Fuqia e votës së diasporës është rritur shumë. Nga procesi zgjedhor i vitit 2017, ku diaspora votonte përmes postës dhe as 6 mijë vota nuk ishin llogaritur, tashmë mërgata jonë është determinuese për të zgjedhur ligjvënësit e vendit. Sipas kandidatit të Nismës Socialdemokrate që vije nga mërgata, Bekim Brestovcit, këto zgjedhje janë një moment historik për diasporë dhe fuqizimin e saj në vendimmarrje. Megjithatë, sipas tij fuqia e diasporës do të rritej edhe nëse do të mundësohej një proces më i lehtë i votimit. Në këtë drejtim, secili pjesëtar që ka aplikuar për të votuar, ka kaluar nëpër procedura të ngarkuara dhe qesharake, vetëm e vetëm për të qenë pjesë e një procesi të tillë. Andaj, për Brestovcin, format e votimit nga diaspora duhet të jenë të ndryshme dhe jo vetëm një mundësi për një trup votuese rreth gjysmë milioni qytetarë me të drejtë vote. Duke arsyetuar kërkesën e tij rreth votës nëpër pikat diplomatike e konsullore, kandidati i Nismës Socialdemokrate me numër 11 për zgjedhjet e 14 shkurtit, thotë se “Kjo do të kursente kohë dhe para pasi që votuesit nga diaspora nuk do të kishin nevojë të vinin në Kosovë”. Ai poashtu përmend edhe votimin elektronik si një formë të shpejtë dhe efikase, megjithatë tërheq vërejtjen për mundësinë e manipulimit të votave. Një prej formave me koston me të ulët sipas Brestovcit, është edhe metoda që do të lejonte votuesit nga diaspora që të autorizojnë dikë në Kosovë të votojnë në vend të tyre.
