Beqir Sefë Gashi (3.1.1966 -14.12.1998)

Beqir Sefë Gashi (3.1.1966 -14.12.1998)

Fshati Mleçan i komunës së Malishevës është i njohur në tërë Kosovën e më gjerë, sepse nga ky fshat ishte rapsodi i njohur i këngëve kreshnike Sefë Mleçani, i cili kishte bërë emër me zërin e tij karakteristik, duke iu kënduar këngë kreshnikëve si Muji e Halili, por edhe heronjve tanë kombëtarë. Kush ka pasur fatin të dëgjojë këtë rapsod të rrallë të këngëve kreshnike nëpër dasma e gazmende, kurrë nuk do ta heqë nga kujtesa këtë rapsod, i cili gjatë interpretimit të këtyre këngëve krijonte aso skenash sa të dukej se edhe ti je bashkëpjesëmarrës i atyre ngjarjeve.
Këtë dhunti të rrallë Sefa e kultivoi edhe te pasardhësit-te gjashtë djemtë e vet : Imeri, Osmani, Xhaferi, Ibrahimi, Beqiri e Ismeti, të cilët, përveç që këndonin shpesh së bashku me të, ata u bënë të njohur në tërë Kosovën e më gjerë në kultivimin e këngëve patriotike, duke frymëzuar kështu brezat e rinj me një frymë të shëndoshë kombëtare. Duke nuhatur këtë veprimtari atdhetare, që e kultivonin nëpërmjet këngës, pushteti serbo-jugosllav e kishte halë në sy këtë familje. Kështu, vëllai i Beqirit, Ismeti, gjatë shërbimit ushtarak në Ohër, në vitin 1982-1983, është dënuar me 3 vjet burg për veprimtari kundërrevolucionare, si dhe për shkak se në këngët që i këndonte- madhëronte heronjtë e Shqipërisë. Edhe vëllai tjetër i Beqirit, Osmani, në vitin 1981 është dënuar me dy muaj burg, për shkak të një konflikti që kishte pasur me një femër malazeze, si dhe për shkak se në dasma po këndonte këngë, që madhëronin Shqipërinë. Edhe gjatë luftës së fundit familja e madhe e Beqirit hoqi të zitë e ullirit, duke u përballur me rreziqe e vështirësi të shumta. Shtëpia e familjes së Beqirit u granatua dhe u bë rrafsh me tokë nga forcat serbe që në ofensivën e parë, andaj familja e tij për një kohë u detyrua të vendoset në fshatin Tërdec e në Prishtinë, prej nga u kthye prapë në Mleçan. Më 12 nëntor 1998, siç rrëfejnë vëllezërit e Beqirit, forcat policore-paramilitare serbe kanë vrarë vëllanë e tyre, Xhaferin, para oborrit të shtëpisë në momentin kur ishte duke iu çuar ca gjëra të nevojshme luftëtarëve të lirisë, që ishin vendosur në shkollën e fshatit, si dhe janë plagosur vëllai i Beqirit, Imeri, dhe Atifetja, mbesa e Beqirit.
Edhe Beqiri, qysh kur ishte shtatë-tetë vjeç, filloi të këndojë së bashku me babanë e vet, Sefën, nëpër dasma e ahengje anembanë Kosovës. Kur Sefën e rroku pleqëria e thellë dhe kur më s’mund të shkonte nëpër dasma, vendin e tij e zinin djemtë e tij, por, kuptohet, ata kultivonin më tepër këngë historike-patriotike me një taban vërtet kombëtar. Kështu zëri i “bijve të Sefës”, siç janë të njohur në tërë Kosovën, filloi të jehojë nëpër oda e dasma shqiptare. Beqiri ishte zemra e shpirti i këtij “ansambli” në miniaturë, njëri ndër ata që i jepte gjallëri këtij “kori” burrash. “Në ndonjë dasmë ndodhte ndonjëherë që s’mund të na shoqëronte Beqiri, kujton me mallëngjim ato vite, kur këndonin së bashku, vëllai i tij Ibrahimi, dhe hiqnim të zitë e ullirit për ta kompensuar mungesën e tij”.
Beqiri lindi më 3 janar 1966 në fshatin Mleçan të komunës së Malishevës. Katër klasë të shkollës fillore i kreu në fshatin e lindjes, ndërsa katër të tjera në Kijevë. Pas kryerjes së shkollës fillore vazhdoi shkollën e mesme-mësimi i orientuar-dy vjet në Kijevë, ndërsa dy vjet të tjera-drejtimin matematiko-natyror-në Klinë. Ka pasë regjistruar Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë-drejtimin e matematikës- dhe i ka pasë dhënë 5-6 provime, por për shkak se e patën marrë në shërbimin ushtarak, rrethanave që u krijuan dhe fillimit të luftës, kjo dëshirë nuk iu realizua. Merrej ngapak me tregti, për të siguruar ekzistencën e familjes së madhe-shumanëtarëshe. Beqiri ishte një tip temperament, reagonte aty për aty, atëherë kur hetonte ndonjë padrejtësi, apo kur shkileshin të drejtat e shqiptarëve. Kështu edhe kur ishte ushtar në Vis të Kroacisë ai qe maltretuar psikikisht nga eprorët e armatës jugosllave me pretekst se ngjallte urrejtje ndërnacionale në mesin e ushtarëve.
Në vitet ’89-’90, kur në mbarë Kosovën mbahen demonstrata kundër regjimit të Beogradit, që shtypte me zjarr e hekur popullin shqiptar të Kosovës, Beqirin do ta gjejmë në ballë të demonstratave në Klinë, Prishtinë e gjetkë.
Në vitin 1991, për shkak të një konflikti që kishte pasur me një polic, e maltretojnë shumë rëndë në stacionin e policisë në Malishevë dhe e dënojnë me dy muaj burg.
I frymëzuar me ideale kombëtare nga i ati i tij,Sefa, ai qysh herët fillon të merret me veprimtari atdhetare ilegale, sidomos lidhje të ngushta ilegale ka pasur me trimin Mujë Krasniqi (Beqiri ishte mik i Mujë Krasniqit, ai kishte për bashkëshorte motrën e Mujë Krasniqit, Ganimeten. Në dasma këndonte së bashku me vëllezërit dhe me Mujën, pothuajse ishte i pandashëm nga ai), në vitet ’94-’95 e sidomos në vitet ’96-97, kur i vë kontaktet e para me luftëtarët e lirisë, që luftonin nën emblemën e UÇK-së. Atëherë, kur e kupton se armiku nuk do të shporrej kurrë me fraza e këngë, Beqiri lë këngën dhe rrok armën. Për ta kryer këtë punë ndaj atdheut në mënyrë sa më të denjë, ai shkon në Shqipëri dhe atje i kryen për disa ditë stërvitjet ushtarake.Pas këtyre stërvitjeve, në maj të vitit 1998, caktohet në Pikën e Çabiqit, së bashku me Mujë Krasniqin, Agronin e Imerit, Ylberin e Xhaferit, Ibish Bajram Gashin e të tjerë, ndërsa në fund të qershorit të po këtij viti, duke parë nevojën e madhe për armë, ai, së bashku me Mujë Krasniqin, Avni Krasniqin (vëllanë e Mujës), Ibish Bajram Gashin, Ylberin e të tjerë, shkon në Shqipëri dhe prej andej kthehet në Kosovë, në vijën e parë të frontit, duke iu sjellë shokëve shumë armatim. Atje në Shqipëri këtij grupi i bashkohet edhe Hazir Kryeziu (tani dëshmor). Duke parë shkathtësitë e tij luftarake, caktohet udhëheqës i një togë-skuadre në fshatin Dollc.
Edhe më 3 nëntor të vitit 1998, Beqiri, në krye me Mujë Krasniqin, Ali Krasniqin e nja 140 luftëtarë të tjerë, u nis për në Shqipëri, për t’u furnizuar me armë, por, për shkak të borës së madhe, kanë qëndruar një kohë në Shqipëri, në Kukës.
Në korrik të vitit 1998, së bashku me djemtë e vëllezërve, Agronin, Ylberin e Ibish Bajram Gashin, ka shkuar për armë në Shqipëri. Pas kthimit nga Shqipëria, Beqiri merr pjesë në shumë aksione kundër forcave policore-ushtarake, së bashku me Mujë Krasniqin e luftëtarë të tjerë, si në Çabiq, Përçevë, Likoc, Açarevë, Tërdec etj. Me rastin e luftimeve që janë zhvilluar në fshatin Cerovik, ka qenë i plagosur në shpatull dhe një kohë është shëruar në Spitalin Ushtarak të Likocit. Po ashtu, Beqiri, së bashku me një grup shokësh, nja 12-13 vetë, kur kanë marrë vesh se është thyer fronti në Dollc, është kthyer nga Tropoja, aty në kufi iu ka bashkuar një grupi të madh luftëtarësh (nja 140) dhe është kthyer në Ujmir, në Pikën e Dollcit. Sipas dëshmive të Ylberit ( i cili ka qenë edhe ky në këtë grup), në këtë grup bënin pjesë: Beqiri, udhëheqës i grupit, Agroni, Ibishi, Bedri Gashi, Avni Krasniqi (vëllai i Mujës), Arsim Rexhepi nga Zabërgja dhe Rexhep Gashi, i cili grupit iu ka bashkuar në Tropojë.
Në korrik të vitit 1998, me rastin e rrethimit të Kijevës, Beqiri ka qenë aty së bashku me shumë luftëtarë të tjerë. Gati në të gjitha ofensivat që janë zhvilluar në gusht të vitit 1998, Beqiri ka marrë pjesë së bashku me Mujë Krasniqin e luftëtarë të tjerë. Ka qenë pjesëtar i Brigadës 113 (Pas rënies së Mujë Krasniqit kjo brigadë ka marrë emrin e tij).
Beqir Gashi ka rënë më 14.12.1998, në vendin e quajtu Lëkenet e Hasit në Goprozhup të Pashtrikut së bashku 35 dëshmorë të tjerë.
Pas rënies, Qeveria e Përkohshme e Kosovës dhe Kuvendi Komunal i Malishevës e kanë dekoruar me Mirënjohje, me rastin e 4-vjetorit i është ngritur përmendorja në fshat, ndërsa në Çabiq i është ngritur shtatorja së bashku me Mujë Krasniqin.Dëshmorit Beqir Gashi i kanë kushtuar këngë: Rifat Berisha, Riza Selimi, Hajrullah Emini nga Shkupi, motrat Krasniqi, motra e Mujës ia ka kushtuar një këngë, si dhe djemtë e vet, Ismeti e Shpëtimi ia kanë kushtuar një këngë babait të tyre dëshmor. Për dëshmorin Beqir Gashi është shkruar në librin Dëshmorët e Llapushës të autorit Ramadan Krasniqi.
Beqiri la pas veti: pos vëllezërve e motrave që i përmendëm më lart, edhe nënën Sadbere, një nënëloke burrërore, bashkëshorten Ganimete dhe fëmijët, Ismetin e Shpëtimin, të cilët përherë do të jenë krenarë me veprën e babait të tyre, i cili flijoi jetën për një ideal të lartë kombëtar. (Sh. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …