Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka deklaruar se rritja enorme e çmimeve për çdo sektorë është një goditje tjetër për ekonominë e Kosovës pas asaj të shkaktuar nga pandemia. Kjo krizë e shkaktuar nga agresioni rus në Ukrainë, pritet të ketë ndikime negative në ekonominë e vendit tonë për këtë vit. Rukiqi thotë se parashikimet e normës së zhvillimit ekonomik për vendin që janë bërë nga institucione ndërkombëtare financiare si FMN dhe Banka Botërore, janë reale. Megjithatë këto vlerësime mes 3 dhe 4 për qind të rritjes ekonomike, janë edhe një mesazh për Qeverinë e Kosovës. “Ka vlerësime nga 2.5 prej Fondit Monetar, 3 deri 4 nga Banka Botërore. Instituti Ekonomik i Vjenës është aty afër me vlerësimet e Bankës Botërore. Por, besoj që nëse merren parasysh rrethanat është e arritshme dhe njëkohësisht është edhe mesazh që të kemi më shumë aktivitete ose shtim të investimeve kapitale, lehtësira të tjera për biznese, promovim më të madh të eksportit në mënyrë që të amortizohen efektet që po i shkakton rritja e çmimeve”, thotë Berat Rukiqi.