Bellanicës po i ndryshohet pamja për të mirë

Fshati Bellanicë i komunës së Malishevës, është njëri prej fshatrave më karakteristik, pasi është prej atyre vendbanimeve të rralla në vend, që vet banorët e ruajnë hapësirën publike, si dhe është një prej  fshatrave që shumë rrugë e trotuare dhe projekte të ngjashme në të mirë të banorëve, i kanë realizuar vet, ose me bashkëfinancim, por investimet komunale, kanë qenë më të pakta. Për këtë qëllim, edhe Komuna e Malishevës, është duke i bërë disa investime këtë vit, përmes së cilave, këtij fshati po i ndryshohet pamja për të mirë.

Drejtoria e Urbanizmit, përkatësisht drejtori Ahmet Morina, ka bërë të ditur se në këtë fshat, janë duke u realizuar disa projekte, që do të ndikojnë në mirëqenien e banorëve, pasi lidhen direkt me jetesën dhe veprimtarinë e banorëve të Bellanicës. “Kemi investuar kohë më parë në kanalizimin e fshatit, ndërsa tani është duke u ndërtuar edhe një kilometër kanalizim për lagjen e Sertollëve. Ky projekt po realizohet krahas projekteve tjera në Bellanicë”, ka thënë Morina.

“Kemi filluar dhe presim që deri në fund të javës, rruga kryesore e fshatit, të ndriçohet, ndërsa janë duke u shtruar edhe disa rrugë brenda lagjeve. Po ashtu, kemi filluar edhe projektin e ndërtimit të fushës së sportit në ambientet e shkollës së fshatit, fushë e cila përveç nxënësve, do të shërbej edhe për të rinjtë e fshatit, kurse fusha do të jetë sipas standardeve” ka deklaruar drejtori i urbanizmit, Ahmet Morina, drejtori e cila i udhëheq dhe mbikëqyr realizimin e projekteve.

“Banorët e Bellanicës, i meritojnë këto investime, sikur çdo vendbanim tjetër në Malishevë, por ruajtja e hapësirës publike nga vet banorët, ruajtja e hapësirave të gjelbra, vetiniciativa për shumë projekte në fshat, na ka bërë neve, që të investojmë në projekte, të cilat e bëjnë Bellanicën, një vendbanim tërësisht të urbanizuar, duke e marrë pamjen e një qyteti të vogël”, tha Morina.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …