Besian Mustafa pranoi detyrën e ministrit të Bujqësisë

Ministri i ri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, të martën pranoi detyrën e re nga ministrja e deritashme, Dijana Zhiviq.

Me këtë rast, ish ministrja Zhiviq e ka njoftuar për së afërmi ministrin e ri me punën e bërë deri më tani, duke i uruar atij suksese në angazhimin e tij në këtë ministri. 

Ndërkaq, ministri i ri i MBPZhR-së, Besian Mustafa, premtoi se në vazhdimësi do të angazhohet në zhvillimin dhe fuqizimin e sektorit të bujqësisë, që sipas tij është njëri ndër sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë, si dhe një ndër motorët kryesorë të zhvillimit ekonomik.

“Sot edhe zyrtarisht kam pranuar detyrën për të udhëhequr me njërin ndër dikasterët kryesorë për zhvillimin ekonomik të vendit dhe ne do ta trajtojmë si të tillë. Do të eksplorojmë të gjitha mundësitë ligjore, administrative dhe financiare që të fillojmë zbatimin e  programit bashkë-qeverisës që të jetësojmë të gjitha premtimet që i kemi dhënë qytetarëve të Kosovës për zhvillimin e këtij sektori”, ka thënë ministri Mustafa.

Ndër tjerash, ai ka theksuar se misioni i tij, duke u nisur edhe nga përvoja e tij e mëparshme në sektorin privat, është përkrahja e fermerëve dhe prodhuesve vendorë.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …