Nëse zgjedhjet e 25 prillit kanë një humbës të madh dhe të patjetërsueshëm në humbjen e tij, ai është Ilir Meta, presidenti në detyrë i shtetit shqiptar.
Askush tjetër nuk ka humbur si ai dhe, në të njëjtën kohë, askush tjetër si ai nuk duhet të mbajë përgjegjësi për shëmtirat që ndodhën dhe synimin për të futur të gjithë vendin në një konfrontim të rrezikshëm. I nisur nga vila e tij shumëdimensionale në Lalzë dhe zyrat presidenciale, të thyera në një shtab lufte, ai u nis me mendjen plot që të niste përleshjen e fundit të jetës së tij, për të cilën mendonte se do të ishte ndeshja finale, por fatale për këtë vend.
Ilir Meta, si askush tjetër, kërkoi të ndizte luftën, për të shuar mërinë ndaj tij; të gjakoste vendin, për të shijuar pasurinë; të nderkallte rajonet e këtij vendi, për të ruajtur pjesën e grabitur; ai desh bëri gjëmën, për të qenë gjëmëtari.
I tallazitur prej idesë së tregtisë së babëzitur, ai shiti në këtë fushatë elektorale gjithë çfarë mundi, të vërtetën, nderin, ndërgjegjen, u kacavar në degët e njerëzve meskinë dhe të kërkuar nga shteti, u bë si kapuçonët e zinj, skicoi përgjakjen dhe synoi të marrë në duart e tij hanxharët për të prerë duart e njerëzve.
Askush tjetër, jo një president që pretendon të jetë simbol i unitetit të kombit, nuk ka qenë kaq i ashpër, i egër, mizor dhe gjakndezës, sa ishte Ilir Meta. Njerëzit më shumë i druheshin fitores së tij, se sa disfatës, dhe i dhanë disfatën. Në fakt, ai nuk ka vepruar kurrë me urtësi, por i shtyrë nga deliri dhe çmendja, kaloi në marrëzi. Ai duhej ndëshkuar për marrëzinë e tij dhe , ndëshkua.
Asnjëherë tjetër njerëzit nuk kanë menduar më shumë se sa kësaj here, se kujt i duhej dhënë vota, kujt i duhej besuar, qoftë edhe pak fare, te cili duhej mbështetur dhe nga kush duhej larguar, si nga murtaja. U larguan nga presidenti dhe partia e tij; ikën me turr nga gruaja e presidentit, që tallte njerëzit e varfër dhe kërkonte mbivendosjen mbi shtetin; ndëshkuan si kurrë më parë një forcë politike klienteliste, që për pushtetin dhe paranë shet gjithka ka para vetes, edhe vetë shtetin.
Asnjëherë një forcë politike nuk ka qenë kaq shumë antikombëtare dhe antishtet; nuk ka pasur një forcë tjetër politike në këtë vend që shet çfarë i del përpara dhe, nuk do të ketë kurrë një president që vazhdon të rrijë në zyrën e tij, edhe kur forca politike e mbarsur prej atij vetë, nuk ka veçse katër përfaqësues politikë në një kuvend prej 140 deputetësh. Në fakt, do të kishte qenë gjysma e tyre nëse nuk do të kishte pasur kaq shumë vota të pavlefshme, por edhe dyfish e saj nëse nuk do i kishte prirë një president kaqol si ai, që beson se mburrja dhe rrahja e gjoksit është trimëri dhe dollia e rakisë është mburrje.
Ilir Meta do të mbahet mend si uzurpatori dhe fajtori i madh i së majtës që e dërgoi në presidencë; si njeriu i parë i një shteti, ku mbi 95 për qind besojnë tek SHBA, por që i pari i vendit i shpall luftë, duke thirrur në ndihmë raketat ruse apo koreano-veriore; që haptas thotë budallallëqe të pazakonta, si ajo që Amerika synon vrasjen e tij, (ndoshta kjo psikozë është e hershme tek ai, që kur e krahasoi veten me Alenden dhe vetëvrasjen), që i bën thirrje ta dërgojnë në Mali me Gropa dhe atje ta godasin me raketë; është i vetmi njeri, që mendohet si burrë shteti, që kërkon shkallmimin e shtetit të tij.
Zoti President, Shqipëria nuk është vila jote në Gjirin e Lalzit dhe shqiptarët nuk janë si sejmenët që të sillen rreth e rrotull; ky vend nuk është si analistët që të mbushin mendjen se je burrë i madh, politikan race, kur, ja, erdhi rasti, votimet treguan se nuk ishte askush tjetër, veçse hija e një korbi, që krakavitet mbi fatet e njerëzve, dhe, në fund, je edhe më i humbur se Berisha i vitit 1997, megjithëse të dy, një racë jeni dhe një fat përbuzës meritoni.
Dikush që mendon të shkallmojë shtetin e tij përmes vdekjeve, gjakut, dorëprerjeve, mërisë, gjakut dhe kërcënimit, ai nuk mund të jetë presidenti i një vendi. Jo vetëm se ai është humbësi më i madh. Kjo është njëra anë. Kjo është pritur dhe njerëzit e mënçur e kanë thënë këtë. Edhe ai vetë e ka ditur, ndaj kaloi në delire halucionante dhe pasione verbuese dhe të rrezikshme.
Ilir Meta është humbësi më i madh sepse ai kërkoi të bëhej ai që nuk mund të ishte dhe të ndizte atë që do e shpëtonte. I mënjanuar nga Perëndimi dhe i lënë në fatin e tij nga Shtetet e Bashkuara, që jo shumë vite më parë kërkuan arrestimin e tij, ai synoi të njësonte fatin e tij personal me fatin e shqiptarëve. Ilir Meta harroi se shqiptarët, si një popull praktik, u japin më tepër rëndësi të realiteteve konkrete sesa të drejtave abstrakte; besojnë më shumë te paqja se te lufta; te mendimi sesa te dhuna.
Megjithëse atij i dukej e pamundur, por, te njerëzit, me qetësinë e tyre, idetë kanë më tepër kredi sesa fuqia dhe shqiptarët e vitit 2021, megjithëse kishin arsye të shumta për të qenë të pakënaqur me qeverinë Rama 2, nuk ishin të bindur se duhej përmbysur me dhunë, prerje duarsh, burgosje dhe gjak, për çka i thërriste i pari i tyre. Aq më tepër që, në një kohë pandemie dhe tërmeti, vemendja e tyre ishte drejtuar drejt jetës e jo vdekjes, drejt mbijetesës dhe jo shuarjes, ku i thërriste Ilir Meta.
Lufta e Ilir Metës kundër shtetit që drejton nisi me 2 mars të vitit të shkuar, kur deliri i madhështisë e çoi drejt shkeljes së madhe kushtetuese dhe të denueshme ligjërisht: thirrjen e një metingu, të mbështetur budallshëm nga Lulzim Basha, në fillimin e pandemisë, joshja e metingashëve të huazuar me idenë e shkrirjes së parlamentit, për të shkuar më tej, në mbështetjen pakufi të protestave të dhunshme, zjarrit, përplasjeve bombave molotovë, shkatërrimit. Ajo që ndodhi me 2 mars ishte çasti i kokëkrisjes presidenciale dhe kalimi i tij në një gjendje të rënduar psiqike dhe patalogjike dhe, që nga ai çast ai e humbi të drejtën për të qenë i pari i shtetit. 2 marsi, ishte dita kur vendi humbi Presidentin. Që nga 2 marsi i vitit të shkuar dhe deri në 25 prill të këtij viti, ai e ka shkelur shtetin përmes pushtetit të dhënë, ka ndjellë urrejtjen dhe përplasjen e shtetasve të tij.
Askush nuk mund ta besonte se Ilir Meta, një njeri praktik dhe kafshë politike, si ka dëshirë ta quajnë, do i kalonte vitet e fundit presidenciale në një gjendje ekstaze mistike, rob i emocioneve dhe i shpërthimeve, duke shuar çdo shpresë se pas tij qëndron një njeri normal.
Autokracia e Edi Ramës nuk e përligj despotizmin që kërkoi të vendosë Ilir Meta. Ilir Meta duhet të ikë. Ai nuk shprish vetëm figurën e një presidenti, por edhe të një njeriu të zakonshëm. I çakorduar, i çakërdisur, mizor dhe shpërthyes, i gatshëm për përleshje dhe , pa e njohur gjendjen e së mundshmes, ai nuk mund të rrijë më në atë vend, prej nga i shpalli luftë më shumë se gjysmës së shqiptarëve. Gjuha e folur ditën e djeshme, që i ngjante një përmjerrje politike, nuk është e njeriut që e di se i ka ardhur për të ikur, por e atij që kërcënon përsëri se çfarë mund të ngjasë deri në shtator. Ilir Meta mendon rikthimin e dhunshëm dhe askush të mos shpresojë se ai është mbushur në mend. Nuk mund të presësh atë që nuk e ka.
Asnjë deklaratë urrejtje e Ilir Metës nuk zuri vend, veç njërës: ajo që do të jepte dorëheqjen nëse Rama do të fitojë më shumë se 71 mandate. Pikërisht mëria dhe shpallja e luftës e shtynte atë që të bënte një deklaratë skandaloze dhe të padenjë edhe për një rrugëtar, se “nuk do i jap mandatin Edi Ramës për formimin e qeverisë, por dorëheqjen time”.
Për mandatin nuk e pyeti askush dhe nuk do e pyesë askush. Për dorëheqjen bën mirë të mbajë fjalën. Tërheqtë këmbën zvarrë edhe si monstrat e tjerë të politikës së këtyre 30 viteve pluralizëm! (Dita)