leoni

Bekim Xhemajl Hysenaj (8.3.1974 – 21.3.1999)

Bekim Xhemajl Hysenaj (8.3.1974 – 21.3.1999)

Bekim Xhemajl Hysenaj, u lind në fshatin Abri e Epërme komuna e Drenasit më 8 Mars të vitit 1974, në një familje të madhe me shumë anëtarë për rreth vetës, me tradita patriotike. Në formimin e Bekimit ndikuan pozitivisht, rrethi i ngushtë familjarë, gjyshi, gjyshja, babai Xhemajli, nëna Zelfia, xhaxhallarët, dajallarët e rrethi i kushërinjëve të tij.
Bekim Hysenaj hapat e parë të shkollimit të tij i fillon në vitin 1981, pranë shkollës fillore “Shotë Galica” të fshatit ku ka lindur. Shkollën e kishte afërsisht dy kilometra nga shtëpia e tij, ku çdo ditë e Ëma e tij e percillte për në shkollë, të veshur mirë e të pastruar mirë deri tek rruga kryesore.
Bekimi, mbas shpërnguljes nga fshati, e ka vazhduar shkollimin në shkollën fillore “Bashkimi”, në Drenas që nga klasa e gjashtë e tutje,. Po ashtu Bekimi ka vazhduar dhe ka përfunduar shkollimin e mesëm në drejtimin e Veterinarisë pranë shkollës së mesme të gjimnazit “Skënderbeu” në Drenas.
Bekimi, qysh i ri iu bashkohet demonstratave kundër pushtuesit që organizoheshin në komunën e Drenasit. Ndër ato më të ashprat ishin demonstratat e fund shkurtit dhe fillim marsit të vitit 1998, menjëherë mbas përballimit së parë mes UÇK-së dhe forcave serbe, në rastin që kishte ndodhur në fshatrat Likoshan-Qirez.
Në një prej demonstratave guximi i Bekimit befason të gjithë demonstruesit prezent. Siç na rrëfejnë familjarët dhe pjesëmarrësit që ishin në këtë demonstratë, në një lëvizje të një automjeti të rëndë të policisë serbe autoblindë, Bekimi del nga turma dhe hip mbi autoblindë e heq flamurin serb dhe e vendos flamurin shqiptar me gjithë kërcënimet e policisë drejtuar armët nga ai, ai nuk ndalon dhe e kryen veprimit e tij prej atdhetari. Bekimi ka qenë i ndjekur nga pushtuesi okupator serb.
Nga momenti i demonstratave të 1, 2 dhe 3 Marsit 1998, Bekimi me vëllain Asllanin ishin pothuajse në ilegalitet dhe në kërkim të celulave të UÇK-së. Ata ranë në kontakt më shumë celula por së bashku vendosën të nisen për në zonën e Dukagjinit me të vetmin qëllim që të ishin më afër kufirit me Shqipërinë dhe të gjenin rrugën sa më të shpejtë për të shkuar në Shqipëri dhe për t’u armatosur e më pastaj për të iu kthyer vendlindjes së tyre, Drenicës.
Më datë 10 Maj 1998, Bekimi dhe i vëllai, nisen së bashku për në fshatin Këpuz Komuna e Klinës, dhe ndalojnë në shtëpinë e Sahit Berishës të cilin e kishin edhe mik shtëpie. Aty në atë fshat pak ditë më herët ishte formuar njësiti diversant i UÇK-së i udhëhequr nga Komandant Agim Zeneli – “Çergashi”, tani më dëshmor i kombit. Takimin e parë e realizojnë me Komandantin e njësisë Agim Zenelin. Ai i përgëzon për gatishmërinë dhe guximin që e kanë marrë për të iu bashkuar radhëve të UÇK-së, dhe u kërkon që të qëndrojnë pak ditë tek miku i tyre, për ta parë dhe vlerësuar situatën e mundësisë së dërgimit të tyre për Shqipëri. Me datë 12 Maj 1998, eskalon situata në fshatin Këpuz, dhe fillon të sulmohet fuqishëm nga ana e forcave serbe. Njësia e UÇK-së që ishte në fshat fillon organizimin në mbrojtjen e pozicioneve të veta, duke i armatosur dhe angazhuar në radhët e veta drejtpërdrejt, edhe dy vëllezërit e ardhur nga Drenica, Bekim dhe Asllan Hysenaj, në mbrojtje të fshatit Këpuz.
Për herë të pare u vendos në pikën e luftës në fshatin Këpuz komuna e Klinës. Në zonën e Dukagjinit i ka furnizuar me armë pjesëtarët e UÇK-së
Ka marrë pjesë në stërvitjet ushtarake që janë realizuar në fshatrat për rreth lumit “Drinit I Zi” siç janë; Këpuz, Çeskovë, Dellovë, Volljakë, Çupevë, Sverrkë, Cerrmjan, Logjë e deri në Jabllanicë. Ndërkohë komandantët t tij e kishin angazhuar edhe si instruktor stërvitjeje nëpër këto fshatra. Po ashtu ka marrë pjesë edhe në sigurimin e perimetrit të rrugës nga Kufiri me Shqipërinë deri në Malishevë, për transportimin e ushtarëve dhe armatimit për zhvillimin dhe rritjen e UÇK-së.
Në fillim ka qenë pjesëtarë në njësitin diversant te UÇK-së në fshatin Këpuzë të udhëhequr nga Komandant Agim Zeneli, në zonën e Dukagjinit. Ndërsa në fund te muajt Gusht 1998 me dëshirën e tij, është transferuar në zonën e Drenicës ku ka shërbyer në Batalionin II Kompania e II të Brigadës 113 “Mujë Krasniqi” të UÇK-së, deri në rënien dëshmorë i kombit. Pra dëshmori i kombit Bekim Hysenaj ka vepruar në dy zona atë të Dukagjinit dhe të Drenicës.
Bashkëluftëtarët e tij më të ngushtë kanë qenë: Agim Zeneli, Asim Demaku, Asllan Hysenaj, Sahit Berisha, Hetem M. Smakiqi, Gani T. Zeneli, Kujtim Hoti, Arbnor S. Zeneli, Nusret Pllana, Jahir Demaku, Isa Xhemajli, Imer Deliu, Fatmir Kiçina, Afrim Hysenaj, Bekim Rama, Naim Bazaj, Muharrem Gashi, Sali Franca, Tafil Spahiu, Qerim Limani, Tahir Tahiri, Mejdi Ilazi, Shefqet Limani, Musli Jonuzi, Bekim Gashi, Rexhep Hoxha, Shpëtim Heta etj…
Aksionet dhe betejat që ka marrë pjesë dëshmori i kombit Bekim Hysenaj me bashkëluftëtarë janë të shumta si në fshatrat Këpuzë, Çeskovë, Volljakë, Çupevë, Sverrkë. Aksioni i muajit të parë që kishin ndërmarrë në Këpuz, në shkatërrimin e një helikopteri ushtarak të forcave serbe. Ai aksion ka ndodh me 21 maj 1998 i organizuar nga komandanti Agim Zeneli në formën e patkoit. Më pas aksionet për sigurime të mjeteve për transportin e ushtarëve. Aksioni në fshatin Cermjan të Gjakovës, ku kanë siguruar një autobus për transportin e ushtarëve nga Gllogjani deri në Malishevë. Aksioni për sigurimin e mjeteve mjekësore në seperacionin e fabrikës së Volljakës. Ato medikamente i kanë dërguar në fshatin Jabllanicë ku ishte edhe Spitali Ushtarak për nevoja ushtarake.
Aksioni i radhës ishte kur kanë dalur në aksin e rrugës Klinë-Gjakovë në ndaljen dhe kontrollimin e automjeteve në qarkullim. Aksioni dhe rasti i sulmit në qytetin e Rahovecit, ku shtabit të njësisë i është kërkuar ndihmë me marrë pjesë në atë aksion. Aksioni tjetër i radhës ka qenë në fshatin Logjë të Pejës, se bashku me Agim Zenelin dhe Bekim Hysenaj. Pjesëmarrja në betejën e fund shtatorit 1998 në fshatin Baice, në lagjen e “Zariqeve” se bashku me bashkëluftëtarin, Asim Demaku dhe me të tjerët, Bekimi ishte prijësi i kësaj beteje, ku forcat serbe pësuan rendë në njerëz e makineri ushtarake. Pjesëmarrja ne betejën shumëditëshe nga mesi deri ne fund marsin e vitit 1999, ne fshatin Terstenik tek “Ura e Spahisë”, ku po ne këtë beteje nga një predhe e granatës bie dëshmor kombi Bekim Hysenaj. Bekimi ka edhe aksione tjera, që për më shumë janë të përfshira në monografinë personale që i kushtohet këtij dëshmori, e cila pritet shpejt te dal ne botim.
Dëshmori i kombit, Bekim Hysenaj, ka qenë i plagosur në këmbë, gjatë aksioneve që i ka kryer në frontet e zonës së luftës në Dukagjin. Gjatë luftimeve në fshatin Tërstenik, aty është plagosur rëndë, bashkëluftëtarët u munduan me çdo sakrificë, dhe me të gjitha mundësit ta bartin për në spitalin e UÇK-së për të ia shpëtuar jetën, por ishte e pamundur, plagët e marra qenë vdekjeprurëse, dhe dëshmori ndërron jetë gjatë rrugës drejt spitalit. Bekimi ndërroj jetë atë ditë, në kushte jo të zakonshme, ne gjendje dy luftimi përballë me armikun tek “Ura e Spahisë” në fshatin Tërstenik. Bekim Hysenaj, bie dëshmorë ditën e diel, me datë 21 Mars 1999 rrreth orës 16:30, nga një copë e granatës, e cila i kishte depërtuar tej përtej gjoksit të tij. Me detyrë ka qenë Komandant Skuadre, gjatë muajit Mars 1999 ka qenë kadet i shkollës Ushtarake “Hamëz Jashari” në fshatin Negroc, ku ka përfunduar me sukses të lartë kursin ushtarak dhe ka marrë titullin “Komandues Skuadre” .
Bekim Hysenaj, është varrosur me Ceremoni Ushtarake, ditën e hënë me datë 22 mars 1999, mes orës 13-14. Paraprakisht nga ora 10-13, janë bërë homazhe me roje nderi nga pjesëtarët e UÇK-së.
Bekimi ka qenë i martuar dhe jetën bashkëshortore e ka lidhë me Elfete Vitija nga Lagja e “Vranjevcit”-Prishtinë. Fati ka qenë i tillë që jeta e tyre bashkëshortore ka qenë shumë e shkurtër, ajo bashkëshortësi ka zgjatë vetëm një vit e nëntë muaj. Janë njohur në gushtin e vitit 1997, ishin martuar në fillimin e Tetorit 1997, dhe më rënien e Bekimit dëshmor, këputet në mes jeta e një çifti, që kishin lindur për njëri tjetrin. Fati deshi që këtyre dy bashkëshortëve, në fillim dhjetorin e vitit 1998, pikërisht më 6 dhjetor, 1998, në kohë lufte, u vie në jetë një vajzë, të cilën e pagëzuan me emrin, DONIKË. Bekimi, e përjetoi të qenurit BABA, afërsisht vetëm katër muaj, kur ai edhe bie dëshmorë, me 21 Mars 1999. Bekim Hysenaj është dekoruar me titullin “Hero i Kosovës” nga Institucioni më i Lartë i shtetit, nga Presidenti i Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi, me 18 maj 2020. (Afrim Hysenaj) – Feniksët e Lirisë 19

Kontrolloni gjithashtu

Shaban Bislim Shabani (10.6.1949 – 31.3.1999)

Shaban Bislim Shabani (10.6.1949 – 31.3.1999)

Luftës për çlirimin e vendit nga okupatori serb Açareva i ka dhënë dëshmorët: Shaban Shabani, …