Njëri ndër shumë të rinjtë e fshatit Saradran të komunës së Burimit (ish-Istog), që u radhit në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e që flijoi jetën për lirinë e Kosovës, ishte edhe Bekim Mavraj. Pas formimit të njësiteve të UÇK-së, të cilat si formacione të brigadës 133 “Adrian Krasniqi” të UÇK-së që vepronin në trevën e Lugut të Drinit të Zonës Operatibve të Dukagjinit, për Bekimin nuk egzistonte dilema nëse duhaj apo jo të kapte armën që ta luftonte pushtuesin shekullor serb. Prandaj, me devotshmërinë e luftëtarit të vendosur radhitet në njësitin ushtarak të fshatit të tij, të cilin e komandonte kushëriri dhe bashkëluftëtari Demush Mavraj. Me automatikun e tij ai dëshmoi çdo herë aftësi e guxim, i denjë për të gëzuar epitetin çlirimtar. Devotshmërinë për luftën çlirimtare e dëshmon edhe me aktin e vënies së shtëpisë në shërbim të UÇK-s2ë, duke e bërë atë shtab lokal.
Dëshmori Bekim Mavraj ka lindur më 1 gusht të vitit 1977, në Saradran. Prindërit e tij, Seferi e Sevdia rritën edhe tre djemë: Xhemaqilin, Florimin e Agimin. Meqenëse nuk arriti ta vazhdojë shkollimin e mesëm, Bekimi u martua në moshë të re, nga e cila martesë i lindën djemtë Butrinti e Besmiri.
Bekimi e ka kryer shkollën fillore në fshatin e lindjes, pas së cilës merret me punë bujqësie. Sidomos merret me kultivimin e rasatit të kulturave të kopshtarisë, me të cilin edhe siguron të ardhurat ekonomike për nevojat e familjes. Prodhimet e tij i shet në Pejë e në qendrat përreth, por shpesh edhe në ato të Malit të Zi. Në pranverë të vitit 1997, kishte shkuar në këtë vend për të shitur rasat specash, mirëpo, në vend që nga atje të kthehej me para të fituara, në shtëpi kthehet i rrahur e i maltretuar fizikisht nga policia serbe. Sigurisht, jo për shka të ndonjë kundërvajtjeje, por për shkak të urrejtjes antishqiptare dhe të politikës e cila kishte për qëllim t’ua pamundësonte shqiptarëve mbijetesën ekonomike.
Pas 24 marsit të vitit 1999, kur mbi caqet e forcave militariste serbe filloi fushata bombarduese e NATO-s, kundër këtyre forcave u mobilizuan edhe shumë burra të familjes së gjerë Mavraj të Saradranit, si Demushi, Ibishi, Muja, Nazmiu, Valdeti e të tjerë. Në mesin e tyre edhe Bekimi. Në këtë kohë, popullata civile ishte detyruar që për shkaqe sigurie të largohet nga shtëpitë e veta e të strehohet në vende më të sigurta e të mbrojtura nga njësitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndërkohë, forcat e pushtuesit serb kishin zënë pozicionet në vendet përreth prej ku sulmonin dhe granatonin pandërprerë në drejtim të popullatës civile e të pozicioneve të UÇK-së. Në këto rrethana angazhimi kryesor i çlirimtarëve ishte mbrojtja e popullatës civile që ajo të mos binte në duart e forcave agresore, të cilat bënin masakra të lemerishme kudo që mundnin. Tashmë edhe luftëtarët e Saradranit merrnin pjesë kudo në vijat e luftimit, duke ndihmuar bashkëluftëtarët e tyre, në fshatrat, si Lutogllavë, Nabërgjan, Terstenik, Kashicë e ne fshatrat e tjera të Lugut të Drinit.
Në fillim të muajit maj 1999, forcat agresore serbe ndërmarrin ofensivë të përqendruar në fshatrat e kësaj treve, me qëllim të spastrimit etnik të saj, duke përzënë me dhunë e terror popullatën shqiptare në drejtim të qytezës së Klinës e më tej në drejtim të kufirit me Shqipërinë administrative. Në përpjekje për ta mbrojtur popullatën e kërcënuar, më 7 maj, në fshatin Kashicë, në fushën e nderit bie komandanti i njësitit ku vepronte Bekimi, Demush Mavraj, së bashku me bashkëluftëtarët Luan Krasniqi e hamdi Çetta, që të dy nga Tersteniku. Humbja e bashkëluftëtarit nuk e dekurajon bekimin me shokë, që deri në fund të përpiqet për ta mbrojtur popullatën e rrezikuar, si dhe territoret e lira që të mos shkelen nga këmba e kriminelëve serbë. Në këto përpjekje e sipër, vetëm një ditë më vonë, më 8 maj 1999, në fushën e nderit, afër Urës së Drinit në fshatin Trubuhovc bie edhe Bekimi. Aty bie edhe kushëriri tjetër i tij, Ibishi, ndërsa në pika të ndryshme të luftimit, atë ditë, në këtë trevë bien edhe rreth 15 dëshmorë të tjerë.
Disa ditë pas përfundimit të luftës çlirimtare, trupi i Bekimit u gjet afër vendit të rënies dhe bashkëluftëtarët e varrosin në varrezat e fshatit të lindjes, në mënyrë ceremoniale e me nderime ushtarake. Mirëpo, aty nuk gjendet edhe trupi i dëshmorit Ibish Mavraj. Atë, kriminelët serbë e tërheqin deri te shtëpia e axhës së tij, Selimit, ku digjet së bashku me shtëpinë.
Sot, figurat e tre dëshmorëve të rënë më 7 e 8 maj të vitit 1999, Bekim Mavraj, Ibish Mavraj e Demush Mavraj qëndrojnë krah për krah njëra-tjetrës në bustin e ngritur në fshatin Saradran. Ndërsa, dekoratat dhe mirënjohjet e shumta të dhëna nga institucionet e dala nga lufta çlirimtare, dëshmojnë nderimin për veprën e pavdekshme të këtyre dëshmorëve. (N. M.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …