Ish-deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për bllokimin e konstituimit të Kuvendit, duke e quajtur këtë veprim “maskaradë politike”. Ai tha se në seancën e 21 prillit është shkelur rregullorja e Kuvendit nga përfaqësuesit e VV-së, të cilët po pamundësojnë votimin e kryetarit dhe nënkryetarëve. Sipas Haxhiut, kjo është dëshmi se VV nuk ka siguruar shumicën prej 61 votash për të formuar Qeverinë. Ai shtoi se nuk ka pozitë e as opozitë pa një shumicë të qartë parlamentare. Haxhiu kritikoi VV-në për përpjekjen për të imponuar kandidatë pa marrëveshje politike. Ai përkujtoi se VV në të kaluarën nuk i ka votuar kandidatët e pozitës për kryetar Kuvendi. “Pse tani të tjerët duhet ta votojnë kandidatin e VV-së?”, pyeti ai. Reagimi i tij u mbyll me një mesazh ironik ndaj Kurtit: “Herë këtë të enjte, herë në atë të enjte, o Albin boll na rrejte.” Sipas tij, situata aktuale tregon qartë mungesën e mbështetjes për VV-në.
