Bekim Lutfi Thaçi (16.6.1968 - 26.4.1999)

Bekim Lutfi Thaçi (16.6.1968 – 26.4.1999)

Më 16 qershor të vitit 1968, Lutfi e Sanie Thaçit nga fshati Reti të Rahovecit u lind fëmija i dytë. E pagëzojnë me emrin Bekim. Në Reti, kushtet ekonomike të familjes nuk ishin të mira, prandaj, kur Bekimi mbushi katër vjet, prindërit e tij, u vendosën në Arbanë (ish-Dushanovë) afër Prizrenit. Në mjedisin e ri, Bekimi po rritej i shëndetshëm e i hareshëm si engjëll i bekuar.

Në moshën 7-vjeçare u regjistrua në shkollën fillore “Ibrahim Lutfiu” të Arbanës. Ishte nxënës i dalluar në mësime e në edukatë.

Shprehte dashuri ndaj shokëve e respekt ndaj mësimdhënësve. Pas shkollës fillore, regjistrohet në shkollën e mesme të rniekësisë në Prizren. Aty, po ashtu me sukses të dalluar, mbaron drejtimin për farmaci. Njohuritë që merr në këtë drejtim, i japin vullnet e impuls që në çdo kohë ta ushtrojë profesionin e punëtorit mjekësor. Prandaj, këtë profesion do ta ushtrojë edhe gjatë kohës së shërbimit ushtarak në të ashtuquajturën Armatë Popullore e Jugosllavisë në Beograd, gjatë vitit 1988. Shkuarja në këtë armatë e pengon atë t’i vijojë studimet në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prizrenit, në drejtimin kimi-fizikë. Studimet nuk i vijoi as pas mbarimit të shërbimit ushtarak, për shkak të situatës së krijuar edhe në fushën e arsimit, nga politika ultrashoveniste e pushtuesit serb, në vitet 1989 e tutje. Ndaj kësaj situate, Bekimi nuk qëndron pasiv. Ai merr pjesë në të gjitha lëvizjet masive kundër shtypjes serbe, të zhvilluara në Prizren e kudo në Kosovë, në vitin 1989, 1990 e më vonë.

Pas gjysmës së viteve 90, shkon në Gjermani, ku kishte dy vëllezër, Fehmiun e Avniun. Atje qëndron rreth një vit e gjysmë, pa punë. Kthehet në Kosovë në momentin kur ajo kishte nevojë për dalëzotësit e saj. Kthimin e tij e pritën me gëzim prindërit, Lutfiu e Sania, motra Afërdita, bashkëshortja, Hysa dhe dy loçkat e zemrës, fëmijët, Ardiana dhe Endriti. Veçanërisht gëzimin e kishte shprehur vajza Ardiana, e cila, ndonëse në moshë të vogël, kishte filluar ta kuptojë përmbajtjen e fjalës baba. Ajo edhe sot ruan si kujtimin më të çmueshëm fustanin, të cilin ia kishte sjellë i ati, pas kthimit nga mërgimi.

Tërbimi i pushtuesit serb dhe i makinerisë së tij ushtarake, pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, në mars të vitit 1999, detyrohet të largohet nga shtëpitë edhe popullata shqiptare e Arbanës. Ishte larguar dhe vendosur në Prizren edhe familja e Bekimit. Në shtëpi kishin ngelur vetëm Bekimi me të atin, Lutfiun. Mirëpo, edhe për këta nuk ishte i mundshëm qëndrimi i mëtejshëm në shtëpi, prandaj, më 28 mars, lëshojnë shtëpitë së bashku me kushërinjtë Ulemanin, Bashkimin, Nebihun e me banorë të tjerë të lagjes, të mbetur deri atëherë në shtëpitë e tyre. Atë ditë arrin në Kukës, ku vendos të radhitet në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Më 30 mars paraqitet në qendrën rekrutuese të UÇK-së në Kukës. Bashkë me të në këtë qendër praqiten edhe kushërinjtë e tij, Nebihu e Besimi. Ditët e ardhshme do t’i kalojë në qendrën e stërvitjes ushtrake të UÇK-së në Kalimash. Ndërkohë, derisa qëndron në Kalimash, dy herë arrin ta vizitojë familjen e vet në Kukës. Ishte koha kur UÇK-ja po përgatiste operacionin e përqendruar për thyerjen e kufirit ndërmjet Kosovës e Shqipërisë dhe për mposhtjen e forcave serbe të fortifikuara në këtë kufi. Ky operacion ishte parashikuar të ndërmerrej në zonën e Koshares. Prandaj, përkrah luftëtarëve të tjerë të lirisë, edhe Bekimi, rreth datës 10 prill arrin në vijën e frontit në Koshare. Atje vendoset në pozicionet e pikës ushtarake A 777, bashkë me dëshmorët Fetah Sylejmani, Abaz Thaçi e me luftëtarë të tjerë. Në këtë pikë komandonte eprori Abaz Thaçi nga Drenica.

Përveç luftës me armë, në vijën e luftimit, Bekimi kryente edhe rolin e mjekut e të punëtorit shëndetësor në përgjithësi. Në regjistrin e pjesëtarëve të UÇK-së, të cilët në mes datave 9 e 10 prill 1999, nisen nga Kalimashi në Koshare, ku pas emrit të ushtarit, shkruante edhe për profesionin, për Bekimin ishte theksuar detyra e mjekut. Për dhënien e ndihmës mjekësore ushtarëve të plagosur, me të ishte angazhuar edhe bashkëluftëtarja, Leonora Gjinovci. Luftimet në kufi vazhduan ditë e natë. Heroizmin e UÇK-së, si ushtar i komandantit legjendar Adem Jashari, po e dëshmonte edhe luftëtari Bekim Thaçi. Gjashtëmbëdhjetë ditë luftime të pandërprera ishin të gjata që të mos i rrezikohej jeta. Ky moment arrin në mbrëmjen e 26 prillit. Gjatë ditës, ai së bashku me dëshmorin Fetah Sylejmani nga Shajna e Sharrit, kap të gjallë korrierin rus të një oficeri të ushtrisë serbe. Kjo ngjarje bëri bujë. Mirëpo, luftimet e mbrëmjes nuk arrin t’i mbijetojë. Arma e pushtuesit serb e godet me shumë plumba në trup. Në shkresën e lëshuar nga spitali i qytetit Bajram Curr, lidhur me pranimin e trupit të dëshmorit Bekim Thaçi, shkruan se ai ishte sjellur me shumë plagë plumbash në trup. Ky fakt dëshmon se luftimet ishin zhvilluar në afërsi të madhe, siç ia konfirmon pas luftës, të atit të Bekimit, njëri prej eprorëve të Brigadës 138 të UÇK-së, Fadil Hadërgjonaj. Ky fakt, po ashtu dëshmon se luftimet kundër pushtuesit, në fushën e betejës ishin zhvilluar ballë për ballë, që shton edhe më shumë krenarinë e prindërve që e kanë lindur, të familjes së tij, të pasardhësve dhe të tërë Kosovës për ushtarin e UÇK-së, siç ishte Bekimi.

Dëshmori Bekim Thaçi varroset më 27 prill të vitit 1999, në varrezat e qytetit Bajram Curr. Në drurin e varrit shkruante: Bekim Muhamet Thaçi. (Emri i babës figuronte i shkruar gabimisht). Katër muaj më vonë, më 23 gusht 1999, rivarroset në varrezat e Koshares, ku prehet edhe sot. Varrin e tij e vizitojnë dhe bëjnë nderime te ai, çdo përvjetor të betejës e të rënies, anëtarët e familjes, prindërit, vëllezërit, motra, bashkëshortja dhe fëmijët e tij. Madje, Endriti, tashmë edhe simbolikisht është i lidhur me Kosharen: ditëlindja e tij, 9 prilli, simbolizon datën e thyerjes së kufirit në Koshare, edhe me gjakun e t’ët dëshmor.

Pas përfundimit të luftës, familjes së dëshmorit Bekim Thaçi iu dorëzuan, ora e dorës dhe unaza e tij, si shenja identifikuese të mbajtura deri atëherë në spitalin e qytetit Bajram Curr. Ato, sot, për të dashurit e tij janë shenja të çmueshme kujtimi.

Në shenjë nderimi për veprën dhe sakrificën sublime në dobi të lirisë së Kosovës, për dëshmorin Bekim Thaçi janë dhënë disa fletëfalënderime, pllakata të galvanizuara në ar, e mirënjohje të tjera. Të tilla mirënjohje kanë dhënë Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, Brigada 138 e UÇK-së, Shoqata e Familjes së Dëshmorëve e të tjera. (N. M.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …