bekim Lushakun, Fadil Sejdiun, Nazmi Zhegrovën, Islam Rekaliun, Selim Rekaliun ra edhe Bekim Maliqi në vijën e parë të frontit. Ishte ndër dëshmorët e parë që ranë në betejën e hapur që u zhvillua mu aty, ku sot qëndron lapidari, që ruan kujtimin për këta dhe dëshmorët tjerë, që ranë në betejat e kësaj ane. Bekimi pas vetes la bashkëshorten Razien, djalin Valdrinin, nënën Bedrie, babai Abdyrrahimin, vëllezërit Besimin, Sherifin dhe motrat Igballen dhe Mërgimen. Pas luftës familja është nderuar me mirënjohje nga Qeveria e Përkohshme, nga UÇK-së, ZOLL-it, nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së. (M. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …