(Libri “Legjenda e dhembjes së heshtur”, nga Hasan Qyqalla e Mustafë Krasniqi, botim i Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, Prishtinë, 2018)
Treva gjeografike, që sot përfshinë komunën e Kaçanikut, njihet si njëra nga trevat me histori të pasur, por edhe nga trevat më të bukura të Atdheut. Fshati Duraj i kësaj komune, i shtrirë rrëzë maleve të larta të Sharrit dhe përballë majës së bukur të Lybetenit, në afërsi të të cilit përshkon lumi malor i Lepencit, paraqet një vend e një natyrë magjepëse. Por, janë edhe banorët e këtij fshati, që dallohen për urtësi e trimëri e që lanë gjurmë të shënuara në histori.
Të flasësh apo të shkruash për fshatin Duraj është e pamundur të mos bien menjëherë në mendje Avdyl Dura dhe Hajredin Dura, të dy luftëtarë të shquar kombëtarë.
Pos në histori, ky fshat edhe sot dallohet për personalitete e familje të mëdha në shërbim të Atdheut e të çështjes kombëtare. Njëra nga këto familje ishte ajo e plakut të urtë, Ilaz Salihaj. Kjo familje e madhe e fshatit Duraj kishte një odë të mysafirëve, ku mblidheshin e bisedonin shtruar për çdo mbrëmje burrat e djemtë e shtëpisë, në mesin e tyre ishte edhe mixha Ilaz. Ilaz Salihaj, një plak me pamje, me tipare, me veti e me virtyte karakteristike të traditës sonë kombëtare, ishte një burrë i urtë e i respektuar gjithandej, në një rreth të gjerë shoqëror. Fjala e tij ishte “melhem për varr”, zinte vend dhe respektohej kudo. Ai kishte krijuar një familje të madhe e shembullore, e cila, si një zgjua bletësh, rregullonte jetën në mënyrën më të mirë të mundshme, gjithmonë në përputhje me kushtet e rrethanat e kohës.
Në luftën çlirimtare të UÇK-së u derdh shumë gjak, u bënë flijime të mëdha, sepse liria nuk vinte ndryshe! Edhe familja Salihaj, si shumë familje tjera në Kosovë, dha më të dashurit e saj, bijtë e saj. Si kurban të lirisë së Kosovës u flijuan djemtë e kësaj familjeje atdhetare; Sabriu, Kemajli, Bekimi dhe Izahiri, si dhe nusja e shtëpisë, Lumnija. Shkuan ata për të mbetur prore në themelet e kështjellës së lirisë sonë.
Edhe gjatë luftës, edhe sot, kjo familje atdhetare, më e martirizuarja në komunën e Kaçanikut e më gjerë, ka qëndruar dhe qëndron prore e fortë dhe krenare, duke qenë e vetëdijshme se liria nuk do të vinte dhe nuk do të fitohej kurrë pa gjak, siç edhe nuk mbrohet pa gjak.
Kësaj familjeje të madhe i kushtohet libri monografik “Legjenda e dhembjes së heshtur”, shkruar nga autorët – shkrimtarë Hasan Qyqalla e Mustafë Krasniqi, në botim të Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës. Shoqata e të Burgosurve Politikë është e përkushtuar për botimin e librave që pasqyrojnë sa më mirë rezistencën, përpjekjet dhe luftën për liri të popullit tonë. Ajo ka botuar, deri tash, qindra libra e publikime me përmbajtje të gjerë nga historia më e re e Kosovës, siç është edhe ky libër.
Libri “Legjenda e dhembjes së heshtur” ndahet në gjashtë pjesë, në të cilat zbërthehet historia e fshatit dhe e familjes; përpjekjet, rezistenca, lufta dhe, në fund, flijimi për liri. Aty gjejmë kujtime, përjetime, rrëfime, ndjekje e burgosje, aty gjejmë përshkrime ngjarjesh e personalitetesh të njohura e të panjohura për publikun e gjerë. Pos tekstit, libri është i kompletuar edhe me fotografi e dokumente – faksimile të shumta, kryesisht nga shtypi i kohës.
Rrëfimet për familjen e ngushtë dhe të gjerë Salihaj, për martirët e lirisë; Sabriun, Kemajlin, Lumnijen, Izahirin dhe Bekimin, si dhe për plakun e urtë, Ilazin, e bëjnë librin një dokumentar – përmendore të rëndësisë së veçantë, që do t’u shërbejë brezave që vijnë për ta njohur më mirë luftën tonë për liri dhe sakrificat që janë bërë për fitimin e lirisë.