Familja e madhe e Avdyl Bajramit të Bajram Limonit të Krushës së Madhe të Anadrinit, përherë mirë e organizuar në frontet e rezistencës kombëtare, u rezistoi dhe u qëndroi burrërisht të gjitha stuhive që po i vërsulen shqiptarisë, që prej Lidhjes së Prizrenit, “n’luftë me turk e n’luftë me shkja”, si thonë rapsoditë tona, e deri në Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kthimi i profesor Ukshin Hotit në vendlindje shënon riaktivizimin e djemve dhe nipave të Hotëve, të Durakëve e të Gashëve, të Malësorëve, të Krasniqëve, të Nallëve, të Behrëve e të Dellovëve të Krushës së Madhe, veçanërisht të Ismet Gashit e të Daut Hotit, të cilët i dhanë këmbë e flatra profesorit moderator të shtetësisë shqiptare; me polici dhe ushtri, të cilat së bashku do ta mbronin Kosovën. Përkrahja e Daut Hotit dhe ajo e Ismet Gashit për profesor Ukshinin, ishte e një rëndësie primare në jetën dhe veprimtarinë patriotike të tij, që asokohe e bënte me vetminë e “Rrezinave” në një kasollë ndërmjet Krushës së Madhe dhe Celinës. Profesor Ukshini ishte në krye të ngjarjeve më të rëndësishme, që pjesa më e madhe “zënin fill në Rrezina, e mbaronin kah Prishtina”. Pas kolonës së protestuesve të Janarit të vitit 1990, më 27 janar, te “Laku i Dëshmorëve” në Brestos, në krye të së cilës marshonte profesor Ukshin Hoti, Hotët mbetën pa Halim Hotin, Fetahët e Celinës, pa Agronin, Elshanët e Nagacit, pa Nesimiun, kurse Krasniqët e Hoçës së Vogël pa Hilmiun. Dhe vetëm tetë vite më vonë, Hotët e Krushës së Madhe do të mbeten edhe pa Sinanin, Isakun, Ismetin, Sedatin, Hidanë, Shukriun, Xhemaliun, Agimin e Ragipin, Durakët do të mbeten pa Hysniun, Fitimin e Enverin, Nallët do të mbeten pa Agimin e Samiun, Malësorët do të mbeten pa profesor Muhametin, Behrët pa Dalipin e Gashët pa Ismajlin e Malushit e pa Bekimin e Ismetit sepse Ata, “Djemtë e Krushës”, dajallarët e Xhelal Hajdës – Tonit , me kohë u radhitën në plejadat e Adem Jasharit e të Luan Haradinajt për ta çuar në vend porosinë e Ukshin Hotit “Bëje ose vdis!”. Ata bënë dhe morën përjetësinë; e bënë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në Breg të Drinit të Bardhë e për të ranë në Brestos, në Lugun e Zi të Pashtrikut, në Mileskë në Qafën e Pagarushës e në “Rreze” të Krushës.
Bekim Ismet Gashi, luftëtar i lirisë, sot dëshmor i kombit, është i lindur më 20 qershor 1976, në Krushën e Madhe. Doli nga oxhaku trimëror i Bajram Limanit të njohur anembanë trojeve etnike. I ati Ismeti, i martuar me Minaveren e Nepërbishtit, në një familje të madhe patriarkale u përkujdesën për rritjen dhe shkollimin e të gjithë fëmijëve të familjes, por veçanërisht për Bekimin, të cilin nëna e ëndërronte si jurist – gjykatës i ardhshëm. Shkollën fillore, Bekimi e bëri në vendlindje, në filloren “Bajram Curri” të Krushës së Madhe. Po këtu vazhdon edhe mësimet e mesme, në paralelet e gjimnazit që sot mban emrin e Komandant Tonit, me të cilin Bekimi qe shoqëruar në fëmijëri, e rini, dhe në fund e pati komandant në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Si nxënës i shkollës së mesme merr pjesë në Protestat e Janarit për ta ndezur “Flakën e Janarit” në Rahavec dhe prej 27 janarit të vitit 1990, Bekim Gashi është i organizuar me të gjithë anëtarët e familjes në të gjtiha format e veprimtarisë patriotike, qoftë në manifestimet publike, qoftë në aktivitetet e ilegales ku i kishte të kyçur Ahmetin, Limonin, Isufin, Halitin, Adnanin, Bajramin, Xhavitin, Muharremin, Mifteremin, Ilviun, Setkiun, Ismiun, Isanë, Ibrahimin, Arbenin, Vlorën, Xhemilen e Hysenin, të gjithë xhaxhallarë e kushërinj, si dhe të anë Ismetin.
Pas mbarimit të shkollës së mesme, Bekim Gashi regjistrohet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ku studionin shumë djem e vajza të Gashëve të Krushës së Madhe. Gjatë qëndrimit në Prishtinë Bekimi është në kontakt veprimi me Ismajl Kryeziun, Smajl Latifin, Mensur Zyberajn, Bedrush Gashin, Feim Gashin, Bedri Zyberajn, Muhamet Malësorin, Rexhep Hotin, Arsim Shtërbanin, Afrim Popajn e Fatmir Limajn. Për Bekim Gashin, ato ishin vitet kur shtohej dhuna policore serboçetnike, por edhe koha e vlimeve të veprimit ilegal në Rrafshin e Anadrinit, veçanërisht në Krushë të Madhe, Qëndresë, Fortesë, Drinas dhe Drenaj.
Rrethanat e disfavorshme në të cilat ishte gjetur arsimi shqiptar, ndikuan në formimin e shpirtit temperament të Bekim Gashit. Prandaj çdo herë është në krye të protestave për mbrojten e arsimit shqiptar por edhe në manifestimet për mbështetjen studentore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Më 7 mars 1998 në Has, mbahet takimi mobilizues për funksionalizimin e korridorit logjistik të Hasit i cili kalonte nëpër Krushë të Madhe, Celinë, Fortesë e kah Drenaj, ndërsa pas luftimeve te “Përroni i Keq”, në Krushë të Madhe konstituohet Këshilli i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krye të të cilit zgjedhet i ati i Bekimit, Ismet Avdyl Gashi, i mbështetur nga profesor Muhamet Malësori, sot dëshmor i kombit dhe Ragip Hoti, gjithashtu, dëshmor, i vëllai i profesor Ukshin Hotit. Ky moment ishte vendimtar për Bekim Gashin, Agimin e Sami Nallin, për Bedri Berishën, Hysniun, Fitimin e Enver Durakun, për Hidanë, Isakun, Ismetin, Sedatin, Sinanin, Shukriun e Visar Hotin, Naserin e Sahit Krasniqin e shumë studentë të tjerë, që të pushojnë me “kërkimin e dijes”, t’i ndërprejnë studimet e ta braktisin Prishtinën për të zbritur në Rrafshin e Anadrinit dhe t’u bashkohen kolegëve – studentë: Mensurit e Bedri Zyberajt, Bedrushit, Feimit, Islamit, Florimit, Beqir Gashit e Përparim Thaçit, që tashmë gjendeshin me pushkë në dorë, nëpër male, e që sot janë dëshmorë të kombit, invalidë e veteranë të burgosur. Studenti i Fakultetit Juridik, Bekim Gashi, me vëllezër e kushërinj, e me bashkëfshatarë organizohet në fshatin Drenaj të Anadrinit, ndërsa stërvitjet e para i mbaron në Zatriq. Sulmi mbi fshatin Fortesë, më 18 korrik 1998, kur forcat serbe pretendojnë për të depërtuar në Rahavec, Bekimin e gjeti shumë të vendosur dhe në formën e plotë ushtarake. Merr pjesë në Betejën e Fortesës dhe nuk tërhiqet për asnjë çast, ndërsa rënia e dëshmorëve: Agim Kelmendi, Gani Paçarizi e Tafil Zyberaj nëpër barrikadat – istikamet “Te Mella”, “Te Vorret” dhe në “Bardhabreg”, bëri që Bekimi të forcohet e të qëndrojë heroikisht në Fortesë e në Rahavec, deri në tërheqjen e qytetarit të fundit nga ky zjarr që e pati mbuluar Anadrinin. Në këto luftime për mbrojtjen dhe tërheqjen e popullatës civile rezistoi deri më 2 gusht 1998 nëpër luftimet e frontit të Anadrinit, veçanërisht në “Lugun e Shqipeve” më 26 korrik dhe në “Lugun e Thatë” (Burim i Epërm – Maqinë – Drenaj), ku “Djemtë e Krushës” shkëlqejnë në krye të çdo operacioni. Pas 2 gushtit, edhe kompania e Krushës së Madhe ndjeu nevojën për riarmatosje, sepse Betejat e Anadrinit (Përroni i Keq, Bardhatini, Gardhishti, Drinasi, Bokat e Kromnikut, Apterrushi, Retia, Fortesa, Rahaveci, Lugu i Shqipeve) dhe aksionet guerile e patën dobësuar në rrafshin logjistik Brigadën 124 “Gani Paçarizi”, veçanërisht kompaninë e Krushës së Madhe.
Pas riarmatosjes, me të cilin operacion komandon Xhelal Hajda – Toni, luftëtarët e lirisë vendosen në Rogovë të Hasit e së andejmi në Piranë (familja e Xhavit Elshanit), në Krushë të Madhe (te Malësorët dhe Gashët), në Nagac (te Nuredin, Jakup e Ilvi Gashi) në Hoçë të Vogël (Hamdi Krasniqi e Vefai Gashi) dhe pas këtij zgjerimi Bekim Ismet Gashi vendoset në fshatin Reti dhe emërohet zëvendëskomandant i togut të Policisë Ushtarake të Brigadës 124 “Gani Paçarizi”. Me rastin e vendosjes në Reti, jo larg bazave paramilitare në Zaçisht, në Hoçë të Madhe e në Rahavec, Bekimi gjendet në krye të detyrës me tërë togun e policisë ushtarake, në Betejën e Izbishtit më 25, 26 e 27 tetor 1998, kur nën komandën e Xhelal Hajdës e të Selajdin Mullabazit, edhe një herë thyhen dhe shpartallohen forcat policore e paramilitare, të cilat ndiqen deri në afërsi të Rahavecit dhe deri te aksi rrugor i magjistrales Prizren – Gjakovë. Në aksionet e Bekimit, me policinë ushtarake, forcat serbe pësojnë humbje të mëdha, ndërsa në radhët e bashkëluftëtarëve të Bekim Gashit plagoset rëndë Hasan Asllani.
Në luftimet te “Udhëkryqi i Apterrushit” më 6 nëntor të vitit 1998, Bekim Gashi me kompaninë e Krushës së Madhe shpërthen rrethimin dhe në krye të togut të policisë ushtarake lufton për tërheqjen e të plagosurve. Në këto luftime shkëlqen së bashku me Ismail Gashin dhe Dalip Behrën, sot dëshmorë të kombit.
Rënia e profesor Muahmet Malësorit, Skënder Hamelit, Hysni Durakut, Sinan, Sedat, Hida, Isak e Ismet Hotit, më 3 dhjetor 1998, në Malet e Garazhupit, për Bekimin, për Krushën e Madhe, për Anadrinin dhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës u bë një tronditje e thellë, por Bekimi me Ismail Gashin dhe Ismail Kryeziun vendos për të depërtuar në Hasin, tashmë të gardhuar prej forcave policore, ushtarake e paramilitare serboçetnike.
Më 14 dhjetor 1998, Bekimi gjendet në operacionet për tërheqjen e luftëtarëve të lirisë nga rrethimi në “Lugun e Zi”, kurse së bashku me Dalip Behrën dhe tërë farefisin siguron kolonën e kortezhit prej Krushës së Madhe deri në Palac të Skënderajt, duke shpërthyer bllokadat serbe te Mirusha e Llazica. Më 21 janar 1999, humb bashkëluftëtarin, Skënder Rexhepin, e pas plagëve vdekjeprurëse, më vonë mbetet edhe pa Fitim Durakun. Vazhdon luftën me Ismajl Gashin, Ismajl Kryeziun, Enver Durakun dhe Shefki Thaçin e Rogovës e në Betejat në Grap, Dobërdelan e Qafë të Pagarushës, mbetet edhe pa Shefki Thaçin e pa Enver Durakun.
Policia ushtarake e UÇK-së, në prill zhvillon aktivitete luftarake për t’i marrë pozicionet në fshatrat e Anadrinit, veçanërisht ato bri aksit rrugor të magjistrales Prizren – Gjakovë, ndërsa Bekim Gashi e Dalip Behra veprojnë për të depërtuar në Krushë të Madhe. Për këtë destinacion, krushjanët e pandarë shfrytëzojnë konfiguracionin kodrinor – malor, të valëzuar, që fillon prej Izbishteve, kah “Lis – Dervishi”, nëpër Mileskë (Qëndresë – Nagac – Krushë e Madhe) e arrijnë deri afër “Rrezeve”, së bashku me Afrim Malësorin, Shaban Bajramin e Rasim Zenunin. Në këtë vend Bekim Gashi e Dalip Behra hetohen dhe goditen nga forcat serbe. Rezistenca e mëtejshme ishte e pamundur karshi forcave të mëdha serboçetnike, prandaj më 13 prill 1999 përjetësohen afër “Rrezeve” mbi Krushën e Madhe, aty ku sot shkëlqejnë rrezet e lapidarit për “dy heronj që ranë dëshmorë”, për Bekim Gashin e Dalip Behrën.
Me të rënë, forcat e mëdha policore, ushtarake e paramilitare serbe rrëmbejnë trupat e pajetë të Bekimit e të Dalipit për t’i çuar e varrosur në Varrezat e Qytetit, në Prizren, për t’ua humbur gjurmët, për t’i zhdukur gjurmët e krimeve mbi popullatën shqiptare të Anadrinit e mbi rreth 295 civilëve të vrarë në Krushën e Madhe, me shumë familjarë të Bekim Gashit.
Me të përfunduar të veprimeve luftarake të Brigadës 124 “Gani Paçarizi” në Zonën Operative të Pashtrikut, familjarët Gashi, duke kërkuar shumë të vrarë e të zhdukur, zbulojnë edhe vendin ku ishin varrosur trupat e Bekim Gashit dhe Dalip Behrës. Familjarët Gashi e Behra bëjnë zhvarrimin dhe nën patronatin e Komandës së Zonës Operative të Pashtrikut, organizohet ceremoniali i përcjelljes për dëshmorët Bekim Ismet Gashi e Dalip Isuf Behra, me dëshirë që t’i gjejnë edhe krushjanët e tjerë; dëshmorë e viktima, gjaku i të cilëve skuqi edhe valët e Drinit të Bardhë.
Për heroizmin e Bekim Gashit janë shkruar vargje, janë kënduar rapsodi, janë xhiruar dokumentarë, janë bërë radio – emisione dhe janë shkruar ese, ndërsa fshati Krushë e Madhe është në fazën përfundimtare të punëve për ngritjen e një lapidari të përbashkët ku do të skaliten emrat e dëshmorëve dhe emrat e çdo krushjani, gjaku i të cilit rodhi për lirinë e Kosovës dhe për Bashkimin Kombëtar. E sot, baba Ismet Abdyli i Abdyl Bajramit të Bajram Limanit, së bashku me nënën e Bekimit, Minaveren e me bijë e bija, është krenar për Bekimin dhe për të gjithë të parët që ranë në luftime kundër çdo pushtuesi, është krenar për vuajtjet e kaluara, për gajretin që ka dhe shpreson se do të gjenden nishanët e Atyre që u mungojnë krushjanëve të Bajram Currit, të Ukshin Hotit e të Muhamet Malësorit, shpreson se do t’i gjejë gjurmët e të vëllait Jusufit, të cilin ende me shpresë e presin tetë fëmijë. (S. C.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …